Nga Leonard Veizi
Isha përgatitur që edhe këtë vit Ditën e Verës të kaloja në Elbasan, atje ku ç’është e vërteta kjo festë ngjit më shumë se kudo tjetër. Por karantina na i prishi planet. Dielli shkëlqen, por ne jemi të detyruar të qëndrojmë të “ngujuar” në apartamentet tona. Në të kundërt ora 8 e mëngjesit do më kishte zënë në Elbasan. Edhe pija një kafe qetë-qetë si na e do xhani, edhe haja ndonjë bugaçe të zhytur në tylyn.
Mirëpo kur s’do, s’do, thotë populli.
Në një rast të tillë, mendja më shkon te 14 marsi i një viti më parë.
Elbasani për ditë vere bëhet si asnjëherë tjetër. Nuk di të them më i bukur, veç di të them më i zhurmshëm. Aheng e muzikë nga të katër anët. Dhe në bulevardin qendror mund të gjesh disa mijëra njerëz nga Elbasani e qytete të tjera që shkojnë enkas për të shijuar këtë ditë. Ç’është e vërteta, festa zyrtare ka nisur që mbrëmjen e 13 marsit ku për të zënë një tavolinë katërshe duhet të prenotosh një javë më parë. Ndërsa festimet ceremoniale, me bandë, karnavale e panair ushqimor, hapën mëngjesin e 14 marsit për të vazhduar deri në mesnatë.
Lëvizja e njerëzve në bulevard është ca si shumë kaotike, dhe në çdo hap që hedh do të gjesh mundësi për të blerë ballakumen e famshme.
Dhe kjo ëmbëlsirë fantastike, ka një formulë, që në vitet e vrullshme të kibernetikës në shumicën e herëve ka rënë. Në traditën e hershme të ardhur deri në ditët tona, brumi i ballakumes, që bëhet nga miell misri, gjalpë e vezë fshati, rrihet në një enë bakri, përndryshe ajo nuk merr vlerën e duhur. Me të njëjtën formulë bëhet edhe revania, po aq e respektuar në një ditë të tillë feste. Dhe zakonisht ndodh që ata që e bëjnë sipas formulës, ballakumen e mbajnë për vete dhe për miqtë. Të tjerët, që ia kërcasin me tenxhere alumini, apo ç’t’u vijë për mbarë aty në hajatin e shtëpisë, i nxjerrin në shitje për popullin e rretheve të tjera, të cilët nuk është se ia kanë idenë fort se si është prodhimi origjinal.
14 marsin, burrat e mençur të kombit shqiptar, Naim Frashëri e Faik Konica, e kanë transmetuar si një festë pagane, të ç’pikur, yhyyyy, atëherë kur as Krishti e as Muhameti nuk i kishin shkruar qitapet e tyre. Pra shkurt nuk është festë fetare. Në shumë zona, Dita e Verës është 1 marsi. Në kalendarin e vjetër “allaturka” 14 binte në 1 mars. Ca e ngatërruar kjo histori djema, por mua s’ma merr mendja që festa të jetë aq ilirike sa e trumbetojnë, por dhe e ndërthurur me motive orientale, siç na shkon për shtat, për më tepër Elbasanit, të cilët osmanët ia hoqën dhe emrin e vjetër Skampa, dhe atashuan në gërmadhat e kalasë ilire një garnizon ushtarak me jeniçerë, azapë, spahinj e sherdentgjeshlerë.
Tek e fundit osmanët i ndërruan emrin Konstandinopolit e jo më Skampinit.
E po të pyesësh poshtë e lart mbi krenarinë shqiptare të ëmbëlsirës tradicionale, ballakumen, revaninë dhe fulinë që vendasit të thonë se e kanë “dhi n’vaj ullini”, elbasanasit e vjetër ta shpjegojnë troç: çfarë tradite or bab, këto na i ka lan turqinia, ashtu si dhe rakinë.
Epo mirë, tek e fundit na paska lënë ca gjana të mira or daj.
Dhe ja kështu festohet dhe Dita pagane e Verës.
Duke parë ca foto të vjetra shkrepur për ditë vere, ndesha dhe në këtë status, të postuar në faqebook:
“Në Elbasan, atje ku Dita e Verës merr kuptimin e plotë.
PS 1: Kur pashë këtë foto, fillimisht vetja m’u duk si në demonstratën e bukës në Korçën e vitit 1936. Por meqenëse jam ca i rrumbullakosur, kjo diçiturë ra.
PS 2: Kaq shumë popull nuk kam parë as në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pas manifestimit të klasës punëtore në 1 maj…”
Ja kjo është atmosfera në Elbasan, në një ditë 14 marsi plot diell, që këtë herë na mungon për shkak të ngujimit, karantinimit, apo shtetrrethimit.