Nga “rreziku i kontrolluar” drejt paqartësisë – Si koronavirusi po sfidon marrjen e vendimeve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

– Si koronavirusi po sfidon marrjen e vendimeve ekonomike, financiare, sociale e politike

Nga Adrian Civici, ekskluzivisht për Gazetën Fjala

Koronavirusi dhe gjithë problematika e lidhur me efektet e masat për luftimin e tij po e fut botën në një stad të ri me shumë të panjohura. “Surpriza” dhe “paqartësia” e gjithshkaje që po ndodh me një shpejtësi marramendëse kërkon veprime drastike nga qeveritë dhe qytetarët e cdo vendi.

Por ndryshe nga eksperiencat e deritashme në marrjen e vendimeve “të duhura” dhe “efikase”, shpjegimet e arsyeve të kësaj situate, analizat për dinamikën e saj dhe masat e politikat më eficente për ta përballuar e luftuar kanë brenda një dozë të lartë paqartësie.

Në një libër shumë interesant të titulluar “Mirësevjen paqartësi – si të veprojmë në një botë suprizuese”, të sociologut Philippe Silberzan, jepet një panoramë e plotë e situatës së re që po përballemi… “Falimentimi i Lehman Brother dhe kriza financiare globale e vitit 2008, Pranvera arabe, kriza greke, cfaqja e ISIS-it, aksidenti bërthamor në Fukushima, zhdukja e Nokia-s, Breksit-i, zgjedhja e Donald Trump, etj., ishin të pamundura për tu parashikuar, ndërkohë që efektet e tyre po e riformatojnë planetin dhe jetën tonë të përditshme. Në një botë plot “supriza”, që ndryshon në mënyrë radikale në mënyrë të shpejtë, parashikimi i të ardhmes po duket gjithnjë e më i pamundur, ndërkohë që përballja me katastrofa të panjohura po bëhet evidente.

Instrumentet e vendimmarrjes që ne përdorim mbështeten në të ashtuquajturën “paradigma parashikuese”, e cila vazhdon të jetë e lidhur ngushtë me civilizimin e revolucioneve industriale të 150 viteve të fundit.

Ka ardhur koha të “rrishpikim” përballjen me botën e të ardhmes… të ridimensionojmë dimensionet fondamentale të marrjes së vendimeve në kushtet e paqartësisë : dimensionin ontologjik – cila është natyra e mjedisit ku jetojmë dhe si po evoluon ai? Dimensionin epistemologjik – cfarë informacioni duhet të përdorim në vendimmarrje? Dimensionin sociologjik – si mund të integrohen strategjitë dhe veprimet e aktorëve të ndryshëm të implikuar në marrjen e vendimeve në kushtet e paqartësisë?”

Presionet dhe pritshmëritë për të gjetur një shpjegim e zgjidhje sa më “shkencore” për të dalë fitimtarë nga kjo situatë po na përball me një problem akoma më të madh e fondamental, po na përball me disa pyetje e pikëpyetje të një natyre të panjohur deri më sot: a është vënë në dyshim pamundësia jonë për të parashikuar të ardhmen?

A e kemi kuptuar dhe përvetësuar si duhet diferencën ndërmjet riskut dhe paqartësisë që ekonomistë e sociologë si Daniel Kahleman apo Nassib Taleb e kanë evidentuar si shqetësimi kryesor për të ardhmen e shoqërisë dhe ekonomisë? A jemi të përgatitur ta pranojmë dhe të veprojmë në kushtet e një zhvillimi apo ecurie jo-lineare të botës, shoqërisë, politikës dhe natyrisht ekonomisë?

Le ti trajtojmë me rradhë këto pikëpyetje themelore.
Paparashikueshmëria e të ardhmes. Tashmë është bërë rutinë pothujase në gjithë vendet e botës që në muajt dhjetor dhe janar, institucione të specializuara, organizma ndërkombëtare, qëndra ekselence apo ekspertë e personalitete të shquara të bëjnë parashikimet për “vitin e ardhshëm”. Cdo vit pothujas e njëjta gjë : ecuria e ekonomisë, problemet sociale, mjedisi, marrëdhëniet ndërkombëtare, etj.

Por, tashmë, të paktën në këto dy dekada të para të shek.XXI-të, pothujase cdo vit po përballemi me “supriza” të paparashikuara, me ngjarje që përmbysin parashikimet. Silberzan nënvizon se “ajo që parashikohet nuk ndodh … ndërkohë, ajo që ndodh nuk ka qënë e njoftuar”. Sot më shumë se kurrë ka ardhur nevoja që të kalojmë nga “paradigmat parashikuese” që po na rezultojnë gjithnjë e më shumë të pavërteta e jo eficente, drejt paradigmave që si dimension kryesor kanë “paqartësinë” dhe “suprizat”.

Diferencat ndërmjet riskut dhe paqartësisë. Në këto momente paniku dhe tensionesh të jashtëzakonshme që kanë përfshirë gjithë vendet e prekura nga koronavirusi, ka dhe zëra mjekësh e ekspertësh që shprehen se “nëse nuk keni frikë nga gripi … atëhere përse keni kaq shumë frikë nga koronavirusi?”

Lexo edhe :  “Racizmi” shtetëror?!

Në pamje të parë një llogjikë e tillë duket e arsyeshme dhe pranueshme, problemi themelor në këtë rast qëndron në bazën e krahasimit, në raportet ndërmjet riskut dhe paqartësisë që një individ i thjeshtë apo vendimmarrës i niveleve të larta duhet të marrë. Gripi është një fenomen i njohur tashmë, që megjithë risqet që përmban, është i kontrollueshëm dhe me procedur e kura të qarta shërimi.

Ndërsa koronavirusi është akoma i panjohur, i pa-parashikueshëm në evolucionin, dëmet njerëzore dhe efektet anësore që shkakton. Vendimet që po merren aktualisht në luftën ndaj koronaviruesit kanë një dozë të lartë “paqartësie”, janë objekt i debateve e polemikave të shumta mbi vlefshmërinë dhe efektshmërinë e tyre. Në situata të tilla,paradigma e “efekteve të parashikuara” nuk ka vlerë. Paqartësia po bëhet fjala celës e marrjes së vendimeve. Duhet të fillojmë të mësohemi me këtë zhvillim të ri.

Në cfarë drejtimi po evoluon bota dhe shoqëria? Mqs po jetojmë në “kohën e koronavirusit”, në media e debate publike e politike nuk mungojnë statistikat dhe shembujt për epidemi të mëparshme shumë të rënda që bota ka kaluar, të tilla si murtaja e shek.XIV-të apo gripi spanjoll i viteve 1918-1919, epidemia e SARS-it, Ebola, etj.. Me sa duket, koncepti i Nassim Taleb i “mjelmës së zezë” po bëhet cdo ditë e më tepër prezent në evolucionin e botës dhe shoqërisë sonë.

“Mjelma e zezë” nuk egziston vetëm në libra apo fantazinë e ndonjë studiuesi apo akademiku, ajo po shfaqet gjithnjë e më shpesh në jetën tonë të përditshme,natyrisht në sensin e gjërave të njohura e ato “surprizë”, në gjërat e probabël dhe ato që deri tani i kemi quajtur si “probabilisht të pamundshme”.

Mesa duket dhe këtij këndvështrimi apo iluzioni i ka ardhur fundi. “Surprizat” po shfaqen cdo ditë e më tepër si “një mënyrë të menduari dhe vepruari që shoqëria privilegjon, ose më saktë, që ka privilegjuar deri tani, ndërkohë që efektet, shpesh katastrofike të surprizave po bëhen më evidente”.
Një nga faktet më interesante të këtyre ditëve të fundit ishte një artikull apo diskutim i Bill Gates, themeluesit të Microsoft, shumë i angazhuar në filantropi për luftimin e sëmundjeve vdekjeprurëse dhe epidemive, në të cilin Gates, një vit më parë, paralajmëroi se “bota ishte në rrezik nga një virus i cili do përhapet me shpejtësi në të gjithë planetin… se bota duhet të jetë në gatishmëri për një epidemi në një kohë kur ndjenja e urgjencës mungon …

Bota duhet të përgatitet për epidemitë në të njëjtën mënyrë serioze që përgatitet për luftë … se një shpërthim i mundshëm në Kinë mund të përhapet me shpejtësi në të gjithë planetin… “ Dhe në fakt, ashtu ndodhi. Virusi u shfaq në qytetin kinez në Wuhan, dhe brenda 2 javësh u përhap në të gjithë globin.

Mënyra jonë e deritashme e të menduarit dhe gjykuarit “tradicionalisht” e futi këtë parashikim të Bill Gates në shinat e “riskut të menaxheshëm” – cfarë mendoj se është e arsyeshme dhe si e gjykoj të pamundshmen apo të paarsyeshmen – dhe jo në kategorinë e “paqartësisë”.

Në botën e sotme, cdo njeri, por vecanërisht vendimmarrësit e rëndësishëm në sferat politike, ekonomike, financiare, shoqërore, kulturore, shkencore, etj., duhet të pajisen gjithnjë e më shumë me nocionin e “kulturës së paqartësisë” dhe “probabilitetit të ulët të ndodhjes” në vendimmarrjet e tyre.

Koha “tradicionale” e riskut të menaxheshëm duket se po shkon drejt fundit. Armiku dhe sfida jonë më e madhe në vitet në vazhdim duket se do të jetë “aftësia parashikuese dhe vepruese në kushtet e paqartësisë”.

*Analiza posaçërisht për gazetën Fjala

Të fundit

Qeveria rrit buxhetin për pensionet dhe mbrojtjen/ Shkurtime për SPAK-un

Buxheti i viteve 2026-2028 do të fokusohet tek mbrojtja dhe pensionet. Programi afatmesëm i botuar në Fletoren Zyrtare projekton...

1985 Fundosja e “Rainbow Warrior”

Më 10 korrik 1985, në portin e Auckland-ut në Zelandën e Re, një akt sabotimi tronditi opinionin ndërkombëtar dhe ekspozoi fytyrën e errët të...

Analiza: Shumë njerëz në Gjermani nuk mund të jetojnë nga rroga

Kur Kancelari gjermanFriedrich Merzdoli në sallën e Bundestagut  së fundmi për të paraqitur ai përdori stilin e tij tipik të drejtpërdrejtë, mbi atë që ai e quajti një...

Netanyahu: Armëpushimi i përhershëm në Gaza është i dyshimtë

Qeveria izraelite beson se shanset për të arritur një armëpushim të përhershëm në Gaza janë “të dyshimta”. Vlerësimi pesimist, në një konferencë për shtyp të...

Vrau efektivin e “Shqiponjave”/ Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për Azgan Mërnicën

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkon dënimin me burgim të përjetshëm të shtetasit A.M. për veprat penale...

Lajme të tjera

Web TV