Nga Stefano Diana “Huffington Post Italia”
“Ai, shpirti i të cilit ka etjen të provojë gjithë rrethin e vlerave dhe mrekullive të njohura për ne, dhe të lundrojë nëpër të gjitha brigjet e këtij ideali që quhet “det i brendshëm”. Ai, i cili do të mësojë nga aventurat e përvojës së tij, se çfarë është guximi i një pushtuesi dhe zbuluesi të idealit, i një artisti, i një shenjti, i një ligjvënësi, i një njeriu të mençur e të devotshëm, i një asketi të modës së vjetër:që të gjitha këto kanë mbi të gjitha nevojë për një shëndet të mirë”.
Këto janë fjalët e filozofit gjerman Fridrih Niçe, në veprën e tij “Shkenca e Gaias”. Por, çfarë gjëje më të bukur mund të mendonte një njeri si ai, që ndjehej gjithmonë keq? Për cilat nga tiparet më të dëshirueshmet të Supernjeriut në ardhje, përveçse një shëndeti shumë të mirë? “Shëndet i plotë” ishte ëndrra fikse në kokën e tij, ndërkohë që ethet dhe të vjellat e vazhdueshme, u mpleksën me vizionet e kolerës së tmerrshme, kundër botës që u rrit dhe që u shtrembërua përreth tij, kundër gënjeshtrave të bëra kapicë në institucionet shoqërore, kundër hipokrizive dhe mashtrimeve të vazhdueshme të një progresi fals, që në realitet po dobësonte njerëzit.
Ndërsa poezia dhe aforizmat e Niçes janë tronditëse, shkenca nga ana tjetër është shumë më pak se kaq. Konsideratat mbi qeniet njerëzore janë të pjesshme, arbitrare, dhe të ekzagjeruara. Nuk mund të pretendosh më shumë prej tij apo nga filozofët klasikë.
Reflektimet e tyre të ndërlikuara, na japin herë pas here disa reflekse të drejtpërdrejta mbi kuptimin e ekzistencës, por mbi të gjitha ato na flasin mbi gjendjen njerëzore, duke na treguar se cila forcë e dëshpëruar ka nevojë që të kuptojë, dijë, të krijojë një ide mbi kozmosin nga fundi i një pusi të zhytur në errësirë.
Po çfarë është errësira në thelb? Të mos dish asgjë mbi trupin ku lindin të burgosura përshtypjet tona të paqarta dhe të rrufeshme, të cilave ne mund t`u vijmë vazhdimisht rrotull, me iluzionin e kotë që t’i kapim dhe t’i gozhdojmë në një mur.
Sigurisht, një filozof si Niçja ishte i vetëdijshëm për këtë:”Jemi të panjohurit e vetes tonë,
ne njerëzit e dijes, ne vetja e vetes sonë”. Ndoshta më shumë se të gjithë filozofët e tjerë, “Zarathustra” e Niçes na jep një ide. Predikuesi i ngratë, nuk mund veçse të ecte mbi një
shkop dhe të përhumbej mureve të pusit të tij të thellë, në errësirën e kohës së tij.
Ne na prek dëshira e tij për t’ia dalë me çdo kusht, na bën të ndjehemi sikur e kemi vëlla. Por gjithçka që mund të bëjmë, është të fajësojmë historinë e kulturës që kulmon në të:historia e poezisë së shitur për shkencë, e teorive absurde, e fantazmave ideale dhe e koncepteve abstrakte, gjithnjë e më shumë të shkëputura nga realiteti.
Niçe e nuhat se nën superioritetin e filozofëve dhe priftërinjve, fshihet një e vërtetë tjetër, edhe më e vërtetë. Sidoqoftë, ai nuk di asgjë për entropinë, për të pandërgjegjshmen, për biologjinë. Asgjë mbi atë “botë të vërtetë”, që do të donte të na e përcillte nën iluzionin e pushtetit.
Kjo është arsyeja pse ai vetë fillon të shpikë teori të tjera që i shërbejnë pushtetit, madje në një nga format më të këqija të pushtetit të epokës moderne, nazifashizmit. Të dobishme për kohën e tyre, për të tronditur ndërgjegjen e rreme të shekullit, ne sot e dimë se Supernjeriu i Niçes dhe imoraliteti tij i famshëm, nuk i përkasin më tepër “botës reale”sesa mashtrimeve të tjera.
Në fakt, “botës reale” i përket totalisht koronavirusi:një mekanizëm i thjeshtë biokimik, që ka aftësinë të përdorë qelizat tona për t’u riprodhuar dhe përhapur. Koronavirusi, është absolutisht i vërtetë, dhe realiteti i tij absolut vë shumë shpejt me shpatulla pas murit gjithçka që është më pak reale.
Ai u mbyll gojën përbindshave që kanë prodhuar një kulturë socio-ekonomike thellësisht të gabuar, duke shfaqur përmasat e jo-realitetit të saj. Ashtu siç do të bëjë në mënyrën e vet edhe kriza mjedisore. Me reagimin e përbashkët që po përjetojmë, po del në dritë diçka ndryshe, diçka më e vërtetë dhe më njerëzore për të cilën të gjithë ne, kishim me sa duket shumë nevojë.
Fytyra që del nga uji jo më i turbullt, është morali i së ardhmes. Rregulli i pare, është të gjithë të bashkuar si një popull i vetëm, kundër kërcënimeve të zakonshme. Bashkëpunim, në vend të konkurrencës. Një rreth ndjeshmërie që përhapet përtej kambanës, përtej të huajit, deri në kufijtë më të largët, në vend të egoizmit, individualizmit dhe tribalizmit.
Nuk mund të kalojnë pa u vënë re hipotezat Niçjane si ajo e Boris Xhonsonit, kundërshtitë ndaj moralit njerëzor, që pakica e “majmunëve” është përpjekur të kultivojë edhe në këtë situatë. Është mirë që njerëzimi t’i nënshtrohet shpesh një anomalie të tillë.
Nga fusha e biologjise, do të vijnë gjithnjë zbulime për ”botën e vërtetë” që na rrëfeu Niçe. Nga këtu do të vijë “shëndeti i shkëlqyer”, dhe për ta pasur atë është e nevojshme edhe kopeja e përbuzur. Zjarri do të na ndryshojë për mire. Ai nuk do ta djegë moralin njerëzor, por do të hedhë dritë mbi natyrën e tij të vërtetë. Supenjeriu, nuk do të jetë një rrufe që çan errësirën për të frymëzuar jetën, por një mjek që shpëton jetë të tjera duke rrezikuar të tijën.
*Shënim:Autori është shkrimtar dhe studiues italian.
Përgatiti:Silvana Tresa – Fjala.al