Nga Alessia Selimi
Ilir Allkja u rikthye në detyrë, mes bluzeve të bardha, për të luftuar për jetën. Sikurse çdo ditë, prej thuajse 27 vitesh. Ai ndodhet aty, në vijën e parë, ku intensifikohen përplasjet me rastet e identifikuara me Covid-19. Pati mjaft reagime, krejt të kundërta nga ato që shoqëruan shkarkimin e tij nga detyra.
I spikatur me dëshirën për t’i shërbyer njerëzve, doktori i urgjencave denoncoi një javë më parë mungesën e veshjeve speciale për personelin mjekësor. Dhe jo më larg se tre ditë, komunikoi largimin e tij nga detyra pa një motivacion, duke akuzuar për hakmarrje kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Shërbimit të Urgjencave Skënder Brataj.
Deri më tani, në vendin tonë, numërohen 59 të prekur, si dhe dy të vdekur. Midis të infektuarve, dy mjekë. Shifrat flasin qartë. Situata është shqetësuese, ndonëse e pakrahasueshme me vendin fqinj.
Në një intervistë ekskluzive për “Fjala”, Ilir Allkja hedh dritë mbi prapaskenat e shkarkimit dhe rikthimit në detyrë, i mëshon denoncimit për mungesë veshjesh speciale, si dhe nuk ngurron t’u drejtohet qytetarëve.
****
Denoncuat një javë më parë mungesën e veshjeve speciale për personelin mjekësor…
Unë kam shpërndarë një videomesazh për sensibilizimin e QKUM, drejtorit Skënder Brataj, që të mos kursehen veshjet, por jetët e mjekëve dhe qytetarëve. Momentalisht ka mungesë të plotë transparence. Këto veshje duhet të ishin pa kursim për çdo ekip që shkon në një rast të dyshuar. Them të dyshuar, sepse konfirmimi bëhet në Spitalin Infektiv.
Njoftuat po ashtu para pak ditësh shkarkimin nga detyra pa motivacion, si rrjedhojë e hakmarrjes së kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Shërbimit të Urgjencave, Skënder Brataj. Dje komunikuat rikthimin në detyrë. Çfarë ka ndodhur konkretisht?
Më datë 14 mars, në mbrëmje, ndërsa po mbaroja një vizitë, më kontakton përgjegjësi im, dhe më kërkon të largohem nga puna me urdhër të drejtorit. I them se nuk iki pa motivacion, me shkrim nga drejtori i institucionit, dhe se nuk i njoh urdhrat verbale. Me tha që do ta merrja të nesërmen. Unë ndenja në punë deri në orën 7 të mëngjesit.
Akuzova kryeministrin sepse ai më linçoi publikisht për një videomesazh proaktiv e pozitiv ku kërkoja të sensibilizoja strukturat për më shumë kujdes në mbrojtjen e jetëve. Akuzova Skënder Bratajn sepse nuk i ka konsideruar asnjëherë kërkesat e mia për mirëmenaxhimin e rasteve kritike, ka shpërfillur po ashtu ankesat…
Sot u paraqita në punë. Nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 1 të drekës, ekipi im nuk u aktivizua nga njësia e koordinimit të Urgjencave Mjekësore. Theksoj se QSUT ka dy ekipe me mjekë dhe infermierë, si dhe një ekip vetëm me infermierë. Për gjashtë orë ekipi me mjekë mbeti jashtë shërbimit për tekat e QKUM, ndërkohë që u sfilitën dy të tjerat.
Thatë do të vetë-izoloheshit, pasi kishit vizituar tre të dyshuar me Covid-19, i pa pajisur me veshje speciale…
Çdo person që ka kontakte me të dyshimtë, duhet të vetë-izolohet. U vetë-izolova derisa personat që vizitova pa veshjen speciale, të cilët kishin temperaturë, kollë dhe mbajtje fryme, dolën negativ.
Keni frikë doktor për jetën tuaj dhe atë të familjarëve?
Unë jam njeri. Frika është një ndjenjë normale. Jam krejtësisht i ekspozuar ndaj infeksionit, dhe nuk rrezikoj vetëm jetën time, por edhe të familjarëve. Por, ky është profesioni im!
Mendoni se Spitali i Infektivit ka kapacitet të mjaftueshëm për të trajtuar fluksin e pacientëve me koronavirus?
Në këto momente që po flasim, kapacitetet spitalore dhe profesionistët janë. Urojmë që rastet të mos rriten tej kapaciteteve. Edhe një hotel mund të kthehet në spital, por një punonjës hoteli s’mund të kthehet në mjek apo infermier.
Ju e njihni popullatën, sëmundjet nga të cilat ajo preket. Çfarë pritshmërish keni për virusin Covid-19, si e mendoni përhapjen e tij në vend?
Unë besoj që nga mesi i muajit maj, maksimumi në mes të qershorit, do të shënohet fundi i epidemisë. Por duhet të jemi gati edhe për një skenar më të gjatë.
Si i vlerësoni masat që ka marrë Shqipëria kundrejt përhapjes së koronavirusit?
Në mendimin tim, qeveria shqiptare është e vonuar në masa efektive dhe e avancuar në masa fasadë.
Çfarë do i këshillonit të gjithë qytetarëve që do të bien në kontakt me këtë intervistë?
Çdo qytetar duhet të jetë i përgjegjshëm për jetën e tij dhe atë të familjarëve. Nuk duhet pritur gjithçka nga shteti. Është e thjeshtë: Shmangni takimet, mbani një higjienë strikte, konsumoni ushqime të sigurta, dhe shumë pozitivitet!