Historia e Shqipërisë nëpërmjet filatelisë. Përjetësimi i krerëve të shtetit në pullat e zarfat që udhëtonin nëpër botë
Nga Leonard Veizi
Nëpërmjet filatelisë, mund të bëheshe i njohur jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij deri në kufijtë më ekstrem. Dhe jo vetëm për këtë arsye, edicionet e pullave kanë qenë të “pushtuara” nga portretet e udhëheqësve të ccdo vendi. Shqipëria, padyshim, nuk mund të bënte përjashtim.
“Pullat janë nishane të shtetit, ashtu si flamuri kombëtar, stema, monedhat e kartëmonedhat. Në qoftë se bën një “rrugëtim” të gjatë nga emisioni i parë, më 5 maj 1913 dhe deri te më i fundit aktualisht, emocionet që përfton janë thuajse të njëjta me ato kur lexon tekstin e Historisë së Shqipërisë. Pulla janë pasqyrim adekuat i historisë. Ndryshimi qëndron në faktin se historia nëpërmjet pullave përvijohet përmes imazheve, kurse nëpërmjet tekstit përmes fjalës së dokumentuar”, kështu është shprehur kohë më parë Thimi Nika, një prej koleksionistëve më të njohur shqiptarë, në qendër të vëmendjes së të cilit, veç pikurave, fotografive, etj., ishte dhe filatelia, pullat dhe zarfat e postës. Kjo “speciale” është ndërtuar mbi një intervistë të gjatë që Thimin Nika ia ka dhënë autorit tw kwti shkrimi, në kohën kur sapo nxori në dritë vëllimin e tij të plotë e shumë serioz: “Historia e Filatelisë Shqiptare”. Ky libër u hodh nw qarkullim pikërisht me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Për të motivuar këtë “dossier”, po përqendrohemi tek portretet e krerëve të shtetit të cilët u bënë dhe emblemat e filatelisë vendase.
Pulla e parë kombëtare shqiptare
Pulla e parë kombëtare shqiptare daton më 5 maj 2013. 58 Qeveria e Vlorës ndoqi një rrugë praktike e të përshtatshme, të përligjur për kohën, për prodhimin e pullës së parë kombëtare me shpenzime fare të vogla. Me anë të një vule dore metalike, të porositur dhe të ardhur nga Korfuzi, nëpunësit e postës konkretizuan idenë e ministrit Lef Nosi, vulosën një sasi zarfesh të ngjyrave të ndryshme, që varionin “nga e bardha në gri dhe nga gria në jeshile.” Pulla vulë kishte formë rrethore. Diametri i saj ishte 38 mm. Brenda vulës, midis dy rrathëve koncentrikë, u vu mbishkrimi: “MINISTERIA E POST. TELEG. E TELEFONEVET”. Në mes gjendej shqiponja dykrenare e vendosur në një shqytë. Në pullën vulë, si shkrimi dhe shqiponja ishin me ngjyrë të zezë. Secili zarf kushtonte 1 piastër ose 1 grosh (monedhë osmane), ndonëse në të nuk shkruhej gjë. U prodhuan dhe u vunë në qarkullim “pliko me vulën e Ministerit” 2.232 copë.
Portreti i Ismail Qemalit
Gjatë gjithë periudhës nga 1913 deri në 28 nëntor 1962 nuk u emetua asnjë pullë me portretin e I. Qemalit. Viti 1962, viti i 50-vjetorit te shpalljes, u përkujtua me një emision me tri pulla, në dy versione: të dhëmbëzuara dhe të padhëmbëzuara. Pas këtij viti, në përvjetorë të tjerë të Pavarësisë, është vënë shpesh portreti i Ismail Qemalit, herë drejtpërdrejt si foto ose pikturë, herë si vepër arti në gjini të tjera, kryesisht në skulpturë.
Skënderbeu
Më 1 dhjetor 1913, emisioni i gjashtë, ishte dhe i pari emision i koleksionit filatelik shqiptar i prodhuar sipas standardeve ndërkombëtare për pullat, i gomuar dhe me dhembëzim të rregullt 14½ x14. Me porosi të qeverisë së Vlorës, ai u shtyp në Torino të Italisë. Paraqitja grafike e këtij emisioni është kompozuar duke vënë në qendër të pullave, brenda një medalioni, portretin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Si bocet për këtë u përdor një punim i piktorit nga Praga Hainc Kauç. Në pjesën e sipërme, mbi portret, futur në një drejtkëndësh, shkruhet: “SHQIPËNIA E LIRË”. Por portreti i Skenderbeut është përdorur dhe herë të tjera për të ilustruar edicionet e pullave shqiptare.
Princ Vidi
Princ Vidi u prit në Durrës më 7 mars 1914 edhe me një eveniment filatelik. Mbi pullat e emisionit të gjashtë të Qeverisë së Ismail Qemalit u mbishtyp në dy radhë teksti “7 Mars, 1467 RROFTË MBRETI 1914”, duke përftuar kësisoj një emision të ri pullash. Duket qartë një përpjekje për të bërë një paralelizëm dhe për të lidhur dy epoka: atë të Skënderbeut në shek. XV me atë të mbretërimit të Princ Vidit. Nuk munguan edhe përpjekjet për të nxjerrë një seri pullash me portretin e Princ Vidit. Në historinë e filatelisë shqiptare ka dhe një fakt tjetër shumë interesant, ndoshta unikal, lidhur me mbërritjen e princ Vidit në Shqipëri: prodhimi i 50 zarfeve me seri të plota të emisionit me portretin e Skënderbeut të 1 dhjetorit 1913, të anuluara “me vulë ari”, një term që ka hyrë në fjalorin e filatelistëve shqiptarë. Krahas zarfeve, u prodhuan edhe një numër i kufizuar kartëpostaresh. Këto zarfe dhe kartëpostare mbajnë datën 7 mars 1914. U prodhuan në Shkodër, në kohën kur drejtor i Postës në këtë qytet ishte Sadik Tirana, për të evokuar ditën e mbërritjes së princ Vidit.
Ahmet Zogu
Periudha e mbretërimit karakterizohet në filateli nga një tematikë tejet e kufizuar. Ajo dominohet nga emisione dhe pulla të shumta me portretin e Ahmet Zogut. Duke filluar nga viti 1925, kur u prodhuan pullat e para me portretin e Zogut dhe deri në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, ka shumë seri pullash që i kushtohen Zogut, të emetuara sidomos me mbishtypje të ndryshme për raste e ngjarje të caktuara që lidheshin me të, që nga triumfi i Legalitetit e deri te shpallja e Mbretërisë dhe Zogut Mbret, nga përvjetori i ditëlindjes së tij e deri te martesa me hungarezen Geraldinë Aponyi etj.
Viktor Emanuelit III
Pushtimi italian i dha fund monarkisë zogiste. Që nga ajo ditë, gjithçka në Shqipëri filloi të organizohej sipas ligjeve fashiste dhe masave politike, ekonomike dhe administrative të ideuara e të fabrikuara në Romë. Dokumentacioni i kohës ka fiksuar si datë të rifillimit të shërbimit postar, pas pushtimit fashist, 9 prillin 1939. Pas 7 prillit 1939 dhe deri më 8 shtator 1943, kur Italia fashiste kapitulloi pa kushte, u emetuan rreth 8 emisione (nga të cilët njëri me pulla italiane të mbishtypura) Në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 117, datë 25.05.1939, thuhet: “të përfundohet me shpejtësin ma të madhe sëpaku shtypja e pullave postare ordinere prej 15 e 20 qind dhe ajo ajrore prej 20 qind.” 386 Pulla ajrore 20 qind me portretin e Viktor Emanuelit III, në të djathtë dhe imazhin e avionit, në të majtë, është e para ku u dukën simbolet fashiste, shenjat e liktorit. Më 8 shtator 1943, Italia pranoi humbjen dhe nënshkroi kapitullimin pa kushte. Akti i kapitullimit bëri që, menjëherë pas tij, të ndërpriste veprimtarinë e saj edhe posta ushtarake italiane.
Regjimit komunist
Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar u rreshtua në anën e koalicionit të madh antifashist, që rezultoi fitues i kësaj lufte. Pas Çlirimit, si rrjedhojë e zbatimit me fanatizëm të ideologjisë komuniste, për gati 45 vjet, në Shqipëri u vendos dhe veproi shteti i diktaturës së proletariatit. Do të duhej të mbyllej viti 1990 që gjerat të ndryshonin, të vendosej sistemi pluralist dhe t’i çelej rruga demokracisë dhe lirisë së vërtetë. Historia e Shqipërisë e viteve 1945-1990 ose, si njihet ndryshe, “e periudhës së ndërtimit socialist”, përshkohet nga një proces thelbësisht kontradiktor në të gjitha fushat e jetës. Sigurisht ajo karakterizohet edhe nga një varg ngjarjesh të rëndësishme politike, ekonomike e shoqërore si: miratimi i kushtetutës dhe shpallja e Republikës Popullore, në vitin 1946, flirtet dhe divorcet e njëpasnjëshme me jugosllavët, sovjetikët e kinezët, denoncimi dhe dalja nga Traktati i Varshavës, miratimi në vitin 1976 i Kushtetutës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, rindërtimi i vendit, industrializimi, zhvillimi i kulturës e artit, sportit etj. Të gjitha këto ngjarje, qofshin politike ose jopolitike, kanë gjetur pasqyrim të gjerë në filatelinë shqiptare të kësaj periudhe. Madje, në disa raste, ato kanë ndikuar drejtpërdrejt ose jodrejtpërdrejt edhe në deformimin e procesit të zhvillimit të filatelisë shqiptare, në injektimin e disa dukurive negative, të cilat aktualisht, me të drejtë, i gjykojmë nga një këndvështrim kritik. Për t’i pasqyruar sa më mirë ato, kërkohet që filatelinë, nga njëra anë, ta shohim të lidhur ngushtësisht me zhvillimin e gjithë shoqërisë për tërë këtë gjysmëshekulli dhe, nga ana tjetër, të njohim realisht gjendjen dhe ecurinë e vetë filatelisë shqiptare, vendin dhe rolin e saj në jetën e përgjithshme kulturore të shoqërisë gjatë kësaj periudhe.
Enver Hoxha
Në qoftë se para vitit 1945, në filatelinë shqiptare mbizotëronte figura e mbretit Zog, tashmë shfaqet gjithkund portreti i Enver Hoxhës, i cili, për më shumë se katër dhjetëvjeçarë e gjysmë, dominoi gjithçka në Shqipëri. Duke filluar nga viti 1947 dhe deri në vitin 1985 janë rreth 20 emisione të veçanta ose jo të veçanta ku pasqyrohet Enver Hoxha. Në vitin 1949, p.sh., u emetuar seria e parë e veçantë e pullave për Enver Hoxhën, me 8 vlera të formatit 18,5×23,5 mm, me të njëjtën pamje, portretin e tij me uniformë ushtarake. Dy vjet më vonë, në vitin 1951, emisioni kushtuar 7-vjetorit të Kongresit të Përmetit, kishte katër vlera të formatit 30×35 mm, me të njëjtën pamje, portretin e Enver Hoxhës po me uniformë ushtarake dhe në sfond një grup pjesëmarrësish në kongres; në vitin 1951, emisioni me rastin e 10-vjetorit të Partisë së Punës të Shqipërisë përbëhej nga katër vlera të formatit 22×30 mm, me figurën e Enver Hoxhës dhe në sfond shtëpinë ku u formua partia; në vitin 1968, me rastin e 60-vjetorit të lindjes, ka gjithashtu një emision të posaçëm me 4 vlera dhe një bllok, praktikë që është përsëritur edhe disa herë të tjera në vitet e mëvonshme, për t’u mbyllur me emisionin e 11 prillit 1985, të përbërë nga një pullë e një bllok në përkujtim të ditës së vdekjes së tij. Pulla e fundit me portretin e Enver Hoxhës është një nga dy vlerat e serisë së emetuar me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij, më 16 tetor 1988.
Stalini dhe Mao Ce Duni
Reciprocitet edhe në emisionet e pullave. Në këtë mënyrë drejtuesit e vendeve të ish- kampit socialist janë fiksuar në pullat shqiptare, ashtu si dhe e kundërta. Duke shpallur si kredo të të gjithë jetës në Shqipëri ideologjinë marksiste-leniniste, edhe në filateli zunë jo pak vend ideatorët e saj, Marksi, Engelsi, Lenini e Stalini. Në nenin 2 të vendimit nr. 81 të Këshillit të Ministrave, datë 19 mars 1977, thuhej se “në emisionet e pullave postare mund të trajtohen edhe tema kushtuar ngjarjeve të rëndësishme politike e shoqërore ndërkombëtare në favor të marksizëm-leninizmit dhe të diktaturës së proletariatit, si edhe vendeve miq të Shqipërisë”. Në zbatim të kësaj dispozite janë prodhuar mjaft emisione dhe pulla të shumta me portretet e tyre. Kështu, p.sh., janë 11 emisione ku pasqyrohet portreti i Marksit, 5 emisione ku del figura e Engelsit, 10 emisione me Leninin dhe 4 me Stalinin. Pra, këto figura, siç ishin të pranishme vizualisht kudo në mjediset shqiptare, u hyjnizuan edhe në filatelinë e periudhës 1945-1990. Disa emisione (5 gjithsej) i kushtohen edhe Kinës komuniste dhe udhëheqësit të saj, Mao Ce Dunit. Janë 7 pulla të koleksionit filatelik shqiptar me portretin e Mao Ce Dunit.
Në demokraci
Për vetë mënyrën si funksiononte sistemi shtetëror totalitar në periudhën e socializmit, emisionet e pullave vuanin përgjithësisht nga politizimi dhe ideologjizimi i tejskajshëm. Ndryshimi i sistemit, kalimi nga totalitarizmi i partisë-shtet në demokraci dhe pluripartitizëm, i çeli “dritën jeshile” mënjanimit të politizimit dhe ideologjizimit të pullave. Në këtë drejtim arritjet janë vërtetë të mëdha. Por a mund të thuhet se këto dukuri janë shmangur plotësisht? Jo. Në emisione të veçanta vihen re recidiva të tyre.
Berisha në e edicionin e pullave Evropiane
Në periodizimin që i bëhet filatelisë shqiptare një vend të rëndësishëm zë edhe periudha pas vitit 1990. Në këtë kohë, siç dihet, në Shqipëri u krye kalimi nga shteti i diktaturës së proletariatit në demokracinë pluraliste. Në qoftë se Shqipëria, në vitet 1945-1990, në funksion të marrëdhënieve miqësore me shtete të tilla si Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik, Kina apo vende të tjera të të ashtuquajturit “kamp socialist”, emetonte emisione të posaçme për to, siç emetonin në mënyrë të ndërsjellët edhe ato për Shqipërinë, siç e theksuam në kreun “Karakteristika të filatelisë shqiptare të pasçlirimit 1945-1990”, aktualisht tematika shqiptare gjendet e pasqyruar edhe në filatelinë e organizmave të tilla ndërkombëtare ku ajo është e anëtarësuar, si, p.sh., Këshilli i Europës. Zarfi i 1-rë mban datën 06.05.1992. I kushtohet vizitës zyrtare të presidentit të Shqipërisë në atë periudhë, Sali Berisha në sesionin e 44-t të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që filloi më 4 maj 1992. Në një të tretën e zarfit është vendosur fotografia e presidentit, duke folur, më 6 maj 1992, në podiumin e këtij sesioni, kurse në pjesën tjetër është një pullë franceze me tematikë Këshillin e Evropës, anuluar me vulë të Strasburgut. Zarfi i koleksionuar nga Thimi Nika mban numrin 33 dhe është pjesë e një tirazhi prej 300 kopjesh.
Mejdani dhe Meta
Në zarfin e 6-të spikat portreti i presidentit të Shqipërisë në atë periudhë, Rexhep Mejdani. Më 28.04.1999, ai foli në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për krizën humanitare në Kosovë dhe situatën në Jugosllavi. Në ballinën e tij janë fiksuar portreti i z. Mejdani, flamuri i 7. Zarfi i 7-të është gjithashtu shumë kuptimplotë. Në të bien në sy pulla franceze për 50-vjetorin e Këshillit të Europës, por edhe pulla e emetuar posaçërisht nga Shqipëria për pranimin e saj në KE. Krahas tyre, spikatin gjithashtu korpusi qendror i Universitetit të Tiranës, flamuri ynë kombëtar BE-së dhe flamuri shqiptar, si dhe një fotografi me hartën e Kosovës, brenda së cilës paraqiten refugjatë të deportuar me dhunë nga serbët. Zarfi evokon edhe 50-vjetorin e Këshillit të Europës (1949-1999). Afrankimi është bërë me pullën franceze kushtuar përvjetorit të 50 të KE-së.
Zarfi i 8-të ka dalë me rastin e pjesëmarrjes dhe diskutimit të kryeministrit të Shqipërisë, Ilir Meta në sesionin e Këshillit të Europës, më 4 prill 2000. Në këtë sesion, krahas të tjerave, u debatua edhe për të drejtat e njeriut. Viti 2000 ishte njëkohësisht edhe viti i një ngjarjeje të shënuar, 50-vjetorit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kështu që në ballinën e zarfit, veç simboleve të KE-së dhe flamurit kombëtar shqiptar, ka dhe një vulë speciale që përkujton këtë ngjarje të rëndësishme. Tirazhi i zarfit ishte 300 kopje; ndërkohë që në koleksionin e Thimi Nikës mban nr. 206.