Kërcënimi më i madh nga Covid-19, është barbarizmi me fytyrë njerëzore

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Slavoj Zizek*, “Russia Today”/ E pamundura ka ndodhur, dhe bota që ne kemi njohur ka ndalur së lëvizuri. Por, çfarë rendi botëror do të shfaqet pasi të ketë mbaruar pandemia e koronavirusit – socializëm për të pasurit, një kapitalizëm katastrofik, apo diçka krejtësisht e re?

Këto ditë, më ka ndodhur të shoh te vetja dëshirën që të më prekur koronavirusi – të paktën në këtë mënyrë pasiguria që kam do të merrte fund. Një shenjë e qartë se si po më rritet ankthi im, e tregon lidhja ime me gjumin.

Deri para një jave, prisja me padurim mbrëmjen:më në fund, unë mund të shpëtoja nga gjithçka duke fjetur gjumë, duke harruar frikërat e jetës sime të përditshme. Tani është gati e kundërta: Kam frikë të bie në gjumë, pasi makthet më ndjekin në ëndrrat e mia, dhe më detyrojnë të zgjohem në panik.

Janë makthet për realitetin që më pret. Çfarë realiteti? Alenka Zupançiç e formuloi atë në një mënyrë të përsosur, dhe më lejoni ta vazhdoj linjën e saj të mendimit. Këto ditë, dëgjojmë shpesh se në se vërtet duam të përballojmë pasojat e epidemisë që vazhdon, janë të nevojshme ndryshime rrënjësore sociale.

Dhe unë jam ndër ata që e përhapin këtë moto. Por ndryshimet radikale kanë filluar tashmë të ndodhin. Epidemia e koronavirusit, po na përball ne me diçka që e kemi konsideruar deri tani si të pamundur. Ne nuk mund ta imagjinonim se diçka e tillë të mund të ndodhte në jetët tona të përditshme.

Bota që njohim ka ndaluar së rrotulluari, të gjitha vendet janë në karantinë, shumë prej nesh janë të mbyllur në banesat e tyre (por çfarë ndodh me ata që nuk munden të përballojnë dot këto masa sigurie?) përballë një të ardhmeje të pasigurt, nga e cila edhe nëse shumica prej nesh do të mbijetojë, një mega-krizë ekonomike qëndron përpara nesh…

Kjo do të thotë se reagimi ynë, duhet të jetë i tillë që ne të bëjmë të pamundurën, gje që duket e pamundur brenda koordinatave të rendit botëror ekzistues. E pamundura ka ndodhur. Bota jonë ka ndalur, dhe tani duhet të bëjmë të pamundurën për të shmangur më të keqen. Por çfarë është kjo ‘e pamundur’?

Unë nuk mendoj se kërcënimi më i madh, është regresi drejt përhapjes së barbarinë, dhunës brutale mbijetese me trazira publike, përhapje paniku, etj.

(Megjithëse, me rrënimin e sistemit shëndetësor dhe të disa shërbimeve të tjera publike, gjithçka mund të ndodhë). Më shumë sesa nga barbarizmi i hapur, unë kam frikë nga barbaria me fytyrë njerëzore – masat e pamëshirshme të mbijetesës, të zbatuara në mënyrë të pamëshirërshme, dhe madje  edhe me simpati, të legjitimuara nga mendimet e ekspertëve.

 Mbijetesa e më të fortit 

Një vëzhgues i kujdesshëm, e vëren lehtësisht ndryshimin në ton, në mënyrën se si ata në pushtet na drejtohen ne të qeverisurve prej tyre:ata nuk po përpiqen të ngjallin qetësi dhe besim.

Ndërkohë, ata bëjnë rregullisht parashikime të tmerrshme. Pandemia ka gjasa të zgjasë për rreth 2 vjet derisa të ndryshoje kursin e saj, dhe virusi do të infektojë përfundimisht 60-70 përqind të popullatës globale, duke shkaktuar miliona të vdekur.

Shkurt, mesazhi i tyre i vërtetë, është se ne do të duhet të kufizojmë premisat themelore të etikës sonë sociale:kujdesin për të moshuarit dhe të dobëtit. Për shembull në Itali, tashmë është propozuar që nëse kriza e virusit përkeqësohet, pacientët mbi 80 vjeç, ose ata me sëmundje të tjera të rënda, do të lihen thjesht të vdesin.

Duhet të theksohet se si pranimi i logjikës së “mbijetesës së më të fortit”, e cënon edhe parimin themelor të etikës ushtarake i cili na thotë se pas betejës, duhet së pari të kujdesemi për të plagosurit rëndë, edhe nëse mundësia e shpëtimit të tyre është minimale.

(Sidoqoftë, parë nga afër, kjo nuk duhet të na befasojë:spitalet po bëjnë tashmë të njëjtën gjë me pacientët që vuajnë nga kanceri). Për të shmangur ndonjë keqkuptim, unë jam një realist i plotë. Ne duhet të bëjmë gati edhe ilaçe për t’u mundësuar një vdekje pa dhimbje të sëmurëve, për t’i kursyer atyre vuajtjet e panevojshme.

Por përparësia jonë kryesore, duhet të jetë të mos ekonomizojmë, por të ndihmojmë pa kushte, pavarësisht nga kostot, ata që kanë nevojë për ndihmë, për të bërë të mundur mbijetesën e tyre. Në këtë mënyrë, unë nuk bie dakord me filozofin italian Xhorxho Agamben ,i cili sheh në krizën në vazhdim si një shenjë se “shoqëria jonë nuk beson më tek asgjë”.

Është e qartë se italianët janë të prirur të sakrifikojnë praktikisht gjithçka – kushtet normale të jetës, marrëdhëniet shoqërore, punën, madje edhe miqësitë, afeksionet dhe bindjet e tyre fetare dhe politike – për të shmangur rrezikun e sëmundjes. Jeta e zhveshur – dhe rreziku i humbjes së saj – nuk është diçka që bashkon njerëzit, por i verbon dhe i ndan ata.

Gjërat janë shumë të ndërlikuara: A do t’i bashkojë kjo njerëzit? Të mbash një distancë trupore nga tjetri, do të thotë të tregosh respekt për të tjerët, pasi edhe unë mund të jem bartës i virusit. Djemtë e mi më shmangin tani, pasi kanë frikë se mos më infektojnë (ajo që për ta mund të jetë një sëmundje kalimtare, për mua mund të jetë vdekjeprurëse ).

Përgjegjësia personale

Ditët e fundit, dëgjojmë shpesh se secili nga ne është personalisht përgjegjës, dhe duhet të zbatojë rregullat e reja. Media gëlon nga historitë e njerëzve që sillen keq, dhe që e vënë veten e tyre dhe të tjerët në rrezik (një djalë hyri në dyqan dhe nisi të kollitet, etj). Në këtë rast, problemi është i njëjtë me ekologjinë, ku media e vë sërish theksin tek përgjegjësia jonë personale (a i ricikloni të gjitha gazetat e vjetra etj).

Lexo edhe :  Francë/ Lëshohet urdhër-arrest kundër Assad për bashkëpunim në krime lufte

Qasja e vëmendjes tek përgjegjësitë individuale, edhe pse është e rëndësishme, funksionon si një ideologji në momentin kur shërben për të ngritur pyetjen e madhe se si ta ndryshojmë të gjithë sistemin tonë ekonomik dhe shoqëror.

Lufta kundër koronavirusit mund të zhvillohet duke luftuar edhe kundër mistifikimeve ideologjike, por dhe si pjesë e një beteje të përgjithshme ekologjike. Siç ka thënë Keit Xhons, drejtuese e departamentit të ekologjisë dhe biodiversitetit në Universitetit të Kalifornisë, transmetimi i sëmundjes nga jeta e egër tek njerëzit është “një kosto e fshehur e zhvillimit ekonomik të njeriut”.

“Shumë prej nesh, gjenden në çdo mjedis. Ne po depërtojmë në vende që zakonisht ishin të pa shqetësuar, dhe po ekspozohemi gjithnjë e më shumë. Ne po krijojmë habitatet ku viruset transmetohen më lehtë, dhe më pas befasohemi pse kemi sëmundje të reja”- thotë Xhons.

Pra, nuk është i mjaftueshëm vetëm zhvillimi i një lloj kujdesi shëndetësor global për njerëzit. Në të duhet të përfshihet edhe  natyra. Pasi viruset sulmojnë edhe bimët të cilat janë burimet kryesore të ushqimit tonë, si patatet, grurin dhe ullinjtë. Duhet të kemi gjithnjë në mendje panoramën globale të botës ku jetojmë, me gjithë paradokset që nënkupton ajo.

Për shembull, është mirë të dihet se karantina në Kinë për shkak të koronavirusit, shpëtoi më shumë jetë sesa ata që u vranë nga virusi (nëse ndonjë u zë besë statistikave zyrtare): ekonomisti i burimeve mjedisore Marshall Burke, thotë se ekziston një lidhje e vërtetuar midis cilësisë së dobët të ajrit dhe vdekjeve të parakohshme.

Duke pasur këtë parasysh, thotë ai lind natyrshëm pyetja nëse jetët e shpëtuara nga kjo rënie e ndotjes, do të tejkalojë numrin e të vdekurve nga vetë virusi. Unë mendoj se përgjigja është një “po” e qartë. Vetëm 2 muajt e rënies së nivelit të ndotjes në ajër, ka të ngjarë t’i shpëtojnë jetën e 4.000 fëmijëve nën peshë dhe 73.000 të rriturve mbi 70 vjeç vetëm në Kinë.

 Krizë e trefishtë:Shëndetësore, ekonomike, mendore 

Ne jemi mbërthyer në një krizë të trefishtë:shëndetësore (vetë epidemia), ekonomike (që do të godasë fort pavarësisht ecurisë së epidemisë), plus shëndeti mendor (që nuk duhet nënvlerësuar). Koordinatat themelore të jetës së miliona e miliona njerëzve po shpërbëhen , dhe ndryshimi do të ndikojë mbi gjithçka, që nga udhëtimet për pushime, dhe deri tek kontaktet e përditshme trupore.

Ne duhet të mësojmë të mendojmë jashtë koordinatave të tregut të aksioneve dhe fitimit, dhe të gjejmë një mënyrë tjetër për të prodhuar dhe shpërndarë burimet e nevojshme. Mediat raportuan se Trump i ofroi 1 miliard dollarë kompanisë gjermane “CureVac”, për të prodhuar vaksinën “vetëm për Shtetet e Bashkuara”.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Shpan e hodhi poshtë këtë mundësi:”CureVac”, do të zhvillonte vetëm një vaksinë “për gjithë botën, dhe jo për vendet individuale”. Këtu kemi një rast shembullor të luftës midis barbarisë dhe civilizimit. Por Trump aktivizoi Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes, që do t’i japë mundësi qeverisë amerikane të sigurohet që sektori privat të mund të rrisë prodhimin e furnizimeve mjekësore urgjente.

Në fillim të kësaj jave, Trump njoftoi propozimin për të marrë përsipër sektorin privat. Ai tha

se do të përdorte një dispozitë federale, që e lejonte qeverinë të vërë nën kontroll sektorin privat në përgjigje të pandemisë. Ai shtoi se do të nënshkruajë një akt, që do t’i japë vetes autorizimin për të drejtuar prodhimin industrial vendas “në rast se duhet kështu”.

Kur përdora termi “komunizëm” disa javë më parë, shumë kush u tall me mua, por tani “Trump njofton propozime për të marrë përsipër drejtimin e sektorin privat”.

A mund të imagjinohet diçka e tillë edhe një javë më parë? Dhe ky është vetëm fillimi. Masa të tjera si kjo do ta pasojnë. Plus, do të jetë i nevojshëm vetë-organizimi lokal i komuniteteve, në rast se sistemi shëndetësor i drejtuar nga shteti do të vendoset shumë nën stres. Dhe nuk është një vizion utopik komunist, por një komunizëm i imponuar nga nevojat e mbijetesës. Fatkeqësisht, është një version i asaj që në vitin 1918 në Bashkimin Sovjetik u quajt “komunizëm i luftës”.

Në një krizë ne jemi të gjithë socialistë, madje edhe administrata Trump e konsideron një formë të tillë, duke propozuar një çek prej 1000 dollarësh për çdo amerikan të rritur. Do të shpenzohen triliona dollarë duke shkelur të gjitha rregullat e tregut:por si, ku, për kë?

A do të jetë ky socializëm i imponuar një socializëm për të pasurit (kujtoni shpëtimin nga falimenti të bankave në vitin 2008, ndërsa miliona njerëz të thjeshtë humbën kursimet e tyre të vogla)?

A do të reduktohet epidemia në një kapitull tjetër, në historinë e gjatë e të trishtuar të asaj që autori shkrimtarja kanadeze Naomi Klein e quajti “kapitalizëm të katastrofave”, apo do të lindë një rend botëror i ri më modest ndoshta, por edhe më i ekuilibruar?

*Slavoj Zizek është një filozof kulturor, dhe studiues në Institutin për Sociologji dhe Filozofi në Universitetin e Ljubljanës, Slloveni. 

Përgatiti për Fjala.al: Silvana Tresa

Të fundit

27 Janari, Dita Ndërkombëtare Përkujtimore e Holokaustit

27 Janari është dita mbarëbotërore e paralajmërimit dhe e përkujtimit të viktimave të Holokaustit. Gjermania e përkujton këtë ditë...

Gjimnazi “Sulejman Elezi” po “rilind”/ Rama ndan pamjet: Do ketë hapësira të gjelbërta

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga punimet që po kryhen për rikonstuksionin e gjimnazit “Sulejman Elezi” në Laknas. Përmes një postimi në rrjetet sociale,...

Kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme, parashikimi i motit për ditën e sotme

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se ditën e hënë vendi ynë parashikohet të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme. Sipas SHMU moti sot parashikohet i...

Monedhat e huaja në rënie, ja me sa lekë blihen e shiten valutat kryesore

Sot, më datë 27 janar 2025 në tregun valutor, euro blihet me 98 lekë dhe shitet me 98.7 lekë. Dollari amerikan blihet me 93.2 lekë...

Një javë në Shtëpinë e Bardhë: A po e ndryshon Trumpi kursin e politikës amerikane?

Të shtunën në mbrëmje, ndërsa aeroplani i tij u nis nga Las Vegas për në Majami, presidenti i SHBA-së, Donald Trump u nis për...

Lajme të tjera

Web TV