Gazeta Fjala ka vendosur të botojë histori shqiptarësh që po e përjetojnë pandeminë e koronavirusit jashtë Shqipërisë. Shkrimtarja Teuta Metra e cila jeton në Rotterdam të Holandës na rrëfen eksperiencën e saj personale, se si vendosi të anulojë festën e ditëlindjes së të birit dhe pse Ana Frank, adoleshetja hebreje që u fsheh për 25 muaj në një dhomë në Amsterdam, na jep leksionin më të vyer të jetës në këto momente.
Nga Teuta Metra, Rotterdam
Holanda është një vend që nuk është mbyllur plotësisht, të paktën deri tani. Unë nuk e di nëse kjo është një gjë e mirë, apo e keqe. Di vetëm që sot është dita ime e dhjetë që unë nuk dal nga shtëpia. Nëse kjo është mënyra për të mbrojtur shëndetin tim, të familjes sime, por edhe të njerëzve që më rrethojnë atëherë do ta bëj. Nuk më shqetëson fakti se po rri e mbyllur. Ka shumë gjëra që nuk kam patur kohën për t’i bërë, e tani mund t’i bëj. Ajo që më shqetëson, është fakti se nëse edhe të tjerët nuk e marrin po aq sa seriozisht si unë, atëherë sëmundja zgjatet në kohë.
Në këto ditë më kujtohet shpesh e më shpesh “Ditari” i Ana Frank. Deri kur shkova dhe pashë shtëpinë e saj në Amsterdam, nuk mund ta imagjinoja sesi mund të jetojë njeriu për 25 muaj në një hapësirë të tillë, të vogël. Ajo e dinte se nga dita në ditë, nazistët mund ta gjenin, dhe jeta e saj do të merrte fund, megjithatë ajo asnjë ditë nuk pushoi së mësuari e së lexuari. Ndoshta mund të mësojmë pak nga kjo dhe të përfitojmë, të mësojmë dicka, të lexojme ato që kemi thenë nuk kemi kohë për t’I lexuar. Teksa ecja nëpër dhomat ku ata tetë njerëz kishin jetuar, në një kohë kur as im atë nuk kishte lindur, m’u rrënqeth trupi. E dija që isha turiste dhe për 15 minuta, (pasi kaq zgjaste vizita) do të dilja jashtë, e megjithatë kisha një marrje fryme. Dritaret qëndronin të mbyllura me perde të zeza. E vetmja dritë hynte nga dritarja e vogël e papafingos.
Kur dola jashtë u mbusha me frymë thellë, dhe i thashë vetes qetësohu, gjëra të tilla nuk ndodhin më. Ne jemi të civilizuar, përparuar, dmth i thashe vetes të gjitha fjalët që mbarojnë me uar.
E megjithatë ja ku jemi sot. Për të mirën tënde dhe timen duhet të qëndrojmë në shtëpi. Ama, neve nuk na pengon njeri të hapim dritaret, të dalim në ballkon, të shohim diellin, (kur ka), të ujisim lulet në ballkon apo në baçe. Nëse nuk i kemi, të mendojmë pak, pse nuk kemi pasur kohë të mbjellim dy vazo me lule? Neve nuk na ndalon njeri të flasim në facetime, whatsapp, facebook, me njeri-tjetrin. Pra e vetmja gjë që duhet të bëjmë është të rrimë brenda. Kjo kohë nuk do të zgjasë shumë, pasi të gjitha sëmundjet që njeh koha, kanë lindur, janë zhvilluar dhe janë zhdukur. Unë nuk e di se kur do të mbarojë. Sa do të doja që ta dija. Por ama diçka, se nëse unë mbaj distancë nga ti dhe ti nga unë, do të vijë dita që të gjithë të shohim të njëjtin diell, të gjithë bashkë. Pasi jemi të lidhur në një mënyrë të pashpjegueshme me njëri -tjetrin. Sot nuk ka rëndësi nëse je shqiptar, Italian, holandez apo kinez. Nëse unë jam mirë, je edhe ti, por nëse teshtin italiani, sëmuret edhe shqiptari edhe holandezi.
Kenedy ka thënë: “Mos pyesni se çfarë mund të bëjë vendi yt për ju, por pyesni veten se çfarë mund të bëni ju për vendin”. Ashtu siç unë e kuptoj, do të thotë se gjithçka fillon nga vetja. Nëse unë nuk dua të shpëtoj veten, nuk mund të pres nga komshiu.
Im bir nesër ka ditëlindjen. Ai u mërzit pasi i anuluam festën, duke ia shpjeguar që do ta bëjmë në një kohë tjetër, më të mirë, atehërë kur njerëzit të jenë të shëndeshëm. Pasi e quajti virusin ‘mistrec’ duke përdorur pikërisht këtë fjalë shqip, ai i shkroi një letër mësueses. Letra mbante titullin “Gekke Tijd” që do të përkthehej fjalë për fjalë në shqip “Kohë e çmendur”. Sytë m’u mbushën me lot kur e lexova, por pastaj i thashë vetes, më mirë një femijë i mërzitur sesa një fëmijë i sëmurë. Më mirë të mos bëhet një ditëlindje më shokët sot, dhe im bir të ketë mundësi të bëjë shumë e shumë ditëlindje të tjera në të ardhmen, pasi jeta është e bukur, jeta vazhdon.
Njerëzimi do ta kalojë këtë sfidë. Shpresoj shumë që ne të mësojmë nga kjo gjë. Shpresoj shumë që të ulim pak hapin dhe të shohim njëri – tjetrin me dashuri. Shpresoj shumë që të jemi mirënjohës për çdo ditë që shohim rreth e rrotull. Shpresoj shumë që t’i gëzohemi natyrës, luleve kur çelin, zogjve që cicërojnë (megjithëse ata prej nesh janë trembur, por shpresoj të kthehen prapë). Shpresoj shumë që si ai që vesh nje bluzë “Philipp Plein” si nëna ime, që nuk i ka dëgjuar ndonjëherë emrin, të kuptojnë se të marrësh frymë e të hapësh sytë në mëngjes, është më e rëndësishme, sesa një bluzë e shtrenjtë, një shtëpi, një iphone, një makinë e të tjera si këto. Shpresoj shumë të mësojmë të jemi mirënjohës për ato që natyra, Perëndia, quajeni si të doni na ka dhënë, dhe ne deri tani i kemi marrë si të mirëqena./fjala.al