Vendimi i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së ka përgëzuar ditën e djeshme arritjet e shumta të Shqipërisë dhe njëkohësisht pritet t’i japin një dinamikë të shtuar reformave të brendshme dhe transformimit të vendit.
Ky vendim, një arritje madhore, e fut Shqipërinë në një marrëdhenie të re me BE-në: atë të nisjes së rrugës për të arritur statusin final të anëtarit, në një të ardhme.
Në këto rrethana, është shumë e rëndësishme të thellohet marrëdhënia dhe të rritet ndërveprimi jo vetëm mes vendeve në rajon, por edhe në raport me Bashkimin Evropian.
“Ne sot falënderojmë vendet anëtare, jo vetëm për dritën jeshile për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, por edhe për faktin se kanë dhënë mesazhin e qartë, se në rast të reformave të prekshme, përparimi në rrugëtimin evropian është i mundur. Kjo vendimmarrje mbetet e rëndësisë historike për Shqipërinë.”- u shpreh Cakaj në reagimin e tij lidhur me hapjen e negociatave.
Nga ana tjetër, nuk kanë munguar edhe reagimet nga zyrtarë të lartë dhe Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian në Twitter. Ata jo vetëm kanë përgëzuar Shqipërinë dhe shqiptarët për këtë arritje madhore, por edhe kanë vlerësuar punën e bërë në procesin e negociimit.