Nga Siva Vaidhyanathan “The Guardian”
Tekstet e lashta hebraike janë të mbushura me referenca dhe ndalime kundër praktikave para-hebraike të lidhura me Molokun, një Zot i kananejtë, për nder të të cilit flijoheshin rregulllisht fëmijë për një të mirë më të madhe.
Tani mijëvjeçarë më vonë, ka disa zëra të spikatur, që na propozojnë të flijojmë më të moshuarit dhe më të dobëtit mes nesh në altarin e një Zoti tjetër të rremë:ekonomisë globale. Befas, fantazmat e Tomas Maltusit dhe Xheremi Bentamit, janë bërë priftërinjtë e shekullin e XX-të të Molokut, dhe po përzihen në debatin e publikut amerikan rreth koronavirusit.
Zyrtarët republikanë, ekonomistët konservatorë, ekspertët e pakualifikuar dhe madje edhe presidenti 73-vjeçar i Shteteve të Bashkuara, po thonë se dëmet afatshkurtra ekonomike që sapo kanë filluar të ndihen në përpjekjen për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit, mund të në kushtojë shumë, dhe kjo vetëm për të shpëtuar jetën e disa milionëve nga fqinjët tanë më të rrezikuar.
Ekonomisti i Universitetit të Çikagos, Kejsi Malligan, që ka qenë anëtar i këshillit të këshilltarëve ekonomikë të presidentit Trump, ka deklaruar për “The New York Times”, se mbyllja e aktivitetit ekonomik për të ngadalësuar përhapjen e pandemisë, do të ishte më e dëmshme sesa të mos bërit asgjë kundër kësaj sëmundje.
Ai preferon një lloj peshimi të kostove dhe përfitimeve midis dëmëve në ekonomi dhe shpëtimit të jetëve njerëzore. Dhe të martën Trump njoftoi se dëshiron rikthimin në normalitet deri në festën e Pashkëve më 12 Prill. “Kjo lloj kure që kemi zgjedhur, është më e keqe se sa problemi”- tha Trump.
Por kjo qasje është përtej imorales. Është shumë idiote. Por, kjo mënyrë të menduari është shumë e zakonshme në mesin e atyre që nuk mund të shohin përtej librave shkollorë apo portofolit vetjak të aksioneve që kanë në bursë. Dhe është një qasje që ka rrënjë intelektuale shqetësuese.
Në fundin e shekullit të 18-të, Malthus paralajmëroi se të varfërit do të rriten me një shkallë që do të tejkalonte burimet e nevojshme për të mbajtur një popullatë në rritje, duke rezultuar në uri dhe mjerim. Parashikimet e tij dështuan, por akoma u vendosën për dekada për të kufizuar përmirësimin publik të varfërisë.
Në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX-të, Bentam promovoi idenë se vendimet morale publike duhet të merren në një mënyrë të tillë që të nxisin të mirën më të madhe për numrin më të madh të njerëzve, duke formësuar përllogaritjen që i ka shtyrë politikbërësit dhe ekonomistët të bëjnë apele të thjeshtuara nga “analizat kosto-përfitimi”, për të vendosur nëse ia vlen të mrret në konsideratë një masë e caktuar.
Ekonomizmi, është një sistem besimesh, që i bën njerëzit të besojnë se gjithçka mund të thjeshtohet në modele të qarta, dhe se është e mundur të llogariten dhe maksimizohen në çdo rrethanë përfitimet. Por ajo që i mungon ekonomizmit është kompleksiteti dhe fuqia e madhe e emocionit njerëzor.
Vendosja përpara një zgjedhje të rreme midis mbylljes së ekonomisë dhe shpëtimin të milionave jetëve, apo rihapjes së ekonomisë ndërsa flijohen miliona jetë, shpërfill një fakt thelbësor:depresioni ekonomik global i shkaktuar nga vdekja e miliona njerëzve në Shtetet e Bashkuara, miliona të tjerëve në Evropë, Azi, Indi, Meksikë dhe Brazil, do të ishin përtej përvojës ose imagjinatës sonë.
Askush nuk do të tregtonte me askënd për vite me rradhë. Tregtia do të ndalej për shkak të zisë, frikës nga infektimet, traumat në mbarë shoqërinë dhe trazirat sociale. Përkundër reagimit të vonuar dhe të pamjaftueshëm nga udhëheqësit e Amerikës së Veriut dhe Evropës, liderët në Meksikë dhe Brazil, nuk po e marrin aspak seriozisht këtë kërcënim.
Ata vazhdojnë që ta mohojnë rëndësinë e situatës. India mori vetëm këtë javë disa masa që duhej t’i merrte që në janar, duke ndaluar shumicën e njerëzve që të largoheshin nga shtëpia. Por miliona indianë janë të pastrehë, nuk kanë vend për të ruajtur ushqimet, dhe asnjë mënyrë për t’u distancuar nga të infektuarit.
Trupat e të vdekurve do të bëhen shpejt kapicë, duke pritur të digjen ose varrosen, duke rinfektuar komunitetet e dobësuara nga kjo sëmundje. Askush nuk është i gatshëm për dëmët sociale, shpirtërore dhe ekonomike që do sjellë kjo situatë deri në qershor.
Kudo në botë, paraqitja e këtij problemi si një pazar midis interesave ekonomike të të rinjve dhe jetëgjatësisë së të moshuarve, është një gabim i tmerrshëm. Siç e ka bërë të qartë Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve në SHBA, rastet serioze ose fatale me koronavirus përfshijnë jo vetëm të moshuarit, por cilindo që është obez, diabetik, që vuan nga presioni i lartë i gjakut, që është i sëmurë me HIV, që i është nënshtruar trajtimeve për shkak të tumoreve, që vuan nga astma apo që pi duhan.
Shumë shpejt, kur spitalet në të gjithë botën të mbipopullohen me pacientë me koronavirus, mjekët do të duhet të bëjnë zgjedhje morale se kush do jetojë dhe kush do vdesë. Ne nuk duhet ta impresionohemi nga gjykimi i tyre bazuar në një zgjedhje të rreme. Kriza ekonomik do të vijë, pavarësisht sesa njerëz do të lëmë që të vdesin.
Çështja është se sa do të zgjasë dhe sa shkatërruese do të jetë ajo. Pra, kjo nuk është çështje midis të rinjve ndaj të moshuarve, apo mes të pasurve dhe të varfërve. Edhe ata që nuk kanë asnjë nga gjendje shëndetëore më të rrezikshme, dhe që janë mbi 12 vjeç, mund t’i dorëzohen këtij virusi të fuqishëm. Kjo është një çështje ne kundër të gjithëve ne. Ose, nëse zgjedhim, të gjithë për të gjithë.
S.T