Nga Bill Bostock “Business Insider”
Shkalla e vdekjeve nga koronavirusi në Gjermani, është dukshëm më e ulët sesa ajo që shihet në Itali, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Më 28 mars, Gjermania kishte 53.340 të infektuar me koronavirus, dhe 397 të vdekur. Këto të dhëna tregojnë se norma e vdekshmërisë është vetëm 0.74 për qind.
Ndërkohë që norma e vdekshmërisë në Spanjë është 7.6 për qind dhe në Itali 10.2 për qind. Kjo vjen pasi Gjermania po teston deri në 120.000 njerëz në javë, duke identifikuar shumë raste me simptoma të lehta, që nuk përfundojnë me vdekje.
Gjermania gjithashtu është në fazat e para të përhapjes së pandemisë, ka një sistem të shkëlqyer të kujdesit intensiv, një moshë mesatare të vogël të të infektuarve, si dhe ka zbatuar rregulla të ashpra për izolimin e vendit. Por në veri të Gjermanisë duket se trendi i vdekshmërisë po rritet.
53.340 gjermanë rezultuan pozitivë ndaj testit të koronavirusit nnë mesditën e të shtunës, ku u shënuan 397 vdekje, sipas gazetës gjermane “Die Zeit”. Mendohet se Gjermania po bën diçka më mire, që të tjerët nuk po e bëjnë. Ja pse ajo, edhe pse është në kulmin e shpërthimit të epidemisë, po arrin të bëjë gjëra të tilla si marrja dhe trajtimi i pacientëve më koronavirus nga fqinjët e saj.
Teste, teste, teste
Faktori më i rëndësishëm që kontribuon në shkallën e ulët të vdekshmërisë, është se Gjermania duket se po teston shumë më tepër njerëz se çdo vend tjetër evropian. Shkencëtarët pajtohen që një numër i madh – ndoshta një shumicë e madhe – e të gjitha rasteve me koronavirusit, nuk përbëjnë shifrat zyrtare, pasi ato nuk janë raste të rënda për trajtim spitalor.
Sa më shumë që një vend bën testime, aq më shumë do të gjejë raste të lehta. Duke qenë se më së shumti janë testuar rastet e rënda, numri i vdekjeve nga koronavirusi ka të ngjarë të mbetet i njëjtë. Efekti neto është që sa më shumë bëhen testime, aq më shumë ato çojnë në uljen e shkallës së vdekshmërisë.
Kristian Drosten, drejtor i institutit të virologjisë në spitalin “Berlin`s Charité”, vlerëson se Gjermania po teston 120.000 njerëz në javë. Shoqata gjermane e mjekëve, deklaroi se fundmi se janë kryer të paktën 200.000 teste për koronavirusin gjatë javëve të fundit, raportoi britanikja “The Independent” .
“Unë besoj se ne po kryejmë më shumë testime sesa vendet e tjera, dhe po e zbulojmë shpejt përhapjen. Ne në Gjermani kemi një kulturë, që aktualisht nuk mbështet një sistem të centralizuar të diagnostikimit. Gjermania nuk ka një laborator të shëndetit publik, që i kufizon laboratorët e tjerë të kryejnë testet. Prandaj, ne patëm një treg të hapur që në fillimi”- thekson Dorsten.
Deri sot Britania ka testuar mbi 113 mijë njerëz. Gjithashtu, Spanja dhe Italia nuk kanë testuar asnjëherë kaq shumë. Shtetet e Bashkuara, kanë testuar deri më sot mbi 625 mijë njerëz sipas Projektit të Ndjekjes së COVID-19. Shifrat janë rritur në mënyrë të konsiderueshme ditët e fundit në Gjermani, por sërish mbeten në norma të ulëta, duke pasur parasysh faktin që përhapja e pandemisë në SHBA, ka çuar në numrin më të lartë të të prekurve në botë.
Një sistem më i mirë i kujdesit shëndetësor
Gjermania është në gjendje ta luftojë përhapjen e pandemisë, pasi ka një sistem të mirë-zhvilluar dhe gjithëpërfshirës të kujdesit shëndetësor, si partneritete publike edhe private. Sipas të dhënave të Bankës Botërore të vitit 2016, Gjermania shpenzon në një vit 4.714 dollarë për person për kujdesin shëndetësor.
Kjo shifër, është shumë më e lartë se ajo e vendeve të tjera. Dhe Gjermania ka më shumë shtretër të kujdesit intensiv për frymë në Evropë, sipas të dhënave nga “European Health for All”. Shtretërit spitalorë, janë thelbësorë kur përpiqesh të luftoni rastet e rënda me koronavirus. Gjermania ka 621 shtretër për 100.000 njerëz. Italia ka 275, dhe Spanja 293.
Vendosi shpejt masa të ashpra
Gjermania, si shumë vende të tjera, ka vënë në zbatim masa të ashpra bllokimi, të cilat filluan më 24 mars. Takimet ishin të kufizuara në dy persona, përveç rasteve kur ata ishin të gjithë anëtarët e së njëjtës familje të izoluar së bashku. Gjobat për shkeljen e rregullave mund të shkojnë deri në 25.000 euro.
Taktikat e ardhshme?
Sipas agjencisë “Reuters”, Ministria e Brendshme në Gjermanisë, shprehu të premten idenë për të gjurmuar qytetarët e saj përmes smartfoneve, për të parë se kush ishte në kontakt me dikë të infektuar me koronavirus. Është e thjeshtë të spekulosh mbi suksesin e Gjermanisë. Por disa shkencëtarë thonë se përhapja e epidemisë është e pashembullt, dhe kura ndaj saj mund të mos jetë e qartë edhe për ca kohë. Edhe disa ekspertë në gjermani po argumentojnë për kujdes. “Ne nuk e dimë arsyen e nivelit më të ulët të vdekshmërisë”- tha për Vox, Marieke Degen, zëdhënëse e Institutit Robert Koh.
S.T