Është ndarë nga jeta në moshën 98 vjeçare ish-deputeti grek, Manolis Glezos, i cili ka luajtur një rol aktiv në jetën politike dhe shoqërore të Greqisë edhe për faktin se kishte marrë pjesë në luftën kundër nazizmit.
Për shqiptarët, Glezos u bë i njohur me fjalimin e mbajtur në Parlamentin grek teksa deklaronte se 13 deputetë të Greqisë kishin mbiemra arvanitas, ashtu si edhe ministry i Arsimit. Ai do të kërkonte vazhdimisht bashkëpunim dhe marrëdhënie të mira midis Greqisë dhe Shqipërisë.
Për ndarjen nga jeta të Glezos ka reaguar dhe presidenti shqiptar, Ilir Meta, i cili shkruan:
“Sot u nda nga jeta Heroi i Rezistencës Antifashiste të Greqisë, Manolis Glezos
Sot u nda nga jeta Heroi i Rezistencës Antifashiste të Greqisë, Manolis Glezos i cili në moshën 18-vjeçare guxoi të hiqte nga Akropolis flamurin nazist me svastika duke paralajmëruar rezistencën heroike të popullit grek.
E gjithë jeta e Tij ishte përkushtim dhe sakrificë për popullin e tij kundër pushtuesve dhe kundër diktaturave. Pavarësisht vuajtjeve në burgjet e fashizmit dhe të juntës, Manolis Glezos kurrë nuk e humbi besimin te liria, demokracia dhe populli i Tij.
Ai nuk ju nda deri në fund të jetës të gjitha betejave për demokraci dhe drejtësi shoqërore duke qëndruar përherë në anën e duhur të historisë.
Manolis Glezos ndërroi shumë parti, por kurrë kauzat e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë sociale.
Populli grek humbi sot një ikonë të shpirtit të Tij liridashës, ndërsa ne shqiptarët humbëm sot një mik shumë të çmuar të popullit tonë dhe një përkrahës të palëkundur të fqinjësisë së mirë midis dy vendeve dhe dy popujve tanë.
Ne do ta kujtojmë dhe duartrokasim gjithmonë veprën e Manolis Glezos njësoj si eurodeputetët fjalën e Tij të fundit për Europën 6 vjet me parë.
Kurrë nuk duhet ta harrojmë porosinë e tij: Mos i hidhni verës ujë! Fashizmi nuk ka vdekur!
I përjetshëm kujtimi i Tij!”