Mos-dhënia e qirave, a rrezikohet përplasja? Ja si e zgjidhi Kosova

Kryeministri Edi Rama me anë të një statusi në Facebook ka kërkuar nga qytetarët që përdorin ambiente me qira për bizneset e tyre të vogla, të mos japin pagesën e detyrueshme te pronari i dyqanit.

Kryeministri bën me dije se në aktin normativ do të përcaktohet se qiradhënësit do të gjobiten me 5-fshin e qirasë nëse u kërkojnë lekët qiramarrësve.

“Qeradhënësit do të ndalohen t’u kërkojnë pagesën mujore këtyre subjekteve ose do të penalizohen me gjobë sa pesëfishi i vlerës së qerasë përkatëse”, shkruan kryeministri teksa vendimin e argumenton duke u shprehur se, “kjo luftë kërkon medoemos që kushdo ka një mundësi më shumë, të solidarizohet me fakte jo me fjalë, për këdo që s’ka asnjë mundësi të mbijetojë pa solidaritet”.

Deri më tani nuk është sqaruar se si do të përcaktohet se, për cilin person që ka lëshuar një ambient me qira kjo pagesë nuk është domosdoshme menjëherë dhe t’i kërkohet që të solidarizohet.

Kjo situatë nuk përjashton rrezikun për një përplasje të qytetarëve mes tyre, me njërën palë (që me të drejtë) kërkon lekët e veta dhe me palën tjetër (që me të drejtë) kërkon shtyrje të pagesës për shkak të mbylljes së aktivitetit.

Në Kosovë qeveria e Albin Kurtit ka marrë prej ditësh vendimin që të paguajë 50% të çdo qiraje të bizneseve të vogla dhe të mesme që janë mbyllur nga koronavirusi. Gjithashtu, personave të mbetur pa punë për shkak të izolimit, do u jepet një ndihmë prej 170 euro.

Në Shqipëri nuk janë marrë ende masa të tilla lehtësuese, ndërkohë që ka reaguar edhe Partia Demokratike.

Lexo edhe :  Bllofi i radhës i Berishës. Gazetari italian: Dosja u arkivua nga autoritetet italiane

“Qira mos paguani, ama drita dhe ujë po. Çfarë shteti është ky? Kur vjen puna te faturat, Rama thotë me dhunë do t’i paguani se me duhen lekët…ama qiratë mos i paguani”, shkruan shkruan Dorian Teliti, këshilltar në PD.