Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ka aprovuar sot, financimin për Shqipërinë në vlerë prej 190,5 milionë dollarë (ose 174 milionë euro).
Financimi i FMN-së është mbështetje emergjente për Shqipërinë nën Instrumentin e Shpejtë të Financimit (RFI) për të përballuar nevojat urgjente të bilancit të pagesave që rrjedhin nga shpërthimi i pandemisë së Covid-19 dhe pas tërmetit të fortë që goditi vendin më parë.
RFI-ja u ofron ndihmë të shpejtë financiare vendeve anëtare që përballen me një nevojë urgjente për mbulimin e bilancit të pagesave, pa pasur nevojë për një program ekonomik apo rishikime. Instrumenti mund të ofrojë mbështetje për një sërë nevojash urgjente, përfshirë ato që rrjedhin nga goditje në çmimet e mallrave të bursës, fatkeqësi natyrore, konflikte dhe situatat pas konfliktit. Ndihma financiare nën instrumentin e RFI-së ofrohet në formën e disbursimit të menjëhershëm.
Për shkak të dy goditjeve të njëpasnjëshme (tërmeti dhe pandemia Covid-19) aktiviteti ekonomik në Shqipëri mund të pësojë tkurrje domethënëse në vitin 2020, për tu ndjekur nga një rimëkëmbje në vitin 2021. Duke parë situatën që është në zhvillim të vazhdueshëm, këto parashikime janë subjekt i një pasigurie të lartë dhe rreziqe me kah nga ulja.
Në përfundim të diksutimeve të bordit, Z. Tao Zhang, zv/drejtori i përgjithshëm dhe kryetari në detyrë lëshoi deklaratën e mëposhtme.
“Tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia aktuale e Covid-19 kanë shkaktuar vështirësi të konsiderueshme dhe ndërprerje të aktivitetit ekonomik në Shqipëri. Këto dy goditje të njëpasnjëshme pritet që të krijojnë presione të mëdha fiskale dhe një nevojë urgjente për bilancin e pagesave përkundrejt shtrëngimit të kushteve financiare botërore.
“Përgjigja e autoriteteve ndaj goditjeve ka qenë në kohën dhe drejtimin e duhur. Në përgjigje të pandemisë Covid-19, autoritetet kanë ndërmarrë masa shtrënguese për kontrollin dhe ngadalësimin e përhapjes dhe kanë shpallur një paketë fiskale prej 1.4 perqind të PBB-së për të siguruar kujdesin e duhur shëndetësor dhe mbështetje për familjet dhe bizneset e prekura. Vendimi i fundit i Bankës së Shqipërisë për të ulur normën kyçe të interesit është gjithashtu i mirëpritur, transmeton A2CNN.
“Për të kufizuar ndikimin e Covid-19 është e nevojshme të rritet në mënyrë të konsiderueshme defiçi fiskal në 2020. Eshtë e rëndësisë kritike që të sigurohen shpenzime të mjaftueshme për kujdesin shëndetësor dhe mbështetje për qytetarët dhe firmat që janë dëmtuar nga pandemia Covid-19. Autoritetet shqiptare mbeten të angazhuara për të siguruar stabilitetin makroekonomik. Kur këto goditje të jenë tejkaluar, do të jetë e rëndësishme që borxhi të kthehet në një trajektore të qartë rënëse.
“Fondi është i gatshëm për të ndihmuar Shqipërinë të luftojë pandeminë dhe për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike”.