Intervista/ Kolonel Zaim Kuçi, ish atasheu ushtarak i Shqipërisë në Francë flet për luftën e re bakteriologjike
Nga Leonard Veizi
A jemi aktualisht në një luftë? Kolonel Zaim Kuçi, ish pilot i Forcave Ajrore shqiptare e më pas atasheu ushtarak i Shqipërisë në Francë thotë se: Bota e teknologjisë moderne, edhe pre e “armatosur deri në dhembë”, u gjunjëzua nga armiku i përbashkët “Coronavirus”. Dhe sipas tij, strateget ushtarakë të nukleareve dhe supersonikeve tanimë kanë zbritur në llogoret e epokës të “luftës të shpatave”…?!
Përse kemi arritur në një situatë të tillë, të frikshme?
Në analizën, brenda fushës time, e gjej përgjigjen tek shkatërrimi i shpejtuar i planetit tonë nga politika zhvillimi afatshkurtra; Planeti Toke u kthye në viktime e të fortëve. Pak vite më parë, pranë “Tour Eiffel” organizohej një ekspozitë e hapur për publik mbi zhvillimet e botës gjatë vitit që po linim pas. Në një tabelë të ndriçuar mirë lexova disa shifra me shpjegimet e tyre: 1000 miliard dollarë shpenzonte bota për forcat e armatosura dhe 100 miliard ishte programi i botës në luftën kundër varfërisë. Diku në krahë ishin një grup protestuesesh kundër kësaj tabele, mendova sa pak janë këta për të përmbysur raportin e kësaj tabele. Formimi, njohja dhe eksperienca si ushtarak në vite edhe jashtë vendit me plotësojnë bindjen për të thënë: e urrej bërjen e luftës…
Ku e bazoni bindjen tuaj?
E bazoj bindjen në dy elemente të fushës së luftimit: parashikimin dhe parandalimin e krizave, konfliktit dhe luftës por kjo nuk ka ndodhur deri me sot, edhe ne rastin me armikun “Codiv 19”, nuk ndodhi dhe nuk po ndodh për ta goditur armikun virus aty ku ai ka lindur kohë më parë, në vend-bazimin e tij, atje ku ai lindi apo e linden. Strateget ushtarake, me armët e zhvlerësuara sot, nuk mund të fantazojnë as leksione Akademie pa le të formojnë skalione forca dhe mjete mbrojtëse për të frenuar këtë armik, por kapitulluan duke pranuar në heshtje humbjen. Politikanët dhe gjeneralët (miliarder), dezertuan përballë armikut “coronavirus” edhe pse kishin buxhetin vjetor mbi 1000 miliard dollarë për raketa bërthamore, tanke dhe avionë modern: ata u futën në bunkerin ushtarak luksoz Kansas ndërsa ushtari me emër popull në fushëbetejën e coronavirusit. Në pritje të vlerësimit përfundimtar të kësaj lufte, ndoshta janë ulur për reflektim për të pranuar disfatën e garës së armatimeve që gjithmonë e kam vlerësuar si turpin më të madh të shoqërisë sonë të kalbur; ndoshta sot ata e kanë kuptuar llumin e së keqes dhe nga frika ata sot duartrokasin të fshehur pranë dritareve, bluzat e Bardha, por kjo është vonë. Të sëmurët e interesit të kësaj bote miliardere, ndoshta më së fundi do të kuptojnë se ky buxhet shkoi më shumë për stoqe dhe skrap armatimesh sesa në shërbim të qenies njerëzore, të paktën ta kuptojnë… që krijuan varreza botërore me të pafajshmin popull.
Sa i lartë është stoku u armëve?
Në TV franceze u dha si lajm alarmant studimi mbi mbetjet që krijohen nga lodrat për fëmijë, dhuratë për Vitin e Ri. Ishte vërtet shqetësim. Si ushtarak më ngacmoi ky lajm duke shtruar pyetjen: me dhuratat e Vitit të Ri për fëmijë bota shqetësohet po ç’farë ndodh dhe do të ndodh në botë me armatimin gjithëllojesh vrasës, gjigant në Forcat e Armatosura? Përse ka heshtje?
Armët nukleare në botë janë aq shumë sa profesionistët i kanë vlerësuar si – katastrofë. Reagim të fortë profesional bëri gjenerali francez Bénard Norlain, pilot gjuajtës, ish shef kabineti i presidentit Chirac për 15.800 armë nucléaire të botës. Duhet te zgjedhim: “Fundin e armëve nucleare apo fundin tonë – notre fin à ngus”. Askush nuk shtron pyetjen, ku do të shkojnë miliona e miliarda armë që FA i kanë në strukturë sot dhe ato që prodhohen për ditë, pa kuptuar që ato janë éternel të paasgjësueshme. Po kush po bërtet? Asnjë strukturë shtetërore. Më e keqja është se bota organizon panaire, Show Air, shtrohen bankete, trokasim gotat me shampanje dhe ne, populli i duartrokasim këto armë vrasëse. Ndoqa një studim (edhe pse me shumë vonesë), me shumë vlerë, urgjent për ta zbatuar për qeskat e celofanit. Unë e sjell në shënimet e mia si: “Sjellje hipokrizie është studimi për qeskat e celofonit që do të shkatërrojnë botën dhe nga ana tjetër armët që zhvillohen përditë konsiderohen sukses për botën”. Hipokrizi botërore.
Po nëse ndryshon raporti i fondeve…?
Bazuar në këto buxhete marramendëse, nëse të mëdhenjtë e botës do të ulen së bashku një ditë për të ndryshuar raportin e kësaj tabele; që këto shifra dollarësh të shkojnë për programe zhvillimi ekonomik, shëndetësor dhe mjedisor, të mirëvlerësojnë kërkuesit shkencor të viruseve dhe jo prodhuesit e arméve, kam bindjen që bota do ndryshoje. Bota do të jetë me qetë nëse do të vijë një rend shoqëror pa gare superfuqish shtetesh. Kalemxhinjtë raportojnë se: “1% e popullsisë të botës kanë 3/4 e pasurisë botërore. Ndërsa për ne ushtarakët, ky raport i thellë do të jetë në vitet e pritshme kontradikta e planetit tonë, lufta e pritshme me pasurinë.
Ndërkohë një ushtarak, me formimin e tanishëm, është një njeri lufte…?
Shpesh në leksionet akademike kam pasur shumë “ah-e”. Ah sikur të përdoreshin për emergjenca civile, ku ushtarakët (menaxhues të këtij buxheti) të përgatisnin skenarë në ruajtje të popullatës edhe nga viruset që kanë vrarë shoqërinë njerëzore në vite! Miliona njerëz kanë humbur jetën, më shumë se kjo pandemi që po kalojmë sot, por na ka munguar “lessons learned” dhe bota ka vazhduar sikur nuk ka ndodhur asgjë. Kjo situate që po kalojmë sot, nuk është e papritur, nuk është për here të parë. Ajo ka qenë gjithmonë e kërcënuar me “viruse vdekje prurës”. Vetëm emrat ndryshojnë… Dhe unë do të vazhdoj përgjigjen me disa kundër-pyetje: A duhet të jetë e vërtetë qe: evolucioni dhe progresi i mendjes dhe ndërgjegjes njerëzore i deritanishëm po e mbyt ky virus mikroskopik? A thua se kjo gjallës vrasëse e këtij planeti po tregon një supermaci “inteligjence” për t’u përhapur dhe mposhtur çdo armë që njerëzimi ka ngritur për mbrojtjen e vet, dhe se ky virus po gjen terren për faktin e përsosmërisë të tij “shkencor në formatin e përhapjes strategjike botërore?
Sa e kërcënuar ndihet bota sot?
Bota po kërcënohet, kjo është një formë e thjeshtë e bërjes së luftës sot, pa zhurmë avionësh…; Ndodh se nuk u ndërtuan “vijat e bardha dhe ato te kuqe”, që të parashikonin katrahurën që e pret njerëzimin, ta shmangin atë por me vullnetin e vet bota u zhvillua, u ndërtua si rrjet “merimangash për përfitime të shteteve” elitare dhe miliarderesh. Kemi ardhur të vetëdijshëm në këtë gjendje katastrofike; po si ushtarak më ngacmon fakti që kudo në botë shikojmë plantacione me varreza armatimesh konvencionale, kimike, nukleare; mijëra avionë me helike, reaktive e supersonike të vdekur; kufoma që dëshmojnë çmendurinë e botës, gllabërimin e ekonomisë dhe varfërinë. Janë aq shumë sa nuk po gjejnë buxhet për ruajtje dhe vend për t’i shkatërruar. Flitet se vendet e vogla dhe të varfra do te jenë target varrezash armatimesh për të ndihmuar të mëdhenjtë që t’i shkatërrojnë… Ndoshta u kuptua se shtetet elitare të botës edhe pse të bashkuar me armik të përbashkët (hallexhinj të Covid 19) i gjeti të varfër, fillimisht nuk siguruan as 5 mijë shtretër për virusin… Botës nuk i mungojnë organizmat politike, ekonomike, shoqërore, fetare, juridike etj në shkallë botërore, ato janë të shumta, botës i mungojnë këshilltaret e ditur dhe politikanë me zemër… minimalisht është urgjente një: “un cessez-le-feu durable”
Lufta bakteriologjike
Të gjithë kemi në dorë të ndryshojmë diçka
Po çfarë mendoni se do të sjellë më pas kjo luftë? Në vazhdim të mendimit të tij kolonel Zaim Kuçi thotë: – Jemi në një luftë bakteriologjike që kërkon ndryshim; ndoshta do te sjellë një tjetër rend shoqëror apo një tjetër sjellje njerëzore me jetën. Për ndryshimin e kërkuar na duhen politikanë që më shumë të zotërojnë artin e fjalës se atë të luftës, lufta duhet të jetë një “zgjidhje e fundit”; thuhet në leksionet akademike… Unë do të këshilloja: Çdo njeri mbart me vete një gjenerator të vogël që prodhon: Dashuri dhe Urrejtje. Ai komandohet nga një çelës me dy pozicione. Këshilloj qe njerëzit ta vendosin këtë çelës në pozicionin: “Dashuri”. Thuhet se “Jeta është me të vërtetë e thjeshtë, por ne këmbëngulim duke e bërë atë të më të komplikuar”. Përsa më lartë, bota e armatimeve moderne duhet të ndryshoje kursin e zhvillimit; është nevoje urgjente për mbështetjen financiare të shkencës botërore në zgjidhjen e problemeve globale të jetës dhe shëndetit të qenies njerëzore. Është urgjente të zëvendësojmë modelin e garës konkurruese me atë të luftës kundër vetes me ndihmën e të tjerëve. Në këtë intervistë-analizë trajtova atë ç’farë është bërë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes pa analizuar shumë e shumë probleme në fusha të tjera të zhvillimit të shoqërisë njerëzorë. Në këtë glob të ç’orientuar të gjithë kemi në dorë se çfarë të ndryshojmë, ky është mesazhi im, edhe pse e di që në këtë çorientim shoqëror nuk mund, as dhe të më lexoj njeri. Sipas meje, këto i mungojnë botës sot…/Fjala.al