Autoritetet vendase e ndërkombëtare në Kosovë thanë të hënën se është përmbyllur procesi i votimit për marrëveshjen e re të kyçjes ndërmjet sistemit energjetik të Kosovës dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSOE) që i hap rrugë pavarësimit të sistemit energjetik të Kosovës.
Në një komunikatë të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) thuhet se “me votimin e sotëm dhe nënshkrimin që do të pasojë, KOSTT-i dhe Republika e Kosovës përfundimisht dalin nga Blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni Veriore) dhe i bashkohet Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri-Blloku AK”.
Zyrtarët e KOSTT-it thanë në një komunikatë se “kjo është një ditë e madhe historike për KOSTT-in dhe për gjithë Kosovën. Me zhvillimet e sotshme, edhe në aspektin energjetik KOSTT dhe Republika e Kosovës pavarësohen nga Serbia”, thuhet në komunikatë në të cilën nënvizohet se ky zhvillim i hap rrugë KOSTT-it për integrimin në tregun rajonal të energjisë, pjesëmarrjes në bursën shqiptare të energjisë (APEX) si dhe vënies në operim të linjës 400 kilovoltëshe Kosovë-Shqipëri.
Votimi i marrëveshjes u mirëprit nga udhëheqës të institucioneve, partive politike dhe ambasadave.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, shkroi se me votimin e marrëveshjes “ka filluar përmbyllja e procesit të gjatë dhe të mundimshëm të pavarësimit të rrjetit energjetik të Kosovës, përkundër rezistencës së Serbisë. Kjo është një e arritur e madhe e Kosovës dhe shembull sesi duhet vazhduar përpara drejt realizimit të synimeve tona strategjike. U jemi mirënjohës të gjithë miqve tanë ndërkombëtarë për përkrahjen e vazhdueshme dhe për përkrahjen e tyre në implementimin e kësaj marrëveshjeje”, shkroi presidenti Thaçi.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se kjo marrëveshje e re do të mundësojë operimin si një bllok i vetëm energjetik midis Kosovës dhe Shqipërisë. Në një postim në rrjetin social Facebook, zoti Kurti tha se “si operator i njohur ndërkombëtarisht, KOSTT-i, do të ketë qasje në mekanizmat ndërkufitarë të cilët krijojnë mundësi më të lehtë në tregun rajonal për operatorët tanë. Kjo do të reflektohet në të hyra shtesë për KOSTT-in. Humbjet tona direkte nga mospjesëmarrja në mekanizmat ndërkombëtarë arrijnë deri në 8 milionë euro në vit, përderisa ato indirekte vlerësohen të jenë edhe më të larta”, shkroi ai duke nënvizuar se kjo paraqet një arritje të madhe për Kosovën.
Marrëveshja u përshëndet edhe nga ambasada gjermane në Prishtinë e cila e quajti moment historik për Kosovën dhe për bashkëpunimin në rajon.
Në një komunikatë të kësaj ambasade thuhet se “ky është rezultati i një rruge të gjatë në të cilën Gjermania qëndronte përgjithmonë në krah të qeverive dhe institucioneve të Kosovës. Ne bashkërisht besojmë në përfitimin e bashkëpunimit tonë për qëndrueshmërinë rajonale dhe jemi të bindur se Marrëveshja e Lidhjes me ENTSO-E është thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik në rajon. Qytetarët e Kosovës të të gjitha komuniteteve do të përfitojnë në fund”, thuhet në reagimin e ambasadës gjermane në Prishtinë./VOA