Vitin e kaluar, nga 130 milionë njerëzit që vuanin nga mungesa ekstreme e ushqimit, shumica (77 milionë) ndodheshin në vendet e prekura nga konflikti, 34 milionë ishin goditur nga kriza e klimës, dhe 24 milionë të tjerë në zonat ku kishte një krizë ekonomike.
Kriza e koronavirusit do të çojë më shumë se një çerek miliardë njerëz në prag të urisë, nëse nuk ndërmerren veprime të shpejta për të siguruar ushqim dhe ndihmë humanitare në rajonet më të rrezikuara. Ky është paralajmëruarimi i OKB dhe ekspertëve të ndryshëm.
Deri në fund të këtij viti, parashikohet që rreth 265 milionë njerëz në gjithë botën do të përballen me një pasiguri akute ushqimore, çka vlerësohet si dyfishim i numrit prej prej 130 milionë banorësh që ishte regjistruar vitin e kaluar. “Covid-19 është potencialisht katastrofik për miliona njerëz, jeta e të cilëve varet tashmë në fije të perit”- tha dr Arif Husain, kryekonomist në Programin Botëror të Ushqimit.
“Kjo është një goditje e rëndë për miliona të tjerë që mund të ushqehen vetëm nëse marrin një pagë. Mjafton vetëm një tronditje tjetër si ajo Covid-19, që t’i shtyjë ato në greminë. Ne duhet të veprojmë kolektivisht tani për të zbutur ndikimin e kësaj katastrofe globale”- tha Husain.
Uria globale mund të jetë një nga impaktet më të mëdha të pandemisë, paralajmëroi Raporti Global për Krizat e Ushqimit, i përgatitur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara e Ushqimit dhe Bujqësisë, Programi Botëror i Ushqimit dhe 14 organizata të tjera. Disa nga vendet më të varfra, mund të përballen me zgjedhjen e përpjekjes për të shpëtuar njerëzit e prekur nga virusi, duke bërë që ata të bien pre e urisë.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se raporti është një thirrje për të vepruar.
“Në këtë kohë të sfidave të mëdha globale, nga konfliktet deri te tronditjet klimatike dhe paqëndrueshmëria ekonomike, ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të mposhtur urinë dhe kequshqyerjen. Ne i kemi mjetet dhe njohuritë. Ajo që na duhet është vullneti politik, dhe angazhimi i qëndrueshëm nga udhëheqësit dhe kombet” – tha Guterres.
Raporti, që do t’i paraqitet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të martën pasdite, ngre alarmin se bota mund të përballet sërish me rritjen e çmimeve të ushqimeve, siç ndodhi në vitet 2007-2008 çka shkaktoi dhe trazira të gjera politike, ndikimet e së cilës ende ndjehen në të gjithë Mesdheun Lindja, nga Azia në Amerikën Latine. Ekspertët e ushqimit janë të shqetësuar pasi vendet donatore kanë filluar të japin me pikatore fondet e domosdoshme që lipsen në terren, të cilat shërbejnë për të ngritur rrjete për ofrimin e ndihmës humanitare në zonat me të goditura, ku dërgesat duhet të dërgohen nga ajri, pasi transporti tokësor nuk lejohet ose është i ndaluar në zona të mëdha. Programi Botëror i Ushqimit vlerëson se janë emrgjente dhe të nevojshme 350 milionë dollarë, por vetëm një e katërta e shumës është vënë aktualisht në dispozicion. Pandemia nisi të përhapej fillimisht në disa prej vendeve me ekonomitë më të mëdha botërore, duke nisur në Kinë, duke goditur më pas Italinë dhe Spanjën, dhe së fundmi SHBA-në e cila është bërë dhe qendra. Në vendet që janë ende në zhvillim ka më pak të dhëna në dispozicion për përhapjen e saj, pasi aty nuk po bëhen testime në masë, dhe shpesh mungojnë sistemet e kujdesit shëndetësor.
Raporti zbulon se në vendet në zhvillim, ka të ngjarë që të tejkalohen kapacitetet e shërbimeve shëndetësore, dhe se një një recesion i pritshëm global, do të prishë zinxhirët e furnizimit me ushqim. Në mënyrë të veçantë, ngrihet shqetësimi për njerëzit që punojnë në ekonomitë informale, për 79 milionë refugjatë dhe për njerëz që kanë lëvizur në vende të ndryshme të botës. Duke qenë se njerëzit sëmuren, mungesat në punë mund të shkaktojnë një tendosje të mëtejshme në prodhimin e ushqimit, masat e izolimit mund të rrisin çmimet e ushqimeve dhe rritja e papunësisë do të zvogëlojë fuqinë blerëse të njerëzve, duke çuar drejt urisë shumë prej tyre.
Një nga anët pozitive, është se pritshmëritë për të korrat janë të mira, por kufizimet e lëvizjes për të parandaluar përhapjen e virusit, do të krijojnë probleme për shpërndarjen e ushqimit. Vendet më të varfra po përballen me ndikimin që ka shkaktuar Covid-19 në sistemin e tyre shëndetësor, por njëkohësisht edhe me efektet e mbylljes ekonomike që e ka dërguar botën drejt reçesionit.
Disa nga kombet më të varfra “mund të përballen me një dilemë të fortë midis shpëtimit të jetës së shumë njerëzve, në një skenar më të keq, ku i shpëton njerëzit nga koronavirusi, për t’i lënë ata të vdesin nga uria”, paralajmëroi raporti.
Edhe pa ndikimin e koronavirusit, perspektiva për shumë vende si Jemeni, ku konflikti ka çuar miliona njerëz në pragun e urisë, dhe në Afrikën Lindore, ku karkalecat kanë dëmtuar të mbjellat, duke shtuar kërcënimin nga uria. Megjithë të korrat e mira të kohëve të fundit në shumë pjesë të botës, pandemia do të bëjë që shumë kombe të tjera të zhyten në konflikte ose trazira politike. Moti ekstrem i nxitur nga ndryshimet klimatike, ka gjithashtu të ngjarë të shtojë dëmet në bujqësi, siç bëri vitin e kaluar.
Vitin e kaluar, nga 130 milionë njerëzit që vuanin nga mungesa ekstreme e ushqimit, shumica (77 milionë) ndodheshin në vendet e prekura nga konflikti, 34 milionë ishin goditur nga kriza e klimës, dhe 24 milionë të tjerë në zonat ku kishte një krizë ekonomike. Filantropët dhe grupet e shoqërisë civile, po u bëjnë thirrje gjithashtu qeverive të vendeve të pasura që të ndërmarrin veprime konkrete, për të ndihmuar më të varfërit që rrezikojnë të vdesin urie.
Shërbimi i Ndihmës Katolike në SHBA, po bën fushatë që Kongresi Amerikan të miratojë urgjentisht fonde të reja për luftën ndaj urisë.
“Pandemia është një krizë në krye të shumë krizave të tjera në pjesë të Afrikës, Amerikës Latine dhe Azisë. Rreziqet serioze shëndetësore, janë vetëm një pjesë e problemit. Masat kufizuese janë duke i penguar njerëzit të mbjellin apo korrin të lashtat, të punojnë apo shesin produktet që kanë prodhuar. Dhe kjo do të thotë më pak të ardhura për njerëzit e uritur, që të dëshpëruar po blejnë ushqime me çmime më të larta”- thotë Shon Kallahan, shefi ekzekutiv i organizatës.
Kompanitë shumëkombëshe të ushqimit, paralajmëruan kohët e fundit se numri i njerëzve në uri kronike, mund të dyfishohet në më shumë se 1.6 miliardë si rezultat i pandemisë. Ato i bënë thirrje liderëve botërorë që të ndërmarrin veprime urgjente. Ekonomistët fitues të çmimit Nobel, kanë paralajmëruar se nëse nuk arrijnë të ndihmojnë vendet më të varfra, vendet e zhvilluara mund të pësojnë efektet negative të një rikthimi të koronavirusit. Gjithsesi, ka shenja që bashkëpunimi ndërkombëtar mbi pandeminë është jo pak problematik. SHBA-ja refuzoi të nënshkruajë një projekt-deklaratë të ministrave të Shëndetësisë të G20, që mbështeste rolin e Organizatës Botërore të Shëndetit, duke preferuar një version të shkurtuar ku pranohej mospërgatitja e botës përballë kësaj pandemia. Dhe presidenti Donald Trump ka pezulluar fondet që SHBA-ja jep çdo vit për OBSH-në.