Nga vështirësitë e herës së parë në një ekip e kampionat të huaj te suksesi i të qenurit titullar në çdo ndeshje të Menemen Sporit, portieri shqiptar flet për jetën dhe futbollin në Turqi
Portieri shqiptar i skuadrës turke të Menemen Sporit, Gentjan Selmani është shprehur se kampionati turk i futbollit është shumë herë më cilësor se ai shqiptar, duke nxjerrë diferenca të theksuara në lojë si dhe ka nuk është shprehur optimist për një rikthim të tij Shqipëri.
Në një intervistë për Gazetën Fjala, gardiani i talentuar ka folur në lidhje me vështirësitë që ka hasur në kampionatin turk dhe situatën e krijuar nga koronavirusi atje.
22-vjeçari ka theksuar se ka pasur shumë vështirësi për shkak të gjuhës dhe mungesës së familjes, por më tej theksoi se është duke u përshtatur çdo ditë e më shumë.
Selmani ka treguar se cilin ekip sheh si fitues të Superligës shqiptare, si dhe është shprehur për pritshmëritë e dëshirat e tij. E ndërsa foli pak për kampionatin shqiptar ai theksoi se fitues i këtij edicioni me patjetër është ekipi i Tiranës.
Duke qenë se koronavirusi është tema kryesore e momentit, si je duke e përjetuar këtë periudhë?
Jam munduar ta marr me sportivitet, duke u stërvitur nga pak, duke parë filma në Netflix, e çdo gjë tjetër për të shtyrë sadopak kohën.
Si duket situata në Turqi?
Situata është pak e ndërlikuar si në çdo vend, por shpresoj ta kalojmë sa më shpejt.
A je stërvitur mjaftueshëm për të qenë në formën e duhur kur të kthehesh në fushë?
Jam stërvitur çdo ditë, kam pasur fatin që dy portierët e ekipit kanë qenë këtu afër dhe kemi bërë stërvitje së bashku. Gjithashtu palestër dhe vrapime për të mbajtur gjendjen, pse jo duke e shfrytëzuar këtë moment si një periudhë minifaze përgatitore.
Kemi parë ecuri goxha të mirë me skuadrën e Menemen Sporit, na flit pak për eksperiencën atje?
Duke parë se kjo ishte eksperienca e ime e parë jashtë Shqipërisë, në fillim normal ka qenë pak e vështirë për shkak të gjuhës dhe gjithashtu malli për familjen, por ditë pas dite çdo gjë u përmirësua.
Si ka shkuar kampionati deri në momentin e pezullimit, mund të thuash që ke dhënë maksimumin tënd?
Kampionati na ka shkuar shumë mirë edhe nga vetja jam i kënaqur, por normal gjithmonë kërkoj të përmirësohem dhe pas përfundimit të kësaj pandemie shpresoj që këto 6 javët e mbetura t’i mbyllim sa më mirë.
A ke patur mbështetjen e mjaftueshme nga klubi dhe tifozeria turke?
Kam një marrëdhënie shumë të mirë me të gjithë sidomos me tifozët.Në klub më kanë pritur shumë mirë e kam miq shumë të mirë, sepse kanë besim te un dhe aftësitë e mia dhe kam punuar shumë që t’ja shpërblej besimin. Gjithashtu dhe tifozët janë shumë të afërt dhe kur dal në qytet gjithmonë përshëndetemi ose më thonë për ndonjë foto. Nga ky aspekt gjithçka është super.
A keni patur shkurtime të rrogave si shumica e skuadrave, për shkak të krizës së krijuar nga koronavirusi?
Për rrogat akoma nuk kemi pasur një komunikim konkret nga klubi, por mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim.
Nëse do të jepej e njëjta ofertë nga një klub në Shqipëri me një klub në kampionatet e huaja kë do kishe zgjedhur dhe pse?
Nuk mund të them me saktësi. Janë shumë gjëra që të bëjnë të vendosësh, varet në çfarë kampionati të jepet mundësia për të lëvizur.
A mendon se ka ardhur momenti i duhur për t’u thërritur e në të njëjtën kohë për të luajtur me përfaqësuesen e parë të Kombëtares?
Me Kombëtaren A kam qenë prezent në 6-7 grumbullime, nuk më është dhënë mundësia për të luajtur, por un vazhdoj të punoj dhe të përmirësohem që të kem në shans në të ardhmen.Por gjithsesi vetëm prezenca aty më jep një kënaqësi të madhe duke ditur që përfaqësojmë një komb të tërë.
Nga të gjitha kampionatet e futbollit në botë ku do doje të aktivizoheshe dhe me cilin klub?
Kampionati spanjoll ose ai gjerman për mua janë kampionatet më të bukura. Në qoftë se do isha në Gjermani do zgjidhja Bayern Munchin, ndërsa në Spanjë Barcelonën. Janë dy ekipe që çdokush mund t’i ëndërronte.
Momentalisht a mund të zbulosh për ne ndonjë emër klubi të interesuar për transferimin tënd dhe të na flasësh pak për të ardhmen?
Nuk mund të them emra, vetëm mund të them që ka pasur interesime në klub, por un nuk di akoma gjëra konkrete. Më shumë po merret menaxheri Rrahman Kice dhe klubi. Unë jam i fokusuar që të mbyllim me sukses këtë sezon futbollistik.
Vetëm disa muaj më parë zgjodhe të largohesh nga kampionati shqiptar, a mund të na tregosh diferencën me futbollin në Turqi?
Kampionati këtu më duket pak më i fortë se ai shqiptar, mund të them se ka më shumë cilësi dhe tempo, ndërsa në Shqipëri është më shumë futboll taktik dhe defensiv.
Cilën nga skuadrat e Superligës shqiptare shikon si pretendente kryesore për të fituar titullin këtë vit dhe pse?
Këtë vit besoj se më e favorizuara është Tirana, pasi janë në vend të parë me disa pikë diferencë dhe besoj se ata janë më afër titullit.
Po lojtari më i mirë i momentit në kampionatin shqiptar, cili është sipas teje?
Ka shumë lojtarë të mirë në Shqipëri dhe nuk është se mund të veçoj dikë.
Bazuar në ndeshjet e fundit të Superligës Shqiptare, nëse do të bënim një krahasim të vendimeve të arbitrave në Shqipëri dhe atyre në Turqi, a mund të na rendisësh disa ndryshime?
Arbitrat pak a shumë janë njësoj në çdo vend kudo ka gabime, por mjafton që të mos bëhen me dashje. Edhe në Turqi ka arbitra të mirë, por gjithashtu edhe në Shqipëri.
Diçka që do doje të shtoje apo ta thoje për ata që po na lexojnë?
Ne radhë të parë ju falenderoj për intervistën dhe dua t’ju jap një mesazh të gjithëve, që në këto ditë të vështira të jenë të duruar, mos të dalin nga shtëpia sepse rrezikojnë veten dhe të afërmit. Ju uroj të gjithëve shumë shëndet dhe shpresoj të dalim sa më shpejt nga kjo situatë. ?
Rikujtojmë se Gentjan Selmani u bashkua me skuadrën turke të Menemen Sportit më 1 gusht të vitit 2019, ku u largua nga ekipi i Laçit. 22-vjeçari ia ka dalë që të tregojë një formë të lakmueshme gjatë muajve që ka luajtur për kampionatin turk duke qenë titular në të 28 ndeshjet e Menemen Sporit. Në të gjitha takimet Selmani ka bërë 38 pritje, ndërsa ka mbajtur plot 6 ‘clean sheets’, ose siç i thonë në shqip e ka mbajtur 6 herë portën të paprekur nga topat e kundërshtarëve.
Aktualisht kartoni i Gentjan Selmanit vlen 500 mijë euro dhe nuk do ishte habi nëse së shpejti do kishte një rritje të madhe dhe do shikonin klube të mëdha në ‘luftë’ për shërbimet e tij.
/Nga Katerina Tafa/ Gazeta Fjala/