Koronavirusi/Kur do dalim nga kjo gjendje? Eksperti: Ja çfarë duhet të bëjnë qeveritë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Richard Hughes, Resolution Foundation/Shumë e kanë përshkruar shpërthimin e koronavirusit si një tronditje të pashembullt ndaj ekonomisë globale. Qeveritë në të gjithë botën po përpiqen të reagojnë sa më parë, si në drejtim të politikës monetare ashtu edhe asaj fiskale, të cilat kanë marrë një goditje nga ky virus me pak të dhëna dhe pak shembuj të ngjashëm në të kaluarën ku mund të bazohen.

Kjo gjë që ua vështirëson atyre më shumë punën për kalibrimin e një përgjigje sa më të saktë. Koronavirusi është sigurisht shpërthimi i parë pandemik global i shekullit XXI, por nuk është epidemia e parë virale me të cilën shteteve të botës u është dashur të përballen dhe të luftojnë. Bota është përballur me pandeminë globale të Gripit Spanjoll në fillim të shekullit XX dhe me shpërthime më të lokalizuara në formën e SARS-it dhe Ebolës në fillim të këtij shekulli.

Në shpërthimet e kaluara dhe aq më tepër gjatë pandemisë aktuale të koronavirusit, qeveritë kanë luajtur dhe luajnë një rol kryesor, jo vetëm në trajtimin e të sëmurëve dhe reduktimin e përhapjes së virusit, por edhe në zvogëlimin e pasojave të ndikimit të tij ekonomik në njerëz, biznese dhe ekonominë në tërësi. Sidoqoftë, për ta bërë këtë, qeveritë duhet të mbajnë financat e tyre në “shëndet të plotë”, në mes të këtyre presioneve të papara në drejtim të shpenzimeve, të ardhurave dhe burimeve tradicionale të financimit.

10 masat që duhen ndërmarrë nga politikëbërësit

Në vazhdën e shpërthimit të koronavirusit, qeveritë kanë ndërmarrë hapa të shumtë për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve të tyre dhe për të mbështetur ekonomitë e tyre. Tani ata duhet të ndërmarrin hapa të jashtëzakonshëm për të mbrojtur shëndetin e tyre financiar, përmes asaj që mund të jetë një periudhë e zgjatur e përçarjes ekonomike, e domosdoshme për të minimizuar dhe për të zhdukur virusin.

Ky artikull shpjegon atë se çfarë krijuesit e sotëm të politikave mund të mësojnë nga mënyra se si qeveritë e së kaluarës janë përballur me streset ekonomike dhe fiskale të lidhura me shpërthimet virale në shekullin e kaluar.

Koronavirusi është pandemia e parë globale e shekullit XXI, por nuk është shpërthimi i parë viral me të cilin qeverive në të gjithë botën u është dashur të përballen dhe të luftojnë. Në pak më shumë se një shekull, bota ka parë një pandemi tjetër globale në formën e gripit spanjoll të 1918-‘19 dhe shpërthime virale më të lokalizuara në shpërthimin e SARS-it në 2003 në Azinë Lindore dhe epideminë e Ebolës 2014-16 në Afrikën Perëndimore.

Ja se cilat janë 10 mësimet që Ministrat e Financave në shtete të ndryshme mund të nxjerrin nga betejat e së kaluarës dhe mund t’i përdorin ato për të kalibruar përgjigjen e saktë ndaj koronavirusit aktual:

1. Ekonomitë mund të përballen me një rënie të lartë dyshifrore të PBB-së së tyre vjetore. Shkalla relativisht e ulët e infeksionit dhe e vdekshmërisë nga koronavirusi janë një përcaktues më pak i rëndësishëm i ndikimit të tij ekonomik në krahasim me shëndetin publik dhe atë social, i cili vlerësohet se përbën mbi katër të pestat e shkatërrimit ekonomik të shkaktuar nga shpërthimet virale.

Kufizimet e shëndetit publik të lidhura me koronavirusin kanë qenë më të shpejta, më të rrepta dhe më globale në krahasim me çdo epidemi të mëparshme. Humbjet vjetore të prodhimit nga koronavirusi mund të jenë të paktën po aq të mëdha sa humbjet e larta një ose dyshifrore të pikut, gjatë gripit spanjoll dhe Ebolas, në vend që të jenë më afër humbjeve vjetore prej 0,5 deri në 1% të PBB-së, të përjetuara pas shpërthimit të SARS-it.

2. Ndikimet ekonomike mund të zgjasin për shumë muaj, ndoshta edhe me vite, nëse masat e distancimit social do të vazhdojnë të mbahen edhe për periudha më të zgjatura. Krahasimet e bëra me vendet e Azisë Lindore të prekura në 2003 nga SARS-i, kanë vërtetuar se pandemia globale e koronavirusit është dukshëm më e vështirë për t’u analizuar, për t’u reduktuar dhe në fund për t’u zhdukur.Rimëkëmbjet ekonomike që ndodhën pas shpërthimit të Gripit Spanjoll dhe Ebolës, janë një shembull më i mirë për t’u marrë në konsideratë. Ekonomitë e këtyre shteteve u kthyen në nivelet e tyre të mëparshme, vetëm pasi kishin kaluar mesatarisht tre vite pas shpërthimit të epidemive.

3. Deficitet qeveritare mund të rriten shumë shpejt në shifra të larta një ose dyshifrore në raport me PBB-në. Ndërsa bllokimet ekonomike zvogëlojnë të ardhurat, kostot e kujdesit shëndetësor rriten dhe firmat dhe individët përfitojnë nga lehtësimet ekzistuese të taksave dhe ato të shpallura rishtazi, përfitimet, mbështetja e pagave dhe kredive, qeveritë nga ana tjetër mund të përballen me deficite në nivele të larta, të cilat nuk janë parë që nga periudha e luftës.

Edhe ekonomitë e Afrikës Perëndimore me sektorë publikë relativisht të vegjël, me shtete që ofrojnë mirëqenie bazike për banorët e tyre dhe reagime të kufizuara të politikës fiskale, u përballën me një rritje të deficiteve të tyre midis 5 dhe 9% të PBB-së, në kulmin kur shpërtheu Ebola. Masat e politikës fiskale të publikuara nga qeveritë në përgjigje të tronditjes që po pëson ekonomia, si pasojë e koronavirusit, nuk kanë ndodhur asnjëherë në kohë paqeje dhe kanë ndodhur vetëm në periudha lufte.

4. Qeveritë duhet të synojnë mbështetjen financiare dhe të shmangin ofertat universale ose ato të hapura. Edhe kur shtetet e mirëqenies ishin të kufizuara si gjatë Gripit Spanjoll dhe Ebolës, financat e qeverisë u vunë nën një tkurrje të konsiderueshme gjatë llojit të shpërthimeve virale të zgjatura, me të cilat bota mund të përballet edhe tani.

Premtimet për të parandaluar dështimin e të gjitha firmave ose dhënien e pagave të plota, ndaj të gjithë punëtorëve për periudhat në të cilat ata janë të papunë, mund të mos jenë të besueshme nga këndvështrimi fiskal, nëse masat për distancimin social mbeten në fuqi për më shumë se disa muaj. Dhe pagesa universale për të gjithë qytetarët, që janë aktualisht të papunë, mendohet se nuk do të nxisë shumë konsumin, duke qenë se shumica e dyqaneve me pakicë janë të mbyllura dhe zinxhirët e furnizimit global janë ndërprerë.

Përkundrazi, mbështetja fiskale duhet të përqendrohet në mbylljen e mangësive në rrjetin e sigurimeve shoqërore, duke siguruar që të gjithë të kenë një mbështetje minimale, dhe të ndihmojnë firmat me përfitime themelore që të mos pushojnë stafin e tyre dhe të ruajnë kapitalin. Masat e nxitjes së kërkesës së gjerë duhet të konsiderohen si një gur rezervë, derisa të hiqen kufizimet e shëndetit publik dhe pjesa e furnizimit të ekonomisë të japë përgjigjen e duhur.

5. Qeveritë duhet të shmangin politikat fiskale që përkeqësojnë në mënyrë të panevojshme ndërprerjen e furnizimit. Mbështetja për firmat duhet t’i inkurajojë ato të mbajnë nivele të sigurta të funksionimit dhe jo që të qëndrojnë të mbyllura. Masa të tilla duhet të nxisin punëtorët që të mos humbasin kontaktin me punëdhënësit e tyre,në vend që të marrin statusin e të papunit në një treg jofunksional të punës.

Skemat e mbështetjes së pagave duhet të shmangin pushimin e stafit të punonjësve gjatë apo pas shpërthimit të pandemisë nga ana e kompanive të ndryshme dhe t’i ndëshkojnë këto të fundit në rast se veprojnë ndryshe. Kreditë e dhëna ndaj biznesit duhet të shmangin falimentimet e firmave dhe pushimet nga puna të punonjësve.

6. Qeveritë duhet t’u japin përparësi shpenzimeve për të financuar sistemin e tyre të kujdesit shëndetësor dhe të mbështesin individët dhe firmat. Qeveritë duhet të kryejnë një tranzicion të shpejtë të të gjitha shpenzimeve publike për të identifikuar kursimet që mund të riorganizohen, për të financuar emergjencën shëndetësore dhe ekonomike. Gjatë Gripit Spanjoll dhe epidemisë së Ebolës, qeveritë pezulluan projektet kryesore të investimeve derisa shpërthimi mbaroi për të financuar shërbimet e tyre të mbingarkuara shëndetësore.

7. Qeveritë duhet të analizojnë me kujdes se si e financojnë veten gjatë periudhave të zgjatura dhe të vështira, në të cilat shpenzimet ka shumë mundësi që të kapërcejnë të ardhurat. Fondet e pensioneve mund të përballen me një rënie të madhe të kontributeve, humbje të konsiderueshme në investime të tjera dhe kërkesa për pension të parakohshëm ose tërheqje.

Bankat komerciale dhe të investimeve që funksionojnë, si tregtarët kryesorë në tregun e obligacioneve qeveritare, ka shumë mundësi që të përballen me tkurrjen e tyre të likuiditetit, për shkak të rritjes së kredive me probleme, problemeve me hipotekat dhe ripagimin e huave të negociuara ose të sanksionuara nga qeveria. Kreditorët e huaj mund të jenë të gatshëm të japin hua përtej kufijve nga frika e paqëndrueshmërisë së kursit të këmbimit, risku i lartë dhe kufizimet e reja të kapitalit.

8. Bankat Qendrore mund të duhet të sigurojnë likuiditet të përkohshëm për qeveritë për të financuar deficitet e tyre. Të vënë përballë një krize globale të sinkronizuar të likuiditetit, qeveritë mund të kenë nevojë të drejtohen te Bankat e tyre Qendrore për likuiditetin e nevojshëm, duke qenë se tregjet e obligacioneve qeveritare janë ndërprerë përkohësisht.

Duke pasur parasysh nivelet aktuale të trazirave të tregut dhe rënien e mundshme dramatike të të ardhurave dhe rritjen e shpenzimeve në muajt në vazhdim, këto masa mund të kenë nevojë të ndërmerren sa më shpejt të jetë e mundur. Për sa kohë që likuiditeti i krijuar nga Banka Qendrore për të financuar deficitet e qeverisë është i përkohshëm dhe nuk do të jepet më pasi virusi të ketë mbaruar, pasojat për pritjet afatgjata të inflacionit duhet të jenë të kufizuara.Disa sasi të inflacionit afatshkurtër mund të jenë të pashmangshme dhe të domosdoshme duke marrë në konsideratë nevojën e çmimeve relative për t’u përshtatur me një tronditje të konsiderueshme të furnizimit.

9. Qeveritë duhet t’i rezistojnë rivendosjes së kontrollit të kapitalit për të mbrojtur burimet e tyre të financimit. Kontrollet e kapitalit u prezantuan gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u mbajtën në fuqi deri pas përfundimit të gripit Spanjoll në vitet 1920. Do të jetë tunduese për disa qeveri të rivendosin kufizimet e kapitalit si një mjet për të mbrojtur kursimet e tyre kombëtare dhe duke i përdorur ato për të financuar deficitet e tyre. Sidoqoftë, kjo nuk do të ishte optimale në nivel global, pasi kontrollet e kapitalit do të përkeqësonin krizën globale të likuiditetit, do të prishnin investimet ndërkufitare, tregtinë dhe zinxhirët e furnizimit dhe do të rrezikonin rimëkëmbjen pas përfundimit të epidemisë.

10. Institucionet financiare rajonale dhe ndërkombëtare luajnë një rol shumë të rëndësishëm në sigurimin që qeveritë të jenë në gjendje të financojnë veten gjatë periudhës së pandemisë. Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe organet rajonale të financimit mund të ndihmojnë për të lehtësuar përcaktimin e financimit global për ato vende që kanë më shumë nevojë, siç ndodhi edhe gjatë shpërthimit të Ebolës, kur qeveritë e Afrikës Perëndimore përfituan nga mbështetja e jashtme financiare nga 5 deri në 10% e PBB-së, në periudhën e pikut të shpërthimit.

Duke supozuar se virusi lëviz në të gjithë globin, por në një vend më shumë se në një tjetër, siç ishte rasti gjatë gripit spanjoll, shtetet, qytetarët dhe ekonomitë e të cilëve janë rikuperuar nga virusi, mund t’i përdorin këto institucione për të ndihmuar dhe për të mbështetur ato vende të goditura në fazat e mëvonshme të një shpërthimi të mundshëm.

Lexo edhe :  Shifrat/ Turizmi rrit shitjet e tregtisë me pakicë

Ndikimi ekonomik i shpërthimeve virale

Ndërprerja në aktivitetin ekonomik e shkaktuar nga një shpërthim viral është produkt i pesë faktorëve kryesorë:

(i) numri i personave të infektuar,

(ii) shkalla e sëmundshmërisë dhe e vdekshmërisë në lidhje me njerëzit që sëmuren,

(iii) kohëzgjatja të shpërthimit,

(iv) kufizimet e shëndetit publik të vendosura për të përmirësuar përhapjen e mëtejshme të virusit, dhe

(v) masa të tjera vullnetare të distancimit social që njerëzit marrin për të zvogëluar mundësitë që të infektohen prej virusit.

Ashtu siç shpjegohet edhe më poshtë, historia tregon që (i) dhe (ii) janë përcaktuesit kryesorë të ndikimit ekonomik afatgjatë të sëmundjes ndërsa (iii), (iv) dhe (v) janë përcaktuesit kryesorë të ndikimit ekonomik në një periudhë të afërt kohore.

Shpërthimet virale mund të çojnë në humbje të menjëhershme të PBB-së, në një normë midis më pak se 1 dhe mbi 20%, në varësi të numrit të infeksioneve, shkallës së vdekshmërisë, kohëzgjatjes së shpërthimit, masave të shëndetit publik dhe reagimit më të gjerë social dhe ndërkombëtar (Tabela 1). Ndikimi afatshkurtër i PBB-së së koronavirusit mund të ndryshojë në të gjithë vendet.

Bazuar në përvojën e kaluar, vendet më shumë të prekura mund të shohin humbje vjetore të PBB-së në shifra të larta jo vetëm një por edhe dyshifrore, sidomos në pikun e shpërthimit. Kjo bazohet në mësimet e mëposhtme të shpërthimeve virale që kanë ndodhur në të kaluarën:

• Përpara se të shpërthente Koronavirusi, Gripi Spanjoll ishte më i përhapuri nga tre pandemitë, duke infektuar 500 milionë njerëz në të gjithë botën (rreth 30% të popullsisë botërore) dhe vlerësohet se u ka marrë jetën midis 17 dhe 50 milionë personave, ose midis 1-3% të popullsisë në botë, me një shkallë vdekshmërie midis 3 dhe 10% për ata të infektuar.

Ai gjithashtu e goditi rëndë popullsinë në tre valë gjatë një periudhe dyvjeçare midis 1918-‘19. Ndërsa ndikimet e tij në drejtim të PBB-së janë të vështira për t’u veçuar nga pasojat ekonomike të Luftës së Parë Botërore dhe demobilizimi i mëpasshëm. Vendet më të goditura nga pandemia kanë parë tkurrjen e PBB-së me 6% në SHBA, 11% në Kanada dhe 13% në Mbretërinë e Bashkuar sa u takon pasojave të shpërthimit në 1919.

Studimi i kohëve të fundit vlerësoi se rënia mesatare e PBB-së reale për frymë i atribuohet Gripit Spanjoll midis 8,4 dhe 9,9% për një vend tipik.

• Përhapja e SARS-it në 2003, që infektoi një numër më të vogël njerëzish, 8,096 të prekur, me rreth 774 vdekje, ishte shumë më pak e përhapur, por në mënyrë të konsiderueshme më vdekjeprurëse sesa Gripi Spanjoll, sepse shkalla e saj e vdekshmërisë ishte prej gati 10%.
Sidoqoftë, përhapja e virusit u izolua shumë shpejt, vetëm brenda disa muajve. Në katër vendet më të prekura (Hong-Kong, Kinë, Singapor dhe Tajvan), prodhimi ra vetëm në tremujorin e dytë dhe më pas shënoi sërish rritje pozitive. Prandaj, humbja më e lartë vjetore e prodhimit ishte vetëm midis 0.5-1.1% në vitin 2003.

• Përhapja e Ebolës në vitin 2013, e cila preku 28.616 njerëz dhe çoi në 11.310 vdekje në Guineja, Liberi dhe Sierra Leone, ishte deri tani më e larta sa i takon shkallës së vdekshmërisë, me rreth 40% për personat e infektuar. Ajo pati edhe një periudhë më të gjatë kohëzgjatjeje në krahasim me SARS-in, që zgjati pothuajse dy vjet para se masat e shëndetit publik, përfshirë karantinat masive të njëpasnjëshme, të vinin nën kontroll shpërthimin.
Në tre vendet e Afrikës Perëndimore të prekura më së shumti, Ebola shënoi humbje vjetore të PBB-së prej 5% në Guineja, 7% në Liberi dhe mbi 20% në Sierra Leone.

• Pavarësisht se duket se ka shkallën më të ulët të vdekshmërisë nga katër shpërthimet e diskutuara në këtë artikull, në 3-4%, duke marrë parasysh përhapjen e tij të gjerë globale, ka shumë mundësi që koha e nevojshme që duhet për ta përmbajtur atë (veçanërisht në vendet me të ardhura më të ulëta dhe shtetet e brishta), dhe ashpërsia e shëndetit publik dhe masat distancuese sociale të kërkuara për ta bërë këtë, koronavirusi ka të ngjarë të jetë më afër ose më keq se Gripi Spanjoll dhe Ebola për sa i përket ndikimit të tij të mundshëm në prodhimin ekonomik të një shteti të caktuar. Simulimet e së kaluarës të një pandemie të rëndë globale i vënë humbjet e mundshme ekonomike në 4.8% të PBB-së. Por situata aktuale na ka treguar se disa vende mund të përballen edhe me humbje më të larta se të tjerët.

Shumica (rreth 80-90%) e ndikimit ekonomik afatshkurtër të shpërthimit nuk vjen si rezultat i njerëzve që sëmuren, por nga përçarja në aktivitetin ekonomik e lidhur me kufizimet e shëndetit publik dhe distancimin social të kërkuar për të kontrolluar përhapjen e tij.

Një simulim i Bankës Botërore në vitin 2008, për ndikimin e mundshëm ekonomik të një gripi pandemik të ngjashëm me atë të Gripit Spanjoll, por me një reagim të shëndetit publik dhe social të tipit të SARS-it vlerësoi se vetëm 12% e kostove totale ekonomike lindin për shkak të vdekshmërisë nga sëmundja, ndërsa 28% vijnë nga nivele më të larta të sëmundjes së punëtorëve, dhe 60% lindin si rezultat i përpjekjeve të detyrueshme ose vullnetare nga ana e individëve për të shmangur infeksionin (Figura 1). Duke pasur parasysh shkallën relativisht të ulët të vdekshmërisë së koronavirusit, mendohet që pjesa dërrmuese e efekteve të saj ekonomike të vijnë nga masat e nevojshme për distancimin social, të kërkuara për ta kufizuar atë.Pasojat që kanë pasur shpërthimet virale në sektorë të ndryshëm të ekonomisë si në atë të udhëtimit, mikpritjes, turizmit dhe shërbimeve të shitjes me pakicë kanë qenë të shumta.

• Gjatë shpërthimit të Gripit Spanjoll, pagat e shumë punëtorëve spanjollë ishin në nivelet e tyre minimale, siç ishin edhe sigurimet e tyre shoqërore, prandaj punëtorëve nuk u mbetej zgjedhje tjetër, por të vazhdonin punën derisa të sëmureshin, në mënyrë që të mos humbisnin edhe ato pak të ardhura që merrnin.

Veprimet e ndërmarra për të minimizuar pandeminë ishin gjithashtu sporadike dhe të pjesshme, siç dëshmohet nga ndryshime të konsiderueshme në qasjen e miratuar nga shtete të ndryshme amerikane të prekura nga virusi, teksa ai përhapej nëpër të gjithë vendin. Sipas të dhënave, sektori i shitjes me pakicë pësoi humbje midis 30 dhe 70% ndërsa fabrikat u përballën me një humbje nga 40 deri në 50% në kulmin e shpërthimit të pandemisë në qytete të ndryshme të SHBA-së.

• Gjatë shpërthimit të SARS-it, hotelet dhe atraksionet turistike u goditën më së shumti, duke u përballur me një humbje të të ardhurave prej rreth 80% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa agjencitë e udhëtimit, linjat ajrore, restorantet, shitjet me pakicë dhe transporti panë një rënie të të ardhurave 10-50%. Këta sektorë u prekën jo vetëm nga vendosja e kufizimeve të shëndetit publik dhe masave distancuese sociale për banorët e zonës, por edhe nga një rënie e vizitorëve të huaj në rajon.

• Gjatë Ebola-s, të tre vendet e Afrikës Perëndimore gjithashtu shënuan rënie të mëdha në turizëm, investime të huaja, tregti dhe shërbime. Sierra Leone u godit veçanërisht për shkak të nevojës për të pezulluar operacionet e minierave dhe nxjerrjen e hekurit, të cilat përbënin 20% të PBB-së në 2014.

Në të tre shtetet, prodhimi dhe tregtia u prekën gjithashtu nga bllokimet dhe karantinat në qytete dhe fshatrave, të cilat u zbulua se ishin të prekura nga virusi. Karantinat dhe mbylljet e kufijve u shoqëruan me rënie të tregtisë rajonale dhe pasiguri të shtuar në industrinë ushqimore në vendet më të goditura,pavarësisht se prodhimi iprodukteve kryesore të ushqimit shënoi një rënie me vetëm 3-12 për qind në të treja prej këtyre shteteve.• Tashmë është e qartë se pandemia e koronavirusit ka një ndikim serioz në sektorët e transportit, turizmit, mikpritjes dhe argëtimit në të gjithë botën. Një vlerësim i rënies së mundshme të kërkesës në këta sektorë mund të merret nga një studim i Zyrës së Buxhetit të Kongresit të vitit 2006.

Sipas modeleve të tyre, sektorët e argëtimit, hotelerisë dhe restoranteve po përballen me një rënie prej 80% të kërkesës; ndërsa industria e transportit, ajrore dhe ajo hekurudhore lokale u përballën me një rënie prej 67%. Shumica e industrive të tjera janë përballur me një rënie të kërkesës nga 0 dhe 10%, ndërsa kujdesi shëndetësor pa një rritje prej 15% (Figura 2).

Rënia e kësaj shkalle është në përputhje me ato që janë vërejtur në të dhënat në kohë reale për rezervimet e linjave ajrore, restoranteve dhe hoteleve që nga fillimi i shpërthimit të koronavirusit.

Rikuperimi

Në momentin që shpërthimet virale mbarojnë dhe kufizimet e shëndetit publik hiqen, ekonomitë fillojnë të rikuperohen, megjithëse me shpejtësi të ndryshme. Padyshim që edhe ekonomia globale do të shërohet nga koronavirusi, por ky proces mund të zgjasë me vite dhe jo me muaj, në varësi të shpejtësisë së përhapjes së virusit në vende të ndryshme.

Koha mesatare, që prodhimi të rikthehej në nivelet e para-shpërthimit në shtatë vendet e goditura më shumë nga tre shpërthimet virale të analizuara në këtë punim, ishte tre vjet, befasuese duke pasur parasysh rënien prej 10-20% të PBB-së të përjetuar nga disa prej këtyre shteteve në kulmin e shpërthimeve. (Figura 3)

• Për shkak se Gripi Spanjoll goditi botën në tre valë gjatë dy viteve, u deshën disa vjet që ekonomia globale të rikuperohej plotësisht.

• SARS-i uli prodhimin vetëm në tremujorin e dytë të vitit 2003 në Kinë, Hong-Kong, Tajvan dhe Singapor, dhe rritja u shfaq fuqishëm në tremujorin e tretë dhe të katërt të po atij viti. Hong-Kongu shënoi një rritje të PBB-së me 4,5% të PBB-së në dy tremujorët para shpërthimit të SARS dhe gjithashtu në dy tremujorët pas përfundimit të tij, duke nënvizuar përfitimet ekonomike të kontrollit të hershëm dhe të shpejtë të virusit.

• Guinesë, Liberisë dhe Sierra Leones iu deshën diku midis 3 dhe 5 viteve për t’u rikthyer në nivelet e tyre të PBB-së reale, përpara shpërthimit të Ebolas. Ky ritëm më i ngadaltë i rimëkëmbjes ishte për shkak të kohëzgjatjes së përçarjes ekonomike, zhvendosjes më të madhe të faktorëve ekonomikë dhe ndërprerjes së marrëdhënieve tregtare vendase dhe ndërkombëtare. Rimëkëmbja u vonua gjithashtu edhe nga rënia e çmimeve globale të mallrave, që ndikuan në rënien e kërkesës së jashtme për eksportet e tyre kryesore.

• Në rastin e koronavirusit, prodhimi gjithashtu do të rikuperohet pasi të hiqen kufizimet e shëndetit publik, bizneset të rihapen dhe njerëzit të kthehen në punë. Sidoqoftë, duke pasur parasysh shtrirjen e mundshme globale dhe kohëzgjatjen e pandemisë; kapitalin dhe zinxhirët e furnizimit dhe potencialin që udhëtimet ndërkombëtare dhe kufizimet e tjera tregtare të mbeten në fuqi për periudha të gjata, rimëkëmbjes ekonomike mund t’i duhen jo vetëm disa muaj (si në rastin e SARS-it) por vite të tëra (si në rastin e Gripit Spanjoll dhe Ebolas)./Monitor/

Të fundit

Dy kuvendet në Prishtinë/ Rama këshilla për dialogun, Kurti me tone fushate

Shqipëria dhe Kosova, dy shtete të të njëjtit komb, duhet të mbështesin njëra-tjetrwn. Kjo ishte simbolika e takimit të...

SHBA eliminon me bombardime liderin e IS në Siri, Abu Yusif

SHBA ka njoftuar se ka arritur të eliminojë liderin e Shtetit Islamik (IS) Abu Yusif në Siri. Forcat e Komandës Qendrore të SHBA (Centcom) thanë...

Sulmi ndaj ambasadës shqiptare në Kiev, ministri Hasani thërret ambasadorin rus në zyrë!

Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka thirrur në ministri ambasadorin rus, ku i ka shprehur protestën e qeverisë shqiptare për ngjarjen e ndodhur mëngjesin...

“Janë diplomatët më të korruptuar në…”/Berisha akuza të forta ndaj Donald Lu e Vlahutin

Sali Berisha lëshoi akuza të rënda ndaj ish-ambasadorit amerikan Donald Lu e ish-ambasadores së BE-së Romana Vlahutin. Ai tha se ata janë dy diplomatët më të...

Sulmi ndaj ambasadës shqiptare në Kiev/ Çollaku: Akt lufte! I takon NATO-s të marrë masa

Deputeti i PD-së Kreshnik Çollaku komentoi sulmin ndaj ambasadës shqiptare në Ukrainë. Në 'Studio Live', Çollaku thotë se kjo ngjarje është një akt lufte ndaj...

Lajme të tjera

Web TV