Tedi Cara, një nga lojtarët më të rinj të Partizanit ka folur për stërvitjen në karantinë, formën që pritet të ketë ekipi i tij dhe pritshmëritë pas rikthimit të ndeshjeve të Superligës.
Duke folur për Gazetën Fjala sulmuesi ka treguar emocionet e debutimit të parë me kampionët e Shqipërisë, që në fakt ishte derbi i fundit me Tiranën ku të kuqtë u mundën me rezultatin 5-1, të cilin e quajti një eksperiencë të mirë dhe të keqe njëkohësisht. Sipas Carës ajo ishte një ndeshje e veçantë, pasi ishte derbi i parë në të cilin luante 20-vjeçari, por rezultati nga ana tjetër ishte shumë zhgënjyes.
Teksa fliste për të ardhmen ku theksoi se qëllimi kryesor janë rezultatet e mira me Partianin, Tedi Cara shtoi se ëndrra më e madhe e tij është që të luajë me Kombëtaren e parë të Shqipërisë.
I pyetur në lidhje me marrëdhëniet me klubin, ku ndodhet prej 4 muajsh tashmë, sulmuesi tha se është përshtatur shumë mirë, ndërsa shtoi edhe që emra si Lorenc Trashi e Alban Hoxha janë për t’u ndjekur shembull nga të gjithë.
Ndërsa nga të gjitha skuadrat që luajnë në Superligë dhe pretendente për titull, përveç Partizanit, Cara thekson se më të forta janë Tirana dhe Kukësi.
/Nga Katerina Tafa/ Gazeta Fjala/
Je bërë pjesë e Partizanit gjatë muajit janar dhe duke qenë se rreth muaj kemi qenë në karantinë, si e ke parë veten te skuadra kryeqytetase, ke patur mbështetjen dhe komunikimin e duhur me pjesëtarët e klubit?
Jam shumë i kënaqur që jam bërë pjesë e klubit më të madh në Shqipëri. Te Partizani ndihem shumë mirë, ndihem si në shtëpinë time, çunat më kanë afruar menjëherë dhe më këshillojnë për çdo gjë, të gjithë jo vetëm çunat, por stafi dhe të tjerët që janë pjesë e klubit kështu që i falenderoj të gjithë.
Na flit pak për eksperiencën që ke kaluar deri në këto momente me kampionët.
Vetëm dy muaj jam stërvitur deri tani, me ekipin eksperienca që kam kaluar, debutimi dhe ndeshja në derbi më kanë emocionuar pafund.
Si je stërvitur gjatë kohës kur ndodheshe i izoluar dhe larg ekipit, a ke punuar mjaftueshëm?
Besoj se po, kam punuar në këto ditë karantinimi, kam zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë dhe jam gati për t’u stërvitur me ekipin në momentin që do na lejohet të zbresim në fushë së bashku.
Deri në momentin e ndalimit të aktiviteteve sportive, ke luajtur vetëm një herë me ekipin e Partizanit dhe ajo ishte në derbin ku skuadra jote humbi me rezultatin 5-1. A mendon se do ishte më mirë që debutimi të ishte bërë në një takim tjetër?
Në fakt derbi për mua ka qenë një ëndërr që i vogël. Gjithmonë doja që një ditë të luaja në një derbi dhe erdhi në debutim, po mënyra se si shkoi loja më mërziti sepse humbëm një nga ndeshjet më të rëndësishme me rivalët direkt.
Çfarë do ishte diçka që do doje ta korigjoje te vetja në atë ndeshje dhe te skuadra jote?
Të them të vërtetën skuadra e filloi mbarë ndeshjen, shënoi kishte raste sërish, por një episod ndikoi në vazhdimësinë e takimit, siç ishte penalltia dhe kartoni i kuq që për mendimin tim nuk ishte vendim i drejtë nga arbitri. Megjithatë prap reaguam dhe kur ishim 2-1, por pastaj me golin e 3-të u bë e pamundur të vazhdohej ajo ndeshje. Ndërsa tek vetja, them se duhet të kisha bërë më mirë për aq minuta sa mu dha mundësia.
Cili mendon se është lojtari më i mirë momentalisht te Partizani dhe pse? (Një emër të lutem)
Për këtë nuk mund të përgjigjem se kush, sepse tek ne e bën diferencën grupi dhe luajmë gjithmonë si grup jo si individ.
Çfarë sheh si pikën më të fortë te vetja?
Mendoj driblimin dhe shpejtësinë, janë dy elementë që më bëjnë ndihmojnë shumë në fushën dhe në lojën time.
A mendon se pas karantinës do jeni më në formë, për t’u rikthyer në luftën për titull, apo mendon se kjo periudhë ka ndikuar për keq?
Besoj se do jemi në formë pasi të rikthehemi, kemi punuar më shumë sesa të tjerët besoj dhe do bëjmë të pamundurën. Pastaj se çfarë do arrijmë në fund të sezonië t’ja lëmë më mirë kohës ta tregojë.
Sipas teje çfarë do e ndihmonte Partizanin të kthehej në formën e vitit të kaluar?
Për këtë pyetje nuk kam çfarë të them se nuk kam qenë vitin e kaluar dhe nuk e di saktësisht se çfarë ka ndodhur.
A mendon se do bëhesh një lojtar titullar në të ardhmen te Partizano, siç janë Hoxha e Trashi?
Shpresoj shumë që një ditë të bëhem dhe un si ata. Lorenc Trashi është një shembull i mirë, pasi edhe ai ka luajtur në Kategorinë e Parë i ka ngjitur shkallët avash avash dhe ja ku është tani, po ashtu edhe Alban Hoxha jep shembullin që me punë arrihet çdo gjë. Ata janë dhe njerëz të mirë jashtë fushe dhe unë kam respekt se me kanë ndihmuar me ambjentimin në ekip kur kam ardhur në fillim te Partizani.
Cilën skuadër sheh si më të fortën në Superiore duke përjashtuar këtu Partizanin dhe cili sipas teje është lojtari më i mirë i momentit dhe pse?
Meqë përjashtove Partizanin, deri në këto momente Tirana dhe Kukësi janë ekipet më të forta që kryesojnë dhe tabelën. Për lojtarin e momentin nuk kam çfarë të zgjedh, pasi të gjithë kanë qenë thuajse të barabartë.
Nëse do të jepej mundësia të luaje për një skuadër e kampionat jashtë kë do zgjidhje dhe pse?
E rëndësishme është që të luaj dhe të bëjë mirë me ekipin e Partizanit, përr momentin nuk e kam menduar, por dëshira mbetet që një ditë të luaj me një ekip të mirë jashtë vendit si dhe për Kombëtaren e parë është ëndrra e gjithsecilit. Megjithatë në qoftë se vjen momenti për t’u transferuar jashtë do shikojmë, pasi ende nuk mund të them se kam një të preferuar.
Po në kampionatin shqiptar në cilën skuadër do doje të luaje më përjashtim të Partianit gjithmonë?
Jam me ekipin më të mirë në Shqipëri dhe deshirë për të luajtur me skuadër tjetër nuk kam.
A ka patur ndonjë skuadër të huaj që ka treguar interes për ty, nëse po cila dhe pse nuk është realizuar deri në këto momente transferimi?
Jo deri në këto momente nuk ka pasur ndonjë interes konkret.
A mendon se Partizani do të japë më shumë mundësi aktivizimi pas rikthimit të kampionatit?
Duhet të japësh maksimumin në çdo stërvitje në çdo moment që të jepet mundësia që të fitosh minutat.
Po me trajnerin si i ke marrëdhëniet?
I kam shumë të mira është një trajner që ka drejtuar ekipe të mira dhe e njeh mirë futbollin, gjithmonë më këshillon për çdo gjë në stërvitje që të përmisohem dhe jemi shumë të kënaqur të gjithë si ekip.
Mendon se rikthimi i ndeshjeve në fund të majit ishte një ide e mirë duke ditur se duhen marrë shumë masa për t’u mbrojtur nga virusi e duke parë se kanë humbur jetët edhe shumë persona të rinj? A nuk do ishte më mirë të mbyllej me kaq e të shpallej ekipi fitues?
Normal në radhë të parë është shëndeti i të gjithëve. Shpresoj që mbas kësaj të jenë mirë të gjithë, por në qoftë se merren masa siç duhet siç po i marrin shtetet e tjera për futbollin, pse jo mos filloj dhe këtu.
Diçka që do doje të thoje për të gjithë në lidhje me situatën ku ndodhet vendi nga pandemia dhe ndonjë detaj që do doje të na tregoje nga jeta jote profesionale e personale që do doje ta dinin dhe të tjerët.
Besoj se i kanë thënë dhe të tjerët këshillat, të gjitha rregullat që duhet të respektojmë siç duhet nuk është se ka ndonjë gjë të veçantë për të treguar stërvitje në kushte shtëpie dhe karantinë.