“Ndjek me trishtim lajmet për atë që ndodh, për vdekjet e shumta e ku jo rrallë gjithçka tingëllon si situatë filmi horror, e kjo ta bën më ngushëlluese mbylljen, kurse frikën tonë nga infektimi e përballojmë me masa të forta kujdesi, gati në mani”
Nga Leonard Veizi
Imazhi i një vajze të re me maskën e saj të punës, bëri një xhiro të zakontë në Facebook. Në ditët e trishtueshme dhe plot privacione të karantinës, pa dyshim dalin vepra të mëdha dhe
kryevepra sigurisht. Nëse një ditë, ky imazh do të kthehet në një kartolinë, ashtu siç e ka menduar dhe ideuesi i saj, pa dyshim që do të mbetet në mendjen e shikuesve për një kohë të gjatë, duke u kujtuar atyre në vazhdimësi ditët e pandemisë që më thjesht u quajt “koronavirusi”…
…Stefan Taçi është piktor i njohur, dhe po aq i njohur është dhe nga puna e tij në Kinostudio, ku për dhjetë vjet me radhë iu përkushtua filmit të animuar. Sot ai vjen në gazetën “Fjala”, duke folur për situatën më të fundit, atë që një artist e kalon sipas mënyrës së tij, herë i dëshpëruar thellësisht dhe herë aktiv e konkret në atë çfarë kërkon të përcjellë tek artdashësit.
-Si i keni kaluar ditët e zgjatura të karantinës?
Natyrisht për këdo besoj si edhe për mua, ditët e karantinës ishin dhe janë akoma një përvojë sa e re aq dhe stresuese njëkohësisht. Por duke parë se je një qytetar global tashmë, nisur nga fakti se virusi erdhi nga diku larg dhe infektoi botën mbarë duke e detyruar atë të mbyllet, me përjashtime të rralla vendesh, atëherë kjo përvojë ka brenda edhe një solidaritet po global. Ti ndjek me trishtim lajmet për atë që ndodh, për vdekjet e shumta e ku jo rrallë gjithçka tingëllon si situatë filmi horror, e kjo ta bën më ngushëlluese mbylljen, kurse frikën tonë nga infektimi e përballojmë me masa të forta kujdesi, gati në mani. Personalisht ruaj në maksimum kujdesin aq sa mundem, sepse më duhet të mbroj nga ky virus prindërit, të cilët qëllon që edhe qeshin me maninë time për të pastruar gjithçka kur kthehem nga pazari me qeset e mbushura për nevojat familjare. Zakonisht dal një herë në dy ditë, thjesht për të shmangur kontaktet e tepërta rrugës apo në treg. E gjitha kjo ta ngarkon mendjen, pa folur për lajmet e përditshme që ndjekim në TV, gjë që pa dyshim prish disi qetësinë shpirtërore që njeriu mund ta ketë në kohë normale. Pastaj dita kalon shpejt, ndjekje e lajmeve apo emisioneve televizive, lexim, shoh në kompjuterin tim arkivat nëse ka gjë për të sistemuar, ndjek natyrisht çka të reja nga miqtë, apo hedh edhe vetë ndonjë postim në Fb, ndihmesa në përditshmërinë familjare, e kur qëllon që kam ndonjë ide skicoj diçka pa pasur plotësisht shpresë se dikur mund t’i realizoj. Nuk bën përjashtim ndjekja e filmave në darkë apo ndonjë dokumentar interesant.
-A është frymëzuese për ju një situatë e tillë?
Frymëzuese vështirë të thuhet, mbase edhe për faktin se çdo artist ka kodin apo kohën e tij të punës, e kur kjo nuk korrespondon me lirinë e qetësinë e duhur, unë të paktën e kam jo të lehtë të jem në këtë zjarrmi frymëzimi, por kjo s’do të thotë që për dikë tjetër të mos funksionoj. Pastaj natyra punës sonë është me meditative dhe e mbyllur, kurse një këngëtar p.sh., siç edhe e kemi parë në rrjetet sociale, fare mirë del e këndon në ballkon, apo një instrumentist luan për publikun e pallatit nga dritarja etj.
-Keni pikturuar këto kohë?
E vërteta është se as bëhej fjalë të pikturoja, nisur nga ajo që ju thashë me parë, edhe nëse ka pasur ndonjë shkëndijë të vogël e kam lënë te fiket për momentin. Gjithsesi kam skicuar siç ju thashë, nga pak, por qëllon që një nga këto skica të pëlqehet menjëherë nga miqtë sapo e panë të postuar në Fb. Bëhet fjalë për ditët kur flitej aq shumë për luftën heroike të mjekëve kudo në botë, e aty brenda ditës pata një ide, nëse kjo quhet moment frymëzimi, dhe skicova imazhin e një vajze të re me maskën e saj të punës, si simbol për gjithë stafin mjekësor në krye të detyrës. Do të doja shumë që më vonë këtë skicë ta ktheja pse jo në një kartolinë për t’ua dhuruar po atyre. Besoj edhe ju mund ta keni parë. Kjo është ajo çka do veçoja nga ditët e krijimtarisë në karantinë.
-A mund të përbëjë ky precedent një motiv që në të ardhmen të bëhet një film i animuar?
Për sa i përket krijimtarisë në filmin e animuar do ta shihja me dyshim një film të ri, aq më pak me këtë precedentin e pandemisë siç thua, jo se s’ka mundësi të bëhet nga të tjerë, por për mua nuk hyn te lënda që do të më pëlqente të merresha. Gjithsesi kjo kohe jep mundësi të shumta të krijimeve me baze videoklipin apo shortfilmave ku humori apo mënyrat didaktike si të mbrohemi, do të ishin pjesa më produktive besoj. Por nuk përjashtoj mundësinë e refleksioneve filozofike mbi këtë temë, sepse siç thonë ky virus po ndryshon botën e pas kësaj mbase njeriu do të sillet ndryshe ndaj njeriut e ndaj natyrës.
-Kush është primare në ditë të tilla, leximi apo krijimtaria?
Për mua në ditë të tilla leximi ka qenë një ndihmë për t’u harruar, por edhe për të mësuar diçka… fjala vjen jam në fund te romani histori te një romani historik, me ngjarje nga fillimshekulli 20, botim i Toenës. Kështu që s’mund të flas për prioritet të krijimtarisë në këto kohë, por ato shkojnë paralel, nuk di nëse lexoj apo shoh TV më shumë këto ditë sesa krijoj, sepse edhe meditimi është pjesë e krijimtarisë… diçka që mund të lindë nesër, me shpresën se dikur do të jemi jashtë e pa virusin nëpër këmbë.
BIO
Në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Stefan Taçi ndoqi degën e skulpturës, për të vazhduar më pas Akademinë e Arteve të Bukura në vitet 1982 – ‘86, po të njëjtën degë. Si skulptor Taçi ka ekspozuar për herë të parë më 1981 relievin në allçi “Gratë në pusin e fshatit”. Në vitin 1992 çel ekspozitën vetjake me 30 punime në pikturë dhe grafikë me kompozime, peizazhe dhe portrete. Stefan Taçi ka punuar për 10 vjet në ish-kinostudion “Shqipëria e Re” në sektorin e filmit të animuar dhe ishte autor (piktor-regjisor) i 11 filmave, të cilët konkurruan në festivalet e rëndësishme ndërkombëtare të filmit në Francë,Turqi, Greqi, Itali, Kroaci dhe Brazil. Si piktor ai ka çelur disa ekspozita vetjake. Ka qenë pjesëmarrës, por dhe një nga organizatorët e ekspozitës së përvitshme “Nëntori”./Fjala.al