Një virus Déjà-Vu?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Dominique Moisi

Pandemia e COVID-19 po përshpejton tri tendenca themelore gjeopolitike: ngritjen e Azisë, rënien e Shteteve të Bashkuara dhe forcimin e Gjermanisë brenda Evropës. Të kombinuara, këto ndryshime mund të jenë një shenjë e hershme e botës së vitit 2030. Por, para kësaj, liderët politikë duhet të kapërcejnë krizën aktuale dhe të mos përsërisin gabimet katastrofike të një shekulli më parë.

Sot e ardhmja dhe e kaluara duket se po përplasen. Tani që COVID-19 e ka futur brutalisht pjesën më të madhe të botës në ekonominë digjitale, shumë njerëz nuk do të dëshirojnë të kthehen në botën e parapandemisë, sikur ajo që ne po përjetojmë tani të ketë qenë thjesht një ndodhi e vogël.

Virusi nuk nënkupton fundin e globalizmit, por ka të ngjarë të jetë një ogur i keq për të. Për shembull, a do të duan akoma liderët të marrin pjesë në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos dhe të përzihen me kolegët e tyre, në vend që të krijojnë rrjete në mënyrë që të respektojnë normat e distancimit fizik përballë një virusi vdekjeprurës?

Por, mbi të gjitha, pandemia po konfirmon ngjitjen e Azisë – jo vetëm të Kinës – dhe rënien e Perëndimit, dhe sidomos të SHBA-së.

Deri më tani, fuqia më e fortë ushtarake në botë, Amerika, u çarmatos totalisht kur u përball me koronavirusin e ri. Sistemi i kujdesit shëndetësor të vendit nuk mundi të përballonte shkallën e pandemisë (edhe pse SHBA-ja nuk është e vetme në këtë drejtim), ndërsa radhët e gjata të njerëzve që presin me durim të marrin pako me ushqime të sjellin në kujtesë imazhe të Depresionit të Madh para Marrëveshjes së Re. Dhe udhëheqësit politikë të Amerikës, karikatura të brutalitetit dhe oportunizmit, thjesht i bënë gjërat më keq, duke dëmtuar më tej imazhin ndërkombëtar të vendit në këtë proces.

Është e vërtetë që Amerika mund ta rifitojë një pjesë të dinjitetit dhe humanizmit të saj, duke e lënë mënjanë presidentin Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Por kjo do të kërkojë që demokratët të bashkohen pas kandidatit të tyre, Joe Biden, siç e theksoi edhe ish-presidenti Barack Obama së fundmi.

Biden ka shumë gjasa të fitojë. Votuesit amerikanë mund t’i ndëshkojnë republikanët për përgjigjen e tyre të keqe ndaj pandemisë dhe shkatërrimit ekonomik, ashtu si votuesit e Koresë së Jugut së fundmi e shpërblyen partinë qeverisëse të presidentit Moon Jae-in me një shumicë parlamentare absolute, pas përpjekjeve të deritanishme të suksesshme të administratës së tij për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Por edhe nëse Trump mposhtet, Amerika nuk do ta rimarrë dot pozicionin qendror global që ka pasur më parë për treçerek shekulli.

Rënia e Amerikës, megjithatë, nuk nënkupton që Kina do të mbajë pishtarin global. COVID-19 ka ekspozuar po ashtu mizorisht të metat e Kinës, përfshirë mungesën e transparencës së qeverisë së saj. Përhapja e koronavirusit atje solli një kolaps ekonomik dramatik në tremujorin e parë të vitit 2020 dhe vendi mbetet i prekshëm nga një valë e dytë e pandemisë. E gjithë kjo të shpie tek ideja se bota më shumë se bipolare mund të bëhet jopolare.

Lexo edhe :  Gjykata nuk u ndikua 'as nga Trumpi' dhe as nga 'tre rezolutat'

Për më tepër, as Rusia dhe as Bashkimi Evropian nuk mund të pretendojnë të mbushin boshllëkun në krye. Njësoj si Irani dhe Turqia, Rusia mund të dalë më e dobët nga kriza. Në fakt, presidenti Vladimir Putin mund t’’i druhet më shumë COVID-19 sesa partive opozitare të Rusisë.

Po Evropa? Pas një përgjigjeje fillestare shumë të pasigurt ndaj pandemisë – për ta thënë më butë – BE-ja duket se do ta rimarrë disi veten falë tre liderëve të saj: kancelares gjermane, Angela Merkel, presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentes së Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde. Por kjo krizë ka demonstruar kryesisht më shumë forcën e Gjermanisë sesa aftësinë ripërtëritëse të Evropës.

Pavarësisht se është vendi më i populluar i Evropës, Gjermania ka regjistruar të paktën katër herë më pak vdekje sesa vendet e tjera të BE-së, ndërsa Merkel, e cila deri para pak kohësh shihej gjerësisht si një lidere e çalë, gëzon kuota më të larta besimi se çdo lider tjetër evropian. Ajo ka dëshmuar se një politikan mund të ndjekë instinktet e tij etike – siç bëri në hapjen e kufijve të Gjermanisë për emigrantët në vitin 2015 – dhe të shihet prapë pas pesë vjetësh si mbrojtja më e mirë kundër frikës dhe pasigurisë.

Nëse vërtet historia po përshpejtohet si rezultat i COVID-19, atëherë duhet të kthejmë kokën nga e kaluara për të nxjerrë mësimet e duhura. Dhe viti i rëndësishëm në këtë drejtim është viti 1920.

Një shekull më parë, pas pasojave të menjëhershme të Luftës së Parë Botërore dhe pandemisë shkatërruese të gripit spanjoll, liderët politikë u treguan të paaftë për të gjetur përgjigjet e duhura për sfidat e mëdha me të cilat u përballën. Si rezultat, bota ra fillimisht në Depresionin e Madh dhe më pas në Luftën e Dytë Botërore.

Liderët e sotëm përballen me sfida të ndryshme, por po aq të frikshme. Në veçanti, ata duhet të arrijnë një ekuilibër delikat jo vetëm midis mbrojtjes së jetës së qytetarëve të tyre dhe rifillimit të ekonomisë, por edhe midis lirisë dhe sigurisë.

Nëse qeveritë i japin më shumë përparësi ekonomisë para shëndetit publik, atëherë ata rrezikojnë një valë të dytë COVID-19 që do të sjellë pasoja shkatërruese për të dyja. Po kështu, nëse ata i japin përparësi lirisë mbi gjithçka tjetër dhe shpërfillin kontributin e teknologjive të gjurmimit në zbutjen e pandemisë në Azi, ata rrezikojnë që një ditë, forca më pak të kujdesshme dhe më pak të moderuara politike t’i zbatojnë parimet liberale brutalisht, pa respektuar mirëqenien publike.

Në vitet 1920 dhe 1930, pacifizmi i lindur nga një luftë e tmerrshme kontribuoi në fitoren e fashizmit dhe një konflikt edhe më të tmerrshëm global. Sot nuk duhet të lejojmë që lakmia ekonomike ose liberalizmi të na çojë në një rrugë po aq katastrofike.

Të fundit

Ekspertët e sigurisë paralajmerojnë: NATO nuk eshtë gati për nje luftë

NATO nuk është gati për një luftë brutale në Arktik me Vladimir Putin, kanë paralajmëruar analistët. Pavarësisht stërvitjeve masive të...

Meloni me ‘mision sekret’ në SHBA: Do të takojë Trump, por nuk dihet pse

Mision sekret për Giorgia Melonin në SHBA. Kryeministrja italiane u nis drejt Shteteve të Bashkuara për të takuar presidentin e zgjedhur Donald Trump. Një takim...

SHBA, funerali shtetëror gjashtëditor i ish-presidentit Jimmy Carter

Gjashtë ditët e funeralit për ish-Presidentin Jimmy Carter filluan të shtunën në Xhorxhia. Jimmy Carter vdiq më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare. Ceremonitë e transmetuara drejtpërdrejt...

“Në fillim jam trembur…”, Eno Popi tregon raportin e veçantë me të bijën

Prej vitesh, Eno Popi jeton mes Kanadasë dhe Shqipërisë. Bashkëshortja dhe e bija 6-vjeçare jetojnë atje, ndërsa Eno, për shkak të punës së tij,...

Përfshihen nga flakët dy banesa në Pogradec

Dy banesa janë përfshirë nga flakët. Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 4 në Pogradec. Dy banesat janë përfshirë nga zjarri pasi mësohet se...

Lajme të tjera

Web TV