Nga Ylli Drishti/
Dje, më 7 maj, u nda nga jeta arkitekti, piktori, publicisti, shkrimtari dhe polemisti i nderuari Maks Velo. Humbja e tij është mjaft e trishtë për të gjithë botën shqiptare, pasi Velo ishte një figurë shumëdimensionale – një intelektual i nivelit të parë dhe i papërsëritshëm.
Maks Velon do ta cilësoja si “Princi Parizian”në Tiranë, pasi jeta e tij e tregoi më së miri cilësitë e shpirtit të tij të lirë e pa kompromis. Ai jetoi dhe punoi në Shqipërinë Komuniste sipas kodit të tij familjar: pra vishej si parizian, lexonte si parizian, dashuronte pa komplekse si parizian dhe krijonte si në arkitekturë por edhe në pikturë si një piktor I lirë me koncepte moderne – duke mos pasur asnjë lidhje, apo kontakt me rregullat e ngurta të arkitekturës lindore dhe artit të realizmit socialist.
Ai ishte koshient se ky qëndrim kishte dhe koston e tij dhe e përballoi atë në mënyrë dinjitoze dhe pa bërë kompromise: kërkuar falje apo mëshirë. Ai ecte në Tiranë dhe figura e tij binte në sy për lirshmërinë e sjelljes dhe qëndrimit, besoj se Velo gjithmonë brenda tij shoqërohej nga muzika pariziane me të cilën u rrit që fëmijë dhe që i jepte forcën, guximin dhe optimizmin.
Artisti Maks Velo ka lënë pas imazhin e një burri trim, intelektuali të madh që la një trashëgimi jo të vogël për brezat që do vijnë, Maks Velo ka hapur 40 ekspozita personale në Shqipëri, Francë, Poloni, SHBA. Ai ka botuar dhjetëra studime mbi artin popullor në revistat shkencore, ka botuar dhjetëra artikuj mbi artin, ka shkruar libra me kujtime, libra letrarë dhe ese.
Ka botuar disa albume me veprat e tij dhe të tjerë me vepra të artistëve shqiptarë dhe Ishte aktiv në jetën publike shqiptare. Vepra e tij vlen për të kujtuar të vërtetat e kohës së komunizmit në Shqipëri. Ai ishte arkitekt i talentuar, piktor i veçantë modern në Shqipërinë e artit tradicional socialist, shkrimtar dokumentar mjaft tërheqës dhe mbi të gjitha njeri dhe mik i mirë.
Maks Velo lindi në Paris në fundin e gushtit të viti 1935, Babai I tij, Sotiri ishte nga Dardha e Korçës, pasi mbaroi studimet për mjekësi në Francë u specializua si okulist u kthye në Korçë, ku Maksi kaloi fëmijërinë. Pas disa vitesh familja e tij u transferua në Tiranë, duke banuar në një vilë dy katëshe me tulla të kuqe pranë familjes tiranase Tufina.
I rritur në një familje intelektuale, fillimisht në Korçë e më tej në Tiranë, Maks Velo ishte fëmija me ëndrra e pasione të mëdha. Ai u rrit me piano në shtëpi, me bibliotekë, me disqe të muzikës klasike dhe u edukua e me një kulturë elitare që kishin familjet intelektuale shqiptare të kohës.
Maks Velo studioi me seriozitet dhe u bë arkitekt I zoti, duke projektuar disa ndërtesa publike dhe industriale. Shpirti I tij ishte me ëndra, plot pasion dhe me kërkesa ndaj vetes, duke u prirur drejt imazheve dhe formave sa më bashkëkohore në arkitekturë.
Kështu Maks Velo arkitekt është autor I shumë projekteve, por ai projektoi dhe pallatin e artistëve përballë ish Mapos së madhe në Tiranë, ku banonin shkrimtarët I.Kadare, D.Agolli, kompozitori L.Dizdari etj. Arkitektura e tij me prije kubiste ishte një risi dhe guxim i madh për kohën kur u ndërtua.
Por, Velo realizoi dhe imazhin e ri të Selisë ATSH, (përballë ish Zërit të Popullit, Tiranë), që u vesh me pllaka qeramike ngjyrë të kaltër dhe blu. Ai ishte guximtar dhe i talentuar duke dhënë konkretisht me veprat e tij shembullin se si mund të bëhej më modern qyteti I Tiranës. Po kështu akoma është në Laprakë ndërtesa e Kinemasë të projektuar prej tij, një model I veçantë, një vizion larg standarteve shabllone.
Ai kishte pasion pikturën si dhe trashëgiminë popullore shqiptare. Velo që I ri ka vizatuar dhe pikturuar kryesisht peizazhe, objekte popullore. Në disa ekspozita Kombëtare të viteve 1950-1970 Maksi ishte pjesëmarrës me vizatime dhe akuarele. Kështu kujtojmë ekspozitë e çelur me rastin e 15 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë 24 nëntor 1959, ku Velo u paraqit me dy Punime :”Manastiri I Ardenisës” (tush) dhe Akuarel; në ekspozitën Kombëtare të Portretit më 1960 Velo u paraqit me 3 punime: “Fshatari nga Bastari”, “Nënë partizane”, “Druvari i sharave”; në ekspozitën e Kombëtare të AF me rastin e 20 vjetorit të themelimit të PPSH, Velo u paraqit me punimin ;”Rrugë në Peshkopi”; në ekspozitën Kombëtare të festimit të 25 vjetorit të Çlirimit, Velo u paraqit me punimin:“Ndërtime të reja” (vizatim me flamastër); Në ekspozitën Kombëtare me titull:”Portreti I klasës punëtore në artet figurative”, (10 shkurt 1971) Maks Velo u paraqit me dy punime: “Në portin e Durrësit”, “Aspekt nga ndërtimet në kombinatin J. Pashko”;
Në vitet ’70 të shekullit XX, në vizatimet e botuara në revistën “Shqipëria e re”, u ndje prirja e tij të një vizatimi ndryshe, mjaft modern, drejt një stilizimi e thjeshtimi të figurave të fshatarëve, ku përparësi merrte linja e fortë e figurave anonime. Këto vizatime krijuan kuriozitet dhe interes në ato vite së bashku me vizatimet e piktorit Naxhi Bakalli që botonte në të njëjtën revistë.
Në vitin 1972-1973 Maksi ishte pedagogu ynë në Institutin e Lartë të Arteve, për lëndën e perspektivës dhe aty ne si student të tij dëgjonim brenda leksionit edhe fjalët e tij entuziaste për artin modern dhe përfaqësuesit e tij të njohur si V.Van Gogh, Modigliani, Braque dhe Picasso, Ai kishte guximin të na citonte nga një bllok që mbante me vete thënie të ndryshme mbi artin të këtyre figurave të njohura botërore.
Ne ishim shumë të rinj, sapo kishim filluar studimet e larta dhe habiteshim me bisedat e tij, kur pedagogët e tjerë ishin të rezervuar dhe ndofta dhe të trembur. Pedagogu ynë ishte një shpirt I lirë, pa autocensurë, ai mendonte se ne duhej të njiheshim edhe me kolosët e artit modern botëror që ai i adhuronte dhe si u njohëm më vonë me krijimet e tij artistike, kuptuam se ai ishte një ndjekës i tyre si koncept dhe stil piktorik.
Jeta e Velos ishte mjaft e vështirë, ai e pagoi rëndë lirinë e shpirtit të tij bohem dhe artistik, duke vuajtur 8 vjet në burgjet komuniste (1978-1986) dhe 260 punime të atyre viteve me etiketën “modern” dhe “antisocialiste” u dogjën dhe publiku I sotëm nuk mund të njihet më me to. Por figura e Maks Velos pas viteve 1990 u bë e njohur për publikun e gjerë, pasi duke qenë një intelektual I plotësuar ai morri pjesë në debate politike, sociale, kulturore dhe artistike.
Duke qenë se ishte i drejtpërdrejtë, debatet dhe bisedat e tij janë ndjekur me mjaft kuriozitet dhe vëmendje nga publiku në takime arti apo në ekranet televizive. Ai për disa vjet ju kushtua letërsisë dhe shkrimeve dokumentare të viteve të kaluara në burgun famëkeq të Spaçit. Në botimet e tij me titull: “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Kohë antishejë”, i shënimeve për arkitekturën “Paralele për arkitekturën”, albumi “Jeta ime në figura”, ndjehet mjaft artistikisht dhe vërtetësisht kalvari i jetës, vuajtjeve dhe mundimeve.
Një seri botimesh ai ja kushtoi dhe artit të realizmit socialist në këndvështrimin e tij kritik si për skulpturën ashtu dhe për pllakatet. “Grafika të realizmit socialist”, “Vizatime shqiptare”. Edhe pas viteve 1990 ai nuk ju largua pasionit të tij mbi pikturën. Maksi vizatonte si me penë (flamastër) por edhe me teknikën lavi, realizonte pastele dhe tablo në vaj e akrilik, duke çelur shumë ekspozita vetjake në Europë dhe SHBA.
Motivet tij ishin njerëzit e thjeshtë, lebërit, druvarët, nudot femërore, peizazhet nga Shqipëria dhe Parisi, që ai e vizitonte shpesh si dhe portrete e kompozimet e ndryshëm kryesisht me temë historike. Në Albumin ”PARIS 2” – Maks Velo Livre D’artiste (2012) artisti Velo paraqet emocionet e tij nga vizita një mujore në Paris në vjeshtë (26 shtator-24 tetor 2011) në ciklin prej 72 vizatimesh. Në këto punime ndjehet një vizatues virtuoz, me puls dhe emocion artistik, ku Velo intepreton dhe zgjedh mjaft bukur vizatimin linear elegant në imazhet e Parisit, rrugëve, katedraleve, muzeve dhe monumenteve të njohur.
Në Albumin tjetër me titull: ”Velo – Pastel 1960-2012”, shpalosen elementë të tjerë figurativë dhe koloristikë të artistit siç janë preferencat ngjyruese, drita uniformë e plotë, prirja për një dekorativitet dhe stilizim të theksuar të portreteve apo dhe peizazheve. Maks Velo duke qenë një intelektual shumëplanësh, ishte dhe një figurë që ngjallte kureshtje për ta njohur nga afër. Në bisedat me të sigurisht ai të rrezatonte kulturë, vizion që gjithmonë zhvilloheshin në formë replikash, ai e kishte në karakter të fliste me pasion dhe me gjeste, që shoqëroheshin nga një mimikë e tensionuar në portretin e tij të veçantë të rrethuar me flokët e shpupurisur dhe mjekrën e bardhë.
Botimi i Katalogut të ekspozitës vetjake të Maks Velos me titull “Maks Velo Ekspozitë retrospektive”(2015) nga Galeria Kombëtare të Arteve, Tiranë ka vlerën e potretizimit më të plotë të krijimtarisë së tij e analizuar dhe vlerësuar nga studuesja Suzana V.Kuka dhe Artan Shabani, drejtori i GKA.
Velo me shpirtin e tij fisnik i dhuroi fondit të GKA një koleksion me 54 punime në teknika të ndryshme (akrilik, grafikë, vizatim, skulpturë).Arkivi i Maks Velos (në shtëpinë e tij), mbart jo pak, por rreth 1000 vepra në të gjitha gjinitë e artit figurativ, Në historinë e artit modern në Shqipëri – Maks Velo ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Ai nuk u frikësua të shpaloste idetë dhe veprat e tij në arkitekturë dhe pikturë.
Ai e jetoi jetën si një artist I një familjeje intelektuale shqiptare – larg paragjykimeve, intrigave, thashethemeve, ligësive provinciale në kushtet e një Shqipërie komuniste. Ai ishte shembulli I guximtarit intelektual unikal “Rebel” që edhe pse i dinte pasojat nuk heshtte apo si shumë artistë – ai nuk bëri kompromise për të shpëtuar nga censura; ai ishte dhe mbeti deri në fund të jetës një shpirt I lirë e I vërtetë.
Kujtimi dhe vepra e Maks Velos nuk do të harrohen por do jenë objekte të studimeve dhe respektit të figurës së tij./Shqiptarja.com/