Gjobitet nga IKMT kompania e pastrimit në Rrogozhinë, hidhte mbetjet në lumin Shkumbin

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka gjobitur një kompani pastrimi në Rrogozhinë, pasi derdhte mbetjet në lumin Shkumbin.

Gjatë kontrolleve janë konstatuar hedhje të mbetjeve urbane në territorin e Bashkisë Rrogozhinë, në fshatin Zall, pranë bregut të lumit Shkumbin. Kompania e cila merrej me pastrimin e qytetit të Rrogozhinës është  “Viola-Green SHPK”. Ky subjekt, u konstatua se i depozitonte mbetjet në lumin Shkumbin.

Për këtë shkelje IKMT vendosi gjobë ndaj firmës në fjalë si dhe njoftoi Bashkinë Rrogozhinë për ndërprerjen e depozitimit të mbetjeve dhe rehabilitimin mjedisor të zonës.

Pas këtij rasti, IKMT u ka bërë thirrje gjithë bashkive të vlerësojnë si prioritet mbrojtjen e mjedisit përgjatë kryerjes së punëve publike.

Ndërsa përveç masave administrative, Policia e Shtetit do të ndërmarrë hetim penal për këtë rast si dhe çdo rast tjetër që bën krime mjedisore.

“IKMT në bashkëpunim me Policinë e Shtetit do të intensifikojë inspektimet në terren, në çdo bashki apo njësi vendore, duke shoqëruar me masa të ashpra çdo shkelje të konstatuar. IKMT dhe Policia e Shtetit fton qytetarët dhe mediat të denoncojnë raste të abuzimit me mjedisin, duke telefonuar falas në 112 apo në aplikacionin Komisariati Dixhital.”-thuhet në njoftimin e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit./Fjala.al/