test

Akuza për vjedhje toke, Carlo Bollino: Po përndiqem nga familja Berisha. Ja e vërteta

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Botuesi Carlo Bollino ka reaguar pas akuzave të bëra së fundmi nga ish-kryeministri Sali Berisha, se me anë të një VKM-je të firmosur nga kryeministri Edi Rama, ka vjedhur në Tiranë “5000 m2 tokë truall privat të parashikuar për gjimnaz”.

Duke pretenduar se po përndiqet prej 28 vitesh nga Sali Berisha dhe familja e tij për shkak të punës si gazetar, Bollino tregon të vërtetën, sipas tij, për objektet që ka marrë me qira në zonën e Tufinës, aty ku ka qenë më parë Reparti i Orave.

Në një status të gjatë, Bollino thekson se objektet janë marrë me qira në bazë të ligjeve dhe aty do të ngrihen studiot e Report Tv.

Reagimi i plotë i Carlo Bollinos

Pas 28 vitesh vazhdojnë përndjekjet ndaj meje me shpifje raciste e ksenofobe të çiftit Sali-Jamarbër

Çifti i shpifësve Sali-Jamarbër Berisha ka rifilluar fushatën qesharake kundër meje dhe televizionit tim, pa e vrarë fare mendjen se tashmë, një gjykatë për herë të parë në Shqipëri, e ka damkosur ligjërisht Sali Berishën si shpifës pas një gjyqi me mua. Prej 28 vitesh kjo familje më përndjek me shpifje të të gjitha llojeve, një urrejtje me bazë raciste dhe ksenofobe sepse ish-presidenti, ish-kryeministri, ish-lideri i opozitës dhe tani edhe ish-doktori nuk e ka gëlltitur kurrë faktin që një i huaj të ushtronte profesionin e gazetarit dhe më pas të botuesit në vendin e tij. I rritur me kulturën e mbyllur të fisit, të cilit edhe përmasa e katundit i duket një kërcënim, Berisha ka besuar gjithmonë se mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga përmasat ndërkombëtare të informacionit, është kërcënimi dhe sharjet duke u përpjekur të cënojë besueshmërinë time.

Nuk i mjaftoi të më dëbonte nga Shqipëria në 1995 duke tentuar me policinë e Agim Shehut dhe Shik-un e Gazidedes të më shpronësonte nga gazeta që drejtoja; nuk i mjaftoi të urdhëronte bankën e tij që të blinte me çdo çmim televizionin e krijuar prej meje, pas 21 janarit 2011; nuk i mjafton asnjëherë që më quan prej vitesh fashisht, komunist, mafioz, trafikant, spiun dhe për të gjitha këto është damkosur si shpifës zyrtar. Unë jam ende këtu, ndërsa plaku “ish-gjithçka” këmbëngul me urrejtjen e tij shekullore edhe pse tani i ka mbetur në krah vetëm një grup i vogël urrejtësish dixhitalë bashkë me atë, Jamarbër Berishën që i është ngjitur pantallonave të vjehrrit me shpresën se një ditë do të kthehet në pushtet e të rinisë bastisjen miliardere që bashkë me gruan e tij, Argitën, ka bërë i paprekur për 10 vite rresht. Tashmë kjo është një histori familjare, si ajo e familjes mafioze Soprano.

Këtë herë Saliu dhe Jamarbëri më sulmojnë sepse (si çdo media tjetër ka bërë shumë më parë se unë), po përpiqem të ndërtoj më në fund një redaksi për televizionin tim. Duke mos mundur të tregojnë të vërtetën, më sulmojnë ashtu siç kultura e tyre ua imponon, duke përdorur shpifje. Dje u mbushën 8 vite që nga hapja e Report TV dhe cilido ka frekuentuar televizionin tim e di mirë se prej tetë vitesh punojmë në një bodrum të marrë me qera nga një privat. Berisha financon me fonde misterioze televizione që vetëm pas 6 muajsh lavdërohen se kanë investuar 1 milion euro dhe kanë studio luksoze që unë edhe pas 8 vitesh, as nuk i ëndërroj. Berisha frekuenton çdo ditë televizione të ndërtuara mbi toka publike dhe shpesh të financuara me kapitale të dyshimta që shpalosin luks dhe rroga marramendëse, e pavarësisht kësaj për të skandali jam unë. Ai shtiret të mbrojë gazetarët e sulmuar nga qeveria, por vetë është i pari të bëjë të njëjtën gjë, madje edhe më keq. Vetëm se të më sulmojë mua, tashmë nuk skandalizon askënd, as “sindikatat” e tij që heshtin prej 28 vitesh edhe tashti. Ja pra racizmi dhe ksenofobi.

Saliu dhe Jamarbëri nuk meritojnë as edhe një përgjigje sepse racistëve nuk iu përgjigjet, injorohen. Nëse sot përgjigjem e bëj vetëm për transparencë dhe respekt ndaj atyre personave (përfshi edhe shumë zgjedhës të opozitës), të cilët thjeshtë nuk dinë se si qëndron e vërteta dhe mund të besojnë shpifjet e dy shpifësve të vjetër.

Nisemi nga faktet. Katër vite më parë, duke kërkuar nëpër magazina shtetërore materiale të vjetra dhe të braktisura për të ekspozuar si dëshmi e kohës se kaluar në muzeun Bunk’Art, zbulova ish-repartin e Orave: një strukturë e rrënuar e administruar nga Bashkia e Tiranës, në gjendje të braktisur. Që atëherë nisi odiseja ime për të marrë me qira nga Shteti ato mjedise të papërdorura: një procedurë kryesisht ligjiore e rregulluar që nga koha e Sali Berishës, e ndjekur nga qindra shqiptarë, investitorë, artizanë dhe pronaër mediash, duke perfshirë edhe mbesën e gruas së Sali Berishës. Një betejë me burokracinë e zhvilluar prej disa vitesh me kërkesa, verifikime, mijëra dokumente, një konkurs publik (ku ishim dy konkurrentë, tjetri nuk fitoi thjeshte se kishte gabuar totalisht dokumentacionin) dhe pastaj projekte dhe ëndrra që kishin vetëm një qëllim: trasformimin e asaj godine të viteve ’60 me tulla të kuqe, në redaksinë time të re, dhe në të njëjtën kohë t’i japë jetë zonës pas ndërtimit të shtatë pallateve monstra të ndërtuar aty afër nga Jamarbri që e kanë transformuar si një lagje konviktesh.

Lexo edhe :  Përfshihet nga flakët një makinë në autostradën Durrës-Tiranë, krijohet trafik i rënduar

Kur pas vitesh dukej se kalvari burokratik ishte drejt fundit, termeti i 16 shtatorit vuri në diskutim çdo gjë, pasi godina u dëmtua dhe pjesërisht u shemb duke filluar nga tavani. Rindërtimi që unë kisha menduar nuk mund të bëhej më. Duhej rrëzuar e gjitha dhe rindërtuar nga e para. Jo një pallat, siç shkruajnë dy shpifësit në profilet e tyre, por një redaksi me studio televizive: asgjë më shumë! Kështu nis një odise e dytë pasi edhe pse godina është e papërdorshme nga tërmeti, për ta shembur duhet një akte konstatimi, akt ekspertimi, nje komision publik, deri një VKM. Rifillon mbledhja e dokumentave, letrave, dhe mijëra burokracive që ende nuk janë mbyllur.

Le të shohim tani se çfarë pretendon çifti Sali-Jamarbër. Po e nis me shpifjet e postimeve të tyre të fundit, të shkruara nga Saliu e të kopjuara nga Jamarbëri si një nxënës i zellshëm.

1) ”Vjedh token e pronarëve autoktonë tiranas”
NUK ESHTE E VERTETE. Sipërfaqja që kam marrë me qera nga shteti për 20 vite ka qenë gjithmonë pronë shtetërore. Pra nuk ka pasur asnjëherë ish-pronarë që ta kenë pretenduar si tokë. I vetmi rrip prej 300 metrash katrorë tokë private afër zonës që unë kam marrë me qera është ajo që Jamarbëri bashkë me 44 trashëgimtarë ka marrë si kthim nga shteti me ndërhyrjen e vjehrrit. Dhe një copëz tjetër toke jashtë ndërtesës që është kompensuar nga shteti në vitin 2011.

2) I fal edhe tokën (që ka qenë private) edhe objektet e ndërtuara me taksa publike Bollinos. Tani pasi ia ka falur tokën dhe objektin, Rama nxjerr edhe vendim per t’i shembur objektet që ia ka dhene me qera.

NUK ESHTE E VERTETE. Unë nuk jam bërë pronar as i tokës dhe as i ndërtesës. Unë e kam marrë me qera: sipas një nisme të ndërmarrë nga vetë Berisha, kam mundësinë të paguaj 1 euro qera, por në këmbim kam detyrimin të investoj një shumë të konsiderueshme në strukturë dhe të punësoj një numër të konsiderueshëm personash shtesë. Sipas kontratës së bërë, pas 20 vitesh duhet t’i dhuroj Shtetit gjithë investimin tim. Nëse verifikohen disa kushte (edhe këto të parashikuara nga një ligj i bërë nga Berisha) jo më parë se 5 vite mund të përpiqem ta privatizoj, por në këtë rast duhet t’i paguaj shtetit vlerën e tokës, sipas kostos normale, dhe vlerën e godinës që kam marrë me qera, që tërmeti e ka shkatërruar pjesërisht dhe tani për ta rindërtuar kam marrë urdhërin ta prish plotësisht. Pra asnjë dhuratë.

3) ” I vjedh gjimnazin Njësisë Bashkiake Nr. 7 me mbi 50,000 banorë”

NUK ESHTE E VERTETE. Nëse në 2012 plani urbanistik i bërë nga Lulzim Basha parashikonte në atë zonë si dhe në zonat e tjera të kryeqytetit realizimin e godinave shkollore, deri në vitin 2013 kur Berisha ishte në pushtet dhe deri në vitin 2014 kur Lulzim Basha ishte ende kryebashkiak, nuk u ndërtua asnjë shkollë në kryeqytet. Edhe atë shkollë hipotetike as Berisha dhe as Basha nuk kanë bërë kurrë qoftë as edhe një projekt dhe nuk kanë përgatitur asnjë dokument për ta ndërtuar me të vërtetë. Zero. Në vitin 2014, kur Erjon Velija u bë kryebashkiak, anulloi të gjithë planin urbanistik të Bashës dhe në planin e ri rindahet edhe prania e shkollave të reja. Në atë toka nuk është parashikuar asnjë shkollë. Unë e kam parë uzina dhe kam nisur idenë për bërjen e redaksisë aty një vit pasi ishte bërë dhe përcaktuar plani i ri për Tiranën. Pra unë nuk kam “vjedhur” dhe as fshirë asnjë shkollë!

4) ”Shkel ligjin e kthimit të pronave që detyron shtetin të mos japë toka të treteve deri në përfundim të procesit të kthim-kompensimit të pronave”;

NUK ESHTE E VERTETE. Siç e thashë është lehtësisht e verifikueshme nga i gjithë dokumentacioni që nuk ka asnjë proces për kthimin apo kompensimin e pronave mbi atë tokë. Ajo që duhej të ishte kthyer është kthyer që në kohën e Berishës, përfshi dhe familjarët e tij.

Shpifja është arma që Sali Berisha e ka mësuar në librat e marksizëm leninizmit, të vetmet që ka mësuar me përkushtim gjatë gjithë jetës. Habit fakti se dhëndrri i tij e ndjek në të njëjtën rrugë, duke injoruar jo vetëm logjikën, por edhe ligjet e bëra prej vetë atyre. As edhe një juriste në familje nuk i ndihmon që të shmangin gafat. Për fat të keq, familja Berisha ka pasur gjithnjë një konflikt të madh me ligjet, pasi ata ndjehen gjithmonë sipër çdo gjëje. Mbi drejtësinë, mbi të vërtetën, mbi Shtetin. Quajnë mafiozë të tjerët, por familja e vërtetë Soprano, janë tamam ata, sidomos kur verifikon pafundësinë e rasteve të korrupsionit, pronave, aferave, ndërtimeve, tokave të zaptuara që nga Gerdec, Tirana, Gjiri i Lalzit, Porto Romano e Shqipëria mbarë. Por kjo është një tjetër histori investigimi gazetaresk dhe i drejtësisë së re shqiptare. Përballjet e familjes Berisha me ligjin nuk kanë filluar ende.

Të fundit

Plakja mund të mos jetë e pashmangshme!

Janë disa baza biologjike që lidhen me plakjen, dhe për këtë arsye studiuesit po hetojnë manipulimet qelizore, transfuzionet e...

Sveçla: Ka mbaruar koha kur veriu kontrollohej nga strukturat kriminale të Serbisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, kanë identifikuar...

Mes tyre një shqiptar/ Kush janë yjet që po shkëlqejnë në Europian?

Plot 8 futbollistë në Euro 2024 në rrugën e baballarëve të tyre. Futbolli është një pasion që trashëgohet, si në rastin e Thomas Strakoshës....

Google Translate shton përkthimin për 110 gjuhë dhe 614 milionë folës

Google tha sot se po shton mbështetje për 110 gjuhë në shërbimin e saj të përkthimit. Kompania ka përdorur modelin e saj PaLM 2...

Arbenita dhe Fero i japin një tjetër shans njëri-tjetrit?

Pushimet verore tashmë kanë nisur dhe janë periudha ku shumë familje bëhen bashkë për të kaluar kohë me njerëzit më të dashur. Personazhet tanë...

Lajme të tjera

Web TV