Kardiologu Altin Palloshi dhe 50 kolegë të tij me nismën ‘Milano për Shqipërinë’. Mjekët që punojnë jashtë atdheut bëhen bashkë në luftën kundër koronaviruasit dhe japin këshilla për shqiptarët kudo që ndodhen
Nga Ina Allkanjari
Altin Palloshi është një mjek kardiolog, që prej vitesh punon në një nga spitalet e Milanos, i cili është kthyer në spital Covid, qëkur pandemia koronavirus goditi vendin. Ai është një nga qindra mijëra punëtorë të kujdesit shëndetësor që luftojnë në vijë të parë koronavirusin nëpër botë.
Në momentin kur e gjithë bota jonë ishte gati të ndryshonte, doktor Altin Palloshi së bashku me mjekë të tjerë shqiptarë të cilët shërbenin në stafet mjekësore në shtete të ndryshme, vendosën t’i vijnë në ndihmë atdheut të tyre, edhe pse në distancë.
Nëpërmjet nismës ‘Milano për Shqipërinë’, ku aktualisht u janë bashkuar 51 mjekë, farmacistë dhe infermierë, bluzat e bardha u shërbyen në distancë shqiptarëve në këtë pandemi globale.
Në këtë situatë të vështirë këta mjekë shqiptarë iu gjendën pranë jo vetëm pacientëve të tyre në spital, duke punuar me orë të zgjatura, por edhe bashkëkombësve të tyre shqiptarë në të gjithë botën.
Në një intervistë për gazetën “Fjala”, doktor Altin Palloshi tregon si lindi ideja e krijimit të kësaj platforme online dhe si u erdhën në ndihmë mbi 1500 shqiptarëve në kohë reale, në të gjithë botën.
Si fillim doktor, do të doja të më bënit një pasqyrë të shkurtër të gjendjes aktuale në Milano për sa i përket Covid-19…
Aktualisht gjendja ne Lombardi është qetësuar shumë. Spitalet sikurse edhe njerëzit dalëngadalë po i kthehen normalitetit duke respektuar në limitet e mundura normat e reja të fazës 2.
Praktikisht nëpër spitale, reparte të shumta që ishin kthyer në reparte Covid, edhe pse ishin të specialiteteve të tjera e jo vetëm të sëmundjeve infektive, po i rikthehen mbas dizinfektimit punës rutinë në specialitetet përkatëse.
Ambulatorët po rihapen rregullisht, por me rregullat e reja të mbrojtjes personale si për stafin mjekësor, ashtu edhe për pacientët. Janë aktive gjithsesi dy korsi për pacientë nëpër strukturat spitalore për parandalimin e infeksioneve, Covid dhe jo Covid.
Për sa u përket shtrimeve, të gjithë të shtruarit i nënshtrohen tamponit dhe ekzistojnë 3 kategori: pacientë Covid në reparte të izoluara, pacientë jo Covid dhe zona “gri” që janë ata pacientë të shtruar në urgjencë për çfarëdo motivi, që pasi kanë kryer apo janë në pritje të procedurave, kryejnë tamponin dhe janë në pritje të rezultatit.
Deri në provën e kundërt këta pacientë konsiderohen potencial Covid. Për sa i përket jetës së përditshme, ka rifilluar gradualisht puna e lëvizja dhe njerëzit janë të qetë.
Ju dhe disa mjekë të tjerë shqiptarë keni krijuar së bashku një platformë që quhet “Milano Medical”, e cila u vjen në ndihmë të gjithë pacientëve që kanë dyshime apo që duan të bëjnë një pyetje me mjekun pa dalë nga shtëpia. Si lindi ideja e kësaj platforme, dhe sa realisht u ka ardhur në ndihmë njerëzve?
Ideja lindi në momentet e zymta të “pushtimit” nga Covid-19. Si mjekë e kemi jetuar në mënyrë intensive çdo moment të kësaj lufte që u konsumua në ambientet spitalore, pra përfshirja jonë si fizike, psikike dhe emotive ishte në ekstrem.
Ankthi nga njëra anë dhe pamundësia për të pasur akses në strukturat spitalore për shumë pacientë ishte dominante. Që nga momentet e para merrnim telefonata nga shumë miq, shokë dhe familjarë që na kërkonin konsulencë mbi Covid apo sëmundje të tjera normale, p.sh. sëmundje zemre, veshkash, diabet e të gjithë gamën e sëmundjeve.
Duhet të them që disa nga këta pacientë me shenja klinike të qarta Covid i kemi kuruar e trajtuar në shtëpi e nuk kanë shkuar kurrë të bëjnë një tampon, sepse ishte momenti i “cunamit” nëpër spitale.
Altruizmi i kolegëve që, edhe pse të lodhur nga puna në linjë të parë, gjithmonë mendojnë për vendlindjen, na shtyu që këtë asistencë për familjaret tanë në këtë moment dramatik t’ja ofronim të gjithë shqiptarëve nëpër botë nëpërmjet platformës falas Milano për Shqipërinë e sponsorizuar nga Milano Medical.
Sistemi funksionin përmes një disponibiliteti pothuajse në kohë reale të garantuar nga një program kompjuterik i një stafi mjekësh vullnetarë, që të gjithë punojnë e jetojnë në Itali, Gjermani, Spanje, Zvicer, France, Kanada e Shqipëri. Aktualisht ne staf bëjnë pjesë 51 mjekë, farmacistë e infermierë të dedikuar.
Jemi krenar që kemi mundur tu ofronim konsulencë në momentet më të zeza më shumë se 1500 shqiptarëve nga shqipëria, italia, USA, anglia, greqia etj. Tashmë jemi në muajin e dytë të sherbimit dhe aplikacioni ka lejuar funksionimin sikur të jetë një shërbim i vërtetë urgjence, kjo vetëm falë disponibilitetit pa limit të të gjithë kolegëve të cilët janë për tu nderuar dhe respektuar dhe janë forca e vërtetë e këtij projekti.
Mendoj që tashmë që fillon faza e dytë me rihapjen e shërbimeve ambulatoriale dhe spitalore sigurisht edhe metodologjia e asistencës mendoj se duhet modifikuar duke ulur nivelin e urgjencës në konsulencë normale të programueshme. Por këtë do ta vendosin bashkarisht të gjithë kolegët në një takim të shpejtë apo qoftë edhe video-konferencë.
Italia është duke përdorur terapinë plazmatike me antitrupa nga pacientët e shëruar. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë metodë, mendoni se duhet të aplikohet edhe në Shqipëri?
Kjo strategji terapeutike është e njohur dhe e vjeter dhe e përdorur me sukses në disa skenare të tjerë më parë. Mendoj që është llogjikisht funksionale dhe racionale për përdorim dhe është një armë e mirë për tu pasur në rast nevoje në raste të izoluara, psh në pacientë që kanë një trend të caktuar përkeqësimi (pra jo në të gjithë pacientet).
Për aq kohë sa nuk do të kemi një vaksinë definitive çdo alternativë tjetër është e vlefshme. Por si çdo gjë në mjekësi duhen bërë studime efikasiteti dhe sigurie e më pas konfrontimi. Aktualisht të dhënat e një studimi të bërë nga grupi i spitalit San Matteo te Pavia tregojnë që përdorimi i plazmës jep një ulje domethënëse të vdekshmërisë në pacientë të cilët ndodhen në gjendje të rëndë.
Por ky është vetëm një studim pilot, “proof of concept”, e thënë me fjalë të thjeshta, tregon a qëndron logjikisht një hipotezë apo jo, por ka nevojë për më tepër studime përpara se të konfirmohet në rutinën klinike.
Ç’mendim keni për aplikimin e testeve serologjike, sa të rëndësishme janë ato?
Do thoja që në rast epidemie apo pandemie të flasësh për një test apo një tjeter veç e veç nuk ka shumë sens, por duhet parë si një pikturë unike ku duhen ndërthurur të gjitha informacionet: epidemiologjiki, klinike, tamponet dhe testet serologjike.
Ideale do ishte testimi në masë, pra nëse ne kemi të dhënat, tamponët dhe testet serologjike të 3 milionë shqiptarëve për shembull, do të ishte shumë më lehtë vlerësimi i situatës dhe strategjitë e parandalimit, por edhe të rikthimit në normalitet.
Por nuk është e mundur të analizosh gjithë popullatën dhe, për më tepër, derisa nuk kemi akoma një specificitet 100% apo aty afër të testeve serologjike. E fundit, por jo më pak duhen vlerësuar edhe kostot ekonomike të strategjive të masës.
Shqipëria tashmë është drejt hapjes graduale, ku shumica e zonave janë të gjelbra dhe në shumë pak bashki po vijojnë masat për ndalimin e përhapjes së Covid-19. Cila është këshilla juaj në këto momente për shqiptarët?
Apel sensibilitetit, kulturës, altruizmit individual të njerëzve. Bota do të hapet patjetër, durim dhe qetësi. Tashmë ma do mendja që çdokush është i mirinformuar për masat e parandalimit. Aplikoni: maskat, sterilitetin, larjet e duarve, distancën, dhe zgjidhni ambiente që kanë norma të larta steriliteti në rast nevoje.