Për shkrimtarët e Tiranës dhe Prishtinës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

I shkujdesur në lëvizjen time, por me instinktin e pazbehur për t’u hedhur një sy gazetave që vareshin te banaku i një kioske, u ndesha me një titull që si rrallëherë zgjoi kureshtjen time. “Mungon klima miqësore mes krijuesve të Tiranës dhe Prishtinës”. Ç’është e vërteta, u trondita, sepse nuk më ka shkuar as tangjent ndonjë mendim i tillë. Se që të thuash “nuk ka frymë miqësore”, është një hap larg nga supozimi i të thënit se “ka frymë armiqësore”.

Tek e fundit, krijuesit nuk është se kanë ndonjë klimë miqësore edhe brenda të njëjtit qark letrar apo artistik, kështu që dhe pretendimi nuk është se m’u duk shumë i arsyeshëm në pamje të parë. Por është e kotë të flasësh në të thatë. Çështja duhej parë konkretisht…

Mora një gazetë “ExLibris”, u ula në kafe, dhe nisa të lexoja me nge. Ishte një bashkëbisedim mes dy shkrimtarësh, Virion Graçit që fliste nga Tiranë dhe Adil Ollunit që këtë gjë e bënte prej Prishtinës.

Të kujdesshëm të dy për të mos rënë as në shtresën sipërfaqësore të banalitetit, gjë që jo rrallëherë është lehtësisht e prekshme, sidomos kur flitet për tema të mprehta. Ç’është e vërteta, nisur nga titulli, mendova se shkrimtarët do të kishin nxjerrë pakënaqësitë e tyre për klimën e munguar mes krijuesve nga të dy anët e kufirit shqiptar. Dhe që të jem realist, nuk mendova për një klimë të munguar miqësore, por për një klimë armiqësore, larg qoftë.

Por nuk ishte kështu. Paragraf pas paragrafi, herë te fjalët e njërit e herë te mendimet e tjetrit, nuk është se po e gjeja atë që isha përgatitur të gjeja. Përplasje rreth një miqësie të munguar apo një armiqësie të improvizuar. Se letrarët, qëllojnë dhe të armiqësohen me njëri-tjetrin, kjo nuk është ndonjë gjë e pazakontë. Ishte një dialog i kujdesshëm mes intelektualësh, ku më së shumti flitej për një vendosje më të mirë bashkëpunimi mes krijuesve që u përkasin dy kryeqendrave, të poshtmes dhe të epërmes.

Me shkrimtarët e Kosovës, me ata që njoh sigurisht, unë kam marrëdhënie shumë miqësore. Kjo nuk do të thotë që titulli i “ExLibri”-t nuk qëndronte, sepse ky është vetëm një rast. Më ka qëlluar të jem në një miting letrar me Ibrahim Kadriun, Xhevdet Bajrajn, Gazmend Bytyçin dhe veç miqësisë kam marrë ndjesi të rralla letrare. Por jemi shtruar të ndajmë mendime të përbashkëta dhe me Faredin Shehun e Albatros Rexhajn. Përmenda vetëm këta, se po të shkoj më tej, radha bëhet e gjatë. Shkrimtarët e Tiranës kanë marrë çmime në Prishtinë dhe anasjelltas. Edhe dy panairet e mëdha funksionojnë si sahat, ndaj unë nuk kam ndër mend të zhbiriloj situatat e botuesve pas kuintave përderisa fasada ma jep atë që dua të marr. Por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për kryeqytetet, sepse mitingje kulturore e letrare ka dhe në qytete të tjera të rrafshit Shqipëri-Kosovë. Edhe shitje librash ka pasur mjaft. Pavarësisht se botuesi nga Kosova me emrin letrar “Armagedon” i cili ka mbajtur shënime, thotë se: “Ne blejmë mbi dy milionë euro libra nga botuesit e Shqipërisë gjatë një viti, e ata nuk blejnë as pesëdhjetë mijë euro”. Raport i zhdrejtë. Kjo është një statistikë e munguar, ndoshta dhe e dyshimtë, por në nënvete aspak miqësore. Sepse sipas kësaj logjike, Tirana na paska marrë skeptrin e të plotfuqishmit, e Prishtina qenka shndërruar në vasal.

Lexo edhe :  Gazetari Roland Qafoku promovon librin "100 personalitetet më të spikatura të Skraparit"

Unë nuk besoj se është kështu.

Mirëpo një gjë të tillë si për inat ma konfirmoi gjatë një interviste Abdullah Zeneli, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, teksa m’u shpreh troç e pa doreza: “Ka dhe një paradoks, teksa bibliotekat e Kosovës blejnë jo pak libra të botuesve të Shqipërisë, kjo nuk ndodh me botimet e botuesve të Kosovës në Shqipëri. A thua Tirana zyrtare pret Beogradin të na i blejë neve librat që dergjen depove? Ky është një dështim institucional”.

Këtu ngecem disi, e më duhet të rishikoj gjithçka kam shkruar.

Normal që është një dështim institucional, përderisa prej shumë vitesh as bibliotekat në Shqipëri nuk furnizohen me libra, sepse nuk ka një zë të tillë në buxhetin e Ministrisë së Kulturës. Por, gjithsesi, nuk kemi të bëjmë me një xhelozi botuesish e as shkrimtarësh, por me një keqadministrim. Dhe dihet që shqiptarët poshtë kufirit, përgjithësisht e kanë keqadministruar shtetin e tyre në 108 vitet e ekzistencës së tij, ndërsa Kosova në shumë më pak vite si institucion i pavarur shtetëror na ka treguar se di ta bëjë këtë punë më mirë. E pra, shqiptarë ne, shqiptarë ata.

Por unë po vazhdoj ta analizoj këtë defekt në një tjetër aspekt, sepse gjithmonë e në çdo kohë ka një qasje ndryshe të problemit:

Kur Albatros Rexhaj, botoi “Edith” dhe erdhi në panairin e Tiranës, u prit më me interes se Hashim Thaçi. Lexuesit e kërshëruar u vunë në radhë, hapën qeset dhe nxorën paratë me të cilat blenë nga një ekzemplar. Ndërsa shkrimtari Albatros, edhe pse iu lodh dora duke dhënë autografe, rezistoi deri në fund dhe nuk u ankua se i mbaroi boja e stilolapsit. Por nuk ma merr mendja se ndokush mbajti shënime dhe u bë xheloz se sa para i mori Tiranës Albatros Rexhaj nëpërmjet shitjes së librit. Se paratë i mori “cash” dhe kaloi doganën apo i transferoi përmes ndonjë llogarie bankare. Dhe tek e fundit a do të rimbursohej Shqipëria, të paktën me shitjen e librave të Kadaresë apo të Kongolit.

Ama, muhabet burrash është ky?

Puna e shitblerjes në një treg të hapur ka të bëjë me faktin e thjeshtë: çfarë më ofron. Dhe nëse nuk më ofron atë që kërkoj, nuk kam pse shpenzoj. Nëse shitblerja ka të bëjë me patriotizmin, apo me një nder të ndërsjellët, po vihem në radhë të blej ca libra nga botuesit e Kosovës, edhe pse ca të tjerë i kam blerë tashmë.

Së fundi, mund të them se atmosfera mes Tiranës dhe Prishtinës është mjaftueshëm miqësore. Tek e fundit shkrimtarët nuk janë si këngëtarët, që bashkëpunimin e shohin të lidhur më ngushtë, aq sa t’i japin njëri-tjetrit borxh edhe makinat e luksit që përdoren në sfondin e videoklipeve. Dhe kjo nuk është për t’u marrë shumë në konsideratë. Shkrimtarët tek e fundit nuk është e nevojshme të jenë “vëllezër” me njëri-tjetrin, aq sa të “vdesin” për të jetuar nën të njëjtën çati dhe të hapin zorrët e barkut në tavolinat alkoolike të mitingjeve letrare. Tek e fundit ata janë shkrimtarë./Gazeta Fjala/

Të fundit

Paralajmërimi i Bashës për opozitën/ Koha na dha të drejtë!

Kreu i grupimit Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se amnisitimi i të korruptuarve të Edi Ramës me votën e Sali...

Bien temperaturat, si do të jetë moti gjatë fundjavës

Meteorologia Tanja Porja ka treguar sesi do të jetë moti gjatë ditëve të fundjavës. Ajo tha se mëngjesin e të shtunës reshjet e shiut do...

Bonus edhe për administratën në fundvit, 120 mln lekë në dispozicion/ Zbardhen detajet

Këtë fundvit do të përfitojnë shpërblim edhe disa punonjës te administratës shtetërore. Mesohet se me aktin e fundit normativ, qeveria ka vendosur të shpërndajë bonus...

Zbulohet kushti i Parashqevi Simakut për t’u rikthyer në Tiranë

Parashqevi Simaku ka qenë kryefjala e mediave në javën e fundit. Artistja e madhe e viteve ’80 u shfaq në një video, teksa jetonte...

“Do e ruaj gjithmonë”, Spiropali reagon për dhuratën që Rexhep Selimi i dërgoi nga Haga

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka reaguar sot për dhuratën që luftëtari i UÇK-së, Rexhep Selimi, i dërgoi nga Haga dhe të cilën ia...

Lajme të tjera

Web TV