Arkitekti Astrit Seranaj, “spektatori i fundit” në sallën e Teatrit (Rrëfimi ekskluziv)

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Rrëfimi ekskluziv për “Gazetën “Fjala” i arkitektit Astrit Seranaj që u gjend në sallën e Teatrit Kombëtar në momentin kur ndërhyri policia dhe nisi shkatërrimi. Seranaj: Europa Nostra na siguroi midis të tjerash financimin e të gjithë restaurimit të objektit ekzistues të Teatrit Kombëtar

Nga Alessia Selimi

Ora shënonte  04:30. Teksa qyteti po flinte, po i hapej rruga shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Më shumë se 100 policë u futën brenda godinës, aty ku po qëndronin protestuesit, të sinjalizuar për një akt të tillë që në orët e para të mbrëmjes. Brenda tempullit thuajse 100-vjeçar të artit në Shqipëri ishte edhe arkitekt Astrit Seranaj. Në dy vite rezistencë, hapësira e tij e preferuar në godinë ishte çatia e sheshtë e ndërtesës. Si rrallëherë, të shtunën vendosi të qëndronte në sallën kryesore të saj, ku errësira po luftohej nga dritat e një fadrome të ndezur, por jo nga ulërimat, e zgjatura dhe si më të qarë. Ngrihet një pikëpyetje e madhe për jetën e tij, në rast se do të zgjidhte mbi kokë qiellin dhe jo tavanin e lartë të teatrit.

Seranaj ishte i fundit në godinë, por jo i fundit që u shoqërua nga forcat policore. Megjithatë, ai mendon se gjithçka nis nga vetja, sikurse edhe një rrëfim ku përfshihen jo pak emra. Thotë se u ofendua, u qëllua me pëllëmbë, dhe se me trupin tërë vurrata u tërhoq zvarrë nga salla drejt portës së krahut të brendshëm të teatrit, për të përfunduar në komisariatin numër një të Tiranës.

“Më rrethuan 5-6 policë, të cilët nuk u kursyen aspak. Ndryshuan qëndrim vetëm kur më nxorën jashtë godinës. Ndoshta sepse ata që ishin përreth nesh, po e shikonin se çfarë po ndodhte. I vetmi moment kur reagova, ishte kur u rrëzova. Ndërkohë, ata kujtuan se doja t’i bëja bisht lëvizjes për shoqërim në komisariat”, tregon ai për gazetën “Fjala”.

“Si të mos isha një njeri me identitet, dinjitet dhe të drejta, më ngritën në ajër dhe më plandosën brenda njërës makinë. Më dërguan në komisariatin numër 1, ku situata paraqitej tërësisht ndryshe. Nga mënyra se si funksionon Policia e Shtetit, duke u nisur edhe nga informacionet që zotëroj, mendoj se m’u respektuan të drejtat, pavarësisht se nuk firmosa asgjë nga ato çfarë kishin shkruar. Fundja, e quaj të paligjshëm shoqërimin tim”, thotë Seranaj, i cili nuk ka shumë që i është bashkuar bashkudhëtarëve të tij prej 27 muajsh, “rrugëtimi” i të cilëve duket se u “ndërpre” dje, ndonëse shprehen se do ta vijojnë protestën, edhe pa kauzën e “mbrojtjes së godinës”.

Seranaj iu bashkua thirrjes së aktorëve për rezistencë më 26 mars të 2018-s. Në një podium të improvizuar prej druri, për plot dy vite, ka rezistuar, kuvenduar dhe mbajtur fjalime. Por, jo vetëm kaq. Si një nga 80 arkitektët dhe urbanistët që ishin pro mbrojtjes së godinës, kontribuoi në dosjen që iu dërgua Europa Nostra-s, që kjo e fundit ta përzgjidhte Teatrin Kombëtar në listën e 7 siteve kulturore evropiane më të rrezikuara.

Dhe kështu ndodhi. Kjo organizatë u zotua dhjetorin e shkuar se do të përdorte të gjithë rrjetin e saj për të sugjeruar mundësi për mbrojtjen e teatrit. Por, sot, në sytë e Seranajt ka lot. Të vetmet gjurmë nga godina futuriste e inxhinierit dhe arkitektit italian, Giulio Berté, mund të quhen pirgjet e gërmadhave, që shtrihen në sipërfaqe trualli 13 mijë m2.

Lexo edhe :  Bazukat e politikës mbi SPAK-un

Ndonëse ishim paralajmëruar për një akt të tillë kriminal në orët e para të mbrëmjes, nuk mendoja se do të ndodhte. Europa Nostra na siguroi midis të tjerash financimin e të gjithë restaurimit të objektit ekzistues të Teatrit Kombëtar. Megjithatë, pushteti ekzistues, duke pretenduar mungesën e parave, apo edhe gjetjen e tyre me kalimin nga njëri ligj antikushtetues në një tjetër të ngjashëm, arriti ta shembë teatrin. Po jetojmë në absurditet!”-shprehet Seranaj, duke u ndalur tek të gjithë ata që në një mënyrë apo një tjetër, me  një qëndrim pro, heshtje të thellë apo indiferencë, sipas tij, lanë pas shpine identitetin dhe trashëgiminë e vendit.

“Nuk po mundem dot të kuptoj që njerëzit, kushdo qofshin ata, qytetarë të thjeshtë, artistë, apo dhe funksionarë të lartë, nuk arrijnë dot të perceptojnë frytin e rezistencës së deritanishme. Ne arritëm të siguronim me mundin tonë dy teatro. Por ja që e gjithë sakrifica shkoi dëm.”

Seranaj është i rënduar psikologjikisht. Teksa rrëfen  përplasjen e tij fizike me policët, shpatullat e rëna dhe vështrimet e hapërdara e tradhtojnë.

“Unë isha në mbrojtje të së drejtës sime, fjalës sime, pronës sime, në mungesë të atij institucioni që më ofron drejtësi në vendimmarrje, dhe që është Gjykata Kushtetuese. E ku duhej të shkoja unë tjetër për të mbrojtur ekzistencën, veçse brenda godinës së Teatrit Kombëtar?”, shprehet Seranaj.

“I kemi ndërmarrë të gjithë hapat. Kemi reaguar në mënyrë paqësore, pa u ndalur në asnjë çast. Kemi qenë prezentë, jo vetëm përmes postimeve të vazhdueshme nëpër rrjete sociale. Në mbrëmjet më se të zakonshme të Tiranës, kemi qenë duke kaluar nëpër dorë çdo lloj ligji, çdo lloj argumenti se përse ai teatër duhej të qëndronte në këmbë.”

Ka një uri të pashuar, sipas arkitektit Seranaj.

“Komunizmi nuk e vodhi njeriun vetëm në pronë. I grabiti shpirtin. E keqja tek ne është kryeneçe, e plotpushtetshme. Përse ulëret kaq shumë? Pikërisht për shkak të trashëgimisë komuniste. Sepse e keqja gjatë diktaturës erdhi duke u shtuar, me dënimin me burg, pushkatimin, internimin… Fatkeqësisht, psikologjia e dhunës ende vazhdon. Shembja e Teatrit Kombëtar porsa e konfirmoi”, thotë Seranaj.

Ai thekson se çështja e teatrit tashmë nuk është vetëm teknike, ligjore, politike e partiake, që mbyllet tek rënia e saj.

“Unë uroj që Teatri Kombëtar të fundosë të gjitha institucionet e tjera”, shprehet arkitekti, i cili e ka të pamundur të mos kthehet pas në kohë. “Në ’90 isha në shesh për demokracinë dhe votën e lirë. Sot ndodhem sërish këtu, në zemër të kryeqytetit, sërish për demokracinë. Është një proces i gjatë, i vështirë, që ka nevojë për kontributin e gjithsecilit. Siç e shihni, jam i rrethuar nga të tjerë protestues. Ndoshta duken të pakët në numër, por shpresoj, mendoj dhe besoj se nuk bëhet fjalë për numra, por për kohë”, përfundon Seranaj.

Ai rikthehet edhe një herë me turmën, që edhe pse ka nisur të rrallohet, sërish mbahet ndezur si formë reagimi.

Të fundit

Fadroma në ndërtimin pa leje të ish-gjyqtares Fetahu e lidhur me bandat

Pak kohë më parë në emisionin “Stop” u tregua sesi ish-gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu që u provua të...

Nga kosi te kokoshkat/ Ushqimet e shëndetshme të cilat mund të konsumoni gjatë darkës

Të gjithë e kemi përjetuar atë ndjenjën e urisë gjatë orëve të vona të natës. Fatkeqësisht, të ngrënit vonë shpesh lidhet me shtimin në...

Mjekët paralajmërojnë/ Mos e injoroni këtë simptomë të ftohjes nëse zgjat më shumë se..

Dr. Shireen ka paralajmëruar se një kollë e vazhdueshme për më shumë se tre javë nuk duhet të neglizhohet. Edhe pse simptomat e ftohjes,...

Po zien rrjeti! Ledion Lico bënë veprimin e papritur me unazën e martesës (Foto)

Në vitin 2018, Liço u martua me Sara Hoxhën, bashkëpronare e Top Medias, dhe së bashku kanë tre fëmijë. Çifti duket të kenë jetë të...

Administrata Trump pezullon disa programe që u japin leje qëndrimi imigrantëve!

Administrata e Presidentit Donald Trump ka pezulluar disa programe të posaçme për disa grupe emigrantësh. Në bazë të vendimit agjencia federale ‘Shërbimet për Shtetësi dhe Emigracion të...

Lajme të tjera

Web TV