Artistët ndërmarrin nismën për nënshkrimin e peticionit ku kërkojnë rindërtimin e Teatrit Kombëtar. Opozita në ditën e dytë si “spektatore” e reagimit të artistëve
Nga Ina Allkanjari
Protesta e organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit mblodhi ditën e djeshme në bulevard qytetarë, aktivistë, artistë dhe përfaqësues të opozitës, të cilët kërkuan rindërtimin e Teatrit Kombëtar ashtu siç ishte dhe në vendin ku ishte.
Përpos vendosjes së drejtësisë, aktivistë të ndryshëm u shprehën për gazetën “Fjala” se kauza e tyre tashmë është rindërtimi i teatrit.
“Ne kërkojmë drejtësi, por, mbi të gjitha, që teatri të bëhet edhe një herë ashtu siç ishte, në të njëjtin vend. Ajo që kam si apel për qytetarët është që duhet të vijnë dhe të mbrojnë demokracinë, ky ka mbetur shansi i fundit në këtë histori”, u shpreh aktivisti Aulon Kalaja.
Ndryshe nga protesta e zhvilluar ditën e hënë, artistët ndërmorën një nismë ku u bënë thirrje qytetarëve që të firmosin një peticion për rindërtimin e Teatrit Kombëtar në të njëjtin vend, ashtu siç ishte më parë. Qytetarë të shumtë hodhën firmat e tyre, duke shprehur mbështetje për këtë nismë. Gjithashtu, aktivisti Kalaja shprehet se e ka firmosur peticionin, dhe do të jem gjithmonë i pranishëm në protestë deri sa të vihet drejtësia.
“Unë e firmosa peticionin dhe do të jem gjithmonë në protestë. Kam marrë disa gjoba, por unë nuk trembem. Besoj se me këto manovra po mundohen t’i trembin qytetarët, por mendoj se tashmë është vrarë frika”, u shpreh Kalaja.
Ndërkohë që në nisje të protestës në orën 18:00 dhe deri në 19:30 qëndruan në shesh edhe kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Nga ana tjetër, ashtu si në protestën e fundit, me qindra forca policie rrethuan godinën e ish-teatrit, për të siguruar rendin dhe parandaluar tensione e mundshme me protestuesit. Megjithatë, nuk u regjistrua asnjë incident gjatë gjithë zhvillimit të protestës.
Ndërkohë që në rrënojat e ish-teatrit vijonte puna për largimin e inerteve dhe pastrimin e zonës, protestuesit hidhnin firmat e tyre për rindërtimin e godinës, një peticion që, sipas aktivistëve, do të dërgohet në të gjithë Shqipërinë, për të treguar se nuk janë një pakicë.
“Jemi këtu që të marrim drejtësi, sepse çdo gjë që është bërë për ta shkatërruar këtë teatër, ka qenë në kundërshtim me ligjin, në shkelje të Kushtetutës dhe të çdo lloj parimi të bashkëjetesës sociale. Po protestojmë për drejtësi, por njëkohësisht nëpërmjet këtij peticioni kërkojmë të tregojmë se jemi mazhorancë dhe do ta dergojmë tek të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit”, shprehet aktivisti Gentian Gaba.
I pyetur nga gazeta “Fjala” për kauzën e tij, aktori Mehdi Malkaj, shprehet se do të vazhdojë të protestojë, jo për vete, por për brezat e ardhshëm.
“Unë nuk e di nëse do të arrij deri sa të bëhet teatri i ri, por para meje brezat luftuan që ne të arrinin aty ku arritëm, dhe ne do të luftojmë për brezat e ardhshëm”.
Reagimi i qytetarëve, nga “brohorimat” për teatrin në nënshkrimin e peticionit
Të pyetur nga gazeta “Fjala”, lidhur me arsyen e pjesëmarrjes në protestë, qytetarët shprehen se duhet vënë drejtësia, ndonëse ende nuk arrijnë ta besojnë se teatri u prish.
“Po protestoj për prishjen e teatrit, na ka shokuar, jam shumë e mërzitur. S’ma merrte mendja kurrë që do ta prishnin, kisha një besim të plotë që s’do ta bënin. Unë si qytetare, jam pensioniste, nuk do të lë asnjë ditë pa bërë protesta, sado që të vazhdojnë, edhe sikur të ngelem vetëm. Të paktën të japin llogari. Unë dëshiroj që teatri të ndërtohet ashtu siç ishte dhe, nëse dëshirojnë të ndërtojnë një teatër të ri diku tjetër, nuk ka tokë Tirana sa të duash. Kështu do të iki ky vend, se s’e kanë bërë vetëm me teatrin. Po na marrin kohën, gjithë këto vite që kanë kaluar, kjo është koha e jetës, asnjë njeri nuk do të rrijë mbi tokë përgjithmonë”, shprehet një qytetare.
Ndërkohë një pensioniste e cila qëndronte e revoltuar mes protestuesve, thekson se në vendin tonë ka problematika të tjera që kërkojnë vëmendje më urgjente.
“Nuk do t’i ndahem protestës, një muaj, dy muaj apo më shumë, këtu do të qëndroj”, shprehet qytetarja.
Një tjetër pensioniste, e cila po firmoste peticionin mes qindra qytetarëve të tjerë, tregon se dëgjoi në televizor thirrjen e protestuesve për mbështetje, dhe doli për të firmosur peticionin për të qëndruar në krah të artistëve.
Gjatë tubimit me thirrje të shumta për qeverinë dhe bashkinë, protestuesit, mes tyre shumë të rinj shqiptarë mbanin në duar pankarta dhe brohorisnin në kor për shpërndarjen e parlamentit. Të pranishëm në protestë ndodhen edhe student, të cilët shprehen se me prishjen e teatrit është instaluar diktatura. Të paqartë rreth urgjencës për prishjen e teatrit, studentët theksojnë se ekzistojnë problematika që duhet t’u kushtohet më shumë rëndësi nga bashkia.
“Prishja e teatrit tregon që nuk po pyetet për problematikat që ekzistojnë këtë periudhë. Ne kemi problematika të tjera që duhet t’u kushtojmë rëndësi, si përgjysmimi i tarifës së këtij viti shkollor. Kjo është më urgjente sesa prishja e teatrit. Bashkia e Tiranës këtë periudhë duhet të ketë më urgjente të kthejë sytë nga studentët, të sigurohet karta e studentit me shërbimet e duhura. Do të jem gjithmonë në mbështetje të një kauze të drejtë”, shprehet një student për gazetën “Fjala”.