Kur të gjitha klubet e Superiores pritet të rikthehen me probleme të shumta, nga mungesa e stërvitjessë lojtarëve në fushë prej më shumë se 2 muajsh, Tirana dhe Partizani i kanë rifituar titullarët e tyre të dëmtuar
Rikthimi i futbollistëve në stërvitje të hënën e 18 majit jep shpresë që së shpejti do të rikthehen edhe ndeshjet e kampionatit më të madh në vend, Superligës. Ndërsa të gjithë presin këtë rikthim, janë të shumta aludimet se si do të ndikohen rezultatet e klubeve në 10 ndeshjet e mbetura tashmë dhe sesi do të jetë gjendja e lojtarëve pas kësaj pauze.
I sigurt është vetëm fakti që ndeshjet nuk do të jenë në të njëjtat nivele si përpara kësaj ndërprerjeje. Madje, në një intervistë për gazetën “Fjala”, trajneri dhe instruktori i futbollistëve gjatë periudhës së karantinës, Roland Peqini, ka thënë se gjendja e lojtarëve do të jetë shumë e rënduar.
“Mendoj se kjo situatë ka ndikuar dhe do të ndikojë shumë në ekipet shqiptare, sepse po të shikoni javën e parë të kampionatit gjerman që u luajt pas karantinës, kishte shumë dëmtime dhe kjo për shkak të përgatitjeve gjatë kësaj periudhe. Mendoni kampionati gjerman i çfarë niveli është, dhe mendoni se çfarë mund të presin më shumë futbollistët në Shqipëri. Uroj që të mos i ndodhë askujt, por unë u sugjeroj që të kenë shumë kujdes e të përgatiten mirë.”- është shprehur ish-kapiteni i Dinamos.
Duke parë rezultatet e 26 ndeshjeve që janë luajtur deri më tani, bazuar nëpikët e takimeve para ndërprerjes së kampionatit, duket se ekipi i Tiranës ka shanset më të mëdha që të jetë fitues i titullit të sezonit 2019-2020. Djemtë e trajnerit Emmanuel Egbo arritën të ngjiteshin fuqishëm duke marrë11 fitore dhe vetëm një barazim në12 ndeshjet e fundit të Superligës, përpara ndërprerjes së kampionatit. Siguria që kanë marrë nga këto rezultatet i bën djemtë bardheblu që të rikthehen shumë më të fuqishëm. Pas një periudhe të gjatë pushimi, për shkak të një dëmtimi, tashmë ekipit të Tiranës mund t’i kthehet në fushën e blertë edhe Andi Lila, i cili do të bënte diferencën në lojën e bardhebluve me ekipet e tjera.
Kjo periudhë mund të cilësohet e dobishme dhe të shfrytëzohet edhe nga kampioni aktual i Shqipërisë, Partizani. Të kuqtë e kryeqytetit ishin duke vuajtur me rezultate të dobëta dhe humbje të njëpasnjëshme. Për ta kjo mund të ishte një periudhë reflektimi, si dhe rimarrje e vetes nga ana fizike, ku më specifikisht mund t’i ketë shërbyer titullarit të padiskutueshëm, Lorenc Trashit. Trashi ishte dëmtuar dhe i duhej kohë për të marrë veten.Koha që kishte në dispozicion ishte e mjaftueshme që ai të rikthehet në lojë. Aktualisht Partizani renditet në vend të 6 me vetëm 38 pikë, dhe do t’i duheshin vetëm fitore këto 10 javë që kanë mbetur, si dhe humbjet e ekipeve kryesore që të mund të rikthehet në garën për titull.
Kukësi, nga ana tjetër, duket se nuk do ta ketë aspak të lehtë rikthimin. Pushimi vetëm pak javë pas ndërrimit të trajnerit dhe pjesës tjetër të stafit, mund të ketë pasoja negative te verilindorët, të cilët nga fundi nuk po ngrinin dot kokë. Ata humbën fronin e kryesimit që kishin javë të tëra që e mbanin dhe më pas u shkëputën me 9 pikë diferencë nga Tirana e vendit të parë, duke qëndruar të dytët në renditje. Verilindorët do të duhet të punojnë fort dhe të gjejnë strategjinë e duhur me trajnerin e ri, Orges Shehin, që të mund të mbeten në garën e titullit ose,ndryshe, Tirana që duket e pathyeshme tashmë do të vijojë rrugën drejt fitores.
Ndërkohë kemi ekipet e Laçit dhe të Skënderbeut, të vendit të tretë e të katërt, me pikë të barabarta. Kurbinasit kanë pasur një sezon sa të mirë, aq edhe problematik në të njëjtën kohë. Në momentin kurdukej se laçianët ishin ndër kryesorët në garën e titullit, pikërisht në atë moment ishte dhe koha kur rrëzoheshin. Bardhezinjtë e Laçit duhet të punojnë fuqishëm për të mbajtur pozicionin ku ndodhen e, pse jo, për më shumë.
Përsa i përket ekipit të trajnerit Ilir Daja, ky pushim mund të ketë qenë si një thikë me dy presa. Skënderbeu nisi një sezon të keq, por në javët e fundit arriti të largohej nga rreziku i përfshirjes në zonën e kuqe dhe mundi të ngrihej në vend të katërt. Periudha e karantinës mund të ketë qenë motivuese për vijimin e rezultateve të marra në ndeshjet e fundit, por, në të njëjtën kohë, janë edhe mundësitë e ndikimit për keq. Megjithatë, nëse do të kemi rikthim të kampionatit, djemtëe Dajës do të tregojnë më së miri se çfarë impakti kishte kjo periudhë.
Teuta e Durrësit, nga ana tjetër, ka pasur një sërë luhatjesh gjatë këtij kampionati, duke kaluar nga vendet e para në ato pranë zonës së rrezikut dhe e kundërta. Do të ishte e vështirë të thuhej se çfarë ndikimi do të ketë kjo pauzë te “Djemtë e detit”, por ajo që mund të thuhet është se mund të kemi sërish luhatje të shpeshta në renditjen e tyre.
Vllaznia, nga ana tjetër, nuk duket aspak në pozita të mira, edhe pse jo shumë e rrezikuar. Klubi më i vjetër i futbollit në Shqipëri, dhe një nga ekipet më me shumë traditë, duket se nuk është në pozitat më të mira. Djemtë e Shkodrës kanë vuajtur shumë gjatë këtij kampionati dhe ndoshta pas karantinës kjo vuajtje do të vazhdojë.
Bylisi i vendit të 7-ë pati një sezon jo të pëlqyeshëm, vendime të arbitrave, të cilësuara fuqishëm nga ballshiotët si të gabuara, bënë që kjo skuadër ta humbiste pozicionimin në radhët e para të Kategorisë Superiore.Megjithatë,në situatën e mungesës së stërvitjeve normale për më shumë se 2 muaj, gjendja e lojtarëve pritet të mos jetë aq e mirë sa para karantinës.
Luftëtari dhe Flamurtari të dy vendeve të fundit e kanë prerë biletën tashmë për në Kategorinë e parë. Këto dy skuadra kanë pasur rezultate zhgënjyese dhe do të duhej një mrekulli tashmë për t’i shpëtuar nga rrëzimi prej Superligës. Gjirokastritët, nën kuotën e 14 pikëve, dhe vlonjatët me vetëm 10 pikë në 26 ndeshje të luajtura, kanë për ta pasur akoma më të vështirë pas kësaj ndërprerjeje. Një punë e madhe nga çdo pjesëtar i skuadrave të tyre do të cilësohej jo aq saç’duhet e mjaftueshme, për të shpëtuar nga zona e kuqe, dhe duke u gjendur në situatën e pauzës shanset janë thuajse zero.
Megjithatë, disa ekipe mund të kishin mundësitë e ndryshimit të rezultateve, nëse do të kemi një rikthim të futbollit, pasi ende nuk dihet se cili do të jetë vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë, që si një datë provizore ka vendosur 31 majin, ndërsa nga Federata Shqiptare e Futbollit është caktuar 3 qershori.
I sigurt deri në këto momente është vetëm fakti se lojtarët vështirë se do të jenë në formën e tyre të mëparshme, pas kësaj pauze të gjatë dhe fakti që, nëse do të kemi mbyllje të sezonit 2019-2020 me këto rezultate, Tirana do të shpallej fituese e Kategorisë Superiore./Nga Katerina Tafa/