Pala greke ka nisur gjobitjen në masë për shqiptarët që, për shkak të mbylljes së kufijve nga pandemia e koronavirusit mbetën në Greqi dhe u kaloi afati i qëndrimit në zonën “Shengen”. Studentja shqiptare, Ani Qerreti, tregon ekskluzivisht për gazetën “Fjala” peripecitë në ambasadën tonë dhe ndëshkimin nga pala greke
Nga Ina Allkanjari
Rënia e numrit të të infektuarve me COVID-19 dhe lirimi i masave të vendosura nga qeveria për parandalimin e përhapjes së virusit, ka bërë që shumë shqiptarë të bllokuar prej disa muajsh në Greqi të rikthehen në atdhe. Ndonëse u tha se nuk do të ketë asnjë penalizim ndaj tyre, shumë shqiptarë, të cilët e kanë kaluar afatin 90-ditor për të qëndruar me pasaportë në zonën “Shengen”, janë përballur me një surprizë të pakëndshme në kufirin grek. Një ndër ta është Ani Qerreti, studente në Fakultetin Ekonomik në Tiranë, e cila në një intervistë për gazetën “Fjala”, tregon se është gjobitur me 600 euro nga pala greke për tejkalim të afatit. Studentja tregon se u largua në Greqi më 25 shkurt, sapo përfundoi sezonin e provimeve, por pandemia dhe masat e marra e detyruan të qëndronte në shtetin fqinj, duke pritur që situata të normalizohej dhe të rikthehej në atdhe. Pasi kishte shkeluar afatin me 20 ditë, Qerreti tenton të futet në territorin shqiptar, ku u njoh me gjobën. Studentja tregon se është e paqartë për arsyen e gjobës, pasi është njoftuar më herët se nuk do të penalizoheshin, gjithashtu shton se nuk ka marrë asnjë informacion për procesin e ankimimit dhe çfarë procedurash duhet të ndjekë.
Në çfarë date vendose të udhëtoje drejt Greqisë, dhe cila ishte arsyeja?
Unë shkoj shpesh me periudha tremujore në Greqi. Kësaj radhe shkova më 25 shkurt sa mbaroi sezoni i provimeve, pasi ndjek studimet për Financë në Fakultetin Ekonomik. Dhe nga muaji mars, sapo nisi trazira prej shfaqjes së virusit COVID-19, fillova të interesohesha se çfarë do të bëhej me kufijtë, sepse më duhej të kthehesha sërish në Shqipëri. Ndërkohë shteti shqiptar deklaroi që kishte mbyllur kufijtë prej pandemisë.
Si vepruat pasi u informuat për mbylljen e kufijve?
Pasi mora vesh që kufijtë ishin mbyllur, e vetmja mundësi ishte informimi në ambasadën shqiptare. Nga aty kontaktova Ministrinë e Mbrojtjes dhe ajo më lidhi me Drejtorinë e Policisë së Qarkut. Ata u shprehën bindshëm që asnjë nuk do gjobitej, asnjë qytetar.
Çfarë ndodhi më tej?
Kur po afrohej përfundimi i afatit të pasaportës, dëgjuam që kufiri grek punonte ende dhe gjobitedhin personat që tentonin të ktheheshin në Shqipëri. Meqenëse dua të nis procedurat e letrave greke, shkova u informova te drejtoria e policisë së Athinës. Ata thanë largohu, sepse nuk kemi asnjë dokument zyrtar nga qeveria shqiptare dhe kufiri ynë është i hapur.
Kur vendose të ktheheshe në Shqipëri sa ditë e kishe shkelur afatin e qëndrimit në zonën “Shengen”?
Duke llogaritur shpenzimet që më duheshin për karantinimin në kufi, nëse kthehesha në Shqipëri dhe kushtet që ofronte hoteli, vendosa më mirë të qëndroj në Greqi deri sa karantina të kthehej e detyruar në shtëpi. Kisha shkelur afatin e qëndrimit me 20 ditë dhe më 19 maj vendosa të rikthehem në Shqipëri, pasi karantimin dyjavor tashmë mund ta bësh në banesën tënde.
Çfarë ndodhi kur tentove të dilje nga territori grek?
Më vendosën 600 euro gjobë të vulosur në pasaportë. Në kufirin e Kakavijës, dogana greke nuk tha asgjë, përveç faktit që ke kaluar afatin. Vendosa ta ankimoj gjobën, kur isha në kufi, por nuk më bindi sjellja e tyre, pasi nuk firmosa asnjë letër ankimimi. Nuk e di si është procedura ankimimit, por asnjë adresë nuk më dhanë që të informohesha se çfarë do të ndodhte. Në kufi ndodheshin shumë njerëz dhe nuk kishte mundësi sqarimi. Ndërkohë në doganën shqiptare mora vulë për karantinim në shtëpi./Fjala.al