Presidentja e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma, tregon problematikat që ka hasur sektori farmaceutik gjatë kësaj periudhe ku pothuajse u paralizua gjithçka, duke sjellë një dëm të konsiderueshëm finaciar.
Nga Ina Allkanjari
“Subjektet farmaceutike janë në alarm, kjo pasi pandemia COVID-19 krijoi një gjendje stoku të rritur në barna të cilat rrezikojnë të skadojnë. Nuk kemi pasur asnjë mbështetje nga institucionet shëndetësore përgjegjëse”. Kështu u shpreh në një intervistë për gazetën “Fjala”, presidentja e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma, tregon problematikat që ka hasur sektori farmaceutik gjatë kësaj periudhe ku pothuajse u paralizua gjithçka.
Toma thekson që, ndonëse farmacitë kanë qenë hapur gjatë periudhës së fatkeqësisë, ato kanë pësuar një rënie të ndjeshme të xhiros. Sipas saj, shitjet janë përqendruar te maskat, dorezat apo dezinfektantët dhe jo te barnat. Presidentja e UFSH-së nënvizon se gjatë pandemisë ka munguar jo vetëm mbështetja nga institucionet Shëndetësore, por edhe dëgjesa e më pas bashkëpunimi për të stabilizuar problematikat e këtij sektori.
Periudha e pandemisë, ashtu si tek të gjitha bizneset, ka sjellë pasoja edhe te farmacitë. A mund të na thoni disa nga problematikat kryesore me të cilat po përballen farmacitë në vend?
Aktiviteti i farmacive të rrjetit të hapur në vetvete është ofrim i shërbimit shëndetësor farmaceutik, por duke qenë se ai nuk mbahet me buxhet shtetëror, ka të përfshirë brenda aktivitetit të tij edhe detyrimin për të krijuar të ardhura. Ky moment i jep trajtën e biznesit. Këto të ardhura krijohen nga lëvrimi i barnave, produkteve parafarmaceutike e farmaceutike dhe kozmetike, të cilat gjenden në këto subjekte.
Gjatë periudhës kur thuajse u paralizua gjithçka, subjektet farmaceutike vërtet qëndruan si aktivitete të hapura, por jo vetëm të reduktuara në kohë, por dhe në larminë e produkteve që lëvronin. Qytetarët u fokusuan në tërheqjen e maskave, dezinfektantëve, dorezave dhe shumë pak në grupin barna. Kjo gjë solli dy vështirësi pranë farmacive, të cilat që të dyja përkthehen në dëm financiar për subjektin farmaceutik.
Së pari, vështirësimi i të ardhurave që i duhen një subjekti farmaceutik për të ushtruar një aktivitet normal, ku përmend pagesën e tatim-taksave, pagesat e qirave, pagesat e rrogave të personelit, pagesa e ujit, dritave, faturat e furnizimeve etj. Së dyti, krijoi një gjendje stoku të rritur në barna, të cilat rrezikojnë të skadojnë, dhe që është jo vetëm kosto pa përfitim për farmacinë, por shoqërohet me një faturë shtesë, pasi dhe asgjësimi i tyre ka kosto. Aktualisht subjektet farmaceutike për këtë shqetësim janë të alarmuara.
Çfarë mund të thoni për barnat që janë duke skaduar, pasi duhet të ishin tregtuar gjatë kësaj periudhe. A do ketë një rimbursim?
Lidhur me pyetjen a do të ketë një rimbursim për dëmin e shkaktuar nga skadencat e barnave gjatë kësaj periudhe, të tërë farmacistët besoj do të kthenin një përgjigje ‘do të ishte shumë e bukur për të qenë e vërtetë’. Pse shprehem kështu? Rrjeti i hapur farmaceutik nuk ka ndier asnjëherë mbështetje, qoftë profesionale, qoftë financiare nga asnjë strukturë shtetërore, cilado qoftë ajo, apo cilado qoftë lëvizja politike që i ka përfaqësuar ato.
Asnjë qeveri nuk i ka rimbursuar dëmet financiare që në mënyrë të drejtpërdretjë u ka shkaktuar farmacive të rrjetit të hapur, me futjen e listës së barnave të rimbursueshme nga njëri vit në vitin tjetër, vlerë e cila mendoj se është më e vogël sesa dëmi që farmacive do t’ju shkaktojë kjo situatë. Ndaj, më duket e pabesueshme që shteti të rimbursojë skadencat e kësaj periudhe, në një kohë kur nuk ka rimbursuar asnjëherë dëmet financiare që ka shkaktuar në rrjetin e hapur, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me koshiencë.
A keni pasur mbështetje nga institucionet shëndetësore përgjegjëse?
Mjafton të kërkosh në mediat, qoftë vizive, të shkruara apo online, prononcimet apo kërkesat që ka bërë Urdhri i Farmacistëve, drejtuar institucioneve shtetërore lidhur me mbështetjen apo
kërkesën për bashkëpunim me këto institucione, për mbarëvajtjen e shërbimit farmaceutik dhe të sektorit farmaceutik në përgjithësi, del direkt në konkluzionin se ka munguar jo vetëm mbështetja, por në radhë të parë ka munguar dëgjesa e më pas bashkëpunimi për të stabilizuar problematikat e sektorit tonë, të cilat, për hir të së vërtetës, në situata fatkeqësish natyrore mund të evidentohen më qartë, por që realisht ekzistojnë çdo ditë.
Në pjesën më të madhe të kohës farmacitë kanë qenë të hapura. Sa të rrezikuar kanë qenë punonjësit?
Ky ka qenë një ndër shqetësimet më të mëdha gjatë kësaj periudhe. Si shqetësim iu përcoll dhe Ministrisë së Shëndetësisë nga ana e Urdhrit të Farmacistëve, pasi jo vetëm që ishte një rrezik real si për cdo qytetar, por ishte një risk i shtuar për vetë natyrën e punës së farmacistit. Në mënyrë që të garantonim një mbrojtje maksimale për farmacistët, të cilët janë ofruesit e shërbimit farmaceutik, UFSH-ja, veç monitorimeve të drejtpërdrejta që ka bërë në subjektet farmaceutike lidhur me mënyrën se si farmacistët po zbatonin rregullat e ruajtjes nga infektimi, ka shqipëruar dhe më pas shpërndarë në mënyrë të vazhdueshme informacione apo materiale të cilat na dërgoheshin nga FIP (Federata Ndërkombëtare Farmaceutike).
Si i komentoni tenderat e ilaçeve të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, të cilët janë denoncuar nga Partia Demokratike?
Mendoj se këtu nuk ka asgjë për të komentuar, shteti i së drejtës çdo shkelje kur denoncohet ia lë në kompetencë organeve përgjegjëse të drejtësisë.
Si janë siguruar medikamentet gjatë këtyre dy muajve që kufijtë kanë qenë të mbyllur?
Në të njëjtën formë siç e përcakton ligji, por kjo formë a ka siguruar furnizim të plotë e të vazhdueshëm të tregut? Jo. Mungesa e produkteve farmaceutike është një ndër problemet që ka shoqëruar ndër vite rrjetin e hapur farmaceutik e që në mënyrë të drejtpërdrejtë dëmton shërbimin farmaceutik dhe pasojat i vuan pacienti që është përfituesi i këtij shërbimi.
Janë këto mungesa të cilat ushqejnë dhe zhvillojnë fenomenin e ‘kontrabandës’ së barnave, por që unë, si pjesë e bluzave të bardha, ‘kontrabandën’ e shoh thjesht dhe vetëm në aspektin financiar të lëvrimit të barit apo të mënyrës së futjes së tij, pasi në vetvete plotësimi i kërkesës për barnat të cilat mungojnë në tregun shqiptar, por që gjenden dhe në tregun më të afërt farmaceutik me Shqipërinë, është thjesht dhe vetëm plotësimi i një të drejte që ka çdo qytetar, atë të mundësimit të mjekimit.
A ka pasur kontroll të medikamenteve të cilat janë futur në vend gjatë pandemisë?
Institucioni që unë drejtoj (UFSH) në kompetencë të tij ka kontrollin e shërbimit farmaceutik, kontroll i cili pohoj se është ushtruar edhe gjatë periudhës së pandemisë. Kontrolli i barnave
është kompetencë e një institucioni tjetër, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
Me hyrjen e koronavirusit në Shqipëri ajo çfarë u vu re ishte një rritje e menjëhershme e çmimit të maskave dhe dezinfektantëve. Pse ndodhi diçka e tillë?
Mendoj se kjo pyetje është e ezauruar tashmë, është shpjeguar shkaku dhe pasoja, por ajo që më ka mbetur pa u sqaruar për këtë situatë dhe që pres të sqarohet lidhet me faktin se a u vërtetua nga prokuroria problemi për të cilin u denoncuan farmacistë dhe që ka lidhje me çmimin e maskave dhe dezinfektantëve?
Nëse po, cilët ishin fajtorët?! Farmacistët?! Kjo akuzë e bërë ka lënë një shije të hidhur tek të gjithë farmacistët, të cilët ofruan kujdes farmaceutik pa kursim gjatë periudhës së pandemisë, e që ndonëse ishte evidente nevoja e pazëvendësueshme për këtë lloj shërbimi, po aq evidente ishte neveria dhe përbuzja për këtë shërbim, jo nga qytetarët, por nga institucionet përgjegjëse.
Karantinimi gjatë pandemisë COVID-19, ja si ka ndikuar izolimi në imunitetin tonë
Pandemia COVID-19 izoloi një pjesë të madhe të popullsisë së botës, që u karantinua për rreth dy muaj nëpër banesa për të parandaluar përhapjen e virusit. Sipas BBC-së, karantinimi i uli shanset që ne të ekspozohemi ndaj koronavirusit, por mund të ketë dobësuar sistemin tonë imunitar, duke na bërë më të ndjeshëm ndaj infeksioneve të tjera.
Prej vitesh trupat tanë kanë evoluar duke u përshtatur edhe me rrezet e diellit. Një nga shembujt më të qartë të kësaj është prodhimi i vitaminës D në lëkurën tone, në përgjigje të ekspozimit ndaj rrezatimit ultravjollcë. Këto doza ditore të vitaminës D ndihmojnë në forcimin e eshtrave dhe dhëmbëve, por ato gjithashtu kanë një efekt në qelizat tona imune.
Më të rrezikuar njerëzit me nivele të ulëta të vitaminës D
Vitamina D gjithashtu stimulon aktivitetin e qelizave të tjera imune, siç janë qelizat B dhe T, të cilat janë përgjegjëse për përgjigjen afatgjatë. Sipas BBC-së, njerëzit me nivele të ulëta të vitaminës D, janë më të rrezikuar nga infeksionet e traktit respirator viral, siç është gripi. Shkencëtarët tani po studiojnë nëse shtojcat e vitaminës D mund të zvogëlojnë rrezikun e disa komplikimeve të rënda të shoqëruara me COVID-19.
Në fillim të majit, Rose Kenny, një gerontolog në Trinity College Dublin, publikoi të dhëna me kolegë që tregojnë se popullsia evropiane me nivelet më të larta të vdekshmërisë nga COVID-19, siç janë Spanja dhe Italia, ka nivelet më të ulëta të vitaminës D. Kjo mund të tingëllojë e habitshme, duke pasur parasysh klimën me diell në këto vende, por njerëzit me lëkurë më të errët kanë nevojë për më shumë diell, për të krijuar të njëjtën sasi të vitaminës D si njerëzit me lëkurë më të zbardhur.
Si të ulim stresin
“Ne e dimë që njerëzit përdorin ushtrime për të lehtësuar stresin dhe është e qartë se nivelet e larta të stresit kronik nuk janë të mira për sistemin tonë imunitar. Pra, nëse ne mund të zvogëlojmë nivelin e stresit me aktivitet, atëherë ai do të ketë një efekt pozitiv në shëndet”, tha Neil Walsh, i cili merret me ndikimin e ushtrimeve në sistemin imunitar në Universitetin John Moores në Liverpool.
Studime të shumta kanë zbuluar që të shkosh në natyrë, madje edhe në një park të qytetit, zvogëlon rrahjet e zemrës dhe presionin dhe normalizon sekretimin e kortizolit të hormonit të stresit. Në planin afatgjatë, të jetuarit afër natyrës shoqërohet me një rrezik të zvogëluar të sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit tip 2 dhe vdekjes së parakohshme.
Përveç niveleve të larta të aktivitetit fizik dhe vitaminës D, teori të ndryshme janë përpjekur të shpjegojnë këto gjetje. Një teori është se të qenët jashtë mund të ndihmojë në luftimin e stresit dhe vetmisë, duke na sjellë në kontakt me njerëzit e tjerë. Gjithashtu, është e mundur që pemët të ndikojnë drejtpërdrejt në sistemin tonë imunitar, vazhdon BBC-ja. Disa studime kanë treguar që qëndrimi i disa ditëve në pyll rezulton në një rritje të numrit dhe aktivitetit të qelizave imune që ndihmojnë në zbulimin dhe shkatërrimin e viruseve dhe qelizave kancerogjene në gjakun tonë.
Ju duhet të dilni të paktën një herë në ditë
Qëndrimi jashtë mund të përmirësojë gjithashtu cilësinë e gjumit tonë. Koha që kemi kaluar në shtëpi, për shkak të karantinës, mund të prishë ciklet tona ditore biologjike, procese të shumta biologjike e madje edhe gjumin. Ekspozimi ndaj dritës së fortë gjatë mëngjesit gjithashtu ka një efekt pozitiv në gjendjen shpirtërore të njerëzve dhe mund të ndihmojë në mbrojtjen nga depresioni. Pra, duhet të përpiqemi të dalim të paktën një herë në ditë, duke mbajtur një distancë sociale. Drita e diellit dhe natyra janë shërues të fuqishëm.
Pëllumb Pipero: Ja përfitimet që sjell hapja, dielli lufton COVID-19
Situata e koronavirusit në vend ka shkaktuar izolim për parandalimin e përhapjes së virusit, por mjeku i njohur Pëllumb Pipero i këshillon qytetarët se dielli dhe ajri rrisin imunitetin dhe ndihmojnë që të mos sëmuremi nga COVID-19. Nëpërmjet një postimi në facebook, Pipero inkurajon hapjen dhe pushimet për ta kaluar më lehtë sëmundjen.
“Dhjetëra herë kam theksuar se dielli dhe ajri ndihmojnë shumë të mos sëmuremi nga COVID-19, pasi rrisin imunitetin, madje edhe nëse infektohemi, e kalojmë shumë lehtë sëmundjen! Kam theksuar dhjetëra herë se virusi nuk trasmetohet përmes ujit, ndaj deti dhe rëra janë të këshilluara, pushimet dhe turizmi të inkurajuara.
Por nuk rekomandoj “sfidën”, përkundrazi kujdesin!”, shkruan Pipero. Më tej mjeku thekson se virusi është ende në qarkullim, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm, por jo të izoluar. “Virusi ende qarkullon, beteja ende vazhdon! Dhjetëra herë kam theksuar se virusi nuk qëndron në ajër në mjediset e hapura, ndaj kam inkurajuar dhe shpjeguar profesionalisht pse duhet të jemi të vendosur për hapjen, e cila deri tani duhej të ishte graduale.
Këtej e tutje vetëm e kujdeseshme!”, thekson Pipero. Mjeku shprehet se hapja do të sjellë jo vetëm përfitime ekonomike, por, mbi të gjitha, psikologjike dhe shëndetësore.
9 raste të reja me koronavirus në Shqipëri, qytetet më të prekura Tirana dhe Durrësi
Situata epidemiologjike në Shqipëri vijon të jetë e qëndrueshme. Në 24 orët e fundit janë evidentuar 9 raste të reja me koronavirus në vend, duke e çuar numrin e personave të prekur në 989. Aktualisht në Shqipëri janë ende 10 qytete me raste aktive të koronavirusit, ku Tirana dhe Durrësi mbeten zonat me numrin më të lartë të të infektuarve. Mësohet se gjatë ditës së djeshme janë konfirmuar 5 raste të reja në Tiranë, 3 në Durrës dhe 1 në Shkodër. Sipas specialistes së Institutit të Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi, bëhet me dije se deri më tani rreth 79% e të infektuarve janë të shëruar, ndërsa kanë humbur betejën me këtë virus 32 qytetarë.
Viktima e fundit u raportua dy net më parë, kur pas më shumë se 3 javësh pa humbje jete nga COVID-19, humbi betejën 64-vjeçarja. Rasti i fundit i vdekjes së një personi të prekur nga koronavirusi ishte regjistruar më 29 prill. Bëhet me dije se nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14 mijë testime molekulare dhe serologjike. Në vendin tonë aktualisht janë 177 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër. Në spitalin Infektiv të Tiranës numri i pacientëve mbetet në nivele të ulëta, vetëm 15 të shtruar, nga të cilët 4 janë në terapi intensive.
Ndërkohë ditën e djeshme, nëpërmjet një postimi në facebook, mjeku i njohur Tritan Kalo, ka dhënë një tjetër mesazh për koronavirusin, ku thekson se vijimësia e COVID-19 është e sigurt. Kalo shkruan se mjekët janë në spital çdo çast, për t’u përballur dhe për t’ia dalë me sukses në sfidën ndaj Sars-Cov2/Covid-19. “Së bashku me dr. Najada Çomon, tashmë jo në pozicionin e studentes, por në pozicionin e shefes së Shërbimit të Sëmundjeve Infektive në QSUT/Covid-1, jemi aty çdo çast, për t’u përballur dhe për t’ia dalë me sukses në sfidën ndaj Sars-Cov2/Covid-19. Kurdoherë ecuria e mbarë e një sektori të shëndetësisë publike varet shumë nga sigurimi i vijimësisë së punës nga një brez në tjetrin”, shkruan Kalo.