Kreu i opozitës ka vizituar bizneset e vogla: Në çdo cep të Shqipërisë po mbyllen, paketat ekonomike të qeverisë për epideminë ishin gënjeshtra
Slogani i famshëm i fushatës së Bill Klintonit më 1992 “është ekonomia, o budalla” duket se po frymëzon kreun e opozitës shqiptare, Lulzim Basha, duke shfrytëzuar situatën post-covid, kur ekonomia ka pësuar goditje, për të krijuar besimin te populli. Shprehja që frymëzoi më pas shumë fushata elektorale, synon të përcjellë tek elektorati idenë se vetëm ekonomia ka rëndësi, kur duhet të zgjedhësh mes alternativave politike.
Kështu, Basha ka sjellë për publikun një tablo të zymtë të njërit prej sektorëve më të rëndësishëm të punësimit në vendin tonë, atij të bizneseve të vogla. Ky sektor, i cili llogarit, sipas INSTAT-it, 176 mijë persona të vetëpunësuar, apo të punësuar me pagë, është një nga sektorët më të goditur nga epidemia e koronavirusit dhe karantina e gjatë gati dymujore.
Përfaqësues të këtij biznesi thonë se ka rënë xhiroja dhe po falimentojnë, ndërsa ankohen se nuk kanë përfituar ndihmë nga qeveria. Ankesat e disa prej qytetarëve që ushtrojnë aktivitetin tregtar si biznes i vogël, për për të jetuar, i janë drejtuar kreut të opozitës, Lulzim Basha, gjatë një vizite që ky i fundit bëri në disa biznese gjatë ditës së djeshme.
Basha fajëson qeverinë
Pasi dëgjoi ankesat e pronarëve, kreu i PD-së tha se bizneset po mbyllen në çdo cep të Shqipërisë, pasi nuk ka xhiro, konsum dhe para. Ai fajësoi direkt qeverinë si shkaktare, pasi, sipas tij, edhe paketat ekonomike gjatë pandemisë ishin vetëm gënjeshtra.
“Gjendja e bizneseve bëhet çdo ditë e më keq.Nuk ka xhiro, nuk ka konsum, nuk ka para, sepse kjo qeveri nuk i ka në llogari ata që punojnë me ndershmëri. “Po falimentojmë”, është ajo që dëgjova më shpesh nga pronarët e bizneseve të vogla në njësinë 3, në kryeqytet”- shkroi ai në facebook pas takimeve me ta.
Sipas Bashës, situata është njësoj keq kudo, si në Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë e Korçë. Ai bëri një tablo të zymtë të asaj që pritet të ndodhë me kalimin e epidemisë që, sipas ekspertëve, do të godasë ekonominë. “Në çdo cep të Shqipërisë bizneset po mbyllen, papunësia po rritet dhe numri i familjeve në varfëri është shtuar.
Biznesi dhe ekonomia nuk mbahen dot në këmbë as me urdhrat e facebook-ut të Edi Ramës, as me gënjeshtrat e tij. Paketa e parë ishte një gënjeshtër. Një ndihmë qesharake, që nuk mbulon as taksat apo tarifat e rritura lokale, as faturat e larta aforfe të energjisë dhe të ujit.
Paketa e dytë ishte gjithashtu një gënjeshtër, më pak se rroga minimale për 2 muaj e gjysmë mbyllje të detyruar të biznesit dhe bashkë me të, humbje e vendit të punës”, – theksoi Basha në reagimin e tij.
Ankesat që vijnë nga bizneset
Ankesat e pronarëve të bizneseve të vogla që takoi kreu i opozitës ishin të ndryshme, por të gjitha shprehnin frikën për falimentim. Disa prej tyre shpreheshin se pagesa e dhënë nga qeveria ishte e pamjaftueshme për të mbyllur shpenzimet e muajit.
“Mora një mbështetje, e cila nuk më del as për qiranë, 260 mijë lekëshin. Kisha punëtoren, u detyrova ta heq, sepse nuk e përballoj dot. Tani jam vetëm unë, nga mëngjesi deri në darkë. Do të shikoni vetë gjithë rrugës se sa e trishtë është situata, kanë mbyllur qepenin”, – tha pronarja e një dyqani veshjesh.
Një tjetër e vetëpunësuar në biznesin e saj tha se “hyrja në dyqan zero. Ndërsa ishim në pandemi sigurimet shoqërore na i kërkonin. Taksat e bashkisë një më një. Xhiro zero. Nuk hyn njeri. Prishi rregullat e biznesit. Jemi drejt falimentimit. Do të mbyllen. Sa do të rezistojmë? Një muaj, dy muaj, po pastaj”. Por disa prej tyre thanë se nuk kanë përfituar as “pagën e luftës”. “Jemi keq. Shumë keq, shumë shumë keq.
S’kemi marrë as pagë lufte. Kam paguar të gjitha taksat, siguracionet, të gjitha. Çfarë mund të bëj me një kioskë kaq të vogël që e kaluan me TVSH?! Nuk kam marrë asnjë mbështetje. Xhiroja është shumë e ulët, 60 -70% ulje.”- tha pronari i një dyqani të vogël. Ata që ushtrojnë zanate si këpucar ose berber dhe që u detyruan të qëndronin mbyllur për 2 muaj thanë se mezi po e mbajnë hapur biznesin.
“E kam dyqanin me qira, 200 mijë lekë. Shpenzimet e muajit më shkojnë 300 e ca mijë lekë, bashkë me dritat, taksat, që vijnë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Për tre muaj mora vetëm 400 mijë lekë nga qeveria.
Kam 40 vjet në këtë profesion, por ka ardhur kohë shumë e keqe. Njerëzit nuk kanë më fuqi.“ – tha një këpucar. Disa prej tyre janë ankuar edhe për mbylljen gjatë fundjavës, duke argumnetuar se nuk është e drejtë, pasi njerëzit që kanë një punë, dalin për të blerë të shtunën e të dielën.
“Atëherë kur kemi më shumë punë, në fundjavë, del korona dhe duhet të futemi brenda. Pretendohet që gjatë fundjavës njerëzit shpenzojnë diçka, atëherë nuk na lejojnë.”- u shpreh pronarja e një biznesi lulesh.
Kreu i PD-së u tha bizneseve të vogla se i kuptonte në çfarë situate të vështirë ndodhedhin dhe kërkoi nga qeveria që të mbështesë biznesin, sepse, sipas tij, “po nuk mbështetëm biznesin, do të shkatërrojmë ekonominë, do të shkatërrojmë gjithçka”.
Basha u tha atyre që takoi se opozita i kishte kërkuar qeverisë të shpërndante më shumë lekë për qytetarët gjatë epidemisë, në mënyrë që të mos binte konsumi, dhe u premtoi atyre se gjërat do të ndryshojnë dhe PD-ja nuk do t’i lërë në mëshirë të fatit.
Artistët tur nëpër rrethe, mbledhin firma për të ringritur teatrin
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk heq dorë nga protesta. Artistë e qytetarë të këtij grupimi që rezistuan për më shumë se 2 vite duke mbrojtur godinën e Teatrit Kombëtar deri natën e 17 majit, kur u shemb nga fadromat e bashkisë, kanë nisur të kërkojnë mbështetje për kauzën e tyre në të gjithë Shqipërinë.
Ata kanë nisur një tur nëpër rrethe, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve anembanë vendit, për ta ndërtuar Teatrin Kombëtar siç ishte dhe në vendin ku ishte. Në çdo qytet po kërkojnë firmat e qytetarëve në peticionin që është hartuar për këtë qëllim.
Turi u ndal dje në qytetin e Kukësit, ku qytetarë të shumtë e nënshkruan peticionin në qendër të qytetit. Më parë AMT-ja ka mbledhur firma në qytetin e Shkodrës dhe atë të Durrësit, ku artiastë dhe aktivistë të rretheve janë solidarizuar me kauzën e saj.
Regjisori i njohur, Robert Budina, deklaroi nga qyteti në verilindje të vendit se nga nesër do të ketë surpriza në denoncimet që do të bëhen, ndërsa pohoi se kjo çështje e tejkalon Teatrin tashmë, pasi bëhet fjalë për demokracinë.
“Nga nesër do të kemi surpriza me të gjitha denoncimet që do të bëjmë, së bashku do t’i ndjekim një nga një. Po punojmë në të gjitha frontet për t’u bërë të qartë shqiptarëve se në çfarë situate të frikshme ndodhen sot. Ndodhemi mbi palët politike dhe duam të bashkojmë njerëzit rreth kësaj aleance të madhe artistësh e qytetarësh, që realisht nëse ngrihemi të gjithë dhe ngrejmë në këmbë institucionin e protestës, nesër çdo lloj pushteti që vjen do t’i kërkojmë llogari”. – tha Budina.
Regjisori Budina deklaroi që pasi të përfundojë turi për mbledhjen e të gjitha firmave të peticionit, “Aleanca për Teatrin” do të organizojë një marshim gjigant në Tiranë. Budina tha se marshimi gjigant do të jetë për t’i treguar Ramës dhe Evropës që Shqipëria futet në BE me kulturë.
Po ashtu, ai kërkoi mbështetje nga qytetarët që të krijohet institucioni i rezistencës. Duhet protestuar çdo ditë në shesh. “Sepse do të ngjallë besimin e të rinjve. Kemi 2 vjet e 3 muaj që protestojmë. Demokracia fitohet në shesh. Nuk është politika për të fituar pushtet, por për të fituar të drejtën.
Mos e shihni si luftë për pushtet çdo post drejtues, por duhet të kërkoni llogari. Jam i bindur që kultura flet”, shtoi Budina. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit realizoi disa protesta në Tiranë para se ta ndërmarrë këtë tur për të kërkuar mbështetje në qytetet e tjera./l.m/Fjala.al