Më 26 maj 1996 shpërtheu masivisht virusi i pushtetit me çdo kusht dhe pandemia e përgjithshme për pushtet me çdo kusht.
Nga Leonard Veizi
Thotë se sa herë afrohet 26 maji nisin e i dhembin kryqet. Edhe sot, pas 24 vjetësh, asgjë nuk është harruar. Dhe nuk mund të harrohet kurrsesi, përderisa mbi trup ka mbajtur shkopat e rëndë të gomës, “dhuratë” e forcave speciale të policisë, që nuk kursyen as ish-deputetët e Kuvendit, me një imunitet ‘të munguar’, pasi e kishin mbaruar mandatin. Gaqo Apostoli, politikan karriere dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë në disa legjislatura, aktiv në ngjarjen e 26 majit ‘96 e dëshmitar i saj, në një intervistë për gazetën “Fjala” tregon:
Si e kujtoni periudhën parazgjedhore të vitit 1996?
Situata parazgjedhore në prag të zgjedhjeve të vitit 1996 ishte tejet e tensionuar. Lidershipi i PD-së e ndiente humbjen, sidomos pas dy testimeve të rëndësishme elektorale, pas zgjedhjeve vendore të 31 korrikut 1992, ku pati pasi thuajse një baraspeshë ndërmjet dy kaheve politike dhe PD-ja pati rënie të madhe krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 22 marsit 1992, ku fitorja e saj ishte e dukshme. Nga ana tjetër, dështimi i plotë i lidershipit të PD-së në referendumin për Kushtetutën, më 6 nëntor 1994, tregoi qartë se ishte thuajse e pamundur që PD-ja të mund të përsëriste fitoren e saj. Për më tepër nga PD-ja kishte një shkëputje të rëndësishme, Partia Aleanca Demokratike dhe pas referendumit agresiv të PD-së mbi Kushtetutën, edhe PSD-ja kishte dalë nga koalicioni me të.
Nga analiza e mësipërme rezultonte qartë që PD-ja do t’i humbiste zgjedhjet dhe, duke mos e përballuar me ndershmëri sfidën, “Virusi i Pushtetit Me Çdo Kusht/Virusi PMÇK” stimuloi manipulimin elektoral i cili pastaj u transformua në dhunim masiv të procesit. Për këtë, në zgjedhjet e 26 majit 1996, PD-ja ndryshoi tërësisht sistemin elektoral. Duke përcaktuar një “tavan të palëvizshëm” të numrit prej 155 vendesh në Parlament, Shqipëria u nda në 115 zona elektorale, të cilat, për të krijuar terrenin e favorshëm elektoral ku do të vepronin mekanizmat e ndërtuar që do të realizonin manipulimin e zgjedhjeve, u krijuan në trajtën “salamandër”, me futje dhe dalje artificiale të njësive vendore të tyre nga një rreth tek tjetri. Në këto zgjedhje çdo votues do të përdorte dy fletë votimi, ku njëra votë ishte për kandidatin që konkurronte drejtpërdrejt për deputet në një nga 115 zonat elektorale njëemërore (pjesa mazhoritare e sistemit) dhe vota tjetër ishte për listën e përfaqësimit proporcional të partisë, ose, siç njihet ndryshe, lista shumemërore e partisë, që shërbente për ndarjen e 40 mandateve shtesë (pjesa proporcionale e sistemit). Ky ishte një sistem i përzier mazhoritar – proporcional, ose siç njihet ndryshe edhe me emrin sistem paralel, që bën pjesë në familjen e sistemeve gjysmëproporcionale, ku termi “gjysmë” është thjesht konvencional. Në bazë të kësaj formule, numrit të deputetëve që çdo parti fitonte direkt në zonën zgjedhore, u shtohej në çdo rast edhe numri i mandateve që ajo fitonte nga numri shtesë prej 40 vendesh, sipas përqindjes elektorale që fitonte partia në shkallë kombëtare, kur kalonte pragun elektoral prej 4 për qind.
Ky sistem elektoral që merrte trajtë thuajse tërësisht mazhoritare, u sajua për të favorizuar dukshëm krijimin e mazhorancës qeverisëse të një partie të vetme, me pasojë jo vetëm zhdukjen e partive të vogla, por edhe bllokimin e zhvillimit të mëtejshëm të pluralizmit në vend. Opozita e kontestoi ndryshimin tërësor të ligjit elektoral dhe sistemin zgjedhor diabolik që u vendos nga mazhoranca me forcën e kartonave dhe kjo e tensionoi situatën. Nga ana tjetër, pavarësisht makinacioneve elektorale që favorizonin PD-në në zgjedhje, për t’i fituar zgjedhjet duhej të fitoheshin votat nga populli. Por kjo qartësisht ndihej dhe dukej që në mazhorancë ishin forcat opozitare, ndaj për këtë pushteti ekzistues filloi ushtrimin sistematik të një dhune masive të programuar, që u shtri deri në qendrat e votimit, ku komisionerët u përndoqën rrugëve dhe arave nga SHIK-u,u arrestuan dhe u rrahën nëpër komisariatet e policisë.
Sa të manipuluara ishin këto zgjedhje?
Zgjedhjet e 26 majit 1996 u manipuluan dhe u dhunuan plotësisht nga shteti policor i PD-së, e cila grabiti mbi 80 për qind të vendeve në Parlament.
Çfarë e bëri Partinë Socialiste dhe aleatët të tërhiqnin komisionerët nga qendrat e votimit?
Që në mëngjesin e ditës së zgjedhjeve, më 26 maj 1996, nga forcat e policisë e të SHIK-ut si edhe njerëz të paidentifikuar dhe të armatosur filluan gradualisht pengesa e provokime ndaj votuesve e komisionerëve, deri në ushtrimin sistematik të një dhune gjithnjë e më masive, të programuar që u shtri deri edhe në komisionerë ndërkombëtarë, në qendrat e votimit, ku komisionerët e opozitës u kërcënuan dhe u përndoqën rrugëve dhe arave nga SHIK-u, u arrestuan dhe u rrahën nëpër komisariatet e policisë. Në shtabet politike elektorale të opozitës vinte vazhdimisht informacion mbi dhunën e ushtruar dhe në një moment final, ku situata nuk mbante më, u dha urdhri për tërheqje nga të gjitha qendrat e votimit, kur “u shua tërë uria” për të grabitur votat dhe tërë pushtetin.
Si nisi përplasja mes deputetëve opozitarë dhe policisë më 28 maj 1996?
Sipas planit të koordinuar nga opozita, u vendos që PS-ja dhe simpatizantët e saj do të dislokoheshin në selinë e PS-së, ndërsa aleatët e saj do të përqendroheshin te hotel “Tirana International”. Pushteti i PD-së nuk e kishte lejuar opozitën ta mbante mitingun e saj në sheshin “Skënderbej”, me qëllim që të mos mundësohej transmetimi i një mitingu të madh të saj dhe të mos sensibilizohej në nivel të lartë opinioni ndërkombëtar. Për ta ndaluar mitingun e opozitës, policia me forca të panumërta rrethoi selinë e PS-së dhe në momentin kur Servet Pëllumbi me militantët e PS-së shpërtheu kordonët e policisë erdhi lajmi te ne që të nisnim lëvizjen drejt tribunës natyrale të Teatrit të Operas dhe Baletit/ Pallati i Kulturës. Te ne pati një hezitim momental, por unë në çast u ngrita dhe u nisa. Në mes të një shiu të imët u ngjita i vetmuar në bordurat e Pallatit të Kulturës dhe ngrita krahët me gishtat e fitores në të dy duart. Shikoja se si Servet Pëllumbi dhe pjesë të turmës së PS-së avanconin çdo metër drejt Pallatit të Kulturës. Për një moment pranë meje erdhën disa gazetarë, ndërmjet tyre edhe Aleksanër Furxhi i BBC-së, i cili më intervistoi dhe në përgjigjen time i thashë se në sheshin ku ra statuja e diktatorit u ndërtua nga PD-ja dhe lideri i saj një diktaurë e re. Pas pak u turrën policët që dëbuan gazetarët dhe tentuan t’u marrin magnetofonët. Dhe pastaj, teksa shihja poshtë këmbëve të mia Servet Pëllumbin tek goditej nga policia, ndjeva goditjen e policëve që u turrën me shkopinj mbi kurriz dhe duke më shkulur flokët. Pas pak u rrethova nga një grup i madh me gra që më mbrojtën dhe shpëtova prej tyre, duke tentuar të futesha në hotel “Tirana”. Kur po futesha, një grup shikasish më tërhoqën fort drejt tyre, por drejtori i hotelit, miku im, Kostandin Shkurti, me një fuqi dhe përpjekje titanike më shpëtoi prej tyre. Ndërkohë jashtë kishte shpërthyer dhe një masë e madhe njerëzish dhe drejtuesish të tjerë të partive që protestonin po përplaseshin me policinë.
Pse Berisha nuk pranoi të bënte zgjedhje në 40 njësitë që u kontestuan dhe u rekomanduan?
Sigurisht që kishte frikë nga një sfidë e tillë, e cila do të pasqyronte qartë gjëmën e madhe që ndodhi në zgjedhjet e 26 majit 1996.
Cilat janë ndjesitë që përjetoni sot për ato ngjarje?
Është një nga momentet më të vështira të 5 vjetëve të para të jetës sime politike, ku përgjithësisht, zanafilla e pluralizmit dhe demokracisë, politika dhe shoqëria shqiptare që aspironte një zhvillim të shpejtë drejt integrimit euroatlantik, u dhunuan dukshëm në zgjedhjet parlamentare të 26 majit 1996, dhe devijimi katastrofik, si rrjedhojë e kësaj dhune, synonte ta çonte Shqipërinë drejt një humbëtire të re diktatoriale. Pavarësisht nga korrigjimi elektoral që u bë një vit më vonë, pas zgjedhjeve parlamentare të 29 qershorit 1997, deformimi mbetës politik, ligjor, parlamentar dhe shoqëror në koshiencën dhe praktikën e përgjithshme të të gjithë aktorëve dhe institucioneve të mësipërme, evidentohet qartë sërish, se edhe pas 24 vjetëve, duke u shfaqur si “një virus i injektuar” në trupin e një politike të sëmurë për të fituar e grabitur pushtet me çdo kusht, ku Parlamenti, si institucioni më i rëndësishëm i politikës dhe i një shoqërie që aspiron demokraci dhe zhvillim, përbën “një produkt të degjeneruar gjenetikisht”.
Gjatë tërë kësaj periudhe 24-vjeçare Shqipëria vërtitet si somnambul në rrethin vicioz të krizave politike, elektorale dhe parlamentare, duke prodhuar mazhoranca të mëdha, apo të stërmëdha qeverisëse, si rrjedhojë e parlamenteve të tilla, të prodhuara në një “pandemi Virusit të Pushtetit Me Çdo Kusht/Virusi PMÇK”, të cilat kanë gjeneruar vetëm kriza pa fund. Kjo situatë duhet të ndryshojë totalisht, duke hequr dorë menjëherë dhe tërësisht nga uria politike për një Pushtet
Me Çdo Kusht/Virusi PMÇK”.