Për shqiptarët vjen një lajm i mirë, punë sezonale në vendin fqinj. Ndërmjetësi ndërkulturor në Ministrinë e Emigracionit në Greqi, Fatos Malaj, në një intervistë për gazetën “Fjala” jep detajet mbi aplikimin që duhet bërë dhe pagesën 116 euro për të siguruar punë. Qeveria greke publikon aktin normativ për njohjen e patentave shqiptare, ja si do të bëhet konvertimi.
Nga Ina Allkanjari
Greqia dhe Shqipëria kanë arritur një marrëveshje për punësimin sezonal të shtetasve shqiptarë në sektorin e bujqësisë në Greqi. Në një intervistë për gazetën “Fjala”, ndërmjetësi ndërkulturor në Ministrinë e Emigracionit në Greqi, Fatos Malaj, na shpjegon detajet e aplikimit dhe dokumentacionit që duhet të zotërojnë personat e interesuar. Ai thekson se aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri në datën 30 shtator, përkundrejt një kostoje prej 116 eurosh.
I pyetur rreth gjobave të marra së fundmi nga shtetasit shqiptarë, pasi thyen afatin 90-ditor të qëndrimit në Greqi, për shkak të situatës së krijuar prej koronavirusit, Malaj shprehet se pala shqiptare duhej ta merrte më seriozisht këtë temë, për të mos u ndodhur para një fakti të kryer, por të arrihej një marrëveshje dypalëshe paraprakisht.
Së fundmi, qeveria greke ka miratuar aktin normativ i cili njeh patentat shqiptare në shtetin fqinj. Në vendimin e publikuar në fletoren zyrtare në Greqi, përcaktohen procedurat që personat e interesuar duhet të ndjekin për të realizuar konvertimin e patentës. Malaj na shpjegon detajet se si mund të realizohet ky konvertim, dhe çfarë dokumentacioni duhet të zotërojmë.
Greqia dhe Shqipëria kanë arritur një marrëveshje për punësimin sezonal të shtetasve shqiptarë, çfarë dokumentacioni duhet të zotërojnë?
Marrëveshja e arritur ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë ka të bëjë me punësimin sezonal të shtetasve shqiptarë në sektorin e bujqësisë në Greqi. Këta emigrantë përfitojnë leje gjashtëmujore dhe pas gjashtë muajsh duhet të largohen, për të mos u penalizuar me deportim nga pala greke.
Marrëveshja parashikon punësimin sezonal me procedura të përshpejtuara të 7-10000 shtetasve shqiptarë, të cilët do të punësohen me të drejta të plota në Greqi. Dokumentacioni i kërkuar është: Pasaporta; Vërtetimi i pagimit të taksës prej 100 eurosh plus 16 euro për shenjat biometrike; Kontrata e punës, e lëshuar nga punëdhënësi; Deklaratë e punëdhënësit ku të deklarojë që do ta punësojë të interesuarin më tepër se 20 ditë, si dhe deklaratë nga i punësuari ku të deklarojë se do ta lërë Greqinë me përfundimin e lejes së qëndrimit.
Deri në ç’datë është afati i aplikimit dhe çfarë kostoje ka?
Aplikimet janë të hapura deri në datën 30 shtator, ndërsa kostoja është 116 euro. Ndërkohë në momentin që i punësuari mbërrin në Greqi, është i detyruar të vetëkarantinohet për 14 ditë në banesë.
Së fundmi është publikuar në fletoren zyrtare në Greqi akti normativ për njohjen e patentave shqiptare nga shteti fqinj. Si do të realizohet konvertimi?
Më konkretisht, akti normativ përcakton se si do të bëhet konvertimi i një patente të lëshuar nga autoritetet në Republikën e Shqipërisë, me një patentë të së njëjtës kategori, të lëshuar nga Greqia. Leja e vlefshme e drejtimit e lëshuar nga Republika e Shqipërisë vlen në territorin grek deri në përfundimin e qëndrimit të ligjshëm të mbajtësit (të lejes) në Greqi. Mbajtësi i lejes së vlefshme të drejtimit që është lëshuar nga Republika e Shqipërisë, përderisa banon në Greqi, ka mundësi, me qëllim që të drejtojë mjetin në territorin grek, të kërkojë konvertimin e kësaj lejeje me një leje greke, pa kaluar provimet teorike dhe testin e aftësive dhe të sjelljes.
Çfarë dokumentacioni duhet të paraqesin personat e interesuar?
Për konvertimin, i interesuari paraqet në drejtorinë e transporteve të vendbanimit fillimisht një kërkesë-deklaratë përgjegjësie, ku deklaron: të dhënat e plota të adresës së banimit, numrin e niptit fiskal (AFM). Gjithashtu, në këtë kërkesë duhet të deklarojë se leja e drejtimit e lëshuar nga Republika e Shqipërisë është e vlefshme; se në datën e lëshimit të patentës banonte në Shqipëri; se nuk posedon leje drejtimi greke apo të një vendi tjetër anëtar të BE-së apo vendi të tretë dhe nuk i është hequr (leja e drejtimit) nga çfarëdo autoriteti, se dëshiron shkrimin e grupit të gjakut në formularin e lejes së drejtimit dhe jep konsensusin që ajo të mbahet në arkivin e lejeve të drejtimit të Ministrisë së Transporteve.
Për sa i përket dokumentacionit, personi i interesuar duhet të zotërojë fotokopje të letërnjoftimit ose të pasaportës së vlefshme apo të librit personal të shëndetit; Fotokopje të lejes së drejtimit të vlefshme, të lëshuar nga Republika e Shqipërisë, duke treguar edhe lejen e drejtimit origjinale; Të paktën dy vërtetime të ekspertizës mjekësore, si dhe fotokopje të faturave të pagesës së mjekëve.
Këto vërtetime pranohen nga shërbimi kompetent, përderisa dorëzohen brenda gjashtë muajve që nga lëshimi i tyre; Kërkesë për printimin e lejes greke të drejtimit; Të paktën 3 fotografi të kohëve të fundit, me format pasaporte, një prej të cilave dorëzohet në drejtorinë e transporteve dhe dy të tjerat te mjekët që e vizitojnë; Fatura e pagesës së shumës së caktuar për nxjerrjen fillestare të lejes së drejtimit të mjetit; Fatura e pagesës së taksës së pullës dhe kontributit në favor të TSA, sipas kategorisë së lejes së drejtimit; Fatura e pagesës së taksës për printimin e lejes së drejtimit të mjetit.
Si procedohet më tej?
Drejtoria e transporteve, pasi kontrollon dokumentet dhe konstaton se përmbushen kushtet ligjore, i jep të interesuarit një lejedrejtimi greke të mjetit, në varësi të kategorisë dhe sipas tabelave teknike të konvertimit, që janë dakordësuar ndërmjet Republikës së Greqisë dhe Republikës së Shqipërisë. Në lejen greke të drejtimit shkruhen kodet e domosdoshme që parashikon ligji.
Drejtoria e transporteve, në rast se e konsideron të nevojshme, mund të kërkojë nga autoriteti kompetent i Republikës së Shqipërisë t’i ofrojë përmes postës elektronike, informacion lidhur me autencitetin dhe vlefshmërinë e lejes së drejtimit dhe të të dhënave që përmban ajo.
Sakaq, po kjo drejtori mund të kërkojë nga i interesuari përkthimin në gjuhën greke të lejes së drejtimit që ka lëshuar Republika e Shqipërisë, përkthimi të bëhet nga Ministria e Jashtme ose një avokat, me shpenzimet e të interesuarit.
Për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, qeveria greke ka miratuar një akt normativ lidhur me zgjatjen e lejeqëndrimit për emigrantët shqiptarë. Ku konsiston ky akt, çfarë parashikon?
Për shkak të kushteve të krijuara nga koronavirusi, të gjitha Qendrat e Shërbimit të Emigrantëve kanë qenë të mbyllura për afro dy muaj, pikërisht për këtë arsye u përpilua dhe u miratua ky akt normativ, i cili parashikon shtyrjen e të gjitha lejeve të qëndrimit, (të cilat kanë skaduar brenda afatit kohor 1 dhjetor 2019 deri 30 qershor 2020) deri në datën 31 dhjetor të vitit 2020. Ky vendim u mor në datën 4 maj dhe hyri në fuqi menjëherë.
Si do të veprohet me pasaportat në prag skadence?
Për sa u përket pasaportave që skadojnë në këtë periudhë, nuk përbën ndonjë problem që ka lidhje me lejen e qëndrimit, pasi deklarimi i pasaportës së re bëhet në momentin që rinovohet dhe leja e qëndrimit. Emigrantët shqiptarë mund të lëvizin lirisht drejt Shqipërisë gjatë verës dhe të pajisen me pasaportën e re gjatë qëndrimit në Shqipëri. Në kthim duhet të kenë të dyja pasaportat me vete (të vjetrën dhe të renë)
Qytetarë shqiptarë të cilët thyen afatin 90-ditor të qëndrimit në Greqi, për shkak të COVID-19, janë gjobitur në kufirin grek teksa tentonin të riktheheshin në atdhe. Si procedohet në këto raste?
Pala greke është justifikuar se kufiri ka qenë i hapur, rrjedhimisht të gjithë ata që janë ndodhur në territorin grek duhet ta kishin lënë atë brenda afatit të parashikuar 90-ditor. Pala shqiptare duhej ta merrte më seriozisht këtë temë për të mos u ndodhur para një fakti të kryer, por të arrihej një marrëveshje dypalëshe paraprakisht.