Dy muaj pas pandemisë që gjunjëzoi botën! Si renditet Shqipëria në raport me vendet e tjera dhe arsyet që patëm më pak vdekje për 1 milion banorë. Nga masat e forta shtrënguese, deri te mbajtja në jetë e sistemit shëndetësor, për të mos rënë në kolaps. Një “betejë e fituar” me humbje të pakta me “armikun e padukshëm”.
Nga Ina Allkanjari
“Shqipëria sot, duan apo s’duan ta pranojnë disa, është një histori suksesi në mes shumë pak të tjerave, në hartën e kësaj lufte të përbotshme”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në komunikimin e tij të fundit lidhur me COVID-19, duke sqaruar se kjo është java e fundit ku masat shtrënguese do të jenë në fuqi.
Gjatë luftës kundër koronavirusit, e cila zgjati për rreth 3 muaj, në Shqipëri u morën masa të shumta për parandalimin e përhapjes së virusit. Masat ishin të menjëhershme që prej datës 9 mars, kur u shënua dhe rasti i parë me COVID-19. Sot me mbylljen e fazës së parë të epidemisë, ka një shifër e cila tregon se vdekshmëria në vend ngelet shumë e ulët krahasuar me parashikimet e fillimit të marsit.
Janë 33 jetë të humbura deri më tani dhe qoftë edhe një jetë e vetme është dhimbje e madhe, por frika masive në fillim ishte për bilanc edhe më tragjik. Ndërkohë në krahasim me shumë prej shteteve të tjera në botë, të cilat luftuan dhe vijojnë të përballen me virusin COVID-19, duket se niveli i vdekshmërisë në Shqipëri është dhjetëra herë më i ulët.
Mund të ketë shumë arsye, por disa prej tyre lidhen me marrjen shpejt të masave drastike të izolimit social dhe fizik, si dhe hyrja e pandemisë në Shqipëri më vonë sesa në vendet e tjera, që u dhanë më shumë mundësi autoriteteve dhe shoqërisë të reagonin në kohë, duke sjellë edhe rezultatet pozitive që arriti vendi ynë në këtë fazë të parë. Faktorë të tjerë ndihmues mund të ketë qenë edhe mosha mesatare më e re.
Popullsia e Shqipërisë në 1 janar 2019 rezulton 2862427 banorë. Personat mbi 65 vjeç përbëjnë rreth 13% të popullsisë totale, ndërsa mosha mesatare në Shqipëri është 35,4 vjeç. Në këtë pikë nuk përjashtohet mundësia që vaksinimi nga turbekulozi ishte një tjetër faktor që, sipas ekspertëve epidemiologë në mbarë botën, ka ndikuar për të krijuar një lloj imuniteti përballë virusit. Statistikat në raste të tilla janë domethënëse, pasi në të gjitha vendet e ish-Lindjes COVID-19 ishte më pak agresive dhe vendi ynë si pjesë e ish-bllokut, nuk bëri përjashtim nga kurba e përgjithshme.
Testimet si “debat” që ndau palët…
Janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitive në të gjithë vendin është 1076. Prej tyre, mbi 76% janë të shëruar. Në vendin tonë aktualisht janë 220 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë. Në mes të muajit prill, kur kurba e personave të infektuar me virus filloi të pësojë rënie, kryeministri Edi Rama vlerësoi se masat kufizuese kanë mbajtur numrin e vdekjeve nga COVID-19 të ulët në Shqipëri dhe se për këtë gjë do të tregohet kujdes në lehtësimin e tyre.
Nga ana tjetër, kishte shumë specialistë të cilët shpreheshin se nevojiteshin testime më masive dhe jo vetëm për rastet që shfaqeshin dhe ndjekja e “hetimit epidemiologjik”. Kryeministri publikoi në facebook një grafik të ‘Our World in Data’ në të cilin krahasohej numri i vdekjeve për 1 milion banorë mes Shqipërisë, SHBA-së, Italisë, Belgjikës dhe Spanjës.
“Vdekjet për 1 milion banorë, tregojnë qartë se sa vendimtare kanë qenë shpejtësia, rreptësia dhe respektimi masivisht i masave në Shqipëri. Të gjithë ekspertët kudo në botë bëjnë thirrje për të mos e ulur vigjilencën dhe asnjë qeveri në botë nuk ka një plan hapjeje pa shkallë, në varësi të kurbës!”, u shpreh Rama.
Sipas ‘Our World in Data’, gjatë asaj periudhe Shqipëria kishte 8,69 vdekje nga COVID-19 për 1 milion banorë ndërsa Spanja 397, Belgjika 383, Italia 358 dhe SHBA-ja 93. Më tej, pasi masat vijuan të jepnin rezultat për normalizimin e situatës në vend, nga data 27 prill, filloi zbatimi i strategjisë së rihapjes dhe lehtësimit të masave për qytetarët dhe bizneset, ndërsa prej datës 18 maj u lehtësuan në aktivitetet e tyre biznese të tjera.
Sistemi Shëndetësor
Vendimet e marra në kohën e duhur në Shqipëri, që prej fillimit të përhapjes së virusit COVID-19, shmangën atë që në shumë vende është quajtur kolaps i sistemit shëndetësor, duke numëruar mijëra të prekur, e qindra humbje jetë në ditë, në vetëm pak javë nga fillimi i kësaj pandemie. Izolimi mundësoi që shumë qytetatë të cilët mund të ishin asimptomatikë me COVID-19, ta kalonin virusin në banesë duke parandaluar përhapjen e tij, çfarë do të sillte një shtim të numrit në spitalet dhe ndoshta një kolaps të sistemit shëndetësor.
Ndërkohë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, personeli mjekësor është testuar pa ndërprerje gjatë gjithë periudhës së pandemisë. Më herët Manastirliu u shpreh se stafi mjekësor i spitaleve Covid e ka përballuar me sukses fazën e parë të epidemisë.
Ndërkohë zëvendësministrja e Shëndetësisë, njëherazi dhe kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, është shprehur se 8-9% të personelit mjekësor kanë rezultuar pozitivë ndaj koronavirusit, por kjo përqindje ka krijuar imunitet. “8-9% të personelit të testuar kanë qenë në kontakt me sëmundjen.
Kjo përqindje ka krijuar imunitet tashmë… duket shifër e vogël, por akoma nuk kemi numrin e caktuar të kampioneve për ta quajtur të përfunduar. Por edhe në vendet e tjera shkon diku te 12-15 %. Nëse ky ritëm rastesh vazhdon, duhet parë se ku do jenë rastet dhe si do të jenë vatrat”, u shpreh Rakacolli.
Situata epidemiologjike
Prej afro 3 muajsh Shqipëria është prekur nga virusi Corona, i koduar COVID-19, duke u përfshirë në 115 vendet e botës për të cilat Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur pandeminë globale.
Pas shumë javësh izolim, duke iu përmbajtur masave strikte të vendosura nga qeveria për ndalimin e përhapjes së virusit në vend, situata epidemiologjike rezulton e qëndrueshme, teksa pritet që në 1 qershor të bëhet hapja totale e vendit.
Shqipëria dhe disa vende të tjera në botë, ku këto masa izolimi dhe distancimi u morën shpejt dhe nuk lejuan krijimin e një rezervuari të madh infeksioni në popullatë, përfituan më shumë.
Numri i personave që humbën jetën për shkak të koronavirusit tejkaloi 352 mijë e 287 në të gjithë botën, numri i rasteve të personave të infektuar tejkaloi 5 milionë e 688 mijë e 840, ndërsa numri i personave të shëruar arriti në 2 milionë e 432 mijë e 236. Disa shtete hezituan të merrnin masa të menjëhershme.
Disa vende me tradita të forta liberale, siç është Britania, filluan të kundërshtojnë frenimin e të drejtave civile në mënyrë drastike. Sot Britania është epiqendra e epidemisë në Evropë, me 37673 viktima.
Ndërkohë në fillimin e epidemisë në Itali, grupet e industrisë së shtetit fqinj raportohet të kenë rezistuar fuqimisht ndaj idesë së mbylljes së Lombardisë, një nga motorët e ekonomisë së vendit. Italia, radhitet e treta në botë për sa i përket numrit të viktimave nga koronavirusi.
Deri në këto momente, që nga fillimi i pandemisë, në vendin fqinj kanë humbur jetën 33072 persona. Për sa i përket numrit të viktimave në vendin e parë ndodhet SHBA-ja. Numri i vdekjeve nga pandemia COVID-19 në Shtetet e Bashkuara arriti në 102241 viktima, më i larti në botë deri tani dhe gati një e treta e më shumë se 350000 vdekjeve në të gjithë globin.
Rreth 1400 amerikanë kanë vdekur mesatarisht çdo ditë në maj, nga kulmi prej 2000 vdekjesh në ditë në prill, sipas të dhënave të shteteve dhe të qarqeve mbi vdekshmërinë nga COVID-19.
Ndërkohë krahasuar me Gjermaninë, që e ka menxhuar më mirë epideminë ndër vendet e BE-së, shkalla e vdekshmërisë për Shqipërinë ishte 11 për 1 milion banorë, ndërsa në Gjermani është 98 për 1 milion banorë.
Paga e luftës
Me shpalljen e pandemisë dhe rrezikun që kanosej, nëse nuk do arrihej një distancim social, me urdhër të qeverisë shumë biznese u mbyllën për rreth 2 muaj, çfarë solli kolaps në ekonominë shqiptare. Kjo mbyllje preku ekonomikisht bizneset dhe punëtorët, të cilët, për shkak të pamundësisë për t’u paguar nga pronari, figuruan pa të ardhura gjatë kësaj periudhe.
Në këtë mënyrë qeveria akordoi një fond të posaçëm i cili do të ndahej si pagë apo ndihmë ekonomike në kuadër të pandemisë. Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë, gjatë një interviste televizive dy ditë më parë theksoi se janë 63000 qytetarë që kanë përfituar nga paketa e parë e ndihmës financiare dhe 110000 nga paketa e dytë financiare, ndërsa pritet që deri në fund nga paketa e dytë numri i përfituesve të jetë rreth 176000 persona.
“Procesi i paketave është një proces që ndryshon çdo ditë. Paketa e parë ka ezauruar në muajin prill dhe maj dy paga për mbi 63000 qytetarë që kanë përfituar. Ka dhe një numër personash që kanë ankimuar mosmarrjen e këtij përfitimi, çka solli dhe krijimin e paketës së dytë ekonomike. Paketa e dytë ka një shumë prej 40000 lekësh dhe numri i përfituesve është 176 mijë. Deri më sot kanë përfituar 110 mijë qytetarë dhe janë në proces pjesa tjetër”, – tha Denaj.
Ndërkohë qeveria shqiptare synon që brenda 5 qershorit të ezaurohet pagesa e tretë e paketës së parë të ndihmës financiare dhe pagesat e mbetura nga paketa e dytë e ndihmës financiare. Nëpërmjet një statusi në facebook, vetë kryeministri Rama iu drejtua të gjithë punëdhënësve që, nëse nuk aplikojnë për shprëblimin prej 40 mijë lekësh të punonjësve deri më 5 qershor, do të gjobiten. Gjithashtu, Rama garantoi se shuma përkatëse do t’u kalojë automatikisht punonjësve që neglizhohen nga pronarët e bizneseve pas datës 5 qershor.
Kreditë
Një tjetër lajm i mirë është dhënë ditën e djeshme nga kryeministiri për të gjithë qytetarët që kanë një kredi. Kryeministri Rama ka njoftuar shtyrjen për të dytën herë të afatit të shlyerjes së kredive për bizneset dhe individët që kanë pasur probleme të shkaktuara nga koronavirusi. Rama theksoi se pagesa e kësteve të tyre do të shtyhet sërish me 3 muaj. Kryeministri pohoi se bashkë me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejkon, kishin firmosur vendimin.
“Bashkëfirmosëm me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë një shtyrje të mëtejshme tremujore të kësteve të kredive deri në 31.08.2020 ”, shkruan Rama në facebook. Shtyrja e parë e kredive, pra riskedulimi u bë për muajt mars, prill dhe maj, ndërsa tashmë edhe për tre muaj të tjerë, qershor, korrik dhe gusht.
Sipas marrëveshjes së bërë me bankat, këto të fundit duhet të pranojnë kërkesat e bizneseve dhe individëve për shtyrjen e kësteve të kredive në rastet kur vërtetojnë me fakte se e kanë të pamundur shlyerjen e tyre, për shkak të problemeve prej koronavirusit.
Po ashtu, Rama njoftoi se Banka e Shqipërisë miratoi një lehtësim për bankat e nivelit të dytë, që të bëjnë ristrukturime proaktive të kredive deri në 31.12.2020, me shtrirje një ose disavjeçare, sipas shkallës së vështirësive të çdo biznesi.
Ndihma psikologjike
Përpos problemve shëndetësore të shkaktuara prej COVID-19, muajt e fundit u shoqëruan me probleme të shumta psikologjike për shumë prej qytetarëve. Gjatë kësaj periudhe Ministria e Shëndetësisë vendosi në dispozicion të qytetarëve që kishin shenja ankthi, frike apo pasigurie të shkaktuar nga Covid, linjën e gjelbër, që është një shërbim për këshillim psikologjik falas.
Në këtë linjë qytetarët mund të telefonojnë për këshillime lidhur me koronavirusin, për të marrë informacion për barnat me rimbursim, gjithashtu edhe për problemet psikologjike. Mësohet se për rreth 3 muaj në linjën e gjelbër janë pritur mbi 82000 thirrje.
Qëndresa Qytetare kërkesë MASR-së: Përgjysmoni tarifat e studimit në universitete
Situata e pandemisë ka pasur një impakt të drejtpërdrejtë në ekonominë e familjeve të studentëve, me këtë argumentim Qëndresa Qytetare e iniciuar nga kërkesa e një grupi studentësh të Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, i ka dërguar ditën e djeshme një kërkesë Ministrisë së Arsimit dhe UT (Universitetit të Tiranës), për përgjysmimin e tarifave të studimit.
Në këtë kërkesë përfshihen studentët e ciklit të parë dhe të dytë të Universitetit të Tiranës, për vitin akademik 2019 – 2020. Qëndresa Qytetare shkruan në kërkesën drejtuar MASR-së, se përpos pamundësisë ekonomike prej pandemisë, studentët shprehen se gjatë zhvillimit të mësimit online, kanë marrë një minimum shërbimesh nga universiteti, për shkak të distancës fizike.
Sipas Qëndresës Qytetare, kjo situatë ka prekur veçanërisht studentët e ciklit të dytë të studimeve (master), të cilët filluan studimet në muajin nëntor 2019. Për shkak të tërmetit të datës 26 nëntor 2019, shkolla u ndërpre për një afat dyjavor. Më pas, në mars 2020 do ta ndërprisnin frekuentimin e universitetit deri më tani. Praktikisht, studentët e masterit kanë frekuentuar universitetin vetëm për një periudhë të shkurtër janar – shkurt 2020.
Megjithatë, ata do të duhet ta paguajnë tarifën e plotë të studimit, të cilat, siç kemi shpjeguar më lart, variojnë nga 600000 – 233000 lekë. Sipas kësaj organizate, shumat janë të konsiderueshme dhe i vendosin studentët dhe familjet e tyre në vështirë të mëdha ekonomike, duke marrë parasysh edhe faktin se ata janë të detyruar të paguajnë qiratë e shtëpive, megjithëse nuk patën mundësi të kthehen apo të marrin sendet e tyre personale, për shkak të kufizimit të lëvizjes apo paqartësisë së vendimit për rikthimin ose jo në auditore nga institucionet.
Qëndresa Qytetare thekson në kërkesë se për këto arsye i drejtohen Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Tiranës, në ushtrim të kompetencave të tyre ligjore dhe statuore, të marrin masat e nevojshme për të lehtësuar pasojat ekonomike që ka prodhuar gjendja e pandemisë nga data 11 mars e në vijim në vendin tonë duke përgjysmuar tarifat për studentët e ciklit të parë dhe të dytë të Universitetit të Tiranës, për vitin akademik 2019 – 2020.
Ndërkohë studentët janë përkrahur më herët për sa u përket pagesave të konvikteve, ku gjatë muajit prill, drejtoresha e QS-së, Anila Shehu, u shpreh se studentëve që e kanë bërë pagesën për qëndrimin në Qytetin Studenti, por janë larguar për në shtëpitë e prindërve, do t’u rikthehen paratë ose do të rikonsiderohen për vitin tjetër.
Shehu tha se aktualisht në konvikte ndodhen vetëm 78 studentë, të cilët nuk mund të lëvizin për shkak të punës. “Jo të 4500 studentët që kanë jetuar në Qytetin Studenti kanë bërë një pagesë të plotë. Vetëm 1280 prej tyre kanë bërë pagesën e plotë për të gjithë vitin. Ka plot studentë që tarifën e bëjnë mujore, dymujore, 3-mujore ose e kane ndarë me dy këste.
Tarifa e mbetur për të cilën nuk është marrë shërbimi, do t’u kthehet të gjithë studentëve në gjendjen e llogarisë bankare. Nëse studenti do të dojë që kjo tarifë t’i rikonsiderohet për vitin tjetër akademik, do ta plotësojmë”, tha Shehu.
COVID-19, Ministria e Shëndetësisë: 26 raste të reja në Tiranë, asnjë rast në zonat e tjera
Prej dy ditësh Tirana vazhdon të jetë vatra kryesore në vend me një numër të lartë të rasteve ditore të konfirmuara pozitive me COVID-19. Të gjitha zonat e tjera në Shqipëri rezultojnë pa raste të reja. Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 225 qytetarë si të dyshuar me COVID-19 dhe janë konfirmuar 26 raste pozitive, të gjitha në Tiranë.
Nga hetimi i thelluar epidemiologjik janë testuar 73 personel shëndetësor, nga të cilët 12 kanë rezultuar pozitivë, në QSUT, të gjithë pa simptoma. Në total janë 20 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të rastit të identifikuar tri ditë më parë. Ndërkohë vijon hetimi i thelluar epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë. “Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 24 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive.
Në 24 orët e fundit janë të shëruar 11 qytetarë, duke e çuar në 823 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë”, shprehet Rovena Daja, eksperte e Institutit të Shëndetit Publik. Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitive në të gjithë vendin është 1076.
Prej tyre, mbi 76% janë të shëruar. Në vendin tonë aktualisht janë 220 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë. Ndërkohë ditën e djeshme Ministria e Shëndetësisë ka listuar të gjitha kategoritë e rriskuara nga COVID-19 duke treguar edhe masat që duhet të respektojnë për të shmangur infektimin.
Sipas MSH-së, personat më të rrezikuar nga COVID-19 janë personat mbi 65-vjeç; personat me gjendje shëndetësore të rënduar, si sëmundje të zemrës, mushkërisë, astmë, diabet; personat që janë në trajtim për kancer; personat me sistem imunitar të dobët.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë tashmë duhet të bashkëjetojmë me realitetin e ri dhe të i mos harrojmë asnjëherë këto rregulla për parandalimin e COVID-19: Mbajtja e higjienës personale, larja e duarve dhe dezifektimi i objekteve që prekni më shpesh; Distancimi fizik dhe shmangia e vendeve të populluara; Mbajtja e maskës në vendet që rekomandohet.
Bashkia Skrapar i jep Pëllumb Piperos titullin “Qytetar Nderi”
Mjeku i njohur Prof. Dr. Pëllumb Pipero me propozim të kryetarit të Bashkisë, z. Adriatik Mema, merr nga Këshilli i Bashkisë Skrapar titullin “Qytetar Nderi”.
Nuk ka qenë aspak e vështirë që emri i tij të përfshihej në listë dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak me unanimitet vendosën që t’i jepej titulli me motovacionin: “Për veprimtari të shquar profesionale dhe akademike gjatë gjithë karrierës së tij në fushën e mjekësisë, veçanërisht në atë të sëmundjeve infektive, si dhe për kontributin e çmuar profesional dhe publik në përballimin e situatës së pandemisë, shkaktuar nga COVID-19”.
Pipero u kthye në personazhin më publik gjatë pandemisë, duke qenë një nga zërat më aktivë në radhët e mjekëve. Komunikimet e vazhdueshme dhe informimi për çdo të re që ndodhte në vend, apo edhe në botë, ishin arsye të mjaftueshme që bashkia Skrapar t’i jepte një titull nderi.
Shqipëri
Raste pozitive 1076
Humbje jete 33
Itali
Raste pozitive 231000
Humbje jete 33072
SHBA
Raste pozitive 1749160
Humbje jete 102241
Britani e Madhe
Raste pozitive 267000
Humbje jete 37673
Shqiperi
COVID-19 – Statistika (28 Maj 2020)
Testime totale 15319
Testime molekulare 13993
Testime serologjike 1326
Raste pozitive 1076
Raste të shëruara 823
Raste aktive 220
Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Hapjet nga 1 qershoriS’ka më zona të kuqe/të gjelbra
Rihapet qarkullimi në të gjithë Shqipërinë
Hapen kopshtet dhe çerdhet
Hapen kufijtë tokësorë
Hapen plazhet për hotelet (10 qershor për të gjithë qytetarët)
Do të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura
Aktivitetet sportive dhe kulturore me spektatorë
Transporti publik
Dasmat dhe funeralet me shumë njerëz