Bitcoin, monedha online në Shqipërinë off-line

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Esmeralda Cenollari

Kuvendi miratoi pa shumë zhurmë, në 20 maj, një ligj që legalizon dhe rregullon kuadrin ligjor për monedhat virtuale. Kështu, Shqipëria bëhet vendi i tretë në Evropë, pas Maltës dhe Francës, që legjitimon përdorimin e kriptomonedhave.

Por çfarë janë monedhat virtuale?

Kriptomonedhat ose monedhat virtuale janë monedha digjitale të emetuara nga individë privatë, të cilat nuk kanë vlerë ligjore të garantuar nga një shtet apo institucion ndërkombëtar. Vlera e tyre e tregut luhatet si rezultat i kërkesës së individëve për transaksione ose i pritshmërive të tyre mbi rritjen e mundshme të çmimit të tregut në të ardhmen. Bitcoin njihet si monedha e parë virtuale, e emetuar privatisht në vitin 2009, nga një autor anonim. Autori anonim Satoshi Nakamoto, publikoi dokumentimin e protokollit elektronik të Bitcoin-it dhe krijoi kriptomonedhën e parë Bitcoin, prej 50 njësish, më 3 janar 2009 (Nakamoto, 2008).

Ndonëse fillimisht interesi për Bitcoin-in ishte i vakët, numri i transaksioneve elektronike të kryera në këtë monedhë digjitale u rrit ndjeshëm. Përhapja e shpejtë e Bitcoin-it nxiti vëmendjen e industrisë financiare, publikut dhe autoriteteve kombëtare e ndërkombëtare.

Në Shqipëri diskutimet e para për monedhat virtuale nisën verën e vitit 2017. Në atë kohë monedha virtuale Bitcoin, e cila ishte e njohur masivisht në Evropë e më gjerë, po lulëzonte edhe në tregun shqiptar. Por ekspertët e ekonomisë ngritën alarmin për rrezikun që mund t’u sillte investitorëve përdorimi i Bitcoin-it, një kod kompjuteri që nuk ekziston fizikisht, por ofron fitime të larta. Në një intervistë për RTSH-në, ish-ministri i Financave, Arben Malaj, e krahasonte investimin në Bitcoin me skemat piramidale, pasi, sipas tij, ky lloj investimi ishte i pambrojtur dhe me risk të lartë, për shkak të paligjshmërisë.

“ Duhet të bëjnë shumë kujdes nga çdo ofertë përfitimi kaq e madhe, në një kohë relativisht të shkurtër. Dhe, nga historia e skemave piramidale, rreth 88% e atyre që investojnë lekët janë viktima, i humbin të gjitha paratë e tyre. Vetëm 12% përfitojnë. “ – shprehej Malaj në korrik të 2017-s.

Banka e Shqipërisë

Ndërkaq, nisur nga shqetësimet e ngritura në media, por edhe interesi i lartë në publik, Banka e Shqipërisë i paralajmëroi qytetarët të bënin kujdes. Në një reagim të posaçëm për RTSH-në, në korrik të 2017-s, Banka Qendrore sqaronte se nuk ekzistonte asnjë subjekt financiar i licensuar për tregtimin e Bitcoin-it në Shqipëri.

Por, pavarësisht paralajmërimeve për rrezikun e lartë të përdorimit të këtyre monedhave, në Shqipëri diskutimet mbi kriptovalutën i riktheu qeveria. Në një deklaratë publike, më 2018, kryeministri e vlerësoi këtë nismë si “një pikë graviteti atraktive për tregjet financiare”. Pas kësaj deklarate nuk pati shumë diskutime, por një vit më vonë ishte sërish kryeministri që do t’i rikthehej kriptovalutës.

Në 2019, në Konferencën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Privatësisë, Rama tha se “qeveria e Shqipërisë ka hapur konsultimin publik për një ligj të ri për tregjet financiare, bazuar tek teknologjia blockchain”. Po ashtu, pak ditë më vonë ishte sërish kreu i qeverisë që foli për projektligjin dhe avantazhet që sjell për Shqipërinë, pa përmendur risqet. Kryeministri Rama tha:

“Ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt forcimit të besimit dhe besueshmërisë për sa i përket komunikimit, duke mos pasur në mes një ent ose ndërmjetës”.

Ligji u hodh për konsultim publik dhe propozues, sikurse pritej, ishte Këshilli i Ministrave, jo Ministria e Financave apo Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Në relacion vlerësoheshin të dyja anët e medaljes, përfitimet dhe rreziqet. “Për të shfrytëzuar sa më mirë përfitimet që ofron kjo teknologji, por edhe për të adresuar një sërë rreziqesh të mundshme, siç janë krijimi i skemave mashtruese, apo i skemave të paautorizuara, për të ofruar aktive virtuale, rreziku i përdorimit të aktiveve virtuale për të pastruar para, si dhe manipulimi i tregut, nevojitet një kornizë ligjore e plotë, në mënyrë që ky aktivitet të rregullohet”, shkruhej në relacion.

Lexo edhe :  "Liria, besimi dhe pajtimi" – qëndrimet e serbëve dhe shqiptarëve nga veriu i Kosovës

Pastrimi i parave përmendej si një nga rreziqet që lidhej me përdorimin e monedhave virtuale. “Projektligji adreson edhe çështje që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave, duke kërkuar nga çdo titullar licence krijimin e një sistemi të sigurt dhe të mbrojtur nga risqet për të monitoruar transaksionet, në përputhje me ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit, nëpërmjet hartimit të politikave për parandalimin e pastrimit të parave dhe angazhimit të punonjësve me përvojën e duhur për raportimin e çështjeve që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave.”

Hedhja e projektligjit për konsultim publik nxiti median të pyeste sërish Bankën e Shqipërisë për kriptovalutat. Në nëntor të 2019-s, gjatë një konference për mediat, guvernatori Gent Sejko u pyet për qëndrimin e Bankës së Shqipërisë.

Guvernatori u shpreh se Banka Qendrore nuk ka qenë as pro dhe as kundër, por ka përmendur rreziqet dhe problemet, sikundër kanë bërë dhe bankat qendrore në botë, lidhur me kriptovalutat.

Koment ky që duket si hap pas nga institucioni më i rëndësishëm bankar në vend, nëse e krahasojmë me qëndrimin e këtij autoriteti më 2017 për përdorimin e Bitcoin-it.

Ndërkohë drafti mbërriti në dyert e Kuvendit në një kohë aspak normale. Dhe thuajse si çdo draft tjetër, edhe projektligji “për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” kaloi çdo procedurë pa shumë bujë në komisionet përkatëse parlamentare. Madje, duke qenë kohë pandemie, diskutimet dhe miratimi i tij u bënë përmes mbledhjeve online. Më pas, në 20 maj, projektligji mori dritën jeshile në seancë plenare nga një parlament i gjymtuar, me deputetë që ngrenë kartonat për ligje që as nuk i kuptojnë, as nuk përpiqen ta bëjnë.

Shqipëria tashmë është zyrtarisht ndër vendet e para në botë që ka rregulluar me ligj kriptomonedhat nëpërmjet blockchain. Dhe deri këtu nuk ka asgjë të keqe, duke pasur parasysh zhvillimet e tekonologjisë financiare në botë.

Por a jemi gati ne për t’i ndjekur këto zhvillime me këtë lloj ritmi?

Çfarë mund të fshihet pas kësaj lëvizjeje të beftë për një ekonomi të vogël, si kjo e jona, ku më shumë se 50 mijë biznese nuk kanë hapur ende një llogari e bankare e ku shumica e qytetarëve nuk e di ende ndryshimin e një karte debiti me atë të kreditit? Vende shumë herë më të zhvilluara se ne po hezitojnë të adaptojnë rregullimin e kriptomonedhave, ndërkohë që ne ngritëm flamurin të tretët.

Ekspertët e përkrahin rregullimin me ligj të monedhës virtuale, por ata theksojnë se thembra e Akilit qëndron tek implementimi i tij. Kjo nuk është hera e parë që ne dështojmë me zbatueshmërinë e ligjeve. Por, në këtë rast, vigjilenca duhet të jetë më e lartë. Kërkohen filtra të fortë kontrolli dhe zbatueshmëri e përgjegjshme nga institucionet përkatëse. Autoritetet duhet t’i mbajnë sytë hapur në çdo kohë, për t’i ndjekur me vëmendje zhvillimet që mund të kërkojnë sërish ndërhyrje në ligj, sepse përdorimi i teknologjisë lë hapësira për pastrimin e parave, në një kohë kur Shqipëria është një nga vendet më të rrezikuara nga ky fenomen dhe së fundmi u përfshi në listën gri nga Task Forca e Hetimit Financiar, FATF. Ndërkohë, nëpërmjet teknologjisë mund të kalosh, pa filtrat e kontrollit të Bankës Qendrore, aksionet e një biznesi, transfertat e emigrantëve, hipotekën e shtëpisë apo sigurimin e pronës, duke shmangur sinjalizuesit e pastrimit të parave. Kriptovalutat vlerësohen si e ardhmja, por, njëkohësisht, janë një thikë me dy presa, në një vend të vogël si Shqipëria.

*Analiste e politikave Publike pranë Qëndresës Qytetare

Të fundit

Aktori 94-vjeçar Clint Eastwood po përgatitet për filmin e tij të radhës

Aktori dhe regjisori legjendar Clint Eastwood, pavarësisht 94 viteve të tij, duket se nuk dorëzohet. Sipas informacioneve ekskluzive nga...

Popullsia e Gazës ka rënë me 6 përqind që nga fillimi i luftës

Popullsia e Gazës ka rënë me 6 për qind që nga fillimi i luftës me Izraelin gati 15 muaj më parë, pasi rreth 100,000...

David dhe Victoria Beckham urojnë Vitin e ri 2025 me një puthje

David dhe Victoria Beckham e kanë pritur vitin e ri me një puthje në Instagram. Ish-futbollisti i njohur ka shpërndarë disa foto familjare në...

Apple ofron zbritje për iPhone në Kinë pas intensifikimit të konkurrencës

Gjiganti amerikan Apple është duke ofruar zbritje të rralla, deri në 68 dollarë, në modelet e reja të telefonave të mençur iPhone në Kinë,...

“Parashikimet e Simpsons për vitin 2025″…

Shfaqja televizive Simpsons ka qenë prej kohësh e lidhur me parashikimin në dukje të disa prej lajmeve më të mëdha në botë, duke përfshirë...

Lajme të tjera

Web TV