Vendimi i Kushtetueses duhet të respektohet, por edhe të kritikohet

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Augustin Palokaj

Kosovarët janë mësuar të jetojnë në optimizëm dhe në iluzione. Disa pritshmëri u janë realizuar. Kosovën e çliruan luftëtarët e saj dhe NATO-ja. Kosova u shpall edhe e pavarur si shtet, dhe u njoh nga shtetet kryesore të botës. Por që Kosova do të zhvillohet, do të jetë shtet funksional, do të ketë nivel të ulët të korrupsionit dhe krimit të organizuar, se njerëzit do të duan të jetojnë në të e jo të largohen, u dëshmuan të kenë qenë iluzione. Iluzione u dëshmuan të kenë qenë edhe pritshmëritë se do të liberalizohen vizat, sepse nuk u liberalizuan.

Iluzione kanë pasur kosovarët edhe kur kanë besuar se në zgjedhjet e fundit kanë votuar për ndryshime. Sepse nuk mund të quhet votë për ndryshime, nëse aq shumë vota kanë marrë LDK-ja e pandryshuar, PDK-ja dhe parti të tjera që kanë qenë në pushtet. Është naive të fajësohet LDK-ja për tradhti. Sepse ka qenë iluzion të besohet se ajo parti është për ndryshime. nëse brenda vetes nuk është ndryshuar. Ai që mashtron një herë ka faj. Kur mashtron dy herë ka faj edhe mashtruesi, edhe i mashtruari. E kur mashtron për të tretën herë, nuk ka më faj mashtruesi, por i mashtruari. Prandaj, nëse Isa Mustafa na i paska mashtruar prapë votuesit, kanë faj vetë votuesit.

Isa Mustafa, si lider i partisë, është fenomen. Ai për të dytën herë po e merr postin e kryetarit të qeverisë për partinë e tij, pa i fituar zgjedhjet. Sa mjeshtër është, e dëshmon edhe porosia e tij se si kjo do të jetë “edhe një sakrificë e LDK-së”. Pas më pak se një vit edhe presidenti Thaçi do të bëjë një “sakrificë” tjetër dhe do të rizgjidhet president, nëse nuk bën ndonjë akrobaci tjetër për ndonjë post tjetër udhëheqës në Kosovë. Ai ka paralajmëruar se do të largohet pas mandatit, por do të sakrifikohet edhe ai. Sepse nuk mund ta lërë Kosovën duke vuajtur.

Kosovarët patën edhe një iluzion. Atë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës është e pavarur. Në një shtet ku asgjë nuk është e pavarur, as vetë shteti nuk ka pavarësi të plotë, dhe as që e do, sepse gjithmonë kërkon ndërhyrje nga jashtë, madje edhe për të gjykuar, kur ka mospajtime të brendshme. Në një vend ku asnjë gjykatë nuk është e pavarur, pa ndikime politike, pse të jetë e pavarur Gjykata Kushtetuese. Në një vend ku me kritere politike emërohen gjykatësit, edhe ata të Kushtetueses, edhe ata të gjykatave të tjera, ku nuk është pengesë që gjykatësi të ketë qenë edhe i dënuar vetë (siç kishte shkruar kolegu Enver Robelli, një gjykatës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës ishte i dënuar për vepra penale), është iluzion të besohet në pavarësinë e plotë të gjykatave. Pikërisht mungesa e pavarësisë dhe e profesionalizmit të gjykatave e, besa, edhe e prokurorisë, është njëra prej arsyeve që e ka lënë Kosovën pa liberalizim vizash. Sepse si mund të ketë rezultat në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë, kur, pikërisht, ai “niveli i lartë” ka vendosur dhe vendos edhe për emërimin e gjykatësve dhe të prokurorëve.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës duhet të respektohet. Sepse Kosova nuk e ka luksin ta përshkallëzojë krizën politike në një shtet të dështuar dhe anarki.

Por, secili ka të drejtë ta kritikojë Gjykatën Kushtetuese dhe mendimin e saj. Kësaj radhe duket se ka pasur qasjen që të ketë vendosur a priori se cili do të jetë vendimi e pastaj ka kërkuar argumente për ta justifikuar atë vendim. Nuk e ka marrë vendimin në bazë të argumenteve, por ka kërkuar argumente për ta arsyetuar vendimin. As vendimet nga e kaluara të Gjykatës Kushtetuese nuk kanë qenë të pavarura, edhe pse janë kuptuar si të tilla. Më së shpeshti për ta mbrojtur këtë gjykatë përdoren rastet e rrëzimit të Begjet Pacollit nga posti i presidentit, po ashtu, detyrimi për dorëheqje të presidentit Fatmir Sejdiu, dhe mendimi se Marrëveshja për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe nuk ishte në përputhje me Kushtetutën.

Të gjitha këto vendime ishin politikisht oportune. Vetë ata të cilët ia siguruan votat Pacollit, duke dashur t’i dëshmonin se po e mbanin premtimin që i patën dhënë, kishin folur nëpër Bruksel se si ai ishte “njeri i Rusisë!” dhe se “nuk e duan amerikanët”. Por kjo e fundit nuk ishte ashtu në atë kohë. Mbetet e paharruar afera e sms-ve të Pacollit me ambasadorin e atëhershëm amerikan, Dell, ku shkruante “Fatmir and Jakup will be afraid” (Fatmiri dhe Jakupi do të frikësohen) kur ai e inkurajonte Pacollin të qëndronte si kandidat, duke besuar se nga frika Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi do të ndryshonin mendje dhe do të votonin për Pacollin.

Lexo edhe :  Pse ‘detyrim paraqitje’ ka mërzitur Sali Berishën?!

Presidenti Fatmir Sejdiu, si jurist i shquar, vështirë se do të bënte një gabim aq të rëndë që të shkelte Kushtetutën, por edhe atij i doli kështu. Dha dorëheqjen, sepse Gjykata Kushtetuese dha mendimin se e kishte shkelur Kushtetutën.

Edhe në rastin e pengimit të zbatimit të pjesës kryesore të marrëveshjes së dëmshme të Brukselit, ishte një veprim që i dha arsye Kosovës që të mos e zbatonte atë pjesë të marrëveshjes.

Mendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk do ta zgjidhë krizën politike. Gjykatave nuk u duhet lënë roli i diktimit të zhvillimeve politike. Konstatimi se presidenti nuk e ka shkelur Kushtetutën, duke ia dhënë mandatin Avdullah Hotit për të krijuar qeverinë, nuk do të thotë se krijimi i një qeverie të tillë është një gjë e mirë. Kosova duhet të shkojë në zgjedhje, në mënyrë që të marrin të gjithë një përgjigje: kë do populli. Gjykata Kushtetuese nuk e ka ndaluar zhvillimin e zgjedhjeve të hershme, si opsion për dalje nga kriza. Dhe nuk është as roli i saj. Përderisa të mos ketë zgjedhje, Kosova do të ketë një qeveri së cilës do t’i mungojë besimi i një pjese të madhe të qytetarëve, e besa edhe të një pjese të madhe të bashkësisë ndërkombëtare. Sepse edhe jashtë Kosovës kishte iluzione se kosovarët kanë votuar për ndryshime dhe se Kosova po bëhet madje edhe shembull në rajon, se si ndryshimet janë të mundshme. Por edhe ky ishte një iluzion. Ata e dinë se në Kosovë në pushtet do të jenë Isa Mustafa, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj, Begjet Pacolli, pa marrë parasysh se cilët do të jenë emrat e anëtarëve të qeverisë. E këtë nuk e kuptojnë si ndryshim e as nuk pajtohen se gjithçka e keqe Kosovës i ka ndodhur në katër muajt e fundit dhe gjithçka e mirë gjatë periudhës njëzetvjeçare, deri te krijimi i qeverisë që u rrëzua.

Le të kujtojmë vendimin e Kushtetueses së vitit 2014, se Ramush Haradinaj nuk mund të jetë mandatar për kryeministër, edhe pse e kishte siguruar shumicën e votave në Parlament. Ishte një vendim kundër parimeve të demokracisë parlamentare. Por kështu vendosi Gjykata Kushtetuese atëherë. Sikur të mos ishte ai vendim, ky vendim i fundit do të kuptohej dhe perceptohej më lehtë si vendim i paanshëm.

Gjykatat kushtetuese nuk janë gjykata klasike. Ato nuk shpallin dënime dhe nuk sanksionojnë. Por, meqë janë autoriteti më i lartë i interpretimit të Kushtetutës, vendimet e këtyre gjykatave duhet të respektohen. Por, mund të kritikohet, sepse edhe ato gabojnë. Paramendojeni sikur qeveria gjermane ta respektonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë. Do të merrte fund BE-ja.

Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë ka vendosur se vendimet e Bankës Qendrore Evropiane dhe të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Gjermanisë. Ky vendim ishte shokues, dhe këtu Gjykata nga Karlsruhe doli jashtë kompetencave të saj, madje edhe të Gjermanisë. Ligjet e BE-së dhe vendimet e Gjykatës Evropiane janë mbi ligjet nacionale. Prandaj, Gjermania ka gjasa të paditet nga Komisioni Evropian për shkelje të rregullave të BE-së. Tash Gjermania duhet të gjejë një zgjidhje politike për këtë lëmsh juridik që ka krijuar Gjykata e saj Kushtetuese. Nuk mund t’i lejohet asnjë shteti, qoftë ky edhe Gjermania, që të ketë mundësi të mos i respektojë vendimet e Gjykatës së BE-së.

Ai i Gjermanisë është vetëm një shembull se si edhe gjykatat kushtetuese mund të krijojnë nganjëherë më shumë probleme, sesa mund të zgjidhin. Kosova nuk është në hall aq të madh sa Gjermania në aspektin juridik. Por është në krizë politike, të cilën vështirë se do ta zgjidhë krijimi i qeverisë së re pa zgjedhje. Zgjidhja më e mirë do të ishte një qeveri ekspertësh me mandat të kufizuar, me detyrë të reformimit të sistemit zgjedhor dhe me ndryshimin e Kushtetutës. Por kjo nuk po ndodh, sepse në Kosovë politikanët preferojnë që punët të jenë të paqarta. Sepse kështu e kanë më lehtë të veprojnë, sesa në rrethanat kur gjërat janë më të qarta dhe të parashikueshme.

Të fundit

Ekspertët e sigurisë paralajmerojnë: NATO nuk eshtë gati për nje luftë

NATO nuk është gati për një luftë brutale në Arktik me Vladimir Putin, kanë paralajmëruar analistët. Pavarësisht stërvitjeve masive të...

Meloni me ‘mision sekret’ në SHBA: Do të takojë Trump, por nuk dihet pse

Mision sekret për Giorgia Melonin në SHBA. Kryeministrja italiane u nis drejt Shteteve të Bashkuara për të takuar presidentin e zgjedhur Donald Trump. Një takim...

SHBA, funerali shtetëror gjashtëditor i ish-presidentit Jimmy Carter

Gjashtë ditët e funeralit për ish-Presidentin Jimmy Carter filluan të shtunën në Xhorxhia. Jimmy Carter vdiq më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare. Ceremonitë e transmetuara drejtpërdrejt...

“Në fillim jam trembur…”, Eno Popi tregon raportin e veçantë me të bijën

Prej vitesh, Eno Popi jeton mes Kanadasë dhe Shqipërisë. Bashkëshortja dhe e bija 6-vjeçare jetojnë atje, ndërsa Eno, për shkak të punës së tij,...

Përfshihen nga flakët dy banesa në Pogradec

Dy banesa janë përfshirë nga flakët. Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 4 në Pogradec. Dy banesat janë përfshirë nga zjarri pasi mësohet se...

Lajme të tjera

Web TV