E keqja Borshit iu bë nga vitet 1946-1990 me goditje të rënda. E shpronësoi totalisht dhe imponoi zhvillimin e një lufte të egër klasore
Besnik Velaj
Dy fshatrat, Qeparoi dhe Borshi, shënojnë kufirin ndarës midis Bregut të Detit të Sipërm dhe Bregut të Detit të Poshtëm, të 7 fshatrave të Himarës apo Bregut të Detit, përgjatë detit Jon. Kufiri midis këtyre 2 fshatrave ndan dhe kufirin midis Sarandës dhe Vlorës. Megjithëse fshati Qeparo, është një perlë e rrallë buzë detit Jon, problematikë ka mungesën e ujit të pijshëm.
Para viteve ‘90, në vitet ’62-‘63 meqenëse çdo gjë ishte e shtetit, qeveria vendosi që Qeparoi të marrë ujë nga Izvori i Borshit. U tha dhe u bë. Të përkrahurit si beniaminë të qeverisë e rritën oreksin në “oreksika”, në grykësi të paparë dhe donin të ndërtonin një ujësjellës të ri…! Mirëpo a mund të merrej uji i pijshëm nga Kroi i Zonjave të Borshit, një burim i famshëm në Bregdet ku pinë ujë ZOTAT? Ky burim ndodhet 2 kilometra larg kalasë së famshme të Borshit, Fterrë. Kalaja e Borshit, si dhe qafa me të njëjtin emër, apo Qafa e Kalasë, është e vetmja kala dhe kështjellë e trimërisë së Gjergj Arianitit të Kaninës, rezistencë shekullore ndaj të huajve, turqit janë mundur 2 herë nga Gjergj Arianiti në këtë gjeografi akoma pa e martuar Donikën me Skënderbeun. Është e nevojshme t’i drejtohesh retrospektivës historike, sepse me Borshin po luhet makabrisht me pronat nga qeveritë vertikale me qeverisjen lokale të Lukovës, urat e zjarrit i shtynë dhe disa antishqiptarë apo antikrahinarë që shpërfillin parametrat e traditave zakonore.
Borshi, një fshat me bukuri të rrallë piktoreske, me fushë, me mal, det, qiell, me gjelbërim të përjetshëm, me bardhësi plus kaltërsi, pastërti, njerëz krenarë, të kapardisur, me pamje krenare, hundali, historikisht kanë qenë baza shtetërore e nacionalizimit të fuqishëm të shqiptarizmit në të gjithë Bregun e Detit që rrezatonin në të gjithë gjeografinë e Labërisë, pa mohuar dhe vlerat e njëjta dhe të Qeparoit lab. Ja p.sh të marrim historikun e Borshit, për të cilin nuk mund të heshtet, sidomos për disa maja me borë të bardhë të intelektualëve dhe patriotëve të rrallë, si më i madhi është Abdul Borshi apo Vasili (Mbreti) siç i thonë qeparotasit, ish-komandant i ushtrisë në Liban, në kohë të Perandorisë Turke, kur guvernator i përgjithshëm ishte rilindësi i madh shqiptar, Vaso Pasha apo Vaso Shkodrani, për të cilin ka dhe tri këngë të mbledhura nga poeti dhe mbledhësi i folklorit Thimi Mitko Korçari.
Një figurë tjetër e fuqishme dhe me vlera të larta kombëtare është dhe Dervish Duma, një nga këshilltarët më të aftë me mendje të kulluar, të kthjelltë të mbretit Zog, një nga themeluesit e Seksionit Shqip të Radio Londrës. Borshi është tradicionalisht fshat me agallarë, njerëz të shkolluar, të kurbetit nga e ka origjinën dhe këngëtarja e madhe italiane Loreta Goxhi, nga fisi Goxhi, të gjezdisur, të edukuar e të kulturuar. E keqja Borshit iu bë nga vitet 1946-1990 me goditje të rënda. E shpronësoi totalisht dhe imponoi zhvillimin e një lufte të egër klasore. Shteti i asaj kohe me mendësi staliniste, si në asnjë vend tjetër, përveç të tjerash, ndërtoi dhe një burg me emrin reparti 305 të MPB-së, e shndërroi Borshin dhe fushën me të njëjtën emër nga një bukuri e rrallë, në një vend internimi dhe burgimi. Imagjinarja është mërguar, realiteti kohës së mërguar ishte prezent para viteve ‘90. E krahasojmë me Komedinë Hyjnore të Dantes, sidomos me shpjegimet për ferrin. Bukuritë e rralla të paqethura natyrore për mijëra vjet u shndërruan në ferr, një çekan që u binte borshiotëve në shpirtin dhe lëkurën e tyre ditë për ditë “Kini kujdes, rrini sus, se ja ku e keni burgun, ju e keni më afër se të gjithë!” Sistemi i kooperativizimit pruri në Borsh, si në të gjithë Bregun e Detit dhe në Qeparo, kolonë vendas dhe kollovarë të huaj, që merrnin ndonjë nuse me lajmës. Borshi u bë shesh përshesh, apo “anakatameno”.
Me ardhjen e demo(ta)k(ë)raci(ta)së nga Katovica, që mos qoftë kurrë kështu për Borshin dhe Qeparoin, dhe me ligjin 7501 Bregdeti ndodhet para gijotinës mesjetare, ku xhelati rri gati me hanxhar mbi kokë për t’u marrë pronën e gjithçka. Fshatrat janë pa mbrojtje, prona pa mbrojtje, njerëzit pa mbrojtje… megjithëse ligjet janë në letra.
Të vijmë tek konteksti i fillimit të shkrimit.
Borshi është margaritari i njerëzve të vet, borshiotëve. Pse duan ta grabisin pushtetarët, të huajt dhe komshinjtë qeparotas, se fjalës i thonë” mikun e kërkon dhe e gjen si të duash”, por “të ligun po t’u qep në prag, s’e heq dot”. Thonë, se gjatë punimeve për ndërtimin ujësjellësit të fshatit Borsh, për lagjen Izvor, pa dashje u këput dhe linja e fshatit Qeparo. Thonë se qeparotasit u alarmuan, lajmëruan dynjanë deri na qeveri, thonë se erdhi dhe policia nga Himara, por megjithëse ngjarja ishte thjeshtë një aksident dhe prona ishte e borshiotëve, s’u shty më tutje. Mirëpo sipas Katovicës, ai që ka pronë s’është pronar, bëhet pronar ai që falsifikon, ulërin më shumë dhe ai që rrëmben. Pavarësisht se ngjarja ka ndodhur disa kohë më parë, por zakoni për t’u kruajtur të çon te kruajtja kronike, disa qeparotas i bënë përsëri dy gisht telegram kapso qeverisë. Përsëri “shkaktarët e kësaj katrahure” s’u ndaluan . Ishte aksident pa dashje. E kujt është prona e “Kroit të Zonjave të Borshit”??? Siç gjykohet nga ligji dhe Kanuni i Idriz Zhulit, në këto anë të Bregut të Detit lab që “quhet Shqipëri”, ujët e Izvorit është burim, nuk është “lumi që mori Vunon, mbyti dhe Qeparon”. Lumenjtë, liqenet, rezervuarët etj., janë pronë e shtetit, kurse burimet, tokat, bahçet, kullat që ndodhen nënë juridiksionin e kufijve të fshatit, janë pronë e fshat mavrisë. Pse qeparotasit, ca qeparotas duhet të thërrasin organet e rendit, d.m.th. policinë e shtetit, por ta zgjidhin me borshiotët mosmarrëveshjen. megjithëse ngjarja ka ndodhur disa kohë më parë? Mirëpo disa qeparotas këtë e kanë bërë dhe nga koha e para ’90-s dhe qeveritarët e tanishëm i lë palët të grinden, pengohen, të kapen nga litari jashtë varrit, që u la para viteve ‘90, kështu si me “Kroin e Zonjave të Borshit”, po ndodh me të gjitha pronat në të gjithë Bregdetin lab të Himarës dhe të 7 fshatrave të saj, ku askush se harron Kakomen?!
Toponimi” Kroi i Zonjave të Borshit”, është pikasur qindra e qindra vjet më parë, është toponim i rrallë, historik, interesant që nuk gjendet në asnjë vend të “Dynjasë” – veçse i ngjan titullit fisnik princëror të “Zonjave të Kaninës” me kështjellë dhe burimin në brendësi të saj, i ngjan nurit të bukurisë së tyre, shtatit të përhedhur, syve të zinj, veshjes së bardhë nusërore, shalli të madh që mbështillte bustin e princeshave, mbi to kapelës femërore me shqiponjën dykrenore të qëndisur në të, rreth gushës dhe ballit florinjtë stolisur, të paplakura kurrë, që jetojnë, pa le në Ballkanin e trazuar, sikur Ballkani nuk ka qenë iliro-pellazg. Trajtimi princëror – hyjnor i emrit me emancipimin femëror, delikatesën homerike si tek Penelopa e Odisesë, por me respektin brenda “Zonjave të Borshit” dhe pa dramën e Penelopës me thurje e shthurje të pëlhurës së saj natën. Ditën më diell, rrjedh se ishte një krua i rezervuar posaçërisht për Zonjat e Kalasë së Borshit dhe më gjerë, deri na Qeparo. Zonjat e Borshit kanë qenë të famshme nga Bukuria, nuri i dritës dhe drita e natës, shtatë selvi, mençurie bukurisë, shpirtërore, mençuria e mendimeve deri na beteja të provuara baras me meshkujt, lajkat e ledhatimet bashkë me lodrat dashurore me të zgjedhurin e zemrës, mikpritja dhe gjithë karakteristikat që sintetizojnë një zonjë të vërtet borshiote, apo zonjë qeparote, himariote, dhërmijase, palasikote, vunjotase, dukatase, tragjasiote, radhimnjote, deri te Zonja Princesha Rugjina, Zonja Princesha Donika e Skënderbeut të Kaninës me çezmat “Zonjat e Kaninës”, të gjitha në përbashkësi nurin e kripur të detit Jon.”Kroi i Zonjave të Borshit”, uji i këtij burimi, siç thonë njerëzit e thekur të Borshit, qejflinjtë e ujërave të kthjellëta, të kaltra, si miq e opozitar në kuvendet e tyre, si Aqif Ajdini, Ferik Mici, Sabaudin Kasëmi, Xhemil Lila, Zija Dafa, Mahmut Hodo, Nuri Mici, Hallë Qerimeja dhe Aisheja e Qamilit, Avdulla Lala, Ferik Hysi, Osman Elmazi, Dino Noga nga të Telat Nogës i Luftës Nacionalirimtare në Durrës, Shefqet Lala, Burhan Hodo, Dervish Mati. Qemal Kodhima, Rauf Xhani, Esat Lala, Novrus Leka, Sorkadh Çika, Mahmut Lala, mjaft borshiot të tjerë të nderuar që betohen në varr se ai ujë, ngrinte, ngre akoma dhe të vdekurit nga varret, një ilaç që të shëron. Shkon shumë me këngën hijerëndë, legjendë:
Hanko mos shko nëpër varre,/Se të vdekurit i ngjalle,/ Dhe të gjallët i kalle!
Hë de ky ujë, nga prehri i “Zonjave të Borshit” me bukuri të rrallë, filtron në Hadin homerian dhe bukuria plus” Ujin ilaç” bënë ngjallje-ringjallje, nuk duhet ta marrë njeri, qoftë dhe duke ua grabitur borshiotëve dhe zonjave të tyre. Kroi dhe zonjat të mbeten në korijet mahnitshme, pyjet e pafund ku jetojnë trimat, të dashuruarit, zanat. Meqenëse jemi na kapitalizëm, mos t’i vijë keq kushdo e cilido, se kohërat kanë ndryshuar. Le ta zgjedhë vet Borshi si të dojë, por theksojmë edhe një herë që ata, ato dhe kushdo tjetër i huaj, gjitoni në zemrën borshiote, nuk ka se të hahen si maçokët në muajin e marsit dhe të ngrihen e të grihen në mallin dhe resurset natyrore të Borshit e mbarë Bregdetit si kuajt atllarë në “pelat hergjele të botës”. Të bukurën, pjelloren e duan të gjithë, të virgjërën la ta fejojnë në daç me dashuri dhe në daç me mblesëri. Këto janë nderi dhe lavdia e një fshati. A nuk ishte kapedani qeparotas Sokrat Leka, që historikisht kushdo që vinte dorë mbi to, i dënonte si shkelësi i ligjit për të mos e pësuar fshatrat përreth Qeparoit, çdo lloj çnderimi të pariparueshëm dhe gabimi të pariparueshëm në Bregun lab të Jonit? Një herë gjatë zbarkimit të grekëve në ujërat e fshatit Qeparo, meqenëse forcat e kapedan Sokrat Lekës kishin pozicione të sigurta për mbrojtjen e kufijve të tyre, në mesin e grekëve u pa të valëvitej një flamur i bardhë. Çudi…! Shpjeguan se midis ushtarëve grekë…kishte dhe të gënjyer…tradhtarë, që donin të takonin njerëzit e tyre…!
S’e kanë ata fajin,/ e kemi vet,/ duhet t’u vëmë bataret!
Kjo ishte kënga që u këndua nga luftëtarët e kapedan Sokrat Lekës… greku me gjithë ç’kishte hipën në anijet e tyre dhe s’u dukën më në Qeparo! Dhe dihet se ç’ishte nderi për kapedanin e madh shqiptar, qeparotasin Sokrat Leka! Megjithëse si në kontekstin e mësipërm ngjarja ka disa kohë që ka ndodhur, apo kohë më parë, problemin ne po e lëmë të hapur për replikë me këdo e cilido, se në Bregun lab të Bregdetit, Borsh e kudo, po fusin hundët kulishë të rinj – fusin thonjtë e tyre të pista në shumë tava njëherësh këlyshë të rinj, që ndërsehen nga bushtrat e vjetra lart në vertikale, që duan të bëjnë kurban pronat tona për veten e tyre, replikat duhet të jenë aktuale, me shembuj konkretë, me fajtorë, dhe deri ku ka arritur zullumi i tyre? Publiciteti i bën fajtorët të maten mirë, të shohin punët e tyre dhe të mos lakmojnë çairet e njoma të botës. Larg duart nga pronat e Bregut lab të Bregdetit Vlorë, Himarë, Sarandë, Delvinë. Ato janë fëmijët, gratë dhe motrat e bregdetasve, janë varret e gjyshërve e stërgjyshërve të tyre, larg duart dhe dhëmbët e krimbur nga pronat bregdetasve. Ky është nderi, bukuria, dhe pastërtia, prandaj larg e larg e shumë larg duart, sa më shumë larg dhe “Kroit të Zonjave të Borshit”!!!