Ylli Manjani: Zgjidhjet e importuara diplomatikisht janë dështim

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

-30 vjet në dorë të ndërkombëtarëve

“Nuk mund të luajmë shpijash me ambasadorë, por duhet të ndërtojmë institucionet tona”.  Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, në një intervistë për gazetën “Fjala” e quan një dështim për politikën shqiptare pranimin e zgjidhjeve në zyrat e ambasadorëve. Ai beson se zgjidhjet që na janë imponuar nga zyrtarët e radhës nëpër ambasada kanë qenë të dështuara, duke marrë shembull reformën në drejtësi. Por, sipas tij, përgjegjësia duhet kërkuar te politikanët  tanë, të cilët janë votuar për të bërë shtet dhe përdorin ndërkombëtarët si alibi për prapësirat e tyre.” 

Tre ambasadorë, i SHBA-së, BE-së dhe Britanisë, kanë marrë përsipër rolin negociator për reformën zgjedhore. Një histori e përsëritur kjo në 30 vjet demokraci. A  është normale kjo gjë? Pse politika shqiptare ka nevojë gjithmonë për arbitër?

Më vjen turp, me thënë të drejtën, që për çështje puro tonat u besojmë më shumë disa zyrtarëve të shteteve të tjera, sesa atyre që votojmë të na përfaqësojnë. I parë nga ky këndvështrim,pa dyshim shoh një konflikt të rëndë në marrëdhënien e përfaqësimit politik në këtë vend. Politikanë e parti që janë votuar nga populli nuk bëjnë punën për të cilën mandatohen, po shtrohen në muhabet nëpër seli ambasadash. Personalisht, kam refuzuar e refuzoj ta pranoj si standard. Nga ana tjetër, përfshirja e ambasadorëve në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tona politike, nuk do të thotë se zbriti Zoti në tokë dhe u dha drejtim problemeve. Përkundrazi, thuajse të gjitha zgjidhjet e importuara nga ambasadat në vite kanë rezultuar dështake në realitetin tonë.  Dështimi i fundit ishte reforma në drejtësi. Pjesë e problemit është se edhe ambasadorët nuk sillen si të paanshëm, por automatikisht marrin anën e atij që qeveris, sepse me atë i kanë udhëzimet që të punojnë. Ndaj perceptimi që ambasadorët janë drejtësia në këtë vend, është i gabuar kokë e këmbë. Nuk e pranoj gjëkundi teatrin diplomatik që ambasadorët na dashkan më shumë ne, sesa neve veten dhe vendin tonë. As logjikën që me në krye ambasadorët joevropianë do të hyjmë në Evropë!

Kush është zgjidhja?

Ndërtimi i shtetit e shoqërisë demokratike është proces. U takon vetëm shqiptarëve ta bëjnë vendin e tyre. Sa më shpejt, aq më mirë. Zgjidhjet e importuara diplomatikisht apo të blera me koncesion ekspertësh, pa din e iman, janë dështim. Arbitri i vetëm i politikës shqiptare është populli shqiptar. Siç është populli amerikan për politikën amerikane, italianët për politikën e tyre etj. Populli duhet të thirret më shpesh të votojë. Kjo është zgjidhja. Meqë ra fjala, as ambasadorët nuk e duan këtë zgjidhje. Sepse janë rehat të punojnë me gangsterin e radhës që qeveris. Kjo është pikëpamja ime e pandryshueshme.  Asgjë personale nuk ka në këtë pikëpamje, thjesht analizë dhe konstatime që realiteti ynë t’i jep me shumicë.

Hera e fundit kur ndërkombëtarët ndërhynë kaq fort, ishte ajo e reformës në drejtësi, e cila pas 3 vitesh akoma s’ka rezultate të prekshme. A duhet të merret a priori si çdo gjë që bëjnë e thonë të huajt është më e mirë dhe më e drejtë? Nuk është pjekur elita jonë politike mjaftueshëm, për të funksionuar pa porosi nga jashtë?

Lexo edhe :  E hëna ditë e ngjeshur në SPAK për Berishën/Fati i kreut të PD sërish në dorë të gjykatës

Po pra, dhe e ndritën. Lanë vendin pa gjykata, shkatërruan shtetin me pushtete të ndara dhe sot kemi një shtet monist fund e krye. Duhen akoma prova për të kuptuar se çfarë dështimi spektakolar pati importi i zgjidhjeve dhe koncesioni i ekspertëve pa emër?! Halli është se askush nga ata nuk mban përgjegjësi. As u plas fare, sepse gjejnë punën tjetër dhe ikin. A ia di njeri kontaktet zotit Lu e zonjës Lei të delegacionit të BE-së?! As këtyre që janë sot aktivë nuk do t’ua dimë kontaktet. Por dëmet që shkaktojnë, për shkak se kështu u intereson politikanëve tanë, janë të mëdha. E përsëris: në fund të fundit, përgjegjësia duhet kërkuar te politika jonë. Ata marrin vota prej popullit të vet, jo ambasadorët, as ekspertët. Këta të fundit vetëm sa përdoren si alibi prapësirash që bëjnë politikanët që qeverisin.

Sipas jush, si dhe për çfarë çështjesh duhet të ishte e nevojshme konsulta apo ndërhyrja e huaj në Shqipëri, dhe ku ka çaluar funksionimi normal i demokracisë që kjo ndërhyrje kërkohet vazhdimisht, edhe kur jemi duke pritur të bëhemi vend anëtar i BE-së?

Siç ju thashë, ndërtimi i shtetit demokratik është proces. Si të tillë proceset kërkojnë kohë, por edhe shkëmbime përvojash me të tjerë. Pra, ne nuk mund ta ndërtojmë një gjë pa e parë diku tjetër se si funksionon. Prandaj bashkëpunimi me të tjerë në Perëndim është detyrë. Por bashkëpunim jo koncensionim, për të fshehur përgjegjësitë tona politike para popullit. Procesi i integrimit në BE, në thelb është ushtrimi i duhur që kemi nevojë. BE-ja është proces i ftohtë. BE-ja të sheh je apo s’je në standardet e tyre. Dhe nuk të detyron të importosh standarde, por të mat aftësinë që ke për të ndërtuar vetë standarde dhe për t’i mbajtur ato.   Pra, BE-ja nuk thotë aman demokratizohuni (siç thotë Soreca), por të vë metrin dhe të mat sa i zoti je për të ndërtuar sistem demokratik. Në këtë kuptim është e çuditshme se si delegacioni i BE-së komprometoi rolin e vet monitorues të paanshëm, duke u bërë aktor në jetën politike në vend. Nejse, temë tjetër kjo. Por procesi i anëtarësimit është më seriozi që duhet trajtuar seriozisht. Që do të thotë se reformat e demokracisë e të shtetit nuk mund të ngjizen në rezidencën e asnjë ambasadori, por në institucionet publike të shtetit. Kur të ndodhë kjo e fundit, do të tregojmë seriozitet. Nuk mund të luajmë shpijash me ambasadorë, por duhet të ndërtojmë institucionet tona publike të dialogut e të vendimmarrjes demokratike. Deri atëherë, kemi kohë. Kush të dojë le të entuziazmohet edhe nga deklaratat e ambasadorëve. Për sa më takon, ndihem i turpëruar, sa herë ata bëjnë detyrat tona./Fjala.al

Ngjela: Amerikanët po punojnë në interesin e Shqipërisë, politikanët tanë joref

‘Zgjedhorja’/Agim Nesho: Politikanët pa e ide e vizion kanë nevojë për arbitër

Të fundit

Dua Lipa përjeton tmerrin, i shpëton zjarrit masiv në Los Angeles: Ishte e frikshme!

Dua Lipa është një nga personazhet e famshëm që është larguar nga Los Angeles për shkak të zjarreve masive...

“Ndjenjat njohin moshë?” Debat i ashpër mes Xumit dhe Eglit

Situata filloi pas një mendimi të Xumit mbi ushqimin që kishin konsumuar, ku ai komentoi për fileton që kishin ngrënë, duke sugjeruar se nuk...

Përmbytjet e Vlorës/ Qeveria dëmshpërblen 375 familje të prekura me mbi 61 mln lekë

Qeveria Shqiptare mbështet banorët e prekur nga përmbytjet e datës 4 tetor 2024 në Vlorë. 61 milionë lekë shkojnë për 375 familje të prekura nga përmbytjet...

Komentet homofobe të Papës sjellin revolucion në Kishën Katolike

Kisha Katolike në Itali ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm sa i përket seminareve të priftërinjve. Siç bëjnë me dije mediat italiane, në to do të lejohen...

Kalifornia përballë katastrofës, tërmete dhe zjarre shkaktojnë viktima e dëme

Kalifornia u godit nga dy tërmete të njëpasnjëshme të premten ndërsa shteti perëndimor i SHBA-ve lufton me zjarret vdekjeprurëse. Një tërmet me magnitudë 3.7 u...

Lajme të tjera

Web TV