Superliga e Kosovës do të rinisë sot me kalendarin e mbetur që premton beteja të forta për pjesëmarrjen në kupat kontinentale. Te Llapi janë të vendosur për të siguruar kualifikimin në garat europiane për edicionin e ardhshëm, synim që duan ta realizojnë gjatë 11 ndeshjeve të mbetura të Superligës së Kosovës. Ndeshja e parë që do të sinjalizojë rikthimin e kampionatit të Kosovës do të zhvillohet sot në stadiumin “Zahir Pajaziti” ndërmjet skuadrës së Llapit dhe Dukagjinit.
Superliga e Kosovës ka qenë e pezulluar që nga data 13 mars për shkak të koronavirusit, kurse ndeshjet e para pas pandemisë u zhvilluan të martën dhe mërkurën në kuadër të Kupës së Kosovës. Dueli mes Llapit dhe Dukagjinit i përket javës së 23-të dhe luhet sot në 16:00. Trajneri vendas Tahir Batatina pret që ekipi i tij të rifillojë me fitore, aty ku edhe e la para se të pezullohej kampionati.
Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen pa praninë e tifozëve në tribuna dhe në përputhje me udhëzimet nga institucionet përgjegjëse për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Gjithashtu, skuadrat kanë të drejtën e pesë zëvendësimeve për shkak të orarit të ngjeshur, pasi do të ketë ndeshje çdo tre ditë.
Të shtunën do të zhvillohen dy ndeshje të tjera, kurse kjo fundjavë do të mbyllet me tre ndeshjet që do të zhvillohen të dielën. Ndeshja e fundit do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” ndërmjet Prishtinës dhe Ferizajt, të dielën duke nisur nga ora 18:00. Ndërkohë, duelet e tjera do të startojnë në 16:00.
Superliga – XXIII
E premte Llapi – Dukagjini (16:00)
(Arbitra: G. Nuza, F. Berisha, B. Selimaj, V. Kastrati)
E shtunë Feronikeli – Vushtrria (16:00)
(Arbitra: M. Bejtullahu, A. Ejupi, J. Musolli, B. Kasumi)
Drita – Flamurtari (16:00)
(Arbitra: S. Isufi, D. Preniqi, V. Kelmendi, B. Ajeti)
E diel
Gjilani – Trepça ’89 (16:00)
(Arbitra: G. Shala, E. Zeqiri, F. Sekiraqa, A. Halilaj)
Ballkani – Drenica (16:00)
(Arbitra: A. Shala, G. Hyseni, G. Mehmeti, I. Ceroviku)
Prishtina – Ferizaj (18:00)
(Arbitra: D. Çaka, I. Kabashi, F. Abrashi, I. Mehmeti)