Sapo doli nga banesa e tij Ardian Çapja u qëllua me armë snajper në një distancë prej 300 metrash. Plagosja e rëndë e 55-vjeçarit në atentatin e tretë në vitet e fundit. Çfarë po ndodh në qytetin e Elbasanit, RENEA blindon qytetin, por autorët largohen.
20 kamara sigurie përqark banesës dhe biznesit të Çapjes filmuan “plagosjen e të zotit” nga arma “Sako TRG M10 338 Lapua Magnum”, 27 mm, prodhuar në Finlandë. Saga e krimeve në dhjetë vitet e fundit në përplasjen mes tri fiseve. Cilat janë krimet më të bujshme të kryera me snajper në vendin tonë.
Pas disa muajve qetësi, një ngjarje e rëndë ka tronditur Elbasanin dhe mbarë opinionin mëngjesin e djeshëm. Ardian Çapja, një emër i njohur për drejtësinë, është paraqitur i plagosur mëngjesin e djeshëm, rreth orës 09:37 minuta në spitalin e Elbasanit. Sipas policisë lokale, 55-vjeçari dyshohet se është qëlluar me armë zjarri pranë banesës së tij, në lagjen “Emin Matraxhiu”.
Familjarët e të plagosurit fillimisht thanë se ai ishte lënduar, pasi ishte rrëzuar në banesë, por policia nga hetimet paraprake arriti në përfundimin se ai ishte qëlluar me një armë të rëndë. Kjo pasi pak minuta më pas u gjet një makinë e djegur në dalje të qytetit, në zonën e njohur si Fushë-Mbret.
Automjeti pa targa dyshohet se është përdorur nga autorët. Gjithashtu, po dje, gjatë përpjekjeve për të shuar zjarrin, është plagosur edhe një punonjës i zjarrfikëses, pasi ka shpërthyer një nga plumbat që gjendeshin në makinë. Pas ngjarjes së rëndë drejt Elbasanit u nisën edhe forcat RENEA nga Tirana, ndërsa në pikat kyçe të zonës janë ngritur pika kontrolli në përpjekje për të kapur autorët.
Mësohet se gjendja e Çapjes është e rëndë dhe se ai ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës, në kryeqytet, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale. Sipas mjekëve, 55-vjeçari ka marrë një plumb tejshpues në pjesën e shpatullës dhe ka dëmtime në organet e brendshme.
Ardian Çapja është një emër i njohur në qytetin e Elbasanit, por edhe për drejtësinë, pasi ka qenë shoqëruar disa herë, ndërsa në vitin 2017 u ka shpëtuar dy atentateve me armë dhe eksploziv.
Operacioni Forca e Ligjit i dërgoi pak kohë më parë Ardian Çapjes formularin për pasurinë, por 55-vjeçari nuk ka një dënim në Itali apo në Shqipëri, pavarësisht se ka qenë disa herë i shoqëruar, ose i ndaluar, duke e bërë nul kërkesën.
Në emër të 55-vjeçarit figurojnë të regjistruara disa pasuri në prona të paluajtshme, hotel, restorant, karburant, lavazhe etj., duke gjeneruar të ardhura të shumta.
Hetimet
Përplasja mes bandave që operojnë në qytetin e Elbasanit është pista kryesore ku janë përqendruar hetimet për zbardhjen e atentatit të bujshëm në Elbasan, mëngjesin e djeshëm. Grupi hetimor, i ngritur për zbardhjen e atentatit, ka dalë në përfundimin se autorët kanë qenë të mirorganizuar.
Burime bëjnë me dije se autorët për të paktën një javë kanë studiuar lëvizjet e 55-vjeçarit. Autorët kishin informacion dhe ishin në dijeni se objektivi i tyre është një person me rrezikshmëri të lartë dhe i kishin marrë të gjitha masat, pasi në automjetin me të cilin ata u larguan nga vendi i ngjarjes, përveç snajperit u gjetën edhe armë e municione të rënda.
Dyshohet se kanë qenë tre persona ata që janë afruar për të qëlluar me snajper në makinë, ku njëri ka qenë shoferi dhe dy të tjerët në sediljet e pasme. Të dyshuarit udhëtonin me makinën tip “Volkswagen”, e cila u gjet e djegur pak më vonë, bashkë me municione brenda.
Ndërkohë dy të tjerët i kanë pritur për t’i larguar më tej, nga vendi ku dogjën makinën e përdorur për atentatin në Fushë-Mbret. Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë, të cilat kanë qenë të shumta, për shkak se banesa e 55-vjeçarit është pranë kompleksit “Univers”.
Zona ku jeton familja Çapja është e rrethuar me kamera sigurie, kjo për shkak edhe të sulmeve të mëparshme ndaj tyre. Janë të paktën 20 kamera sigurie të sekuestruara nga hetuesit që po punojnë për zbardhjen e ngjarjes.
Sipas burimeve, mësohet se ndaj 55-vjeçarit është qëlluar nga një largësi prej 300 metrash. Për fatin e tij, plumbi i lëshuar e kapi në shpatull, duke i shkaktuar një plagë të madhe. Aktualisht Çapja ndodhet në Spitalin e Traumës në sallën e reanimacionit.
Snajperi me të cilin u qëllua Ardian Çapja vret deri në 800 metra
Snajperi i gjendur i djegur në makinën e atentatorëve të Ardian Çapjes është një model mjaft i sofistikuar. Burime bëjnë me dije se autorët qëlluan drejt 55-vjeçarit, me qëllim eliminimin e tij me një snajper të llojt “Sako TRG M10 338 Lapua Magnum”, 27 mm, prodhuar në Finlandë. Kjo lloj arme është mjaft precize dhe saktësia për ekzekutimin e objektivit është 600-800 m.
Arma me të cilën u qëllua në drejtim të Ardian Çapjes kushton nga 7000 deri në 10000 dollarë në tregun e rregulluar të armëve, ndërsa mendohet se në tregun e zi ajo shkon edhe më tepër. Vetë kostoja e kësaj arme tregon se atentati ndaj Ardjan Çapjes është i mirorganizuar dhe financuar nga personazhe me fuqi financiare. Snajperi në fjalë peshon mesatarisht 6,5 kilogramë Mbushja bëhet manualisht dhe në karikator mban 9 ose 11 fishekë, në varësi të specifikave që kërkon blerësi.
Në drejtim të Ardian Çapjes u qëllua prej kodrës së Krastës, nga një largësi e pazakontë për armë të thjeshta. Sipas hetuesve, mësohet se Ardian Çapja u qëllua nga rreth 300-350 metra largësi me snajperin, i cili mund të vrasë deri në 800 metra.
Për fatin e tij, plumbi i lëshuar e kapi në shpatull, duke i shkaktuar një plagë të madhe. Ardian Çapja ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës. Burime bëjnë me dije se 55-vjeçari i është nënshtruar operacionit për heqjen e plumbit në shpatull, por gjendja e tij është kritike.
Operacioni ka zgjatur 3 orë dhe Çapja ka pasur shumë humbje gjaku. Plumbi ka hyrë nga pas në shpatull dhe ka dalë në kraharor duke kaluar shumë pranë zemrës e duke dëmtuar arterien dhe nervat. Jashtë kamerave drejtori i spitalit, Arben Zenelaj, tha se gjendja shëndetësore e Çapjes është kritike.
Para se të transportohej në Tiranë, 55-vjeçari ka pasur shumë hemorragji. Sipas informacioneve zyrtare nga policia e Elbadanit, “më datë 08.06.2020, rreth orës 09:37, në urgjencën e spitalit Elbasan, është paraqitur për ndihmë mjeksore shtetasi Ardian Çapja, rreth 55 vjeç, banues ne lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan, dyshohet i plagosur me armë zjarri. Policia po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”.
Atentatet me snajper që tronditën vendin
Atentati me snajper mëngjesin e djeshëm, ndaj Ardian Çapjes nuk është i padëgjuar në vendin tonë. Ngjarje të tilla janë të rralla, por jo të panjohura për autoritetet. Ilir Bardhi u ekzekutua me një plumb në kokë, në mars të vitit 2000. Ngjarja bëri bujë, pasi i riu u ekzekutua në ambientet e burgut 313, kur doli për ajrosje.
I riu u ekzekutua kur kishte dalë për ajrosje, ndërsa atentatori qëlloi nga dritarja e një pallati që dodhej 200 larg burgut 313. Pasi ka eliminuar objektivin e tij, vrasësi profesionist ka zbritur shkallët dhe ka hipur në një makinë që e priste poshtë me targa italiane, por nuk ka bërë më shumë se 5 m rrugë dhe shoferi është përplasur me trotuarin, ku dhe u arrestuan nga forcat speciale.
Bardhi u vra për shkak të hakmarrjes, pasi akuzohej për vrasjen e Denis Ginës. Në janar të këtij viti, një atentat mafioz do të trondiste Rrëshenin, ku do të ekzekutohej me snajper me një plumb të vetëm në zemër ish-bashkëpronari i televizionit “Media Plus” në Lezhë, Kastriot Reçi, 47 vjeç.
Reçi është qëlluar me snajper nga tarraca e një pallati në momentin kur sapo ka dalë nga lokali në pronësi të tij, për të hipur në makinë. Atentati mafioz ndodhi shumë pranë komisariatit të policisë. Policia gjeti në tarracën e pallatit edhe snajperin e përdorur nga autori. Duke iu referuar mënyrës së vrasjes, autorët dyshohet ta kenë ruajtur viktimën prej disa kohësh për ta ekzekutuar.
Autori ishte pozicionuar në tarracën e një pallati dhe e ka qëlluar Kastriot Reçin nga 150 metra larg, ndërsa menjëherë pas vrasjes është larguar. Një tjetër ekzekutim me snajper do të ndodhte në qershor të vitit 2015, ku do të ekzekutohej me snajper nga kalaja e Rozafës në Shkodër Xhabir Shegaj.
Saga e vrasjeve në fisin Çapja, të akuzuar dhe të goditur
Krimet në seri mes tri fiseve sollën një bilanc tragjik me shumë të vrarë dhe të plagosur. Disa nga ngjarjet, edhe pse konsideroheshin të zbardhura nga prokuroria, janë rrëzuar në gjykatë nga vendime të dyshimta.
Përplasjet mes grupeve kriminale në qytetin e Elbasanit i kanë fillesat prej një dekade e gjysmë më parë. Vrasja e Sokol Çapjes, më 26 dhjetor të vitit 2005, solli një sërë ngjarjesh kriminale në qytetin e Elbasanit. Në një lokal pranë universitetit të Elbasanit, tre persona qëlluan ndaj Sokol Çapjes, pronari i hotel “Universit” në Elbasan.
Autorët, pasi hynë në local, u kërkuan të klientëve të shtriheshin ndërsa iu drejtuan Sokol Çapjes duke e qëlluar atë dhe duke e lënë të plagosur rëndë, i cili më pas vdiq në spital. Të dyshuar për këtë krim, policia arrestoi Armand Hasanin, kunati i Fadil Memës, Dritan Shemen, si dhe Gentian Beqirin, i njohur edhe me emrin Ardian Meta.
Beqiri, u dënua me 25 vite burg në Gjykatën e Apelit në Durrës, por Gjykata e Lartë e riktheu çështjen, ndërsa Beqiri u la në arrest shtëpie. Ai u vra me 16 gusht të vitit 2012, ndërsa dy persona iu afruan banesës që ruhej me policë dhe iu prezantuan atyre se ishin djemtë e tezes së Gentian Beqirajt.
Në të njëjtën ngjarje mbeti i vdekur edhe babai i tij, Nazim Beqiraj. Pas vrasjes së Çapjes në vitin 2005, më 19 qershor 2006, u vra Dritan Sheme në një banesë në kryeqytet, pak kohë pasi ishte kthyer në Shqipëri nga Italia. Për këtë krim policia nuk ka identifikuar dot të dyshuarit. Po në vitin 2006 mbeti i vrarë kunati i Fadil Memës, Ardian Ibrahimi, i cili u qëllua pranë autoshkollës që ishte në pronësi të Memës.
Po ashtu, edhe për këtë ngjarje, nuk pati persona të ndaluar apo të arrestuar, pavarësisht se u shoqëruan shumë të dyshuar. Në vitin 2009 mbeti i vrarë ish-efektivi i antidrogës së Elbasanit, Roland Rexhepi, i njohur edhe me nofkën Doda. Për këtë krim ishin të dyshuar dhe u ndaluan Armand Llaka, Marjus Tafa e Arben Jaçe.
Gjykata nuk i vlerësoi provat e ofruara nga prokuroria, duke i liruar të dyshuarit. Ndërkaq, në vitin 2012, në banesën e tij u vra Gentian Beqiri, bashkë me babain e tij, Nazim Beqiri, i cili ishte i njohur edhe si një nga miqtë e ngushtë të Fadil Memës.
Për këtë krim policia arrestoi Arben Jaçen dhe Florenc Çapjen. Edhe në këtë rast, ashtu si në rastin e Rexhepit, personat u lanë të lirë për mungesë provash. Jaçe pati pretenduar se gjithçka ndaj tij ishte një inskenim pa asnjë provë. Me 13 mars 2013, u vra në Torino të Italisë, Fadil Mema.
Ai u qëllua në mbrëmje me armë zjarri, duke marrë 6 plagë, poshtë shtëpisë së tij. Për të gjitha këto ngjarje policia dhe prokuroria kanë hetuar anëtarët e fisit Çapja, por pa vënë përpara drjtësisë asnjë prej tyre, për shkak të mungesës së provave.
Goditja e Fisit Çapja
Pjesëtarët e fisit Çapja jo vetëm janë hetuar dhe shoqëruar në polici, pasi janë akuzuar si organizatorë apo autorë të shumë ngjarjeve të rënda kriminale, që kanë ndodhur në qytetin e Elbasanit gjatë 15 viteve të fundit, por ata edhe janë goditur nga rivalët e tyre, duke humbur disa nga të afërmit e tyre.
Ngjarja më e bujshme është ajo e shkurtit të vitit 2016, kur në lokalin “Rrapi i Gonit”, në pronësi të Agron Çapjes, 4 persona të maskuar me kamuflazh ushtrie do të kryenin një masakër me 3 të vdekur dhe 8 të pagosur.
Masakra me 3 të vdekur dhe 8 të plagosur
Qytetit i Elbasanit dhe mbarë opinioni publik u trondit nga ky krim i rëndë me tre të vdekur dhe tetë të plagosur. Në këtë ngjarje, e cila i përngjante një akti terrorist, mbetën të vrarë 3 pjesëtarë të fisit Çapja dhe u plagosen 8 të tjerë, miq e familjarë të kësaj familjeje, e cila është bërë shpesh lajm i kronikës së zezë.
Të ekzekutuar në vend mbetën Agron Çapja, nipi i tij, Ardit Sinakoli dhe miku i familjes, Eno Bedalli, ndërsa u plagosën Fejzulla Çapja; Ferit Muça; Luan Muça; Bledar Muça; Bujar Reshka; Florenc Çapja; Ardian Zharri dhe Arnold Çapja. Pas masakrës, ekzekutorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Dëshmitarët e skenës së krimit kanë parë një makinë “Benz” me ngjyrë gri t’i afrohej lokalit njëkatësh.
Atentati i dështuar ndaj Florenc Çapjes dhe Bujar Muçës
Pesë muaj pas masakrës me 3 të vrarë dhe 8 të plagosur, më konkretisht, më qershor të vitit 2016, një tjetër atentat mafioz do të trodiste Elbasanin. Shumë pranë drejtorisë së policisë Shkëlzen Hasanpapaj, në atë kohë 19 vjeç, do të qëllonte me breshëri kallashnikovi drejt automjetit tip “Golf 4”, me të cilin po udhëtonte Muça dhe Çapja.
Sipas dosjes së prokurorisë, autori kishte më shumë se një orë që i ruante shënjestrat e tij ulur në një lokal përballë ish-maternitetit. Autori thuhet se qëlloi me breshëri në drejtim të mjetit tip golf dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes.
Aksidentalisht në këtë atentat u plagos një ish-oficer police. Ishin kamerat e sigurisë që identifikuan autorin, i cili, pasi kreu krimin, u kap duke vrapuar nëpër rrugicat e lagjes “Spajkorre”.
Kujtojmë që pas kryerjes së krimit, i dyshuari Hasanpapaj është larguar në drejtim të Holandës, ku dhe është arrestuar dhe ekstraduar prej andej në Shqipëri. Ai nuk i ka pranuar akuzat e Prokurorisë së Elbasanit, por grupi i hetimit pretendon se një analizë ADN-je ka zbuluar identifikimin e tij në këtë ngjarje të rëndë kriminale, të ndodhur në qendër të Elbasanit.
Në nëntor të vitit të kaluar 23-vjeçari Hasanpapaj u dënua me 10 vite burg nga gjykata për atentatin e qershorit të vitit 2016, ku fatmirësisht nuk pati viktima. Për eliminimin fizik të Çapjes dyshohet se është paguar Hasanpapaj.
/l.m/Fjala.al