Plagosja e Ardian Çapjes dyshohet se është kryer nga profesionistë që janë ose kanë qenë pjesë e forcave speciale ushtarake.
Krimet më të bujshme ku dyshohet se u përfshinë efektivët elitë të ushtrisë, nga anëtarë të ISIS, në vrasje dhe grabitje të dhunshme.
Gazeta “Fjala” zbulon detaje nga hetimi i ngjarjes në Elbasan. Ekspertët e policisë dyshojnë se autori, që mund të jetë vrasës me pagesë, gaboi vetëm në llogaritjen e erës, pasi plumbi tejshpues kaloi vetëm tre milimetra larg zemrës së 55-vjeçarit Çapja.
Detyra e tyre konsiderohet fisnike, kur betohen me dorë mbi flamur se do të mbrojnë atdheun edhe me jetët e tyre, por forcat elitë të ushtrisë, në disa raste i janë futur botës së krimit. Komando apo ish-komando (efektivë të mirëstërvitur fizikisht dhe trajnuar psikolgjikisht), në disa raste janë kthyer në vrasës gjakftohtë me pagesë, apo grabitës të dhunshëm.
Edhe ngjarja më e fundit ku mbejti i plagosur me snajper, Ardian Çapja, dyshohet se është kryer nga një “dorë e stërvitur”, nga efektivë apo ish-efektivë të forcave speciale të ushtrisë. Kur kanë kaluar gati 48 orë nga atentati ndaj 55-vjeçarit Çapja, hetuesit dyshojnë se qitësi është profesionist dhe mund të jetë pajtuar nga rivalët e objektivit të atentatit si vrasës me pagesë.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ka dyshime që qitësi është efektiv apo ish-efektiv i forcave elitë të ushtrisë, pasi snajperi i përdorur në ngjarjen e mëngjesit të së hënës ishte mjaft preciz dhe përdorej vetëm nga trupat ushtarake.
Gjithashtu, një detaj tjetër që i ka çuar hetuesit në këtë përfundim është pasi autori, edhe pse ka qëlluar nga një distancë e largët, ka mundur ta fokusojë objektivin e tij, ku plumbi tejshpues ka kaluar vetëm 3 milimetra larg zemrës.
Gjithashtu, dyshohet se autori nuk është nga qyteti i Elbasanit, por nga një qytet tjetër, kjo pasi ai nuk ka llogaritur erën, sepse vendi ku ai qëlloi, pranë grykës së Krastës, shkakton rryma të shumta ajrore. Sipas ekspertëve, këto rryma i kanë shpëtuar jetën 55-vjeçarit Çapja. Në lidhje me ngjarjen policia ka shoqëruar në polici rreth 35 persona.
Mes të shoqëruarve janë edhe individë që, sipas policisë, dyshohet se kanë konflikte me anëtarët e fisit Çapja. Por edhe pse numri i të shoqëruarve ka qenë i lartë, deri tani nuk ka asnjë person të ndaluar, meqë pasi u është marrë dëshmia që të gjithë janë lënë të lirë.
Gjithashtu janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë në rrugën ku mendohet se automjeti i autorëve ka kaluar deri në Fushë-Mbret. Pas 15 minutash nga atentati në lagjen “Skenderbej” u gjet tërësisht i djegur mjeti tip “Volksvagen Sharon”.
Policia mundi të dallojë targën e tij AA 821 MD. Nga veprimet hetimore rezulton se targat i përkasin një mjeti tjetër, “Citroen C3” dhe janë deklaruar të vjedhura në Krujë, një vit më parë, më 6 maj 2019.
Ngjarja
Një atentat që dhe filmat e Holliwood-it do ta kishin zili, tronditi mëngjesin e së hënës qytetin e Elbasanit. Ardian Çapja, “koka” e familjes së njohur të këtij qyteti, u qëllua sapo doli nga banesa e tij, e cila ndodhet shumë pranë kompleksit të njohur “Univers”.
Pavarësisht se zona kontrollohet nga familja Çapja, ku të gjitha lëvizjet monitorohen me kamera sigurie, autorët arritën të depërtojnë për herë të tretë, por sërish nuk ia arritën qëllimit. Çapja, mori një plumb në shpatullën e majtë. Në momentin që u rrëzua dhe ra në tokë, ai mori edhe një frakturë në kokë.
Menjëherë pas këtij atentati mafioz ai u dërgua në spital, ku pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në Spitalin e Elbasanit u dërgua drejt kryeqytetit, për të marrë ndihmë më të specializuar. Fillimisht, familjarët e të plagosurit thanë se ai ishte lënduar, pasi ishte rrëzuar në banesë, por policia pretendimet e tyre i rrëzoi pas disa minutash, pasi në lagjen Fushë-Mbret u gjet një automjet i djegur, i cili ishte përdorur nga atentatorët në këtë ngjarje të rëndë.
Sipas grupit hetimor, mjeti i cili rezulton me targa të vjedhura në Krujë, është përdorur nga autorët që i bënë atentat Ardian Çapjes, çka është përforcuar nga fakti se aty është gjetur një automatik i modifikuar si snajper. Gjatë ndërhyrjes për shuarjen e flakëve në mjet, ka pasur shpërthime të municioneve dhe për pasojë ka mbetur i plagosur një efektiv i zjarrfikëses së Elbasanit.
“Në lagjen “Skënderbej”, Elbasan, rreth orës 09:43, është gjetur duke u djegur një mjet tip “Volkswagen”. Për shuarjen e zjarrit kanë shkuar forcat zjarrfikëse dhe gjatë punës për shuarjen e zjarrit është plagosur në këmbë, jashtë rrezikut për jetën, punonjësi i zjarrfikëses, shtetasi D. M., 38 vjeç.
Dyshohet se plagosja është shkaktuar si pasojë e plasjes së plumbave që mund të kenë qenë në bagazhin e automjetit. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, informoi policia e Elbasanit.
Pas ngjarjes në qytetin e Elbasanit shkuan edhe forcat speciale RENEA, të cilat nisën kontrolle në disa zona të qytetit. Ardian Çapja është një emër i njohur në qytetin e Elbasanit, por edhe për drejtësinë, pasi ka qenë shoqëruar disa herë, ndërsa në vitin 2017 u ka shpëtuar dy atentateve me armë dhe eksploziv më 2017, ende pa autor, por dyshimet janë për konfliktet e vjetra të fisit. 55-vjeçari konsiderohet si “truri” i grupit Çapja.
Ai është pronari i hotel “Universit”, në hyrje të qytetit të Elbasanit. Ardian Çapja është vëllai i Sokol Çapjes, që u ekzekutua në vitin 2005. Operacioni Forca e Ligjit i dërgoi pak kohë më parë Ardian Çapjes formularin për pasurinë, por 55-vjeçari nuk ka një dënim në Itali apo në Shqipëri, pavarësisht se ka qenë disa herë i shoqëruar, apo ndaluar, duke e bërë nul kërkesën. Ardian Çapja ka disa pasuri në prona të paluajtshme, hotel, restorant, karburant, lavazhe etj. duke gjeneruar të ardhura të shumta.
Ardian Çapja kalon rrezikun për jetën
Ardian Çapja, i plagosur dy ditë më parë me snajper në oborrin e banesës së tij, ka dalë nga reanimacioni dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Edhe ditën e djeshme forca policore kanë qenë të pranishme në spital, ku ruajnë 55-vjeçarin, pasi i tremben ndonjë sulmi tjetër ndaj tij.
Dy efektivë rrinë në pavijonin ku është i shtruar Ardian Çapja, ndërsa dy punonjës së FNSH-së së kryeqytetit janë pozicionuar në hyrje të Spitalit të Traumës. Ardian Çapja është një emër i njohur për policinë shqiptare, pasi edhe më herët është përfshirë në konflikte me persona të tjerë në qytetin e Elbasanit.
Një atentat i kryer ndaj tij në vitin 2017, kishte qenë i mirorganizuar, ndërsa ai u qëllua me kallashnikov e armë të tjera. Autorët më 2017, të cilët ende nuk janë identifikuar, për të shmangur çdo dyshim, kishin modifikuar automjetin e përdorur prej tyre në mënyrë identike me atë të njërit prej fqinjëve të fisit Çapja, duke përdorur dhe targa të falsifikuara me numra të njëjtë.
Pasi e kanë mbajtur nën vëzhgim për disa ditë, autorët kanë ndërhyrë në momentin kur Ardian Çapja po dilte nga banesa e tij. Ata kanë qëlluar nga një distancë e largët në momentin kur ai ka qenë pranë derës. Policia e shtetit ende nuk ka një version zyrtar për motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila është në vazhdën e disa atentateve me viktima të ndodhura në Elbasan gjatë 4 viteve të fundit.
Për hetuesit, ngjarja e fundit vjen si rezultat i konflikteve që fisi Çapja ka me persona të tjerë në qytetin e Elbasanit. Në 2016, tre pjesëtarët të familjes Çapja u vranë dhe disa të tjerë u plagosën. Autorët e kësaj ngjarjeje, edhe pse ka kaluar kaq kohë, nuk dihen, për të mos folur më pas për motivet, të cilat policia nuk ka mundur t’i zbulojë.
Nga anëtarë të ISIS-it, në vrasje dhe grabitje të dhunshme
Në dhjetë vitet e fundit efektivë të forcave speciale ushtarake, të njohur si komando, janë implikuar në veprimtari kriminale. Si përfunduan forcat elitë nga misionet paqeruajtëse deri në pjesëmarrjen si anëtarë të ISIS-it dhe në krimin e vrasjes dhe grabitjeve në vlera të mëdha
Vitet e fundit, komando dhe ish-komando me uniformë ushtarake, apo të braktisur pas disa misionesh, janë përfshirë në ngjarje të rënda në vendin tonë. Grupet kriminale i kanë rekrutuar ata duke i kthyer në disa raste si vrasës me pagesë, grabitës të rrezikshëm, trafikantë droge e deri në xhihadistë.
Duke qenë se ata janë stërvitur për sulme dhe eliminim fizik të “armikut” kanë përgatitje të mirë, si në krimet që kryejnë, ashtu edhe në fshehjen dhe mbulimin e gjurmëve për të mos u zbuluar.
Disa prej efektivëve apo ish-efektivëve të forcave speciale ushtarake të mbetur të papunë apo të larguar me dëshirën e tyre, janë rekrutuar nga grupet kriminale, duke i joshur me shuma të konsiderueshme dhe duke i shtyrë drejt kryerjes së veprave penale. Rasti i parë kur një ish-komando do të zinte faqet e para të gazetave dhe kronikave të televizioneve do të shënohej në vitin 2011.
Nëntë vite më parë policia do të arrestonte ish-komandon Kujtim Çeliku. 33-vjeçari, nga fshati Mullet i Tiranës, do të arrestohej në atë kohë, pasi akuzohej për vjedhjen e një çante brenda së cilës ishin 176 unaza floriri, me një vlerë prej 30 milionë lekësh.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën edhe municione dhe kallëpe tritoli, që ai i mbante pa leje. Në 1 janar të vitit 2013, ish-komandoja Aldo Morina, ekzekutoi taksistin Mehmet Beqiri, pranë Spitalit Petriatik në Tiranë, pasi dyshonte se kishte një lidhje jashtëmartesore me nënën e tij.
Për këtë ngjarje Gjykata e Tiranës e dënoi me 12 vjet burg oficerin e forcave komando, për akuzën e vrasjes, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar u vendos ulja e dënimit me 8 vite burgim.
Oficeri Morina ditën e vrasjes, më 1 janar 2013, u dorëzua në polici dhe pranoi krimin, me pretendimin se viktima i dhunonte nënën. Në mars të vitit 2014, Porkuroria për Krime të Rënda zbuloi një skandal, ku katër komando të Repartit Special në Zall-Herr të Tiranës iu bashkuan ISIS-it (Shtetit Islamik).
Hetimet e prokurorisë për shqiptarët që shkonin të luftonin në Siri, zbuluan skandalin, ku dy prej komandove gjetën vdekjen. Komandot që iu bashkuan ISIS-it ishin Artur Balla, Leonard Përlika, Diamant Rasha dhe Erjon Alinji, ku dy të fundit humbën jetën. Ndërkohë, një tjetër ish-ushtarak që u përfshi në një ngjarje kriminale, në zonën e Bllokut, ishte Ndriçim Balla, i cili vrau me armë zjarri aksidentalisht shtetasen Majlinda Hoxha dhe plagosi shtetasin Elton Fusha, objektiv i atentatit.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 9 shtator 2013, ku Balla qëlloi me armë zjarri në drejtim të Fushës. Atentati nga ish-komandoja u krye për shkak të një borxhi. Më 15 qershor të vitit 2016 policia e Durrësit në sajë të operacionit të koduar “Fast” vendosi në pranga Romin Davidhin, 28 vjeç, banues në Durrës, komando i forcave detare.
Arrestimi i tij u bë i mundur pasi akuzohej për trafik droge. Në nëntor të vitit 2016, një tjetër ish-komando përfundoi në prangat e policisë, kësaj here i vënë nën akuzë se do të kryente sulm terrorist gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael.
Në pranga përfundoi Medat Hasani. Të arrestuarit dyshohet se do sulmonin në ndeshjen Shqipëri-Izrael. Më 15 korrik 2014, tre komandot Fran Kola, Kleo Gjinkola dhe Alban Donaj u arrestuan si pjesë e një grupi që prodhonte dhe trafikonte mina me telekomandë, të përdorura në disa atentate.
Ndërkohë, në grabitjen e 3,2 milionë dollarëve në Rinas, në vitin 2016, u arrestuan edhe dy ish-komandot Ditjon Memlika dhe Naim Avdulaj, si pjesë e grupit që kreu krimin. Një tjetër ngjarje e rëndë ku do të përfshihej Marviol Billo, një komando ende aktiv në forcat ushtarake, ishte ajo e tetorit të vitit 2018, në ish-Bllok, e cila u mbyll me një të vdekur dhe dy të plagosur.
Efektivi i forcave speciale rezulton të jetë qitësi dhe snajperisti më i mirë i repartit, ndërsa implikimi i tij në krimin e rëndë ndodhi pas një zënke momenti, në një ngjarje ku protagonistë ishin Ervin Mata dhe Elvis Martini.
l.m/Fjala.al