Çfarë do të lëshojë PS, PD dhe LSI në këmbim të votës së opozitës parlamentare?!
Nga Saimir Alija
Reforma e re Zgjedhore e cila është një nga kushtet kryesore të Bashkimit Europian për rrugëtimin europian të Shqipërisë mbetet ende në udhkryq, ndërsa afati i vendosur ka kaluar dhe ajo ende nuk është votuar në Parlament.
Në frymën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e cila përcakton qartë në Nenin 81, pika 2, gërma “c” se ndryshimet në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, një numër votash që nuk i disponon as Partia Socialiste. Miratimi i saj varet nga votat e opozitës parlamentare, kërkesat e të cilëve nuk u morën parasysh gjatë takimve të Këshillit Politik me ndërkombëtarët.
Para disa ditësh pas shumë negociatash të ndërmjetësuara edhe nga faktori ndërkombëtar në Shqipëri u duartrokit me ovacione të mëdha nga të gjithë arritja e një marrëveshjeje mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare për Reformën Zgjedhore, madje nuk munguan edhe reagimet e shumta për këtë kompromis të shumëpritur mes palëve. Reagime pozitive kishte nga delegacioni evropian në Shqipëri dhe nga vetë Komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi, i cili e konsideroi marrëveshjen ‘një arritje të madhe”.
Në fakt u arrit marrëveshja, por jo kompromisi i duhur për të votuar Marrëveshjen e arritur në Parlament. Është fakt i njohur se PD dhe LSI nuk janë pjesë e sistemit dhe e Kuvendit si pasojë e vendimarrjes në shkurt të 2019 për braktisjen dhe djegien e mandateve. Qartazi votat për ndryshimet e mundshme në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme duhet të kërkohen gjetkë, tek opozita parlamentare.
Marrëveshja e arritur për Reformën e Re Zgjedhore jashtë Kuvendit të Shqipërisë, pa praninë e tre Grupeve Parlamentare nuk njihet nga këto të fundit, të cilët kanë deklaruar publikisht se nuk e njohin marrëveshjen e Këshillit Politik të arritur jashtë institucionit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, duke e deligjitimuar këtë të fundit. Sipas tyre mazhoranca, duke arritur një marrëveshje jashtë institucioneve bëri të njëjtin gabim si opozita jashtëparlamentare, duke i shpërfillur institucionet.
Tre deputetët, Myslim Murrizi, Kryetar i Grupit Parlamentar Demokrat, Nimet Musai, Kryetar i Grupit Parlamentar të Pavarur dhe Edmond Stojku, kryetar i Grupit Parlamentar “Demokraci dhe Drejtësi” deklaruan pas një takimi me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi se janë të vendosur në plotësimin e tre kushteve të përcaktuar prej tyre, përkatësisht: depolitizimi i administratës zgjedhore, ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe votën e emigrantëve.
Ato deklaruan se askush brenda apo jashtë institucioneve legjitime nuk mund të tallet me solemnitetin e votës së tyre.
Ata gjithashtu i kanë dërguar dhe një kërkesë Kryeministrit Rama dhe njëzëri pohuan se po presim që ai tju kthejë përgjigje kërkesave të tyre. “Sot duhet reformë zgjedhore, jo arnime zgjedhore”, deklaroi opozita Parlamentare.
Pavarsisht nivelit të përfaqësimit të deputetëve të rinj, vota e tyre në Parlament është vendimtare për miratimin e Reformës së Re Zgjedhore, ashtu siç ka qenë dhe për një sërë reformash të tjera që kanë kaluar në Kuvendin e Shqipërisë.
Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi duan apo nuk duan t’i njohin deputetët e tyre ‘rebelë’, të cilët nuk ju bindën vendimit politik për të mos pranuar mandatit e deputetit, ata janë sot pjesë e Parlamentit të Shqipërisë dhe do të duhet ngritja e kartonit jeshil nga ana e tyre për miratimin e Reformës Zgjedhore.
Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi duhet të marrin përgjegjësinë e tyre politike dhe morale përpara shqiptarëve dhe për këtë nivel përfaqësimi që ka sot Kuvendi Shqipërisë, pasi janë ata të cilët i vendosën në listat e tyre të deputetëve dhe mos të mundohen t’ia hedhin topin sistemit.
Deputetët e opozitës së re ndryshe nga deputetët e përkëdhelur të Lulit dhe Monikës, të cilët ishin të parët në lista kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në jetën parlamentare të vendit.
Ata nxorrën vendin nga kolapsi institucional që e futi opozita pas vendimit në bllok për djegien e mandateve.
Deputetët e opozitës së re kanë votuar ligje të rëndësishme në kuadër të reformës në drejtësi, pa të cilën sot nuk do të mund të ishin hapur bisedimet për anëtarësim me BE-në.
Pas arritjes së marrëveshjes për Reformën Zgjeshore, ambasadorja e SHBA-ve deklaroi se të dyja palët lëshuan diçka, mirëpo tani ka ardhur momenti që do të duhet që mazhoranca dhe opozita joparlamentare të lëshojnë diçka në këmbim të votës së opozitës parlamentare në Kuvendin e Shqipërsisë, e cila rikonfirmoi edhe sot qëndrimin e palëkundur se nuk do të votojë reformën pa u marë parasysh kërkesat e tyre.
Mbetet për t’u parë se si do të të shkojnë zhvillimet në ditët në vijim, nëse opozita parlamentare do ti qëndrojë premtimit të saj për të mos e votuar Reformën e Re Zgjedhore pa u marë në konsideratë kërkesat e vtyre, apo do të bëhen dhe ata pjesë e një marrëveshjeje për ta zhbllokuar atë.