Opozita Parlamentare e cila kushtëzon votimin e reformës zgjedhore në Kuvendin e Shqipërisë ka hedhur dje hapin e radhës, duke propozuara një projektligj për ndryshime Kushtetuese të cilat kanë trazuar ujërat e opozitës jashtëparlamentare.
Menjëherë pas propozimit të draftit opozita jashtëparlamentare ndërmori një fushatë sulmi ndaj deputetëve të cilët kanë firmosur kërkesën për ndryshimet kushtetuese, përkatësisht të nenit 68 dhe 64 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Por çfarë qendron pas kësaj kërkese, e cila prishi atmosferën e brishtë të ‘kompromisit’ të arritur në Këshillin Politik mes PS-PD dhe LSI? Çfarë ndryshimesh parashikohen të bëhen në nenin 68 dhe 64 të Kushtetutës që PD e LSI i tremben si djalli temjanit?
Në draftin e depozituar në Kuvendin e Shqipërisë opozita Parlamentare kërkon të bëhet korrektimi kombëtar i votave për partitë që kalojnë pragun 5 për qind, hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021.
Amendamentet e propozuara nga opozita parlamentare, synojnë shndërrimin e sistemit zgjedhor nga ai aktual që bazohet në sistemin proporcional me konkurrim rajonal me lista te mbyllura në një sistem, i cili në vlerësimin e propozuesve (deputetëve të opozitës parlamentare), referon më mirë dhe në format më demokratik vullnetin e votuesit. Për këtë qëllim amendamentet parashikojnë që detajimi aktual Kushtetues i konkurrimin rajonal me lista të mbyllura të hiqet nga Kushtetuta.
Ai detajim sanksiononte lista të mbyllura dhe shprehja që formatonte sistemin u vendos në Kushtetutë megjithëse nuk e kish vendin aty, por sepse qëllimisht palët donin të mbyllnin me forcën e Kushtetutës çdo diskutim lidhur me listat e hapura. Pra sistemi i ri i propozuar është ai proporcional me konkurrim rajonal.
Ky do të jetë padyshim një proces shumë i vështirë, pasi presioni i opozitës jashtëparlamentare mbi deputetët që kanë nënshkruar këtë nismë është rritur. Reagimet dhe daljet e njëpasnjëshme në banaqet e televizioneve kanë qenë të shumta, ku përfaqësues të PD dhe LSI kanë sulmuar deputetët e opozitës parlamemtare, të cilët kanë hedhur firmat dhe kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës.
Kjo përpjekje e deputetëve legjitimë të Kuvendit të Shqipërisë është përballur me një agresion të ashpër nga ana e Partisë Demokratike, sidomos për pikën e heqjes së koalicioneve parazgjedhore.
Heqja e koalicioneve nëse do të miratohet zgjidh njëherë e mirë dy probleme:
1- Hap listat dhe garën elektorale
2- Mundëson futjen e partive të reja pa ndikim nga partitë e mëdha.
Por pse ka frikë PD dhe LSI të futen të vetme në zgjedhje dhe të provojnë forcën e tyre dhe të kuptojnë se sa vlejnë?!
Mendoj se frika qëndron në faktin se heqja e koalicioneve, hap garën për partitë e reja, pasi ligji aktual favorizon vetëm koalicionet.
Heqja e koalicioneve parazgjedhore është një kërkesë pozitive, sepse i jep mundësi çdo subjekti politik të dalë para votuesve të vet me platformën e vet qeverisëse dhe duhet të jenë qytetarët shqiptarë ata të cilët me votën e tyre të zgjedhin përfaqësuesit e tyre ne Kuvendin e Shqipërisë dhe jo makinacionet politike të partive.
Prishja e qetësisë së PD dhe LSI nga lëvizja e beftë e opozitës parlamentare me kërkesën për ndryshimin e Kushtetutës do të mundësojë edhe formimin e një opozite të re në vend, e cila mund të sjellë edhe defaktorizimin e opozitës së vjetër të Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit dhe për të mos lejuar një gjë të tillë ata janë gati të humbasin pushtetin dhe të lënë Edi Ramën Kryeministër.
Mesa duket frika e humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2021 është e madhe në kampin opozitar, të cilët po bëjnë dhe një betejë tjetër atë të ruajtjes së opozitës.
Nëse PD dhe LSI e ka të sigurtë fitoren e zgjedhjeve të 2021, siç dhe e kanë deklaruar me bindje të plotë të mbështesin kërkesën e opozitës parlametare për ndryshimin e Kushtetutës në këmbim të votës së tyre në Parlament për miratimin e Reformës së Re Zgjedhore.
Në ketë formë do të kishte një zhbllokim të situatës dhe të gjitha palët do të ishin të kënaqura dhe të punonin për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme.
Vlen të theksohet gjithashtu se beteja për ndryshimet kushtetuese natyrsisht është në të drejtën legjitime të deputetëve të opozitës parlamentare. Partia Socialist siç edhe e ka deklaruar është e hapur dhe mirpret çdo ndryshim lidhur me Reformën e Re Zgjedhore, ndaj dhe duhet tja plotësojë kërkesat, ashtu siç ja plotësoi PD-së dhe LSI kërkesat në Këshillin Politike, të ndërmjetësuar dhe nga ndërkombëtarët.
Duhet përmendur se kërkesat e opozitës parlamentare nuk prekin në asnjë pikë atë çka është arritur në marrëveshjen e Këshillit Politik mes PS-PD dhe LSI. Ato në kërkesën e tyre vetëm shtojnë kërkesa të reja, në mënyrë që sistemi të bëhet më i hapur, më i sigurtë dhe më gjithëpërfshirës për t’i përfaqësuar të gjithë njësoj.
Mbetet për tu parë në ditët në vijim nëse opozita parlamentare do ti rezistojë presionit të shtuar së fundmi nga ana e PD dhe LSI ndaj tyre për ta çuar deri në fund këtë iniciativë të rëndësishme e cila nëse do të realizohet do të sjellë një ndryshim rrënjësor në politikën shqiptare.