Partia më e madhe në opozitë nis sot procesin e konsultimit me anëtarësinë e saj për kandidatët për deputetë dhe kryebashkakë. PD-ja synon që deri në shtator të bëjë publik ekipin e saj të parlamentit të 2021-shit.
Si do të zhvillohen këto zgjedhje dhe a do të përcaktojë vullneti i bazës vendimmarrjen e kryedemokratit Basha për listën përfundimtare të kandidatëve? Flasin për gazetën “Fjala”, zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa dhe anëtari i kryesisë, Endri Hasa.
Nga Blerina Gjoka
Kur na ndajnë afro një vit nga zgjedhjet e reja parlamentare të vitit 2021 Partia Demokratike, partia më e madhe e opozitës, ka nisur një proces demokratizimi të saj me konsultimin paraprak me anëtarësinë të emrave që të do të përbëjnë listën e kandidatëve të rinj për deputetë.
Duke nisur nga dita e sotme ky proces nis zyrtarisht me miratimin nga kryesia të një udhëzuesi me rregullat e zhvillimit të përzgjedhjes së emrave, i cili është hartuar nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi. Pas miratimit në kryesi, udhëzimi do t’u shpërndahet degëve dhe me datë 20 qershor do të nisë procesi i organizimit në bazën e partisë në çdo qark.
PD-ja synon që deri në shtator të ketë përfunduar zgjedhjet me parimin një anëtar – një votë të listës së kandidatëve për deputetë dhe për kryebashkiakë, duke shpresuar në një vendim të Gjykatës Kushtetuese për ripërsëritjen e zgjedhjeve të qershorit 2019, ku ajo nuk mori pjesë.
Sipas anëtarit të kryesisë, Endri Hasa, ky proces do të kalojë disa faza deri në hartimin e listës përfundimtare të kandidatëve, e cila do të marrë miratimin përfundimtar në Këshillin Kombëtar të partisë. Ndërsa për zëdhënësen e PD-së, Ina Zhupa, vetë procesi i konsultimit dhe votimit në anëtarësi është i rëndësishëm për demokratizimin e partisë më të madhe në opozitë, e cila po përgatitet të vijë në pushtet në vitin 2021.
Modeli i konsultimit
Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa, i tha gazetës “Fjala” se përzgjedhja e kandidatëve nëpërmjet një procesi të hapur publik, me votat e anëtarësisë së partisë, është një standard i ri demokratik që futet në politikën shqiptare.
“PD është konsultuar me Institutin Republikan në SHBA dhe Partinë Konservatore në Britani për të marrë modelin e tyre dhe për ta adaptuar në vend, sipas sistemit zgjedhor që ne kemi. Modeli që do të adaptojmë ne do të jetë me zgjedhje sipas qarqesh, jo në nivel kombëtar , duke iu përshtatur dhe sistemit zgjedhor në fuqi.” – u shpreh Zhupa.
Sipas saj, nga 20 qershori deri më 15 shtator do të jetë vetëm faza e parë e përzgjedhjes së tyre, pasi më pas vendimet do të merren nga organet e larta të kësaj force politike. “Pasi të mbarojë kjo fazë, do të jetë kryesia e Partisë Demokratike dhe organet e larta, si Këshilli Kombëtar që do të realizojnë vendimmarrjen e ndarjes nëpër zona, e personave përgjegjës në zonat elektorale që të nisë fushata në terren, vendim që do të merret nga strukturat e PD-së në bazë të Statutit”.
Në këtë mënyrë kryetari i partisë heq dorë nga fuqia që i jep statuti për të hartuar listat e kandidatëve, duke i dhënë anëtarësisë më shumë kompetenca në atë që në status është përcaktuar si “konsultim”, duke e kthyer në votim direkt për emrat me të cilët anëtarësia e thjeshtë kërkon të përfaqësohet në zgjedhje.
Sipas Zhupës, partia më e madhe e opozitës ka nisur fushatën, sepse ndihet era e re që po fryn për të ardhmen e vendit që pritet të konkretizohet në zgjedhjet e vitit tjetër me fitoren e PD-së e cila, sipas saj, “është e vetmja forcë që ka një program të qartë qeverisës për t’i ndryshuar faqen Shqipërisë”.
Shmangia e pakënaqësive
Muajt e konsultimit me anëtarësinë shumë kohë përpara se të vijë fushata zgjedhore, e cila pritet të jetë në prill-maj të vitit tjetër, i jep PD-së dhe kryetarit të saj Lulzim Basha mundësinë që të shmangë suprizat e minutës së fundit në listën e kandidatëve.
Zgjedhjet e vitit 2017, ku pas një marrëveshjeje me Ramën, Basha kishte vetëm një javë kohë për të hartuar listën e kandidatëve, solli shumë pakënaqësi në anëtarësinë demokrate.
“Njerëzit do të kenë qartësi,do të dinë se kë do të zgjedhin. Primaret janë proces që zhvillohet në shumë vende demokratike, duke votuar me anëtarësinë.” – u shpreh për gazetën “Fjala”, Endri Hasa, ish-deputet dhe anëtar kryesie i PD-së.
Duke iu referuar 2017-ës, ai thotë se “PD pavarësisht se ishte në çadër për disa muaj, pati një proces me iniciativën propozo deputetin tënd, dhe së bashku me 12 koordinatorë që ishin caktuar për degët dhe kishin mbledhur propozimet, u bë një filtër paraprak, por për shkak të kohës shumë të shkurtër, në më pak se një javë duhej të bëhej lista dhe problematikave të tjera, sepse u detyruam të fusnim persona nga parti të tjera, për shkak të formulës që u futëm në zgjedhje, ajo solli dhe disa pakënaqësi”.
Hasa thekson se procesi i ri që sapo ka nisur do t’i shmangë këto problematika dhe do të nxjerrë në krye kandidatët më të mirë me integritetin e duhur për të përfaqësuar PD-në në zgjedhje. Do të ketë filtra të posaçëm partiakë për të vlerësuar çdo figurë për integritetin e tyre moral e ligjor. Po ashtu, Hasa beson se ky proces do të sjellë një rihapje të PD-së ndaj qytetarëve.
“PD ka qenë gjithmonë me derë të hapur ndaj anëtarësisë, kontributorëve, mundohemi të përfshijmë të gjithë nga themelimi deri më sot dhe, në radhë të parë, është anëtarësia që vlerëson punën e kandidatëve”, – thekson ai.
Demokratët do të përballen në zgjedhjet e reja parlamentare në një moment të vështirë për ta, kur janë prej më shumë se 1 viti jashtë çdo pushteti legjislativ e lokal, për shkak të vendimit për të lënë mandatet dhe për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e fundit lokale.
Pas 7 vitesh në opozitë kjo parti që ka qeverisur dy herë rrjesht vendin pas rënies së komunizmit, po kërkon të vijë në pushtet, duke e nisur betejën e parë me veten.
Procesi i konsultimit të kandidatëve të rinj
- Më datë 15 qershor sekretari i përgjithshëm i propozon për miratim në Kryesi, udhëzimin përkatës për realizimin e procesit të përzgjedhjes, konsultimit dhe seleksionimit të kandidatëve.
- Nis procesi në nivel dege për evidentimin/përzgjedhjen që realizohet në periudhën 20 qershor – 31 korrik 2020.
- Brenda datës 1 gusht 2020 të ngrihet Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve pranë PDSH-së.
- Procesi i seleksionimit të kandidaturave të realizohet në periudhën 1 gusht – 30 gusht 2020.
- Procesi i konsultimit të kandidatëve të realizohet në periudhën 1 shtator – 15 shtator 2020.
Përçahet grupimi opozitar në Kuvend, BKD tërhiqet nga “ndryshimi i Kushtetutës”
Balli Kombëtar Demokrat është tërhequr nga ndryshimet në Kushtetutë për t’i hapur rrugë ndryshimit të sistemit zgjedhor që kërkon opozita parlamentare. Dy deputetët e BKD, Artur Roshi dhe Besnik Troplini kanë tërhequr firmat e tyre nga kërkesa e deputetëve të opozitës parlamentare për ndryshimet në Kushtetutë.
Roshi ka shpjeguar vendimin me anë të një statusi në facebook, ku shprehet ndër të tjera se ndërhyrjet e këqija në Kushtetutë bëjnë dëme të pariparueshme për shoqërinë. Duket se thembra e Akilit është kërkesa për ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, për të cilën opozita e bashkuar është kundër dhe e cilëson si një indicie të kryeministrit Edi Rama për të penguar atë që të hyjë në zgjedhje e bashkuar.
Roshi thotë se nuk ka qenë në dijeni të kësaj pike në projektin që ka firmosur. “Firmosa në një marrëveshje xhentëllmenësh se do të qëndrohej në hapjen e listave, që do të thotë se duhet ndryshuar neni 64 i Kushtetutës dhe paragrafi i dytë i nenit 68 “Renditja e Kanditatëve për deputet në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës”.
Anonçimi në media se do të ndërhyhet në Kushtetutë për të ndaluar koalicionet parazgjedhore dhe vendosja e pragut 5% është shqetësuese, sepse tregon se dikush është i interesuar. Këtë interes mund ta shfaqë ai që sheh se i afrohet mundësisë dhe fuqisë së kartonit për ta bërë këtë. Kjo lloj ndërhyrjeje, do të thotë ruajtjen e statukuosë, ruajtjen e sistemit bipolar politik që është sot, ruajtjen e sistemit të pengut nga kontrolli absolut i tregut politik.”- u shpreh Roshi.
la.mi/Fjala.al