PD-ja kërkon shkarkimin, KQZ vendos nesër për dy kryebashkiakët socialistë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të mblidhet ditën e nesërme për të vlerësuar vlefshmërinë e mandatit për kryebashkiakun e Matit dhe atij të Librazhdit.

Kjo pas denoncimit të bërë nga Partia Demokratike, ku kryebashkiaku i Matit Agron Malaj, rezulton i dënuar me 10 muaj burg për armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë kryebashkiaku i Librazhdit, Kastriot Gurra, është denoncuar për falsifikim të vulave, siç pretendon Lëvizja Qytetare Sopoti, me përfaqësues Rexhep Hanën.

KQZ njofton se ditën e martë, më datë 16.06.2020, ora 11:00, zhvillon mbledhjen me këtë rend dite:

Shqyrtimi i projekt-vendimeve:

-Për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik z.Agron Rufat Malaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mat, qarku Dibër, në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

-Për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik z. Kastriot Hasan Gurra, me funksion Kryetar i Bashkisë Librazhd, qarku Elbasan, në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”./Bl.Ba/Fjala.al