KQZ “shpëton” kryebashkiakun e Matit dhe Librazhdit, i konfirmon në detyrë

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve vendosi me 5 vota pro që Agron Malaj të vazhdojë detyrën e tij si kryebashkiak i Matit.

Pas votimit, për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për Kryetarin e Bashkisë së Matit, qarku Dibër, për të cilin PD kërkon heqjen e mandatit, 5 anëtarë të KQZ-së vendosën kundër heqjes së mandatit dhe konfirmimin e tij në detyrë.

Sipas KQZ, Prokuroria ka kryer një hetim të gjithanshëm për figurën e Malajt, nga i cili rezulton të jetë dënuar, por në momentin që ka filluar punë në administratë i ka mbaruar penaliteti.

Agron Malaj u akuzua nga Partia Demokratike se ka fshehur një vepër penale, atë të plagosjes se një shtetasi me armë zjarri në vitin 1999.

Asokohe Malaj u dënua me 10 muaj burgim vetëm për veprën penale “armëmbajtje pa leje”, ndërkohë që për veprën penale të plagosjes ai nuk është gjykuar, pasi i dëmtuari ka tërhequr padinë.

Demokratët pretenduan se Agron Malaj, kryebashkiak i Matit ishte në shkelje të ligjit të dekriminalizimit.

Konfirmim në detyrë u komunikua edhe për Kastriot Gurrën, për të cilin gjithashtu u konstatua se nuk është në kushtet e ndërprerjes së detyrës.

Kryebashkiaku Gurra, është denoncuar për falsifikim të vulave, siç pretendon Lëvizja Qytetare Sopoti, me përfaqësues Rexhep Hanën./Bl.Ba/Fjala.al