Me ritmin e plotësimit e 15 kushteve të integrimit, vendi ynë rrezikon të ‘mbetet në klasë’ edhe një herë tjetër. Cilat janë 5 kushtet e detyrueshme që i hapin udhë mbledhjes së konferencës ndërqeveritare, dhe pse Shqipëria mund të humbasë edhe një vit tjetër nga procesi, ndërsa Maqedonia e Veriut i nis bisedimet në vjeshtë? Flasin për gazetën “Fjala”, ish-ministri i Integrimit, Marko Bello dhe drejtori ekzekutiv i EMA-s, Gledis Gjipali.
Nga Blerina Gjoka
Kanë kaluar plot 17 vite që kur Bashkimi Evropian mori zotimin për afrimin e Ballkanit Perëndimor pranë vetes. Por nga Samiti i Selanikut, i mbajtur në qershor të vitit 2003, kanë rrjedhur shumë ujëra, kanë ndodhur shumë ngjarje, optimizmi për zgjerimin ka rënë, ndërsa Shqipëria rrezikon të mbetet e fundit në këtë proces në raport me fqinjët e saj.
Kur BE-ja po përballet me Brexit dhe epideminë COVID-19 pret në derën e saj, për nisjen e negociatave për anëtarësim, dy vende të vogla të Ballkanit, që kanë përshkuar një udhë të gjatë me ulje-ngritje drejt integrimit të plotë. Por, ndërsa Maqedonia e Veriut u bllokua nga ‘vetoja greke’ disa vite rresht, për shkak të emrit, për Shqipërinë më së shumti faji i këtij ngadalësimi rëndon mbi politikën shqiptare.
Në vjeshtën e këtij viti është mundësia e fundit që ne të mos ndahemi nga vendi fqinj, i cili ka plotësuar të vetmin kusht që i kishte vënë Brukseli për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në korrik të këtij viti, ndërsa Tirana vijon të ketë në portofolin e detyrave të shtëpisë të paplotësuara 15 kushtet që vendosin fatin e bisedimeve.
Sipas ekspertit të integrimit, Gledis Gjipali, ne rrezikojmë të rrimë dhe një vit në pritje, nëse muajt e verës nuk do të tregojnë vullnetin e qeverisë dhe të institucioneve të tjera për të plotësuar kushtet e detyrueshme që i hapin rrugë konferencës ndërqeveritare të BE-së për nisjen e negociatave me vendin tonë.
Ndërsa për ish-ministrin e Integrimit, Marko Bello, do të ishte turpi i politikës dhe i institucioneve përgjegjëse, nëse Shqipëria do të shkëputej nga Maqedonia e Veriut në këtë proces. Të dy ekspertët i thanë “Fjalës” se duke parë ecurinë e ngadaltë të plotësimit të kushteve, rreziku që vjeshta të na mbesë sërish në klasë, është i madh.
Korniza e negociatave
Më 17 qershor Komisioni Evropian do të paraqesë përpara Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme kornizën e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo kornizë do t’i ndihmojë palët për t’u përgatitur për një datë zyrtare të hapjes së negociatave, të cilat morën dritën jeshile në një vendim të marrë më 24 mars të këtij viti nga vendet anëtare të BE-së.
Korniza e negociatave, që është dokumenti bazë që përcakton mënyrën se si do të zhvillohen bisedimet e pranimit me të dy vendet, duhet të miratohet nga të gjitha vendet anëtare dhe, për të nisur zbatimin e saj, Shqipëria duhet të përmbushë të paktën 15 kushte. Deri më tani është plotësuar vetëm kushti i parë, ai i arritjes së një marrëveshjeje politike për reformën zgjedhore. Ky dokument pritej të shqyrtohej më 8 qershor, por u shty për shkak të mosmarrëveshjeve politike për reformën zgjedhore, që u zgjidhën më në fund nga ndërhyrja e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
Po ashtu, Brukseli po priste një tjetër marrëveshje politike në Shkup, ku partitë politike ranë dakord për datën e re të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në 15 korrik. Por Shkupi nuk ka kushte të tjera shtesë dhe shpreson në një mbledhje ndërqeveritare nga BE-ja në vjeshtë. Nga pala shqiptare duhen prova të tjera të forta që kjo mbledhje të shihet në horizont, ndoshta deri në fund të vitit.
Qeveria dhe institucionet duhet të bëjnë të mundur funksioninim e institucioneve të reja të drejtësisë, të nisin hetimet për gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë kaluar vetting-un, të japin prova të luftës ndaj korrupsionit e krimit etj. Këto kushte të iniciuara vjet nga Budenstagu gjerman dhe të pranuara nga vendet anëtare, pritet të përfshihet edhe në një rezolutë të Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimor, me propozimin e grupit të Partive Popullore Evropiane.
Marko Bello: Duhet seriozitet dhe përgjegjshmëri për plotësimin e kushteve
Brukseli kërkon seriozitet dhe prova të qarta të përgjegjshmërisë në plotësimin e standardeve që kërkohen për të qenë një vend i denjë që të hysh në bisedimet e anëtarësimit me BE-në.
Marko Bello, ministri i parë i Integrimit në vitet 2002-2005, kur negociohej Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, i tha gazetës “Fjala” se Shqipëria ka shumë për të bërë, për të nisur realisht hapjen e bisedimeve dhe në këtë fazë Maqedonia e Veriut është një hap përpara.
“Do të ishte fatkeqësi, nëse Shqipëria do të ndahej nga Maqedonia e Veriut, sepse ne e kemi nisur shumë kohë më parë procesin e integrimit, ndërsa vendi fqinj ka vuajtur veton greke për një farë kohe. Ne duhet të kishim përfituar që të ecnim përpara, por, në të vërtetë, ne rrezikojmë që të na e kalojë Maqedonia e Veriut, dhe kjo po ndodh për turpin e politikës, sepse kushtet janë politike dhe për mazhorancën në veçanti, që ka qeverisjen, dhe institucionet e tjera që janë të përfshira në këtë proces.”- u shpreh Bello.
Sipas tij, nuk ka justifikime për kohën e humbur kot, duke treguar mungesë serioziteti dhe papërgjeshmëri dhe një lloj indiferentizimi për një vend që aspiron të bëhet vend anëtar.
“Këto vonesa kanë ardhur pasi të gjitha palët politike ecin duke bërë kalkulimet e veta, dhe duke bërë kalkulimet e tyre politike ajo që e pëson është Shqipëria.” – tha ai duke e cilësuar procesin e integrimit një “progres me hapat e breshkës”.
Sipas Bellos, ne rrezikojmë të ndahemi nga fqinji ynë, pasi Brukseli kërkon seriozitet në këtë proces, të cilin ne nuk e kemi treguar, me plotësimin e 15 kushteve.
Gledis Gjipali: Nëse bisedimet nuk nisin në vjeshtë, do të humbasim edhe një vit kohë
Drejtori ekzekutiv i EMA-s, Gledis Gjipali, bën një tablo të kushteve që duhet të plotësojë në pak muaj vendi ynë, ndërsa shpreson për një mbledhje ndërqeveritare nga BE-ja në vjeshtën e këtij viti.
Sipas tij, jemi shumë mbrapa me plotësimin e kushteve dhe, nëse në vjeshtë Maqedonia e Veriut hedh një hap përpara në këtë proces, ne rrezikojmë të humbim edhe një vit kohë.
“Nuk ka një datë për nisjen zyrtare të bisedimeve për momentin, sepse Shqipëria ka disa parakushte për të plotësuar, në mënyrë që të thërritet një konferencë ndërqeveritare për të miratuar kuadrin e negociatave. Kjo konferencë nuk mund të thirret pa arritur 15 kushtet paraprake, nga të cilat 5 kushte patjetër duhet të realizohen para konferencës ndërqeveritare të BE-së.” – u shpreh Gjipali.
Sipas tij, kushtet e detyrueshme janë reforma zgjedhore, ku përfshin dhe financimin e partive politike, reforma në drejtësi me plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë, SPAK-u të jetë i ngritur plotësisht.
Por, nga ana tjetër, duhen dhënë prova të qarta dhe për progresimin e kushteve të tjera. “Por përveç këtyre kushteve që janë të detyrueshme, Shqipëria duhet të tregojë progres në elemente të tjera që janë përmendur nga deklarata e 25 marsit e Këshillit Evropian për çeljen e negociatave. Duhet të ketë treguar rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit trë organizuar, të ketë nisur procedimet penale për çështjet e vjedhjes së zgjedhjeve, të ketë nisur hetimi për gjykatësit dhe prokurorët që s’kanë kaluar vetingun etj.” – thekson Gjipali.
Sipas tij, nëse ndahemi nga Maqedonia e Veriut në vjeshtë, “do të rrezikojmë të humbasim një vit kohë, sepse viti 2021 është një vit zgjedhor dhe para zgjedhjeve nuk mund të ketë një konferencë ndërqeveritare”.ka.ta/Fjala.al/