Jetëshkrim i shkurtër
Poet dhe prozator, lindi në Sarandë, në vitin 1937. Mbaroi Liceun Artistik të Tiranës për pikturë dhe studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës në degën gjuhë-letërsi shqipe. Filloi të shkruajë ne vitin 1965. U pranua anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në vitin 1970. Botoi publicistikë dhe letërsi artistike në disa organe të shtypit. Bëri disa skenarë filmash dokumentarë dhe kronika të TVSH-së. Mori pjesë në festivalet kombëtare të Radiotelevizionit Shqiptar, ku fitoi disa çmime për tekstet. Disa cikle me poezi të tij u inskenuan të recituara nga aktorë të Tetarit Popullor.
Nga Leonard Veizi
Letërsia në Shqipëri, krijesa që fle pa pagesë te kushdo që e strehon. Kjo ka bërë që çdo person, qoftë edhe grafoman pa shkollë, të rrokë penën për të shkruar e të thotë “Jam shkrimtar e poet”.
Thotë se fle në dy shtretër, e ku ta zërë gjumi më parë ndër ta. Dhe nuk ka sqimë preferencash a të grindet për punë dyshekësh, jorganësh a jastëkësh. Sepse në të dy shtretërit e tij bën gjumë të rehatshëm e gdhihet i çlodhur për t’ia nisur punës sërish. Dhe shtretërit ku ai mbështet kokën janë pagëzuar që herët, ndaj njërin e ka me emrin “prozë” e tjetra quhet “poezi”. Poet e prozator, Vullnet Mato shkon më tej kur shprehet se ka një harem, ku dy bukuroshet, dashnore të ngushta, bashkëjetojnë me të: leximi dhe krijimtaria…
…Ai administron “Shoqatën Letrare artistike Princ Muzaka”, jo e pakët për nga kontributi që jep në fushën e letrave shqipe. Boton letërsi nga autorë me emër, por publikon dhe talentet e reja, të cilat fillimisht nuk gjejnë mbështetje tek askush. Dhe jo vetëm kaq, por organizon konkurse letrare, me çmime e certifikata fituesish. Me 8 romane, 3 vëllime me tregime dhe 12 vëllime poetike, Vullnet Mato duket se ndihet goxha i plotësuar, por dhe i vlerësuar me shumë çmime gjithashtu. Për më tej, Vullnet Mato, për lexuesit e gazetës “Fjala”, thotë:
-Si i kaluat ditët në karantinë, duke pasur parasysh se gjatë procesit krijues një shkrimtar vetëkarantinohet në një farë mënyre?
Së pari, ndihem i nderuar që gazeta “Fjala” , e cila me bukurinë e fjalës së saj ka pushtuar shpejt tregun e shtypit dhe simpatinë e lexuesve shqiptarë, më drejtohet mua me këtë pyetësor të këndshëm. Dua të them se ne krijuesit jemi miqësuar herët me karantinën e mbylljes mbi kompjuter, por karantina e COVID-19, kishte prangat e llahtarshme të rrezikut të vdekjes. Ndonëse kemi shpëtuar gjallë deri tani, na mori malli për sytë e njerëzve tanë, na mori malli për hapësirat, na mori malli të na puthte oksigjeni i pastër i ajrit, të na puthnin rrezet e diellit, të na puthnin, qoftë edhe shkreptimat e vetëtimave të reve.
A ishte frymëzuese për ju një situatë e pazakontë si ajo që solli COVID-19?
Ashtu si e mira me suksesin ngjallin frymëzim, edhe koronavirusi me torturat spitalore dhe vdekjet botërore, më tronditi fantazinë të shkruaj dy poema, të publikuara online, në disa website nga Shqipëria në Kosovë, Bruksel, e Londër. Por veprimtaria më kryesore ishte konkursi letrar mbarëkombëtar me temë “Rreziku dhe mbrojtja nga Covid-19”, që organizuam me Shoqatën Letrare Artistike “Princ Muzaka”, ku unë jam administrator dhe Mimoza Çobo kryetare. Në atë konkurs, gjatë muajit prill e maj, morën pjesë dhe u vlerësuan me diploma e certifikata mbi njëqind krijues nga 340 anëtarë të shoqatës dhe pjesëmarrës të huaj, të cilët gjatë kësaj periudhe, shmangën sado pak streset e pandemisë.
A mund të përbëjë ky precedent një motiv që në të ardhmen të shkruani rreth saj?
E ardhmja e koronavirusit është enigmë, i tillë është edhe motivi i këtij precedenti, për t’iu kthyer sërish në të ardhmen. Në këto kushte, nuk dihet ç’na ofron e nesërmja. Zërat që qarkullojnë, janë të frikshëm. Ne jemi trima të fjalës, por jo me imunitet ndaj infeksioneve. E mira do të ishte të mos kishim tema për drama, aq me keq për tragjedi.
Cila ka qenë primare në ditë të tilla izolimi, leximi apo krijimtaria?
Mendoj se leximi dhe krijimtaria, janë dy bukuroshet, dashnore të ngushta, në haremin e çdo poeti dhe prozatori. Ai i ndërron ato, për të argëtuar pasionin e vet, në çdo kohë, si sulltan i penës që është.
Çfarë raporti keni ju si shkrimtar me rrjetet sociale, si në rastin e facebook-ut? A ju ndihmojnë ato?
Sipas komenteve të shumta që u bëhen krijimeve tona në facebook, shpesh edhe me lëvdata superlative, mund të them se magjia e miqve të shumtë në këtë program të internetit, jo vetëm të nxit çuditërisht, por edhe të bën më të përgjegjshëm, për një cilësi që të kënaqë shijet e lexuesve të çdo shtrese shoqërore.
Poet dhe prozator, cili është shtrati ku ju rrini më mirë?
Mua më pëlqen të fle në të dy këta shtretër, ku të më zërë më shpejt gjumi i frymëzimit. Më tej se ku hipnotizohen më tepër lexuesit e mi, atë mund ta thonë më mirë vetë ata. Kam shkruar 8 romane, 3 vëllime me tregime dhe 12 vëllime poetike, të cilat janë shpërndarë tërësisht, deri në bibliotekat ndërkombëtare. Kam marrë çmime të çdo kategorie.
A keni një perceptim rreth situatës letrare në Shqipëri?
Mund të them me keqardhje të thellë, se letërsia në Shqipëri ka mbetur si një krijesë rrugaçe e një qeverie njerkë. Ajo fle pa pagesë, te kushdo që e strehon në shtypin gazetaresk dhe ndryshe, paguan me para në dorë të flejë nëpër librat e shtypshkronjave private. Kjo ka bërë që çdo person, qoftë edhe grafoman pa shkollë, të rrokë penën për të shkruar e të thotë “Jam shkrimtar e poet”.ka.ta/Fjala.al/