Inspektorati Shtetëror i Shëndetësisë ka gjobitur 6 biznese për shkak se kanë shkelur masat e sigurisë të vendosura ndaj koronavirusit.
Në një njoftim për mediat ISHSH bën me dije se janë gjobitur markete, bar kafe, furra buke, klinika dentare, parukeri etj, në subjektet të cilat janë gjetur në shkelje, duke mos marrë masat dhe moszbatuar protokollet e sigurisë për mbrojtjen ndaj COVID19.
Ndërsa më tej ISHSH iu bën apel qytetarëve dhe bizneseve që të respektojnë masat e vëna ndaj Covid-19.
Njoftimi i plotë:
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor vijon intensivisht kontrollet dhe monitorimin në terren, ku vetëm në 24 orët e fundit janë realizuar 1820 inspektime dhe monitorime në të gjitha qarqet e vendit.
Janë marrë 6 masa administrative me gjobë në markete, bar kafe, furra buke, klinika dentare, parukeri etj, në subjektet të cilat janë gjetur në shkelje, duke mos marrë masat dhe moszbatuar protokollet e sigurisë për mbrojtjen ndaj COVID19 të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Nga inspektimi në terren janë marrë 2 masa administrative në qarkun e Tiranës, 3 masa administrative në qarkun Durrës dhe 1 masë administrative në Fier.
Gjatë kësaj periudhe prej Marsit, janë inspektuar dhe monitoruar mbi 76 mijë subjekte në të gjithë vendin dhe janë vendosur mbi 300 masa administrative.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve dhe bizneseve të respektojnë masat e distancimit social dhe higjenës si dhe bizneset dhe institucionet të zbatojnë protokollet e sigurisë. ka.ta/Fjala.al/